Freitag, 10. Juni 2011

Cikël me poezi nga Bajram Mjeku



KLITHMA E FUNDIT PËR KOSOVËN

Përditë të zhvatim, përditë të lëndojmë
të dhunojmë kur e sa herë të dëshirojmë
ç’trishtim e ç’tmerr që aq shumë na duron.
 
Nuk dimë a të kemi nënë a kurvë të përdalë
përditë t’i thithim e gërvishtim gjinjtë
në vend të tëmblit tash të kullojnë sall gjak.
 
Themeli të është dërrmuar, pullazi shpartalluar
nuk janë kalorësit e Apokalipsës as vojvodët e përhënë
fëmijët tu t’përdalë janë fort e dashura nënë.
 
Klithma ime e fundit në hon është fashitur
kot pres lajmësin e fitores dhe vdekjen me nder
zëri më është shterur, baladat janë përdhosur
asgjë s’jam asgjë veç kalorës këmbëprerë.
 
Më janë mërguar ëndrrat, as ndjenja më nuk kam
tash sa vjet sulem nëpër Fushën e Mëllenjave
edhe lulëkuqet janë tharë, edhe eposet më nuk janë.
 
Përditë të baltosim, përditë të zhubrosim
po ti duron edhe kur ne të përdëllojmë
durimi është happy end, a ka fund durimi
kur as dallgët e Drinit dot më nuk të lajnë.
 
Nuk janë bijtë tu, ata janë hamshorë
pa nam e nishan, pa cen e pa gjen
mbi kurmin tënd kalurojnë përhënshëm
oh, faqen e zezë e paqin, mos ju qoftë për nder.
 


D E A

Nuk dole nga zgoret e statujës së mermert
As nga korridoret e errëta të Butrintit
Je farë e zënë në Dardaninë e trazuar
Klithmë që shpërtheu në Polin e Veriut.

Ç’të duhet ty Amfiteatri i Butrintit
Dhe vargani i statujave të ftohta përreth
Po u shfaqën aktorë nga kohët e lashta
Rikthe emrin mbrapshtë dhe bëhu Aed.

Zbrit këmbëzbathur në skenën antike
Perëndeshë e arteve në hapësirën bosh
Mes honit të antikës dhe kohëve moderne
Në skenën e tragjedive vallëzo veç danc.

Papritur mund të shfaqet hija e Ugolinit*)
Në shkallët e teatrit tash si spektator
Ai nuk e di që një shekull më vonë
Statuja mori shpirt dhe u bë e gjallë.

Fërfëllima e jugës, dallgët e Jonit
Janë stërkala fresku që krijojnë ndjesi
Mbi skenën e Butrintit rrapëllojnë hapat tu
Tek hedh vallen e lashtë gjer në përjetësi.

Ndjehem i trishtuar kur ti më mungon
Koha më ndalet si dikur në lashtësi
Mes hapësirës bosh e qetësisë funebre
Më bëhesh e gjallë dhe kthehesh përsëri.
 

*) Koka e Deas u zbulua nga arkeologu italian Luigji Ugolini, e cila u grabit dhe u dërgua në Itali në vitin 1928, për t’u rikthyer në Shqipëri në vitin 1981. Poemën ia dedikoj sime bijë Deas, dashurisë, ndjenjës dhe pasionit tim të madh.
 
 
 
 
AJO QË NË KUJTESË MË VJEN

Gjatë-gjatë e kam dashur vajzën balerinë…

Ende i dëgjoj hapat e saj shkallëve të teatrit
Mbrëmjeve kur dilte vetëm nga foajeu bosh
Dhe sytë e saj kur shkrepëtinin si të ishin vetëtimë.

Ka njëzetepesë vjet që s’e kam parë vajzën balerinë.

Kam mall, oh sa kam mall për sytë e saj gri
Për zërin drithëritës, për hapat fëshfëritës
Për ombrellën e saj të zezë kur ecte nëpër shi.

Njëzetepesë vjet s’janë pak të fanitesh në magji.

Ende shëtis bulevardit i trishtuar gjithë vetmi
Të nëjtat dafina çdo fundvjeshtë të shtrira përdhé
E njëjta dashuri që s’ndryshket gjer në përjetësi.

Bulevardi bosh, foajeu i errët, gjithçka në shkreti.

Ende besoj se ajo zbret shkallëve të teatrit
Dhe më ndjekin magjishëm sytë e saj gri
Zëri i saj i tejbotshëm që larg ende më thërret
"Të dua, gjithmonë të dua gjer në përjetësi…".

Shumë-shumë e kam dashur vajzën balerinë…

Në kujtesë ajo më vjen ndehur dhe pa bujë
Tash sa vjet duke e pritur te shkallët e teatrit
Një ditë do shndërrohem në statujë.
 
 
  
REQUIEM PËR DALLËNDYSHET

Mikut tim, Naim Bajraktari 

Më premto se prapë do të shkojmë te dallëndyshet
Herën tjetër nuk do ikim nga shkulmet e shiut
bashkë me ato do lagemi qetësisht edhe ne të dy.

Ne kemi shpirt të bardhë, nuk jemi të uritur
na duhet pak qetësi dhe pakëz ajër i pastër
pak vesë e bardhë mëngjesi dhe pakëz përjetësi.

Vërshëllima e gjetheve, shkulmet e shiut
nuk janë sall trishtim në botën e mënderosur
që na i shlyejnë gjurmët pa ikur që atje.

Më premto se prapë do të shkojmë te dallëndyshet
kurrë më, kurrë më dhe për jetë të jetëve
nuk do bëhemi mjeranë që t’i lëmë në vetmi.

Nuk do të ikim bashkë me shkulmet e shiut
zanat e Sharrit përjetësisht të na mallkojnë
të na mungoj qetësia e përjetësuar, ajri i pastër
nuk dimë të jetojmë ndryshe pa një copëz dashuri.

A dëgjon, në mes të pyllit sërish ulërinë një zë
paskësh ikur nata, ora qenka bërë njëzetekatër
kaq mund të shkruaj mik i dashur, nuk e përsëris më.
 
 
  
FALEMINDERIT
 
faleminderit që më bëre të qesh edhe kur nuk isha për të qeshur
që më largove hidhërimin edhe kur isha shumë i mërzitur
faleminderit, shumë faleminderit…
 
edhe për lulet e dhuruara në Olav Kyrres Gate
edhe për baladën e kënduar në Shtëpinë e Artistëve
nën rrëzëllimin e qirinjëve kur shpirtërat zhgreheshin në vaj.
 
faleminderit që më dërgove në mes fjordeve të bukura
ku folëm aq gjatë për lumturinë që aq shumë na mungon
për dashurinë e braktisur diku në ishujt e botës së mënderosur
faleminderit, shumë faleminderit…
 
faleminderit që më ftove kur isha shumë i mërzitur
edhe në çastin më fatal kur mendoja se jeta nuk shkonte më tej
në ditët më fatkëqija kur s’dija çfarë të bëja me vetëveten
faleminderit, shumë faleminderit…
 
Oslo, maj 2000
 
 
 
S P A Ç I

I. Këtu qenkan vyshkur të gjitha lulet
nga shurra e të burgosurve politikë.

II. Dhe kryqat qenkan kthyer teposhtë
mbi varret që rënkojnë mynxyrë.

III. Askund vashëza nuk shoh askund
veç lënesha që ëndërrojnë nusërinë.

IV. As Zhitin gjëkundi s’e gjej, ah Zhitin
veç flokëve të tij të prera mbi gijotinë.

V. Kryeqytet prangash qenkësh ky Spaçi,
që villka sall klithma, sall vaj, sall ulërimë.
 
 
 
E SHKRUAR MË 28 NËNTOR

Ergon J. Gërvallës

fort i dashur mik
nëse s’mund të vijë me at
e serbi nuk më shtrinë përdhé
për Kryezotin që është një
këmbadoras do zvarritem
deri në sheshin Skënderbe.

Prishtinë, 28 Nëntor 1991
  
Përgatiti: Haxhi Muhaxheri
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen