Monday, April 11, 2011

Cikël poetik nga Mentor Thaqi


GJUHA SHQIPE
 
Sa Gegënishte,
aq Toskërishte,
Gjuha Shqipe,
e jona, Ilirishte.

Sa e re,
po aq e vjetër,
si kjo dhe një,
nuk gjen tjetër!
 
Sa antike,
sa lirike,
aq epike,
e shenjta Shqipe.

E shenjtërimit,
të Shën Albanit,
e Fishtës, e Naimit,
sa e Pjetër Bogdanit!
 
Gjuhë e kthjelltë,
e pastër si loti,
thonë, në Qiell,
e flet vetë Zoti!

VS-Villingen, 07.01.2010
 
 
 
 
TE BLINI I THAQVE
 

Aty te Blini i Thaqve,
shekujt cuc,ulur,
rreth gurëve josimetrikpara
dyerve të oborrit!
Burrat pasdrekave të vona, kuvendet
pa portofol-e, (s´)i mbyllnin, as gurë s´i vënin!
Atëbotë, kutitë e batfonit, nga duart në duar,
meshkujt tymoseshin e regjeshin
për stinë të egra!
Përshëndetjet e kalimtarëve miq,
Kulla, me buzëqeshje graniti i kthente,
magjetoret, duart shpesh ndrydhnin,
bylmetin, myku na e hëngri!
Koha dhe fëmijëria, ikën,
Kulla dhe pleqtë, shkuan
dhe vetëm Blini dhe malli,
të pa vdekshëm, deri më tash së paku!
E, tevona?!!!
Sa herë i përgjaka hundët me moshatarët,
dimrave të rrëshqitshëm,
e askund theqafjen nga Nëna s´e gjeta!
Ah, stinë e zymtë e skamjes besnike,
dhëmbët rrafsh nga të qeshurit me zor
 
VS-Villingen, 10.02.2010
 
 
 
SORRAT SHKINA
 
Në Trojet e mia, shumëçka mbrapshtë
u ngulit,
qëllimkëqinjtë, nofkat na i shtonin,
e ne, as s´i merrnim e as s´i epnim!
Dhe, erdhi fçiu ardhacak,
me vete edhe sorrat i solli,
të shtrijë rrënjë
si në Bahçe të babës!
Pakicë laramane
edhe sot e k´saj dite,
krrokamat, ndryshe i kanë.
Sorrat shkina, grabitqare të liga,
ashtu si të zotët!

VS., 11.02.2010
 
 
 
 
NËMA
 
Zoti,
pikë e pesë ju bëftë,
na nëmi nëna një herë,
kur po grindeshim në mes veti,
tepër i ngushtë për të gjithë,
shtrati i drunit!
E, nëma na zuri,
pa dëshirën e saj,
pas njëzet vjetësh.
 
Ah, ky Diell ju nxiftë!
Po i nëmte fëmijët fqinja nënë.
Dhe, secili më zeshkan se tjetri.
Ç´koinçidencë!
Ju lutem nëna!
Na nëmni edhe njëherë,
për të mirë!
 
VS., 11.02.2010
 
 
 
NË ÇAMËRI, ATY DO VËMË!
 
Ka ca kohë,
që Bregut t´Jonit,
vjen oshëtimë në Çamëri,
që nga jugu, nga Mesolongji!
 
A është Marko, a Fama e tij?!
Ah, Boçarë, ju Suliotë,
Nderi i Trollit, Nderi i Kombit,
pjesë t´shpërndara nëpër Botë.
Vallë, ju la Bekimi i Zotit?!
 
Kapedan e Gjeneral,
shpatën gj´veshur, n´dorë Grykëhollën!
Marko Boçari, vetë, mbi kalë.
- Jo, thotë, Emrit s´i lëmë njollën!
 
Oshëtimë e Krismë, ka emrin,
Bubulinën, krah të djathtë,
në Janinë, aty Kuvendin,
në Konak të Ali Pasha-së!
 
Vijnë Picarët e Çaparët,
Frashërllinjtë, ndër të parët,
Kollokotronët e Boçarët,
Tahir Abaz me komandarët!
 
- Do ja kthejmë Namin, Çamërisë!
Jemë Arbërorë, thonë, jem Shqiptarë.
Pabesia, thonë, e Greqisë,
gjër në palcë, thikën ka shparë!
 
Le t´na quajnë, si të donë,
Arvanitas, Çamë, Arbërorë!
Por, që jemë në Tokën Tonë,
e dijmë mirë dhe s´heqim dorë!
 
Ah, ju Çamë, n´daç Epirotë,
të shpërndarë, nëpër Botë,
kemë një Komb, një Gjuhë, një Zot!
Na bashkojnë fetë, jo s´na ndajnë dot!
 
Besa-Besë! Si n´kohë të hershme,
rreth Flamurit e Shqipes Mëmë,
në beteja e luftëra t´ndershme,
në Çamëri, aty do vëmë!
 
VS-Villingen, 23.09.2010
 
 
 
ÇAMËRI
 
Më kanë thënë, e më thonë Çam,
rrugëve mbetë, pa djep, pa plang!
Rritë n´Janinë, e lindë n´Filat,
Follorinë, për TY dhashë gjak!
 
Suliotë e Boçarë,
si t´ua dëgjoj këngën?!
Nëpër botë të shpërndarë,
shoh lotin, ndjejë dhëmbjen!
 
Me teh thike, bajonete,
kur na therën, kur na ndoqën,
Çamëri moj, Breza Jete,
që të mbahemi, u përpoqëm!
 
Qe një Natë e Zezë, me shi e skëterrë,
kur të lam Prevezë, ishte Ferr, plot t´merr!!!
Me këmbët plot gjak, erdhëm n´Labëri,
si andej që lamë, dhe k´tu ish Shqip´ri!
 
Për t´parë Varrin e Mëmës,
ah, ç´më dogji malli!
Nga vaji ja marrë këngës,
djersë e ftohtë m´rrjedhë nga balli!
 
Çamëri, ah Çamëri!
Pikë e zezë në Histori!
Nuk pajtohemi të ndëshkohemi,
N’djepat e tu t’mos rriten f´mijë!
 
Plaga ime plot një shekull,
po më rrjedhë gjak mbi vetull!
Mbetë pa prag, djep e plang!
Vallë, dhe Emrin e humba, ÇAM?!!!
 
 
 
ARBËRESHËVE TË MI!
 
Plot gjashtë shekuj, malli djegë,
600 vjet, s´pat kush t´na e hekë,
bashkë, por ndaras, ju me ne,
e kujtojmë "Të bukurën More"!
 
Në Kalabri e në Sicili,
mbani gjallë një Copë Arbëri!
Mbani gjuhë, doke, kulturë,
në mes popujsh, ngritët Urë!
 
O Arbëresh, ju gjaku im,
Shqiptarizmin, trashëgim!
Gjashtëqind vjet, t´freskët si dje,
sikur ishit dikur n´More!
 
Zoti i Madh, ju dha Bekimin!
Shqipja Mëmë, patriotizmin!
Djepi i Lashtë, trashëgimin!
Historia, respekt-nderimin!
 
Prijësin Tuaj e njeh çdokushi,
Predikues me nderë, respekt,
i Madhi, AT Antonio Bellusci,
Zoti i Madh, i dhëntë gjatë, JETË!

Rohrbach, 21.09.2010
 
 
 
VËLLAUT TIM LUFTËTAR
 
Rrugët, itinerar përditshmërie,
ti Ushtar i Lirisë
dhe helm ushqim-shpirti,
në emër të sedrës krenare!
Në fjalëkryqin tënd,
e panjohura enigmë:
Çështë Liria?!
Përgjegja e shkurtër të del,
zhgënjimi yt sot,
shpresojmë, jo dhe nesër!
Të dashurit të ranë,
cytësit dhe nxitësit
i sheh vetëm në TV
e strofullat-pallatet, çdo ditë,
me mure e kangjela
për qetësinë e tyre në relaks,
larg teje e lypsave!
E ti, cili je?!
Ai që zjarrin nga goja nxirrte,
para se ti villte pushka,
e që për emrin e Lirisë,
as dy fjalë s´i bëje
e drejt në gjoks shkelësit!
Sot, kokëulur, i zhgënjyer,
me shpirtë të gërryer, jo i thyer,
pëllëmbët, akoma të forta
qoftë edhe për një fytrrokje,
se Liria në zhgënjim
(s)guxon të kthehet!
Po, mate mirë veten,
për edhe një hap,
në shpëtim sedre,
kthim Identiteti!

VS., 25.03.2011

 
 
 
HISTORIA NË KOKA KOLOSËSH
(Kolosëve: A. Hadri, A. Buda, S. Riza)
 
Mësues,
të kohës që iku,
predikues,
gjurmësh të të bërave!
Historinë nën Sqetull të majtë
për kallzim dinjitoz,
e zemrat një, në trekëmbësh
e trekëndësh,
Prishtinë-Tiranë-Stamboll.
Në mes tyre,medet
ajo pika e zezë çuditëse
në pengim të fjalës
por, jo edhe të thënies!
 
Këtej ndalonte pushtuesi,
pengonte e shkallmonte,
andej, ndëshkuesi e zhbiruesi,
e atje brente padrejtësia
dhe burgosej Historia,
në Çelinë e Injorancës!


Eh, vertikalja tablloide,
përveç kuptimshmërisë së përgjithshme,
nja tri Shtylla, emra pati!
Lisa Stoikë,
në Malin e Gjithëpushtetshëm etik,
ku fjala opozitë,
ishte nën kamxhik!
Bota ka ironinë e vet,
kur fati nuk ecë,
as në ndjekje, as në prirje,
e veç ardhmëria në parashtrirje!


Dikë nga vetndrydhja, e vret pika,
dikë tjetër ndjekjeika,
e një tjetër motet e liga.
Dy gishta në denoncim naiv,
tepër i dalin,
njërin duhet ruajtur për vete,
se devrit të dynjasë, (s)i dihet qebesa,
bumerangun, auberginët na dhanë!


- Mirëseerdhe në Kishën tënde,
Profesor Buda,
në Shtëpinë e Zotit në Deçan!
Jam bariu Makarius, At pansllavist.
Ndjehuni si n´shpinë tuaj!
- Ju falemnderit At, Shkelqësi!
Unë në Shpinë time dhe jam,
po, këtu s´po shoh
gjurmët e Kishës sonë shqiptare!
Më thuani ju lutem, ç´është tash kjo?!


- Ne bavim se politikom, sine!
(Nuk merrem me politikë, bir!)
Unë Zotin shërbej,
atij i rrëfej!
Ah, zhgënjim ke Aliu,
e vërtetë e fshehur.
Dokrra flet derëziu,
Skënderi s´rri heshtur!
Dhe, me be e rr´fe,
njësoj sot si dje!
O vëllëzër,
unë e njoh të zezën,
i thash sot,
që ta merr vesh nesër
dhe pas vitesh si sot,
se në Tokë të Mirë,
Rrënjët, s´humbin dot!


VS., 09.04.2011


 
PRANVERË STUDENTORE
 
Eh, mbaj mënd njëherë,
pa më thënë kush,
rrëmuja dhe pamjet nga TVP,
folën e thanë
ato që nuk i thoshin Reporterët,
as berberët, as beterët,
më shumë flisnin mermerët
me grrithje e gërvishtje,
nga dy shkronja, histori në vete,
për të nesërmen, se helbete...!
 
Atë ditë, shumëçka u thye,
jo vetëm pjatat,
shumëçka u përlye,
jo vetëm surratet,
shumëçka u përmbys,
epokat, etapat
dhe shumëçka u ngrys,
na mateshin dhe hapat!
 
Cakërr këtu, cakërr atje,
deklarata pa afishe,
pa pllakata, fjalë njëshe!
E tevona, ecjejona,
me dy shkronja, me dy gishta,
n´rrugë, n´fletore,
nëpër banga me gërvishtje.
Dhe, ska njeri, plak as i ri,
që nuk e di dhe nuk i njeh,
shkronjat e shekullit K dhe R
dhe dy gishtat në formën V,
një Legjendë, e shkruar dje!
 
Janë Studentët, si Disidentët,
sjellin vlera,
e thonë fjalën paksa ndryshe,
pa komplekse, pa medyshje,
dhe, kërkojnë Vetadministrim,
si ti tëndit, unë Popullit tim!
 
Ah, fjalë e lirë,
nga dheu e mbirë,
a ka tank që mund ta shtypë?
A ka plumb që mund ta vrasë?!
Jo qebesa, se fyt për tytë,
edhe shekulli, le t´pëlcas!
Kalama isha, s´kuptoja shumë,
çfarë po bëhej, çfarë po ngjiste?!
Por, radhëve të gjata si lum,
iu bashkova, gjë s´më priste!
Nëpër rrugë, fabrika, shkolla,...
me afishe, me parolla:
"Republikë, Kushtetutë,
o me hater, o me Luftë!"
 
Atë ditë në Prishtinë,
Praga vetë!
Tanket Ruse në marshim,
aty e mbi dhjetë vjet.
Atje të të pesëdhjetave,
e këtu të të shtatëdhjetave,
koinçidencë nuk pat,
Pranvera e Pragës në Prishtinë, plot gjak!
 
Eh,
thyerja e pjatave, shumëçka theu,
shumëçka mbërtheu e zbërtheu,
u tha shumëçka, por, pak u tha,
se ishte më shumë se një hata,
studentët ishin ne, e ne ata,
e thyerja, ah, thyerja mori krah!
Cakërrima e bërtima,
thyen heshtjen, rrenën,
e V-B-së inekzistent,
nostalgjinë e të huajes së turpshme, ...
theu, po po, mbi të gjitha theu gënjeshtrat
dhe Mitin për të pathyeren
dhe pasthyeshmërinë e tanimë të thyerës,
atij Monstrumit të bashkimit të përgjakshëm,
e vetëm guximin, e zbërtheu,
e rriti e nuk e theu
dhe krejt kjo në Marsin e nxetë,
datë simbolike e njëmbëdhjetë,
mbet e gdhendur, në Kujtesë për Jetë!
 
VS., 11.02.2011
 
 
SHENIME PER AUTORIN

Mentor Thaqi, lindi në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit me 08.06.1965. Arsimin fillor e kreu në Shkollën "Lidhja e Prizrenit" dhe të mesmin në Shkollën " Vëllezërit Frashri" në Deçan. Ka të kryer Arsimin e Lartë dhe mbanë Titullin: Ekonomist i Diplomuar. Që nga viti 1989 jeton në mërgim, kryesisht në Gjermani. Është i martuar dhe ka dy djem: Butrintin dhe Kurbinin. Me shkrime merret që nga rinia e hershme shkollore. Kryesisht shkruan poezi për të rritur, por, njëkohësishtshkruan edhe poezi për fëmijë, poezi satirike, tekste këngësh, tregime, shkrime gazetareske dhe publicistike, etj. "Rrenjet" mban titullin libri i pare me poezi i botuar nga ky autor. Në dorëshkrim ka edhe tre libra tjerë. Jeton dhe punon në Gjermani.

No comments:

Post a Comment