Monday, May 16, 2011

CIKËL POETIK NGA LINDITA AGOLLI

  
SONETI

Im ungj, i madhi Dritëro
Sonetin ka në gjak
Nga gjithë rubinët që ka vetë
Më jep dhe mua pak…


E pyeta atë ditë se ç’ish Soneti
Për rimën dhe për vargun e renditur
Ai mori lapsin, Sadija letrën gjeti
Dorën e tij unë ndiqja e çuditur.


AB, BA dhe fjala e shkoqitur
Mes kllapash si kufijtë e një shteti
U ndjeva shumë e vogël, e paditur
Në mbretërinë me dritë të një Soneti.


Të parët vjershëtorë të Sonetit
E bënin fjalën zap në rimë e varg
Me mund e merrnin emrin e Poetit.


Dorës së tim ungji i vij qark
Dhe hesht e skuqem prej sikletit
Prej tij dhe të vërtetëve, jam shumë larg...

 
 


KËSHTU DO KISHTE NGJARË

Rekuiem

E ndjera gjyshja ime, e bardha Hatixhe
Do zbriste që nga lart butë butë si bora
Do shtynte mengadalë derën mos na zgjonte
Me një ibrik që kurrë s’iu nda nga dora.


Si pupël lehtë do hynte në sallon
Do zbrazte ujë mbi lulet një nga një
Një asparagusi do t’i thosh ca fjalë
Si pëshpërimë, a ndoshta dhe me zë.


E kur të ndjente hapin tim nëpër shtëpi
Do vinte të më hidhte krahëve një fanellë
Do më tregonte për një gjeth të porsaçelur
Për një zambak që ditë më parë kish mbjellë.


Ç’i do kaq shumë lule noni1 , do t’i thosha
Një vazo mbaj a dy mjaftojnë në sallon
Ajo do më shikonte e habitur si fëmijë
Që dic të thotë medoemos kërkon.


Çdo lule është një shpirt edhe një fjalë
Ne pleqve s’ka njeri të na dëgjojë
Lules i flas e fletët fërfërin me këngë
Më sheh të qaj, e nis me gjethe të vajtojë.


E ndjera gjyshja ime e dhimbsur, Hatixhe
Do zbriste butë butë që nga lart si bora
Do shtynte mengadalë derën mos na zgjonte
Me një ibrik që kurrë s’iu nda nga dora...


n1- keshtu i therrisnim gjyshes kur ishim femije

 


PËRGJYSËM

Do ikësh
Por flokëve të mi do tu mungojë foleja
Ku bashkë me dëshirat
U strukën netë psherëtimash
Dhe këngë të hershme.


Do ikësh
Por ishujve të trupit tim do tu mungojë dora
Që zbuti ulkonjën e pyllit
Dhe majat e kodrave të bardha ledhatoi
Nga ku u derdh ofshama.


Do ikësh
E bashkë me ty
Kuptimi do mbetet në udhë
Ndarë përgjysëm...




E PAMUNDUR

Ika nga ty
Vrapova
Dhe bëra një dush të laja mëkatin
Ndërgjegja shkëlqeu
Nën kostumin e pastër.

Nga shpirti s’të laj dot…




PËRMBI KUBENË E QIELLIT


Kur stalaktit’ i zemërimit të nisë të pikojë
E përmbi detin e trishtimit të tretet shkumbëzimi
Me kripën le të shkrijë dhe pengu yt...


Jepmë sinjal si një puhizë
Që gjethen e shtyn përkundër erës
A shenjë më bëj heshtur pa gojë
T’i japësh ajrit shkëlqim të Diellit


Pastaj të dy do të kujtojmë
Çfarë Leonardo kish ndërmend kur tha
Se trupi ynë qëndron nën tokë
Nën qiellin toka gjithashtu
Po shpirti
Shpirti kurdoherë
Përmbi kubenë e Qiellit…

3 Dhjetor 2008

 
 
 
VUAJTJE E PJESËTUAR
 
Gropë thithëse malli për ty
Lëviz e më shumë zhytem
E zhytem e mbytem në të.
Pushtet mishtor mbështjellja prej krahëve të tu
Si vuajtja më e madhe që sjell përdëllimin
Kafshojmë epshin, mjekojmë çmendurinë
Preja dhe gjahtari i vetvetes jemi.
Bashkimet janë vuajtje e veç vuajtjet ndahen
Lumturitë kurrë.
Kur të vish
Mos harro të marrësh çastet e tua të vuajtjes.
 
 
 
 
NDAJFOLJET
 
Lozonjare të papesha
që pas çdo tangoje kërkojnë folezën
si bletëza këmbënektar kapur për krahësh
bëjnë rreth pa porta
solisti në mes je Ti.
Pa to do shembeshin jetët shpërbërë
në humusin e çastit tretur
koha si trung i zhveshur do përgjunjej
hapësira do rrudhej pa muzgun
e pa Afërditën agimi s’do shkëlqente si Agim.
Gurët do gremiseshin e bashkë me ta boshësia
mendimi s’do kish enë, ku të qëndronte?!
Ndërsa ne të dy
do ndiznim qirinj imagjinarë përshpirtjesh
që s’mundëm të ekzistonim
diku, dikur
bashkë një çast
vetëm për vetëm...
 
 
 
 
VAJZË E VJEDHUR
 
Në qendrat tona të rehabilitimit, shumë vajza
nuk mundën t’i kthehen jetës normale.
Ishe e vogël Bora
në ballin tënd vizatuan një ëndërr ngjyrëshpëlarë
brenda kafkës
një kukull kartoni sajuan,
në vend të dëshirave
të kyçën brenda një monedhe
me tringëllimën e saj të shurdhuan.
Pastaj, erdhën të të blinin.
Ish tepër vonë
të kish vjedhur vetvetja
kish lënë veç Manikinin…
 
 
 
 
 
NJE KETER NE PYLLIN ME PISHA
 
Kurioz ky keter i bukur ne pyll,
turickat i zgjat fet-fet s'di se ku
Si cader, statik bishi i pushte,
Mahnites ne toke,
Mahnites ne dru!
Syckat si rruzuj cuditshem mi ngul,
Me xixa, ngjyraplot si nje oaz,
Romanca veshtrimesh flirtojne sakaq,
Ai mbret ne pyll,
Une skllave ne kafaz!
Mbi degene nje pishe magjik qendron,
Nje ketrri si ky, c'ti duhem une?!
Nuk eshte me kurioz, bishtin perkul,
S'me do as ky keter,
ne pyll un'prish pune!
20 prill 2005
 
 
 
LOJA E FLAKES
 
Loz me qirinjte ne flake lozonjare
Shkrihet nje mal e behet det
Lufte e tmerrshme per jeta a vdekje
Fitili ne flake i vetem si mbret.
Loz me qirinjte te shuaj flaket
Po flaka gishtrinjte mi ndez
kam kohe qe zerin tend s'e degjoj
Qirinjte te mos shuhen, lutem e pres.
loz me qirinjte ne flake e zjarr
Rrekem me shprese caze drite te marr...
 
 
 
KA ARDHUR KOHA
 
Ka ardhur koha hardhite te perdridhen
Rreth trungut te pemes ne zgjatje pambarim
Me puthje valezore kercell e gjethe
Luhatje tingujsh ne tundim.
Ka ardhur koha qe nen dhè te shkrifet
Nje sinfoni gjallesash te gelojne ne pyll
Me ngjyra zogjesh e ketra kurioze
Ku dirigjent behet nje yll.
Ka ardhur koha te shkojme edhe ne me ta
Ne pyll, mbeshtjelle pemes e nen dhè
Nen tinguj sinfonish e shtrat gjethesh
Te harrohemi caze atje.
Ka ardhur koha e ringjalljes…
Epilog
E ke degjuar gjethen kur bie si qan,
Dhe klith ne bisht te saj nje kerc i njome?
E ke degjuar lulen si petalet hap
Dhe pershperit plot arome?
Ka ardhur koha e parajses…


 
 
JAM VJESHTE E S’JAM NJERI
 
Ne vjeshte s’ja, me "Baby",
Jam vjeshta dhe gjethja e trishtuar.
Kur te vish,
Nen kembet e tua kockat do te me kercasin.
Qe jam nje gjethe,
Prej kohesh do te kesh harruar.
 
 
 
 
ANKTHI I PRITJES
 
Tendoset casti mes oresh te gjata
Mes diteve pa ty hyn nje korb,
Limanet pergjumen pa ardhur nata
Me guret, dhe zhurmat futen ne morg.
Perfyten damereve zerat e plaget
Beteja e gjumit gjakos syrin tim,
Liqenj deshperimi shuajne vlaget
Hapsira tulatet pa shprese ne kerkim.
Tendoset shkembimi i vales ne breg
Ditet pa ty nuk kane cak e kufi
Ka ngrire gjithcka po akulli djeg
Ka ngrire e pret te dukesh ti.
 
 
 
 
KISHIM PLOT GJERA TE BUKURA PER TE THENE
 
Kishim plot gjera te bukura per te thene
Per shembull, e mban mend filxhanin e kafese
Qe ma dhurove ate dite te bukur shtatori
Kur cucurisja"Te dua" ne shtrat nen mbulese ?
Per shembull, kur fjale kembyem ne trotuar
Per ngjyren e flokeve dhe shijet e tua
Kur koken ma afroje, ne vesh me pershperisje
"Po ty mbi te gjitha me shume te dua!".
Per shembull, pa shkak kur qeshnim cmendur ne shtrat
Per syte kureshtare te fqinjes perbri
Me faqen mbeshteur gjete ne faqen time
Me thoshe « ti je nje mrekulli ! ».
Per shembull, nje pilivese qe ma dhurove
Rreh krahet si vale te bardha ne gjoksin tim,
Thone eshte shenj fati te te ndjek pas
Nje pilivese me gure te shndritshem si nje agim…
Por ndodhi…cfare ndodhi ?! As vete nuk e di.
Gjithcka venitur sikur te mos kete qene,
Nuk cucurisim , dhembjet kane zene prite
Kur kishim plot gjera te bukura per te thene...
 
 
 
 
NDERRUAN ORET

Ndrruan oret i dashur.
Po oret tona
Ne c’humbetire kalamenden?!
Akrepat shkembehen si rreze prozhektoresh
Ne ecjaken pambarim
Duke shenuar
Ndrrimin e kahjeve tona....
Kahje pa kuptim.
30 tetor 2008
 
 
 
 
 
EJA

Eja
Fli në shtratin tim
Përndryshe do endem jashtë
Gjithë natën si ulkonja
E humbur në pyll
Me gjinjtë tharë e me vikamën
Varur në çengel’n e hënës me vraga
Eja
Në shtratin tim të flesh
Përndryshe do endem s’di se ku
Netëve e ditëve pa kuptim
Pa strehëz
Pa sy
Pa duar
Nga zgavrat të më klithin lakuriqë nate
E të qajnë për endësit
E çarçafëve të vdekur.
Eja
Në shtratin tim të flesh
Përndryshe do ngrij atje jashtë
Derisa të vijë fryma jote…


 

FISNIKE

Të dua me urti, ngadalë e pa zhurmë
Pa britma patetike dhe pa ironi
Të dua si burim me gurgullimë të butë
E kthjelltë, e kaltër, e çmendur, në urti.
Të dua e vërtetë, pa përbetime boshe
Përmbi të tjerë nuk shkel të vij tek ti
Të dua thjesht, pa lot e ngashërime
Heshtur, pa fjalë, në fisnikëri.
Të dua si burim me gurgullimë të kaltër...
 
 
 
 
 
DHE DITËN TJETËR…


Po sonte kur të zhdukemi bashkë
Do zhdukemi bashkë???
Përmbi shkëmbinj majë gishtash të qëndrojmë
Nën ujë të puthemi pa frymë
Përtej shtatë qiejsh të shtegëtojmë.
Po natën kur të flemë bashkë
Do flemë bashkë???
Të të mbuloj me flokë e buzë
Të fle e të mos fle mbi trupin tënd
Të digjem e të bëhem shpuzë.
Po nesër kur të zgjohemi bashkë
Do zgjohemi bashkë???
Të buzëqeshim sa të çelë dita
Të pimë në shtrat kafenë e parë
Të vemë në gotë trëndafila.
Dhe ditën tjetër e ditë më pas
Do zhdukemi e do zgjohemi bashkë...



HESHTJET

Heshtjet kanë fjalë
Fjalët kanë porta
Ne heshtim dhe hyjmë
Të gjejmë veten tek vimë
Drejt njëri tjetrit…


 
 
PA ZGJIDHJE

Shfaqem
Më vjedhin.
Burgos thesare n’errësirë
Baltë më hedhin.
 
 
 
 
LAKMI
 
Në fatin e një të përdale shëtis hijen time
Të isha ajo, kush do ishin fatlumët?!
Kërkoj të futem në atë kuti
Pa kapërcyer veten dhe mbetem…
E vdekur në virgjëri.
 
 
 
 
KOPSHTI I MARINËS
 
Pasdite në kopshtin e Marines
Krahët e një pëllumbi do qëndisin dheun
Do derdhen aroma të kuqe nëpër shtat
E, ngadalë do të të thonë
Se pëshpërimat i lind dashuria…
Pasdite në kopësht
Marina do hedhë vellon time mbi fytyrë
Pa zë, e padukshme, si një vegim
Do zbresë të të marrë përdore
Drejt ishullit vjollcë
Ku thyen figurën mendimi…


 
 
E SHTUNË IDIOTE
 
E shprishur, pa ajër, pa flokë, pa kontur,
Zemberekmbetur në tehun e pakohës
E Shtunë idiote si shtizë me majë
Që mpin dëshirën dhe rrjetë i ve gojës
E Shtunë e pabesë që bredh pas teje
Damarët m’i nxin dhe kokën ma thërmon
Nuk di në koha do ikë, a ti do të vish
Por di se për ca gjëra është tepër vonë.
Është tepër vonë për të qëndruar
Eshtrat shqetësohen në dashjen e fikur
Bëj shenja në mur me gishtërinj
Është tepër vonë dhe për të ikur.
As shkoj as vij si preja në kurth
Gazelë e tufës mbetur gjithnjë pas
E çmendur në vrapin e madh pas teje
Trishtuar si shelg mbi ujë, kur më qas.
E Shtunë idiote pa ty…
 
 


KUR LIND NJË DITË


Nata nuk lind, nata shtrihet ngadalë
Si grua shtatzënë me yje mbi bark
Gëlltit perëndimet, përgjumet mbi ujë
Të dashuruarve u sillet përqark.
Nata nuk lind, pret orën e shterzimit
Dhe klith në sqepin e bulkthit nën çati
Derdh vesën përmbi gjethe e mbi bar
Që dita, e bardhë të lindë përsëri.
Nata nuk lind, rrëzohet ngadalë
Si grua shterzon që dita të dalë...
 
 
 
  
PËRRALLA E KULPRËS
 
Më parë
Nxorri kryet e blertë dhe pa rrotull
E drojtur, e trembur
Fëshfëriti lastarët e njomë
Me gjoks u lëshua mbi këmbën e madhe
Ku gishtat e fortë
Krijonin gardhin e bashkimit.
Ngadalë
Ndërsa flladi ia valëviste
Gjymtyrët ajo shtriu mbi shpinën
E kërcirit të trashë
Dhe gjuhët e gjelbra
Lëpinë pulpat dhe tek gjunjët
Më pas u ngjitën.
Lëshuar me trup
Me shpirt
Me passion
Mbështolli trungun e bëshëm krenar
Harbuar e puthi me zjarr e bëri shkëndijë…
Pastaj
Ia thithi palcën
I zhvokshi lëvoren
Dhe e la zgavër
… …
Lisin e vjetër.
 
 
 
 
 
 
SHORT
 
Vitin e parë u deshëm
Të dytin u urryem
Të tretin qëndruam të shihnim gabimet
Të katërtin vit u deshëm për herë të parë.
Vitet e tjera mjekuam plagët
Futur në lëkurën e njëri tjetrit…
Pastaj
Erdh’ vdekja dhe u hakmorr
Që e shpërfillëm…


 
 
QYTETI IM
 
Vendlindja ime që gdhihesh mes shpresës dhe zhgënjimit
Nemitur mes pluhurit dhe mohimit
Mejhane barqesh që gushkuqojnë ditën dhe kukuvajkojnë natën
Mbetur peng në një sahat të vjetër që shtyp mesditën dhe mesnatën
Si vorbull qorrash që vijnë përqark
Gjakosin shikimin tim
Pa ditur kurrë se drita vjen nga larg
Atje
Pas shpatullës së Dajtit…


 
 
 
JAM GRUA
 
Nuk jam shpirti i një burri
Që vargje t’i thurr bukurisë femërore
Që më djeg sa herë shfaqem si e vetmja alternativë
Gjinore e dashurisë
Dashurisë qiellore
Asaj bukurie që më tremb thyer bashkë me valën në ujë
Dhe ku rinia tret imazhe të pakthim...
Nuk jam shpirti i një burri dhe as pamja
Për të qënë një këngë me zërin e tij
Fshehur pas Safos moderne përgjysëm gruaburrë
Dashuruar me kopjen e vet monstruoze.
Se s’dua
Se s’dua të harroj se ka një portë tjetër
Ku hyj si qelizë e gjendem shpirt
Dhënë pas një burri që më sjell tek vetja
E më mbështjell me lëkurën e tij.
Nuk jam shpirti i një burri
Esenca e tij jam…


 
 
PAS NDARJES
 
Më humbën sytë në zgavër thellë
Më dhembin, më djegin, mbajnë erë
Lëkura nxjerr nudo përbindëshin brenda meje
Maska ime gajaset në ekstazë
Nxjerr thonjtë të më çjerrë
Nuk mundem t’i mbledh thërrimet e zemrës
Që mjekrës së një burri më thyhen
Siç plas një llambë e nxehtë
Ndezur prej netësh në akull
... ndarje që grryen
 
 
 
 
 
POETJA E DASHURUAR ME KETRIN


Shkruar nga KOLEC TRABOINI 

Sa here kujtoj poezite e Lindita Agollit, te cilet i kam lexuar jo vetem ne libra por edhe ne doreshkrime, me shfaqet ne imagjinate nje keter ne pishat e Zvernecit, por jo vetem nje keter fantazi, por me shfaqet shpesh here nje keterrr i gjalle e lozonjar ne oborrin e prapem te shtepise sime ne Boston, per te bere ndonje prapsi ne pjergulla e pjeshka. E ne ato cast kur gjendem vetullvrare prej plangprishesit te oborrit tim, me duket se degjoj zerin e poetes "Mos e tremb ate keter, se me ate keter jam dashuruar une". E keshtu gjithehere, nisur prej poezive te saj ku vigjelon "nje keter ne pyllin me pisha".
Lindita eshte nje poete qe nuk ben kompromis as me veten kur vjen fjala per poezine a thene ndryshe per poezine eshte gati te harroje vehten, e kjo sepse ka gen kengetar brenda qenies, brenda tere qelizave te trupit e te shpirtit.
Lindita Agolli eshte nje poete meditative, impresionante, qe flet me zerin e saj te spikatun ne lirizem, por edhe nje analiste per tu admiruar. Skrupoloze ne qendisjen e fjales, koncize, te figurshme e plot ndjesi. Njohese e gjuheve te huaja, studiuese, dhe nje nene qe ka dy femije te talentuar. Lindita eshte mbese e nje poeti te madh prej te cilit trashegon genin familjar krijues, njerez me shpirtin tek kenga. Njerez qe neper breza e kohe u kendonte dheu ne duar, devollinj te punes e te qejfit, njerez qe edhe dashurise i kendojne me zjarrin e shpirtit.
Ne vellimin e saj te dyte poetik "Paso Doble" 2006, Lindita i drejtohet lexuesit, nder te tjera edhe me keto fjale: " Kush merr e lexon kete vellim, do te ndjeje se ne fjalet e mia nuk ka shkelqim e buje, nuk ka fryrje e lufte, nuk ka vrenjtje vetullash dhe keshilla, nuk ka etje per fame e emer. Nese natyrshem do te ndjeni tingujt muzikore mes te vargjeve te mia, nepermjet tyre kam dashur t'ju percjell ate qe njeriu perjeton si kenge e si vajtim si shprese e lengim, si te mire e si te keqe. E sot, kjo, ka emrin mergim, edhe si shkak edhe si pasoje, edhe si arsye edhe si instikt...".
Nje tipar tjeter brendapoetik tek Lindita eshte dhe modestia. Kurre nuk ka trokitur ne nje gazete a reviste te kembengule per te botuar poezite e veta. Ne biseda ajo jo rralle me thoshte "Pse te ngutem. Pse t’u them se shkruaj. Nese kane ndonje vlere poezite e mia nje dite ato do te zgjojne interesin qe meritojne".
Kjo eshte e vertete, por jetojme ne nje kohe moderne ku cdo gje marketohet. E kesaj nuk i shpeton dot edhe letersia e shkruar aq me teper poezia e cila eshte lene jo vetem ne harrese, por edhe eshte abandonuar. Sot poetet botojne vete, jane vete autoret qe perpiqen ti shperndajne librat me se shumti duke i bere dhurate. Prandaj ne keto kushte eshte e veshire qe poezia e mire te gjeje lexuesin qe i perket. Ajo mund te harrohet padrejtesisht nese nuk gjendet nje menyre per perhapjen e njohjen e saj. Nderkohe ka nje perhapje te letersise se keqe, te poezise pa vlere, per te cilet autoret mediokerr ne saj te te parave qe derdhin, i bejne nje reklame llustra per t'u patur zili edhe nga autoret e medhej te letersise.
Sot po lakohen si autore te sukseshem shume bishtra letrare, me vepra pa asnje vlere estetike. Si mund te kene vlere ca poezi qe nuk kane asnje figure, asnje mendim filozofik, asnje suspans, asnje teknike vargu, e aq me teper kur nuk kane pike inteligjence apo me tej, ritmi te brendshem si magji shpirti.
Fatlumturisht tek poezite e Lindita Agollit i gjejme ato element qe e perbejne poezine e mire, poezine qe te zgjon mendime, te ngjall nje imazh dhe te mbush me emocione. E megjithate kjo poezi eshte e panjohur, a si te thuash, si shume gjera te mira e te bukura qendrojne ne hije.
Mendoj se misioni i nje krijuesi te perkushtuar nuk eshte vetem te shkruaj vete, por edhe te afirmoje atje ku gjen vlera. Te jete pra nje promotor per nxjerrjen ne drite te diellit te vlerave te verteta, te cilat duke u ballafaquar me antivlerat qe kane zene faqet e gazetave e te Internetit, t'u thone lexuesve ate te vertete qe duhej ta thoshte kritika e cila ne keto dekada thuajse ka vdekur.
Nuk po i hyjme analizave te poezive te vellimit poetik " Paso Dobble", mjafton ti percjellim lexuesve nje cikel bashke me kete meditin , sepse per poezite me se shumti cdo koment eshte i tepert. Poezia vete duhet te shfaqet. Ndersa per autoren, pershtypja me e mire krijohet prej frymes, mendimit dhe emocionit qe percjell, e mendoj se kjo eshte ansambel plot tinguj shpirti, qe fryjne per te flladitur shpirtera, ne ererat e Devollit te Lindita Agollit.

Materialet u moren nga faqe te ndryshme ne internet dhe publikohen me rastin e ditlindjes se autores me 16 maj 2011

Për "Sofra poetike": Haxhi Muhaxheri
 

1 comment:

  1. Poezia e Lindës ka virtytin e të qenit larg gjesteve teatrale dhe pozave të sajueme, larg sublimimit të rëndomësisë e të zbrazëtisë shpirtnore, larg trukimit të banalitetit, larg estetizimit të gjendjeve triviale, dhe ç'asht ma e randësishmja e zhveshun nga patetizmi, nga ky virus i paepun që mbisundon nëpër falangat e çakërdisura të vargëgjinjve shqiptarë. Poezia e Lindës asht e lirë e shpengueme dhe e çiltër si gjestet e një fëmije, e pashmangshme si një element parak i natyrës, si fjala vjen era shiu, shtrëngata. Nji poet amerikan ka thanë: "Unë shkruaj kur çdo gjest tjetër njerëzor më është i pamundur". Kjo i rri shumë mirë Lindës, te e cila asht shumë e zorshme me gjetë poezi të sajueme, apo të shkrueme për hir të "profesionit". Linda A. e di mirë se nuk asht puna thjesht me përjetue gjendje poetike, por edhe me ditë me i vargëzue ato gjendje, me ditë me i ba të përcjellshme e me ua mësue itinerarin e mrekullueshëm të udhëtimit drejt NJERIUT. Vargjet e kësaj poeteje kanë virtytin e zgjimit të empatisë tek lexuesi, aftësinë me ua kujtue të tjerëve ato fragmente jete që ata i kanë kalue dosidoshëm, apo me iu propozu nji kandvështrim dashnie për jetën.

    ReplyDelete