Sonntag, 17. April 2011

Sami Gjoka: Balada e nje kurve të vetmuar


Balada e nje kurve të vetmuar


Ja këtu që nga ballkoni, heshtur edhe vetëm fare,
Shikoj në mes të qytetit, turbull si në mjegullimë,
Çoroditur si spirale e shtëllungës mbi cigare,
Zhytur, mbytur në mendime, që janë lagur e janë fryrë,
Me tym e me lot’ e syve, veten time që rri parkut,
Këmbë-hapur, rroba-shqyer, për çdo etje kënaqësie,
Të çdo burri, që ka qasur përmes territ, si një hije,
Që vjen qeshur për të ikur, i mashtruar, i gënjyer,
Si anija që rrënuar thellësive shkon e bie.
 
Shtrirë, ndrit-shkëlqen mes burrash që vijnë e që rrijnë atje
Shtang-magjepsur nëpër naze-turke, djallësh të qëkurshëm,
Që í’a zhveshën ç’pati veshur, dalëngadalë e një nga një,
Si një lule plot petale, që prej gonxhes doli vrullshëm
Të ndrisë vetëm pakëz fare, se vjen shiu, po me nge,
Se vjen era krejt pandehur, që ndër degë zë lëkundet,
E të merr pastaj me vete,
Në harrimin përgjithnjë…
 
Shikoj tutje monumentin, ngrehur si prej dashurie,
E si shkop që bie qiellit, ulet edhe ngulet brinje,
Përmes zemrës së vamprit, gjakë-shterur, lëkurë-zbehtë,
Për të vrarë brenda meje, ligësinë e çdo mendimi,
Të prej gruaje të trishtuar e të zymtë, e të sertë,
Mrrudhur si turshi e regjur, mes shëllirës në saksi,
Për nën fryerjen e hazdisur, për shëmtim e lemeri,
Si vetë burrat, cipë-krisur, kur në epsh e marrëzi,
Vijnë nga bota monotone, eksitimi ku bitisi,
Që kanë zgjedhur mes dilemash, si të ishte llogari,
Jeta, e braktisën ndjenjat, përgjithëherët pas kurrizi…
 
Krejt e zhveshur unë kam mbetur atje poshtë,
Përpëlitem si nëpërk’ e prerë në mes,
Sikur ngulur e mbërthyer jam me gozhdë,
E s’do ngrihem, sa të rroj e sa të vdes.
Po thith helme, të fal qejfe me siklet,
Tek rropatem në mundimin tim të kotë,
T’í jap botës, çfarë ka hak e ç’í përket,
Por ç’e do që klithma ime nuk ka gojë,
Por ç’e do që pushka ime nuk të vret.
 
Përmendorja e Linkolnit rri përballë e krejt e ftohtë,
Ku përsipër mbështes këmbën e ku gishtat shkojnë përpjetë,
Ku përzien, gërshetohen gishtat nëpër degë e fletë,
Ku Kongresi pak më tutje, rri si një jastëk ì bardhë,
Për nën kokën, flokë derdhur, nëpër shkallë e nëpër bar…
E ku hap-e-ngrihen kofshat, gjer në re e gjer në hënë,
Për çdo mashkull, që afrohet atje poshtë, me ngadalë,
E vjen bota rreth e rrotul, cep më cep e anë më anë,
Bota mbarë, ndanë meje le të vijë.
As ma ndjen e as më lipset, se kush qaset tani pranë
Që kur shpirtin ì’a kam falur botës për inat të tij.
 
Gjithë më duken miza dheu, që afrohen për thërrime,
Të një torte që qe hedhur, sa qe hequr prej vitrine,
Në verbim e ndezje gjaku, kur të ikën drit’ e syve,
Kur ke mbetur e braktisur, e shastisur si guak
Dasmës sate, sepse burri që ke dashur, iku larg.
Prapa diellit, në të s’ëmës,
Shkoftë e prapë do jetë pak!
Në çdo thel’ e çdo thërrime, krejt e treta veten time,
Për medet…
Ndërsa ti, si çdo lloj burri, prirë nga kok’ e sipër gjurit,
Krejt ì dobët, krejt ì imët, bullafiq a plot shëndet,
Shkon e ndjek pas çdo rrugice, çdo lloj kurve, çdo lloj shtrige,
Kokë-ngjitur pas çdo bishti
Se çdo qen që lehjesh lindi, s’është tjetër, veç këlyshi
I një tjetër, tjetër bushtre
Që në ëndjet krejt të kota, deshi zgjebet që ka bota
Por jo pastërtinë e vet.
 
Unë jam grua që po mbytet deshpërimit, pa një shpresë,
E cfilitur prej lëngimit qaj, ofshaj unë pa pushim,
Dhe pse turpi nuk ka gjetur më blerime të hedhë vesë,
Dhe pse ndrojtja s’bën shtëllunga mjegulle në shpirtit tim,
As keqardhje, as pendesë e as dhimbje padyshim,
Dhe pse lundra shkon mëkatit gjithë më larg e gjithë më thellë,
Prap’ ballkonit ku po prehem, veç rënkime do të ndjesh,
Nën denesë e ngashërim.
 
Krejt e qetë e krejt e lirë, krejt e zhveshur dhe e shtrirë,
E pa stres,
Kundrejt botës së pështirë, që përbuz e bën sehir,
Që sheh vëngër e përqesh,
Zënë gishtat krehin flokët, e zbret dora mbi fytyrë,
Përçan buzët, e merr gojës njomësinë e shket mbi gjoks,
Shket ndër kofshë ku nga hojet pikon mjalti si rrëshirë,
Po sakaq shtrihet dora drejt lumit përmbi breg.
Se po ulet monumenti, sikur mali mbi një pellg,
E si valët hapen shalët, se po futet mes për mes,
E nga dhimbje që s’rrefehen, mblidhen grushtat e bymehen,
Sa pallat’ í Pentagonit, përmbi lumin që po rrjedh,
Thua si të ishte gjaku, që mes gjunjësh ka pikuar,
Nga ku fryhet Potamaku, se çdo gjë që shkon e rend,
Shkon gulçimash në lugina, shkon rrëkezës në përrua,
Siç nis qarje-bëlbëzimi, nën përgjakjen, nëpër shalë,
Gjersa dielli than blerimet e hap rrudhat nëpër ballë,
Ndërsa mblidhet dora tjetër, po nga dhimbja, që po dhemb,
Nga veriu dhe bëhet grusht, atje mbi Shtëpinë e Bardhë.
 
Në ballkonin tim rri heshtur e pi birrë e pi duhan.
Jam në jetë a jam në ëndërr? Nuk di më se ku jam.
 
Tek jam zhytur kësaj bote e dhunuar më së fundi,
Prej një qenie të mbitokë, që nga qielli erdhi pranë,
E mban ngritur monumentin epshesh, pa një pikë turpi,
Duken parqet këtij dheu, si dysheqe të palarë,
Ku cfilitur vjen njeriu, përmes shiu, përmes lluci,
Për të fjetur, po nuk fjeti pa një brengë, sa qe gjallë.
 
Pak më tutje, në juglindje është Qyteti í Kristaltë,
Aeroporti i Reganit është atje…
Si ekrani që s’ka ngjyra, i një filmi të ngadaltë,
Veç avionesh e hapësirës, më nuk duket tjetër gjë.
Se asgjë më prej tymit të cigarës nuk duk’ qartë,
Se helmim i prej narkoze, kur s’del gjumi, që të zë,
Është largimi me aviona, është vetmia që më dhe.
E tash zhurma gërvisht qiellin, e çjerr shpirtin tim të vrarë,
Sikur shtriga të prej ferri, po ftojn’ e po bëjnë zë.
 
E tash më ngjan vetja ime, të jem femra në ekran,
Që është gati për të fjetur, e të shtrihet në ballkon,
Po kur ndjej, që mbi qepalla ulet e rëndon dremitja,
Shpërthen flaka, që qe mekur sepse shpirti prap’ shpreson,
Se do shfaqet krejt papritur, prej harrimit buzëqeshja,
Se do ulesh, që nga qielli, si një engjëll me avion,
E jo djalli që ka ikur, që ka tretur, që ka vjedhur,
Drit-ylberët brënda meje,
E të kthehet gjithë vonon
.
Ëmbëlsia e rinia thith-gërryer, krejt prej meje,
Që të vinte prej rruspie gjaku, që më djeg ndër deje,
E një gjarpër kulaç mbledhur, si të jetë mbret në zemër,
E një sorrë, që ka çelur zogj, që s’cicëruan kurrë,
Që me sqepa kanë mbledhur yjet, si të ishin grurë,
Që të shtrihej pastaj terri, në çdo cep e në çdo skutë
Ku janë çjerrur, ku janë ngjirur:
"Ku ke qënë e pse s’je kthyer,
Ku ke puthur, ke përlyer
Gjer dhe vemjet përmbi drurë?"
 
Nëse do të kthesh një ditë, larg sa s’dihet, s'dihet kurrë,
Te kjo femër që ka ndritur kur shikoje ti në sy,
Te kjo femër, që moçalit e përlyer është qëkurë,
Ti ke ikur, e po strukem, shuar si një zjarr në shi,
Ku ç’qe kopësht me aromë, gjithë i freskët, gjithë i njomë,
Kutërbon, si bar í mykur, ndanë stanesh pa çati...
 
Nëse ike pa vënë brisqe faqesh, si prej cipa pjeshke,
Kujt ì lipset të më sjellësh tullën, pa një flok në kokë,
Përse duhet këmba jote, prapë të shkelë këto vise,
Përse duhet ngrënja krymbit, që hedh frutin prap përtokë?
Apo duhet t’ì servirem tani ndjenjave sadiste,
Kur lartohesh, si sheh mpakjen e shterrimin atje poshtë,
Që nga bregu kur të kqyrësh, se po mbytem, si anije.
Kur erdh’ ndihma që kam pritur,
Por që erdhi tepër vonë.
 
S’ka më mbrëmje, s’ka agime me pëllumba me gugime,
S’ka kafazë mbi pullazë, kukamjaçka ka tani,
Si lejlekët, që kanë ikur e s’kujtohen më për kthime,
Iku ndjenja, që dhe jetën time do ta falte ty,
Siç kanë ikur pretendimet, shtirjes sate me mashtrime,
Siç kanë ikur ylberimet, shpresë-veshur me magji,
Se erdh’ terri e rrëshqitja nga dysheza në kllapi.
 
Bie shi. Unë po dridhem, vetëm, territ, kësaj nate,
Se ka ikur mbase dielli për të ardhur, botës sate,
 
Lëmë të shkoj, t’í fshij fytyrën, t’í vesh trupin, që po fërgëllon,
Kësaj gruaje, si ta zë për dore e ta shpie enkas prap’ në dhomë,
Ta stolis prap’ përballë pasqyrës, se për ikjen rrugës u bë vonë,
Se po presin burrat jargavitur, që kanë ikur fshehur nga shtëpitë,
Se po presin djemtë, që janë rritur e që mbushin sonte tetëmbëdhjetë,
Meshkuj që kanë xhepat e përfryrë me Viagra, se nuk kanë fuqi,
Djemt’, që ende kopsat pa zbërthyer, shkojnë si grimca bore nëpër shi;
T’ía fal veten time çdo fytyre nga urrejtja, që më vlon për ty,
Sepse veten time kam urryer, sa urreva këtë botë të ndyrë,
Sa urreva burrat që mbërthyer, rrijnë pas vesesh lidhur me zinxhirë,
Që për një gojore në sedilje, falin çdo qindarkë me dëshirë,
Sepse kaq ka qënë në dorën time, të kthej plumbin prapa që ka vrarë,
Çupën që në gaz e fluturime, ra qëlluar llucit përmbi zallë.
Tash urrej unë dhimbje e gëzime, gjer dhe nënën që më pati pjellë,
Të urreva ty, sa vetën time.
Qeshjen që qe veshur me mashtrime,
Edhe brengat edhe lot' e syve,
Edhe gratë fyer nat’ për natë,
 
Burrat, që lëpihen prapë pas tyre,
Ngjyrat, që për joshje shfaqin gratë,
Edhe puthjen, si prej trandafili,
Dhe shikimet, vëngër tërë inat,
Se urreva në lajthitjen time,
Moskokëçarjen,
Edhe frik- frenimet,
Që gërvishtin shpirtin nëpër natë.
Është ky mllef e kjo mëri-llava që më djeg në gji,
Që ka hedhur brenda furrit gruan, që është vetja ime,
Ku po shkrihet pika-pika, ku po tretet në vetmi,
Për nën burrat e shëmtuar, që përdorin për dëfrime.,
 
E tani!
Duhet të nxitoj e të ndërrohem.
Dua të pushoj e ndal të qarën.
Se te ky ballkon ku përgjërohem
Nuk do mundem ta mbaroj cigaren.
 
 
Nga Hijet "Flasin Ndryshe"

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen