Mittwoch, 13. April 2011

Cikël poetik nga Arqile Gjata



DHIMBJA E SUKSESIT

I neveritshëm suksesi,
karikaturë e pështirë që të tradhton
kush dhimbje ndjen.

Dehur nga humbja e përfoljes,
si gurë me brymë
përsëri dhimbja dëfrehet me suksesin.

Rritur nëpër gjethe
ushqyer me të korrat e lotëve,
ndodh...
ndonjë fluturak guxon t’i thotë:
Eja,
fluturo me mua,
të mos lagesh nga shirat
e suksesit
dhe i vdekur të ngrohesh
në dëshirat e lexuesit hirplotë!!
 
 

ËSHTË KOHA KUR NJERIU PO VDES

Njeriu...
me fytyrë të përbashkët
mes armësh shkruan vdekjen
e njerëzve pa kokë e të uritur.


Të poshtëruarit,
parajsë
nuk kërkojnë
veç rivëllazërim për mollën e ndaluar
të ngrohin gjakun e ngrirë
me shurupin e vdekjes.
 


GJITHËSIA...

Në ajrin e sëmurë
u plakën idetë,
deti u thinj deri në rrënjë
pikë loti nuk ka në sy.
Veç zogjtë jetojnë në lumturi...

Mars 2011 Athinë
 


KUR E SHËMTUARA TË KA ZËNË RRUGËN

Ç’më tha e nesërmja..!

E shëmtuara
ju ka zënë rrugën e stinëve.
Do ecësh,
do lodhesh nga fajet e të vdekurve.

Nga frika
turp mos të kesh,
gënjeshtrën mbaje në xhep
e porta hap!
Vëzhgoji
grindjet e njerëzve,
mos i puth,
kryqëzoje urrejtjen
nëpër vende të pashkelura!

...
Shpejtësia të vret
kur e shëmtuara rrugën ka zënë.
 
 
 
AJO KOMPOZON DRITË

Sapo lind dielli
ajo,
ngre zërin zbukuruar me vegime mëngjesore
Së brendshmi e praron fytyrën
në një sifoni kompozuar
nga zogj fluturues mbi ylber.

Ajo dita-ditës dhuron dritë
në një lëndinë me lulëkuqe
ku miq ka përherë në sytë e saj.

Tingujt shkojnë larg...
tej mbulesës së bardhë të trupit
e një pëllëmbë më lartë
zemra rikompozon dritë të kuqe.
 


KUR NATA IKËN PREJ MEJE

Sa herë nata ikën prej meje,
unë shndërrohem.
Dua të gjendem ku ka gjëra të ndaluara
nga deriçka të fshehta
të futem në botën e mëkateve.

Është marrëzi!
Kështu janë të gjallët,
mbi shpinë e mbartin botën
veç me të bukurën të dashurohen!

10 Prill 2011-Athinë

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen