Sunday, April 3, 2011

Cikël poetik nga Sabit Rrustemi

Poeti Sabit Rrustemi

E DIELA ZGJATË ËNDRRËN

E diela zgjatë ëndrrën
vonon agun
atë trokitje në dritare

jashtë shtëpisë
bryma tinzare e natës
dogji atë jeshil buzësh

u vonuam e dashur
një orë u vonuam
duke e pritur atë puthje
në ëndërr

të dielën e shterrim solo
si kafenë e zezë
të një mëngjesi

31 tetor 2010




MA GJEJ


Ma gjej atë varg
atë imazh
ma gej atë Po E zi
që flakë mërzi

veten tënde
ma gjej në mua
veten time në Ty
e m'i kthjell këta Sy

në dritë hëne e dielli
deri te ajo kupë e kaltër
të prekim
e të prehemi
sall me dashuri

1 Nëntor 2010




TEK RRËNJA JOTE


dyshimi
për dallim nga krimbi,
nuk e gërryen atë ZemërMollë,
po atë LoçkëZemre

mos i jep rast
të të futet në brendi
trupit jeshil
qerpikëve të zi

strehë e tij
mos u bë
moj peh’rri

se ajo zemërrëmollë
do gërryhet
do bëhet zi

ajo loçkëzemre
do rrudhet
do t’kurret
e do varet syve të mi
plot mërzi

as dyshimit
as krimbit
strehë
nuk do t’i bëhesh ti

verë e dimër
tek rrënja jote do rri
plagët të t’i mbyllë me dashuri
nëpër sythat me lule
të buloj përsëri
me frut të ri

Gjilan, 6 nëntor 2010




VJEN ME DIELL


e diela vjen sërish
me diell
lutje e vetmi

vjen dhe me të dridhshmen dashuri
fshehur diku
nën gji

vjen
e më gjen mua tek ty
ku rri

të gjen ty
nën këtë strehë zemre,
si zog vjeshte nën çati
të t’mos lag ai shi

e diela vjen
e më gjenë atje ku dua
ku me ëndje rri

tek ai Çepur i lashtë
nën një meditim të ri
i flakëruar me dashuri

14 Nëntor 2010

Nata lahet në shi
ajo rrugë me mërzi
ankthi i pritjes
ato gjurmë kah vjen ti

po zërin ta vjedh era
simfonia e vjeshtës me shi
me murmurima

stinë e vonë për vetëtima
se nuk shihen fytyrat tona

përshëndetja nuk shtypet
as në tastaturë
nuk belbëzon as në dritare

e dashur
rrebeshet e pritjes
vërshojnë bebëzave të mia

natës që s' lahet
nga tërë ky shi
vetëtimë bëhen sytë e mi


(22 Nëntor 2010)




MONOLOG DIELLOR

ajo sillet njëzeekatër orë
rreth meje
ditë e natë
me mijëra vjet

në sistemin tim
e kam më të bukurin planet

ia kam dhënë të gjitha
të gjitha

ato që i fsheh në brendësi
dhe ato që i shihen në jashtësi
dhe të bukurit sy

oh,
po nuk di ç'i mungon tashti
pos meje

nga dhimbja
se mund ta shkrijë të tërën
nuk ju futa nën qepalla
nën të shkriftin gji
për pa e krijuar një planet të ri

ajo më rrëshqiti faqesh
ra në tjetër dashuri


(23 Nëntor2010)




FESTIVE


nga rrënjë e emrit tënd
të njomë e plot shend
piptha të flamurtë
bulojnë
e lëshojnë shtat
luleshqiponjat
me aromë
atdhedashurie


(28 Nëntor 2010)




NË MESNATË


Hyre qetas shpirtit tim
Si një ëndërr
Në mesnatë

nuk ndjeva zë
nuk ndjeva gjëmë
as fytyrën
nuk ta pashë

brenda syve t'u isha
vetëm nuk të lashë

gjumin nuk ta prisha
asnjë fjalë s' ta thashë

veten time krejt ta dhashë
moj
ta dhashë

(1 dhjetor 2010)




NATA RREBELE

nata u bë rrebele
shtyp portrete
pllakateve prej letre
e i ngjet nëpër mure
trungje
rrugëve
shesheve
hyrje daljeve
vërshojnë retë mbi gënjeshtra
vërshojnë gjerë e gjatë
tokës së mpirë shpresash
me premtime boshe

gënjeshtarët nën ombrella
struken katesh të larta

po populli ecën rrugësh
këmbëlagur i qullur
se s’ka si struket xhepash

vetëm pritjeve thahet
prej fjalëve
që pa prekur tokën
barten prej ere

sa shi bie
e pritet me ra
këtë soj gënjeshtarësh
për me la e shpërla

(3 dhjetor 2010)




E FSHEHUR N’THELLËSI


rrëzë Çepurit struken ëndrrat
nën kaçuba
vetullave të mia
thellë diku në gji
hirin e kujtesës shprushë
për zjarr të ri

janë tharë çufurraket
pritjeve nën diell
nën erë
nën shi e stuhi

e dora ime s' është aty
as buzët tua
e mëngjesit puhi

se si ndizen të shkretat
si ëndrrat marrin flake
e më kthejnë aty
ku tash jam dhe unë
je dhe ti

një ëndërr Çepuri
e fshehur n' thellësi

( 10 dhjetor 2010)




BESOJ


E diela e lutjeve
e diela e pritjeve
e diela e pendesës
kjo ditë e shërbesës

troket nesësr
si ditë e shpresës
maje Çepurit
me atë fytyrë diellore
e bukë nore

të pres
e nuk zbres pa ty
për dore
ëndrra ime
për një puthje
që mbeti pa prehje
e nuk pushoi
ende ku desh'

e diela ime
me ty vjen

nuk ka rrugë tjetër
pritja ime
zgjatet deri nesër

11 dhjetor 2010



PËR DRITË TË LLAMPËS

për dritë t' llampës
i futën gishtërinjtë
duart
dhe kapën qetas
atë pjesë të vullnetshme
për ta hedhur
atje ku s' binte

më pas
futën dhe këmbët
qetas e pa drojë
sipas porosisë
spërkatën me egjër
njerëzit e shtëpisë

shpërgjumja ndodhi vonë
diku në mesnatë

kryemjeshtri i hajnisë
pa gojë la një popull
në qendër të Dardanisë

historia
aty ku përsëritet
nuk është mësuese e jetës
fituesi edhe njëherë
shpallet përmes gënjeshtrës

(13 dhjetor 2010)




(VARIANT)


Për dritë të llampës
futën gishtërinjtë
duart
dhe kapën qetas
atë pjesë të vullnetshme
për ta hedhur
atje ku s' binte

më pas
futën dhe këmbët
qetas e pa drojë
sipas porosisë
spërkatën me egjër
njerëzit e shtëpisë

shpërgjumja ndodhi vonë
pasi mjeshtëri i vjedhjes
cipricullak la të zonë

(13 dhjetor 2010)




MUNGOJNË


teshtinë Kosova
nga të kundërtat
zbresin gradat përjashta
temperaturat ngriten përmbrenda
dyert hapen
koridoreve të mbyllura
mungojnë shkallët për të zbritur
zonave të lira

e mali harxhohet
muret nxihen
trarët e shtëpisë
mushkëritë e njerëzisë

tabletat
si përkujdesje çasti
vetëm fshehin dhembjet
të kundërtat rikthejnë teshtimat
lutjet
bëje mirë o zot

(15 dhjetor 2010)




KOKRRAT

Dimri ha kashtën
Leje ma kokrrat

Dilni
Përpushni
Ç’prisni

Mblidhni më
Ato dokrra
Kokrra...

Hajni e borë po reshë
Si brenda
Si jashtë shtëpisë
TROJËS  ju shterr zëri
Ju mpi goja
Prej acarit
Veshtë na lanë

Ku me gjetë lesh
Pojatën kush s’ e ruan
E ujqit
Bartën kopenë

Dimër i shtirë
Do vijë
Mbi ne do n’lurë
Do teshtijë

Dhe flokët do të na bien
Prej kresë
Duke kruar

Dimrit ju sos kashta
Kokrra po ha

(16 dhjetor 2010)




UDHA E SOTIT


N' gushtohet njeri
në ditë të sotit
shtirë me ecë drejtë
...me metë n' kamë
përfundi akull
e naltë
nji qiell i vratë

e lehtë
e lehtë i qoftë udha
kush ka me udh'tu
gjatë

deri tek ai lis
me maje t' thatë

(20 dhjetor 2010)




THELLËSISË SATE
(maleve të Karadakut në dimër)


Heshtja e bardhë
si paqe e ftohtë
ma mbulon trupin
të shtrirë nën lisa
mb rrënjë malesh

vetëm flokët
m' i shkund era
degëve krahëlehta
ka pak gjethe
shpresë pranvere

i vetëm ha veten
ditët që ikin
me ushtimë ere
zë a gjëmë s' ka
sall kur thyhem
prej jugu a ngrice

rri e pres
sot e mot
nuk shkulem dot
e kanë kot

vetëm yti lot
më djeg
dhe ai zot
fshehur në mua

prej dhimbjeve
shtrydhem
shpërthej në krua
buzëve tua

(21 dhjetor 2010)




BJERI TRUP

ka shumë shtigje
deri tek ajo maje

kahdo që t' i biesh
ecja jote do shihet
nuk ka se si fshihet

mali që patëm
më parë është prerë
tash po digjet

bjeri trup përpjetzës
diku gjunjaz
diku me duar

e di sëpaku
që arrive vetë
kurdo që ta prekësh atë majë

tagër s' i paguan askujt

dhe pusho pastaj
pusho e kënaqu
krejt i qetë

(22 dhjetor 2010)




ORËZEMRA

Orëzemra
në dymbëdhjetë dritare
trokiti
dymbëdhjetë herë
për t'u bërë një me ty

dhe u bë

mes zerosh
u shfaqe Ti
në pikë të natës

përmes puthjesh
ditë e re agoi


(24 dhjetor 2010)





SHPORRE DHIMBJEN


( Mikut tim, Abedin Gashit, që po sfidon një sëmundje të rëndë)

Rrallohet mali n’ Karadak
E tymi fjollë shkon n’ Obiliq
Meraku s’u shkul na ha ngapak
Kësaj bote për atdhe e miq

Ku je fshehur lum miku
Bëhu i gjallë me tëndin zë
Një verë e vjeshtë na iku
E dimri sall borës nuk sjell gjë

Hajde ma dil te ajo kështjellë
Dridhe atë Shtolberg sot e mot
Dhimbjen që po të mbështjellë
Shporre pashë të lumin zot

Se m’ ka marrë malli o burrë
Për ta pirë natën deri n’ mëngjes
Të ’ keqen me mbyllë në kurrë
Peng i fjalës për ty do mbes

Lëshoje atë zë o Gur i Gashit
Dejve t’u le të ndizet ai gjak
Stolise kullën me brirët e dashit
Midis Kosove a n’ Karadak

(24 dhjetor 2010) 


 

DITA JONË

I morëm mësysh ditës,
pa u parë në katër sy,

tërë natën prej dhimbjes u gri,
me mendjen tek ty,

vrërët agoi e mbuluar mërzi,
vetëm sa nuk është shprazur në shi...

dita jonë përherë merr mësysh ,
nëse mes nesh ka mëdysh !

17 Nëntor 2010




VJEN...

ai moment
bëhet monument

aty ku zemra lumnon
dashuri e paqtë
zë vend
një ëndërr të re
end

e dashur
falja pritjes
një biletë pa kthim
e kthehu tek unë

puthjes që shenjtëron
t' ia shkruajmë një urim

(20 Nëntor 2010)

No comments:

Post a Comment