Saturday, March 26, 2011

Poezi nga Myftar Dragidella



TI QË NUK HARROHESH

(Patriotit e arsimtarit tim të ndjerë Isa Demaj)

Mirë më kujtohet:
„E hënë, ora e parë,
Gjuhë shqipe,
shkruante në orar”.

Një arsimtar i ri ka ardhë,
degjohej refreni,
se do të jesh një trim
ne fëmijtë, ditë s´e kemi.

Seç të shndëriste balli,
seç të shkrepte goja:
Duani Kosovën - thoshe,
ështe gjithmonë e jona

Nuk kaloi shumë,
u pa «udha» jote,
për ata përherë na thoje:
„Nuk i takojnë kësaj toke“.

O Isa, zotëri mësues,
nuk të harrojmë kurrë,
në zemrat tona,
ke mbetur - BURRË.






NUK DI TË LEXOJ SHQIP

Ditën e merkurë,
në orën e tretë,
me orar: Gjuhë shqipe,
kishte klasa e tetë.

Kush del në tabelë?
pyeti mësues Petriti,
Të shkruajë një fjali.
Si gjithmonë - i pari Astriti.

„Kosova është tokë e shqiptarëve“.
Të lumtë, Astrit, - mësuesi i tha
Kush e analizon,
vullnetar a ka?

Drin, çka mendon për këtë fjali?
Wie bitte? - zotëri mësues,
unë nuk e kuptoj,
shqip, të lexoj nuk di.

Oh, gjëmoi mësuesi
sikur t´ishte rrëzuar nga lisi,
Jo, jo, - ti nuk ke faj,
po ai, që i pari këtë udhë nisi.






NËNË TEREZA

Në këtë botën tonë të re,
është një nënë me zemër të madhe,
nga Kalkuta nis misionet,
është Gonxheja, bijë shkupjane.

Toka shqiptare këtë nënë e lindi,
e botës bëmirëse atë ia fali,
ruan ajo shumë dashuri,
e ndanë për të botës shumë fëmijë,
zëri i sajë në çdo anë jehonë,
ajo është motra, është nëna jonë.






NË TOKËN E TIJ DESHI TË JETË ZOT

(Kushtuar Ferat Mujës nga Samadrexha i cili në vitin 1982 që dënuar me vdekje dhe që ekzekutuar nga gjykata serbo-shqiptare e kohës.)

Cili është hero?
Ai që ik, ai që flet?
Apo ai që pushkën ngreh
dhe një armik n´Kosovë e vret.

Nuk foli shumë
as para gjyqtarit.
Nuk mundi të durojë,
nuk ish rrënjë e qyqarit

Në tokën e tij,
deshi të jetë zot,
edhe në këtë kohë,
sikur për jetë e mot.






KËTU NUK RRIHET

Këto pallate të bukura,
këto rrugë të gjëra,
nuk janë për mua,
se nuk m´i do zemra.

Kemi lënë oxhakun,
në ballë të shtëpisë,
u mbyllëm në këto kafaze,
sikur ikëm prej perendisë.

Unë jetën luksoze,
jo, nuk e dua,
kur atdheu i shtrenjtë,
po më mungon mua.

Do të ik që nesër,
mbrëmjen nuk do ta pres,
do të kthehen nga kam ardhur,
këtu nuk dua të vdes.

Do të shkoj të lumi im,
ku notin mësova.
Të gjithë gurët do t´i puth,
çudi - deri tash si u durova.

Do të shkoj në shkollë,
do të hyj në klasë,
ndoshta takoj mësuesin,
duke shkruar në dërrasë.

Duke i dhënë,
detyrat e shtëpisë,
Zotëri mësues, - do t´i them
unë erdha, mësimit do t´ia nis.

Po, more Drin trimi,
Mirëseerdhe në shkollën e re,
shokët i ka marrë malli,
ja, vendin ku e ke.

Zotëri mësues, - thanë nxënësit si në kor
Ne duam të propozojmë,
nga gëzimi që ndiejmë sot,
kthimin e Drinit ta festojmë.






BABAI IM PËR ANTON ÇETËN

U thosha shokëve,
pa shaka,
si babai im,
tjetër s´ka.

Më blente bombone,
edhe çokollata,
më tregonte përralla,
deri sa ikte nata.

Heronj të tij ishin,
trimat shqiptarë,
në beteja me armiqë,
përherë fitimtarë.

Pos përrallave,
tregonte për historinë,
si populli im,
e donte lirinë.

Gjergj Kastrioti - më i madhi,
më trimi më bujari,
gjithmonë në beteja,
në ballë të ushtrisë - i pari.

Për Shaban Polluzhën,
për Ymer Berishën,
për Ndue Përlleshin,
për Shotë Galicën.

Pak para vdekjes,
e donte shumë Rugovën,
nuk urrente askënd,
sepse e donte Kosovën.

Por, shiko biri im,
më tha pak ditë pa u ndarë,
Kosova ka një burrë,
që s´e ka bota mbarë.

Është Anton Çetta, bir,
trim i çmuar si ari,
burrë i shkuar burrave,
kurrë s´e harron shqiptari.

Sikur sot në jetë të ishte,
shumë do të derdhte lotë,
për Anton Çettën,
që na mungon sot.





PËRRALLA PËR LEPUROSHIN

Pse veshët e gjatë,
mustaqet e rralla,
i kam më të vërtetë,
apo kështu thotë përralla.

Pse vrapoj shpejt?
Pse fle aq pak?
Pse urrej gjuetarin?
Pse jam frikacak?

A ka edhe tjerë,
që më ngjajnë mua,
apo jam i vetmi,
përse nuk më thua?

Mikesha ime bretkoca,
është më frikacake se unë,
posa t´i afrohem,
hudhet në lumë.

U bind lepuroshi,
se ka shokë në këtë botë,
prandaj jetën e tij,
më s´e quajti të kotë.







Lidhshmëria e botës fëmijërore me atdheun
Myftar Dragidella: „Kur një ditë të kthehem”, botoi SHKSSH "Besa" 1998

Në nëntorin e vitit 1998 doli nga shtypi përmbledhja e parë me vjersha për fëmijë e aktorit, poetit dhe gazetarit Myftar Dragidella. Edhepse ky autor shumë vonë u prezantohet lexueve të vegjël me këtë përmbledhje, për ata që përcjellin krijimtarinë për fëmijë autori nuk është i panjohur edhe në këtë lloj të krijimtarisë letrare.
Një periudhë prej 12 vjetesh (1982 - 1993) ai u ndërpre nga krijimtaria letrare dhe punoi gazetar në të përditshmen "Rilindja". Nga viti 1998 deri ne vitin 2010 punoi gazetar dhe redaktor në gazetën e përditshme "Bota sot".
Ky krijues në këtë përmbledhje futi edhe disa vjersha të shkruara gjatë kohës sa jeton dhe vepron në Gjermani. Kjo përmbledhje me të vërtetë është një "tufë" vjersha që jo vetëm nga fëmijtë por edhe nga të rriturit lexohen edhe nga disa herë. Tema kryesore e vjershave të përmbledhura në këtë libër të titulluar "Kur një ditë të kthehem", është atdheu dhe jeta në kurbet. Pothuaj shumicën e vjershave e përshkon kjo frymë, jo vetëm tek ato që drejtëpërsedrejti shtjellojnë këtë temë, porse edhe atëherë kur autori shkruan për heronjtë e fytyrat e dashura kombëtare të popullit tonë, por edhe atëherë kur i shkruan fshatit, qytezës, Dukagjinit, lumit etj.
Vlen të theksojmë se autori Myftar Dragidella me disa vjersha të kësaj përmbledhje ishte pjesëmarrës i shumë takimeve të krijuesve jo vetëm në Kosovë por edhe në viset tjera në ish-Jugosllavi. Njëri prej tyre që meriton të përmendet ishte „Festivali i poetëve të rinj“ në Ohër në vitin 1976 ku edhe u shpërblye.
Myftar Dragidella u lind më 8 maj 1957, në Gremnik të Klinës. Shkollimin fillor e kreu në Dollc, Drenoc e Klinë, kurse të mesmin (gjimnazin) poashtu në Klinë. Në vitin 1981 u diplomua në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Prej vitit 1982 - 1993 punoi gazetar në të përditshmen „Rilindja“. Gjatë vitit 1994 ishte kryeredaktor i gazetës javore „Jehona“ që u botua në Gjermani. Nga korriku i vitit 1998 deri në korrik të vitit 2010 punoi gazetar e redaktor në “Bota sot”.
Me krijimtari letrare u mor që nga shkolla fillore. Vjersha e parë iu botua në vitin 1974, në „Rilindja për fëmijë“. Botoi edhe në „Pionieri“, „Flaka e vëllazërimit“, „Shëndeti“ etj. Nga veprimtaria humoristike botoi në „Zëri i rinisë“ dhe në „Bota e re“. Pos krijimtarisë letrare u mor edhe me artin skenik si aktor dhe regjisor amator.
Jeton dhe vepron në Frankfurt të Gjermanisë.

Për "Sofra poetike", Haxhi Muhaxheri

No comments:

Post a Comment