Sonntag, 1. Mai 2011

Cikël me poezi nga Abdullah Konushevci

TRADHTIA

E përcolla me një pikëllim të fshehur
Në sy në buzë nën bark
I shihja gjurmët e tjetrit

Kur u ktheva
Në dhomë kishte rënë stuhia
Shtrati sikur ishte kthyer përmbys
Banja merrte frymë me vështirësi
Si një i sëmurë astmatik

Hodha shpejt e shpejt në shportë
Brekët këmishët çarçafët
Shtratin e shtrëngova mirë për këmbësh
Po hija po era e saj ishte kudo

E di se më nuk do ta takoj
Se tjetri në sy në buzë nën bark
Do të lexojë me pikëllim
Gjurmët e mia


Prishtinë, më 27 tetor 2010
 
 
 
 
 
Si e krijoi Zojsi Dardaninë
 
Nuk dihet
Nga koka a nga kofsha
Zojsi nxori Dardaninë
Dhe e deshi, e deshi, shumë e deshi
Nga dashuri e madhe
Kish rrezik ta mbyste

Sot e atë mot
E varim në dardhë
Dashurinë e tij të madhe
Dhe kryqin e marrim në shpinë
Duke pritur të ndodhë mrekullia
Eshtrat i bëjmë grumbull
Në Kodrën e Kafkave
 
 
 

Vdekja e dytë e Gjergjit*


Kur derdhet atdheu në det
Shkulet shkëmbi fusha mali
Terri derdhet me shtëmba
Dhe thikat vezullojnë

Vlorën e zënë ethet e dridhet
(Babi, do t'i kenë tretur
Gjergjit eshtërat
Se Atdheu po derdhet
Përsëri në det)
Drilonit s'mund t'i them
Ji i fortë
Dritoni është bërë dhé

Dhe ata po e shohin
Se s'është kjo më
Lojë me qen e mace

* Vjershë për eksodin e madh në Shqipëri 
 
 
Duke pritur Gjergjin e Ri
 
Ai do të vijë
Ti do ta çosh patjetër
Ne do të dalim dhe do ta presim
Me tupan e me zurna
Do ta marrim do ta hipim
Lart mbi supe
Do t'i brohoritim
Derisa të mos kemi zë

Ai do të vijë
Se ne e presim
Si Shpëtimtarin si Shëlbyesin
Do të shkelë këmbëzbathur
Mbi Dheun tonë
Do të ndezë qirinj
Te varret tona

Ai do të vijë
Ne e shohim ëndërr përnatë
Është kripëgjatë
Dhe nuk i trembet bishës
Që s'na lë të dalim
Nga portat e qytetit

Ai do të vijë
Ta therë në fyt bishën
Do t'i pastrojmë puset
Do të gjuajmë peshk
Dhe shpesë dhe kafshë
Do t'i njomim flitë përsëri

Ai do të vijë
Se ne e presim
Se ne vdesim përditë e më shumë
Se qyteti bie erë kufomë



 
Kthimi i dritësorëve
 
Dritësorët do të kthehen
Me leshra të kërleshur
Me thonj të paprerë
Me trup-duar-fytyrëdheu

Do të përplasen brenda
Do të na zënë për fyti
Do të na shkulin për flokësh

Dhe ne s’do t’i shohim
Se ata janë prej drite
Se nuk bëjnë hije mbi dhé

Ata e kanë pushtuar
Zemrën e tokës
Dhe kupën e qiellit

Dritësorët do të kthehen
Të na mësojnë zejën e vdekjes
Të na japin pak zemër të tokës
Pak kupë të qiellit

Të dehemi dhe ne

Me hirin e zjarrit
Të mos jemi vetëm hije mbi dhé
 
 
 

Ëndrra... pastaj Vlora


Diqysh shkuam në një planet tjetër
Ku kishte bukë qumësht mish
Dhe s’kishte milicë
Shqiptarët ishin shumë të mirë
Preheshin hijeve
Hidhnin valle shesheve
Bënin dashuri të mëdha
Disi... kur hyri Vlora në dhomë
Babi mbrëmë me dy orë natë
Na shkallmuan derën përsëri
Ata që s’mund t’u zë emrin në gojë
 
 
 
 
 
Zonja Mëmë
 
Jam lodhur duke pritur
Zonja Mëmë
T’i nisësh shërbëtorët e Tu
(Dhe unë shërbëtor Yti jam)
Të m’i këputin hekurat

Jam bërë një ashtlëkurënajë
E ka rëndë
Dhe toka të më mbajë
Ku ta këput kokën
Mbështetur për muri

Ti Zonja Mëmë
Mos resht të m’i ledhatosh shpresat
Po mbahem për një fije floku
I bindur se është floku Yt i thinjur

Zonja Mëmë
Mendimet për Ty
M’i vrasin në rrugë
Po malcimet e plagëve
Ti m’i ndien
Dhe ballin rrëzon në shuplakë

Ti duhet ta dish
Zonja Mëmë
Kur më hipën zjarrmia
Ai kroi i cemtë
Që rrjedh dikund aty pranë
Je Ti

Kur më ngushtohen rrugët
Dhe e kam pisk

E di se Ti
Zonja Mëmë
Do të më hapësh një shteg
Se me Ty është liria
Dhe dashuria ime për Ty
 
 
 

Mungesa e lirisë

 
Ti ishe
Një mëngjes i freskët
Që lëshonte
Tinguj të kthjellët

Dhe ishe një kopsht i derdhur
Zot sa i derdhur
Me erë me ngjyrë
Mbytje çdo gjë përreth

Nga duart nga yjet
Si nga një libër i hapur
Mund të parathoshe çdo gjë

Si fatthënë e rysur që ishe

Po jepeshe lehtë
Si një kafshë
E lodhur nga ndjekjet
Se në flokë
Në ballë
Në sy
Kudo
Të vihej re
Mungesa e lirisë
 
 
 
 
Skicë për një elegji
 
Ja
Kjo shtëpi
Ka një të vrarë
Dhe kjo këtu
Dhe kjo pranë saj
Dhe kjo tjetra
Dhe kjo dhe kjo dhe kjo

Ja
Dhe ajo shtëpi
Ka një të vrarë
Dhe ajo atje
Dhe ajo pranë saj
Dhe ajo tjetra
Dhe ajo dhe ajo dhe ajo


 
 
SHENIME PER AUTORIN

Abdullah Konushevci lindi në vitin 1958 në Prishtinë, është shkrmtar i shquar shqiptar.

Në Prishtinë mbaroi shkollimin fillore dhe të mesmë dhe të lartë. Studio letërsinë krahasimtare në Universitetin e Zagrebit dhe punoi mbi 20 vjet si gazetar në "Bota e Re" dhe "Rilindja".



Tituj të veprave

Vëllimet me poezi
Rënia e mollës (poezi, 1981),
Pad jabuke (serbisht, 1982),
Qerrja e diellit (poezi, 1983),
Loja e strucit (poezi, 1987),
Të qenët të mosqenë (poezi, 1990),
Pikat AD (poezi, 2002)
Gjuha shqipe XI (tekst shkollor, "Dukagjini", 2004)
Demaçi, vepra letrare (monografi, "Nositi", Prishtinë, 2008)


Përkthimet nga anglishtja

Rabindranath Tagore: Gitangjali dhe Mbledhja e frutave ("Rilindja", 1988);
Ernest Hemingway: Dielli lind përsëri (botoi "Rilindja" në vazhdime, 1989);
Ikona e lotëve (film dokumentar" (2006), përkthyer nga shqipja në anglisht
Ludo Hupperts: Koncerti dhe tregime të tjera, SHB "Nositi", Prishtinë, (2008)


Përkthimet nga kroatishtja

Teofrasti: Karakteret ("Rilindja", 1983),
M. Slaviçek: Pse të mos jemi derisa jemi ("Rilindja", 1990) dhe
Grup autorësh: Historia e letërsisë botërore, V ("Rilindja", 1989)


Të tjera

Ka botuar me qindra artikuj dhe recensioni për letërsinë e shkruar dhe gojore, për gjuhën shqipe, si dhe ka përgatitur për shtyp (radhitje, faqosje) një numër të madhe veprash e revistash letrare. Shumë poezi të tij janë përkthyer anglisht, gjermanisht, rumanisht, sllovenisht, kroatisht, sllovakisht dhe turqisht. Për poezinë e Abdullah Konushevcit kanë shkruar: Sylejman Syla, Xhemail Mustafa, Ibrahim Rugova, Vehap Shita, Hysni Hoxha, Ali Aliu, Sabri Hamiti, Ramadan Musliu, Rushit Ramabaja, Milazim Krasniqi, Ismail Belaj, Ismail Syla, Salih Bytyçi, Emin Azemi, Nazif Zejnullahu, Medi Memishi, Rrustem Geci etj

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen