Saturday, June 18, 2011

Cikël poetik nga Liri Loshi


Nga libri “Udhët e Tokës” (1988)

Liri Loshi


HIJE MBI TOKË

Prej nga futëzeza hije
Shqeu qiellin mbi bokë?
Erdhën të na prekin
Në nder e në Tokë…

Para dyerve, sheshit
Burra, fëmijë e pleq:
Ç’do bishë e tërbuar?
Pse sjell mot të keq?

Ujkonjë e xhindosur
Hapin vrik e ndali
Si ta nxirrte dheu
Si e dalë nga mali

Para ujkonjës – këlyshët
Që vetë i ka pjellë
Këlyshët pas ujkonjës
Që shkojnë kah i ndjell.

Jo. Nuk është ujkonjë!
Këlyshët nuk janë këlyshë!
Nuk u thonë as njerëz
Mbi njerëz bëjnë yrysh!

Në qiell ndalën retë
Hija mbi bokë shkundet
Ç’rrebesh – shi e breshër
Dridhet Toka, tundet…

Copë-copë do të shqyhemi
Si këmishë e trupit
Më mirë varr i nderit
Se kështjellë e turpit.

Toka nxjerr djemtë
Në fushë te mejdanit
Për nderin e maleve
Për liri të vatanit!


DHE U NISËN MALET

Dhe u nisen trimat
Dhe u nis kolona
Krah përkrah me burrat
Edhe malet tona…

Dhe u hodhën shkrepat
Kodrat, pllajat, grykat
Që t’i shurdhojnë topat
E t’i përpijnë tytat!

Hapëruan dhe arat
Me misër e grurë
Flaka përlau pyjet
Deri n’dhe e gurë!

Po pak përtej zjarri
U gjet një copë druri
E n’gji të një trimi
Bez i kuq flamuri.

Dhe u ngrit flamuri
Mbi krerët, mbi zemrat
Bisha kërkon gjurmët
Do t’i pështyjë thembrat!

Por s’ka lënë gjë zjarri
Gjurmët i ka fshirë
Ujkonja me këlyshët
T’nemitur, të ngrirë…


TOKA NDËRRON SHTATIN

Trimi merr në shenjë
Toka është mburojë
Trimi na është rrëzuar
Toka është bërë shtrojë.

Si e kërkojnë trimat
Ndërron shtatin Toka
Që në log betejash
T’shpëtojë mijëra koka.

Se atdheut i duhen
Prapë lisat në kodër
Bij që kurrë nuk lënë
T’shuhet zjarri n’vatër.

Shpesh u ndërruan fronet
Në Tokën tonë të kuqe
Porse gjithë pushtuesit
Me të njëjtat huqe!

Dëshirë të përmotshme
Të grabisin jetëra
Dhe të luajnë me to
Si langonjtë me eshtra!

Po edhe ne patëm
Gjithë të njëjtin huq -
Mbi kalanë e kuqe
Lart bajraku i kuq!


NA U BË TOKA GJITHÇKA

Kur kërkuam nga Toka
Të na bëhet arë
Ajo arë na u bë,
Mbi të hodhëm farë.

Kur kërkuam nga Toka
Të na bëhet det –
Ajo det na u bë,
Ta kemi më lehtë…

Kur kërkuam nga Toka
Të na bëhet at –
Ajo at na u bë,
Kalëroi në flakë.

Kur kërkuam nga Toka
Të na bëhet shkëmb –
Ajo shkëmb na u bë,
S’doli kush ta shemb!

Kur kërkuam nga Toka
Të na bëhet shpellë –
Ajo shpellë na u bë,
Të na mbajë më thellë!

Kur kërkuam nga Toka
Të na bëhet yll –
Ajo yll na u bë,
Të na ndrijë mbi pyll!

Kur kërkuam nga Toka
Të na bëhet gurrë –
Ajo gurrë na u bë,
Dhe nuk shtërroi kurrë!

Kur kërkuam nga Toka
Të na bëhet këngë -
Ajo këngë na u bë,
Të mos kemi brengë!

Kur kërkuam nga Toka
Të bëhet fushë për valle
Fushë valleje na u bë
Të mos kemi halle


TOKËS QË NA FALI

Këngë i thurim Tokës
Në tel të lahutës
Tokës që ia fali
Guximin Teutës…

Sa herë mihim Tokën
Puthim bucat e dheut
Tokës që ia fali
Urtinë Skënderbeut.

Dhe i miklojmë Tokës
Faqet, ballin, shpinën
Tokës që mban burra
Si Hasan Prishtinën.

Edhe sot në këtë Tokë
Në fshatra të Drenicës
Vashat rrisin shtatin
E Shote Galicës

Sapo e ngjallim në bronz
Bajram Currin – Plakun
Toka nxjerr nga gjiri
Dhe Adem Jasharin…


DETI ME ZEMËR TË KUQE

O kaltërosh i bukur
Paqe e ëndrrës sonë
Në ty derdhin lumenjtë
Tërë gëzimin tonë!

Në ty derdhen këngët
Që shpërthejnë në male
Siç derdhet poleni
Nga sythat n’petale…

Diell i Tokës sime
Në ty rrezet derdh
Të ëmblën buzëqeshje
Hëna faqeverdhë…

Në ty derdhin retë
Piklat e tingëllimën
Qengjat nga bregorja
Të butë - blegërimën.

Në ty derdhen tingujt
Nga miliona fyej
Në ty hyn e lahet
Dhe qielli me yje!

Kujton që s’e dimë
Unë e motra Buqe
Që dhe ti o det
Ke zemrën e kuqe!

Para se kaltërinë
T’na e falesh për sy
Do lumenj të kuq
A s’i derdhëm në ty?...

Ta ofrojnë të keqen
S’e pranon o det –
E merr nga thellësia
Në syprinë e qet!

Kur trazohet qielli
O t’i prek kush malet
Sa bëhesh i tmerrshëm
Seç i tërbon valët…

Ti gjithmonë i kaltër
Dhe n’ përralla t’Lokes
Ti nuk dhe bajlozë
Që i vërsulën Tokës.

Më jep fuqi o det
Për vargjet e mia
Shih si po ngjallet
Gjergj Elez Alia…

Ika të bredh maleve
T’i kërkoj ilaçet –
Gjergj Elez Alisë
Do t’ia shëroj plagët…


LUMË I TOKËS SIME

- Buron n’Tokën time
Dhe derdhesh në det?...
- Popullit ia bart ëndrrën
Këtu e mijëra vjet…

- Pse gjarpërove shtegun
Kur e bëre shtratin?
- E gjatë ishte udha
Kështu e patëm fatin!

- Pse s’ndalesh një çik
Nën Shelgun e Vjetër?
- Ndale një çast lapsin!
Hë, ka gjurmë në letër?...

- Rrjedh mes dy kodrash
Tepër i ngushtë fyti!...
- S’ka gjë, pak më poshtë
Bëhem vetë i dyti…

- Pse e shton nxitimin
Në secilën ujëvarë?
- Çdo valë do që detin
      Ta puthë sa më parë.
      
- A e ndërron ca rrjdhën
Për lulet në kodër?...
- Punëtori loz me mua
Si fëmija me lodër…

- Sa shumë i vlen Tokës
Ngado hiqesh zvarë…
- Hiç më shumë se ty
Gjaku ndër damarë…

- Ku e merr përditë
Nxitimin e valës?
- Aty ku gjen ti
Madhështinë e fjalës.

- Vallë, kush ta dhuron
Tërë këtë gurgullimë?
- Ai që ta falë ty
Këngën, melodinë…

- O lumë, do të doja
Të jem lumi vetë!
- E unë t’jem dëshmor
I popullit tënd…

- Merrmë o lumë me vete
Sa shumë që dua!
- Eja t’vijosh rrugën
Po zura në thua!...


MALLI I BRIGJEVE

Me stihi t’natyrës
Me shi e rrebesh
Ndër kohëra të errta
Toka ime u ndesh…

Një rrëfim i lashtë
Nga njëmijë rrëfime
Ma bën më të dashur
Të voglën, Tokën time:

Nga tërbim i qiellit
Shtratin lëshuan përrojet
Të na i gërryenin arat
Të na i merrnin trojet.

Urat ç’na i rrënuan
Na i shkëputën brigjet
Rrugët na i prenë –
Na i mbyllën shtigjet.

Ndaj u mblodhën burrat
Zjarr mori kuvendi:
- Urat t’i ndërtojmë,
Të mëkëmbët vendi!

Pranë e pranë punëtorët,
Gurët, armatura…
Toka po ndërtonte
Më të mirat ura.

- Na i shëroni udhët,
Na i hapni shtigjet
Se p na gërryen malli…
Zëshëm thirrnin brigjet.

Njerëzit do orë të vona
Ia grabitnin gjumit
Djersë rridhte mbi ura
Valë i shtonin lumit…

Një ditë bregu bregun
Si vëllai vëllanë
Seç u morën ngryk
Dhe më nuk u ndanë.


MËRGIMTARËT

Nëpër botë degdisur
Brigjeve të mërgimit
Si gurë të rrokullisur
Lumenjve të pikëllimit.

Ia kthyet shpinë Tokës
Kraharorit të nxehtë
Dhe zutë vend ku guri
Peshon më lehtë…

Ikët për t’u kthyer
S’u kthyet për të ikur
Latë plang e shtëpi
Dhe vatrën e fikur…

Zjarrin e vendlindjes
Thellë në gji e futet
Që stuhi e globit
Para jush të zbutet!

Ajo botë e ëndrrave
Që ju ngjante në det
Sapo u zhytet në të
Përroskë e vogël mbet.

Pas yllit të largët
Ju vraponit kot
Sepse ishte i huaj
Nuk e zinit dot.

Dhe pogaçe e zjarrtë
Në qiellin e huaj
Si një disk i akullt
Për kopshtin tuaj.

Në vend të përqafimit
Për dashurinë e zjarrtë
Bota kishte shpifur
Buzëqeshjen e thartë.

Në vend se ta shijonit
Diellin në lindje
Ju ëndërronit agun
Si zbardh në vendlindje.

Edhe ëndrrat për Tokën
Një ditë mund t’i harroni
Por kurrë fjalën e saj:
- Rrini këtu, mos shkoni!


NJË GRUSHT DHE

E mori me vete
Ai që u nis nëpër botë
Në shami ta bartë
Aromën e nënës Tokë.

Dhe kur furtunat
E rrahin mbi shpinë
Në atë grusht dheu
Ta ndërtojë shtëpinë.

Kur themelet e gëzimit
Vërshimi ia prish
Me atë grusht dheu
T’i ndërtojë serish.

Dhe kur diell i huaj
Nuk shkëlqen në qiell
Nga ai grusht dheu
Të gatuajë tjetër diell.

Kur për ajrin e thithur
I kërkojnë tatim
Nga ai grusht dheu
Të krijojë dhe frymë.

Dhe kur një pikë ujë
S’e gjen as për ilaç
Në atë grusht dheu
Kroin ta hapë sa kaq.

Dhe kur ia rrënojnë
Urën deri në breg
Nëpër atë grusht dheu
Të gjejë tjetër shteg.

Dhe kur shteg tjetër
Atje nuk i lënë
Kur ngado që vete
Pusi i zënë

Të niset si dielli
Në për atë grusht dhe
Rrugës se bardhë
Për në mëmëdhe…


KULLAT

Karshi rrokaqiejve
Jeni të vogla fare
Por zenitin prekni
Me zemrën bujare!

Si njerkë historia
Shpinën kthyer na e kish
Ndaj nuk patëm fat
T’ju bëjmë me fildish.

Ju ndërtuam me gurë
T’i bëni ballë topit
Zemrën t’fortë ta keni
Kur vlon pikë e globit.

Si sytë largpamës
Ua bëmë frëngjitë
T’i diktoni ujqit
T’ju zini pusitë…

N’qepalla të frëngjive
Mbështetet dyfekët
Në ndryshk trimëria
Të mos ju stërkeqet.

Nga ato frëngji
Lart yje mblodhët
Dhe i vutë mbi ballë
E n’male u hodhët.

Dhe diellin e largët
Mes njerëzish e zbritet
Si qiellin e përflakur
Kohën tonë e ndritët.

S’e mahnitet botën
Me stile e stoli
Po me mendje të rrahur
T’njeriut – dëlirësi.

Ju e gdhendet fjalën
Siç e gdhend poeti
Edhe kur ju dogjën
Kënga në ju mbeti.

E ruanit si diellin
Një margaritar:
Besën e pashkelur
Për florinj, thesar…

Karshi rrokaqiejve
Jeni të vogla fare
Po zenitin prekni
Me zemrën bujare…


ERË MBI TOKË

Kot fsheh këmbët, trupin erë
Dhe përdridhesh e bën gjëmë
Larg ta njohim dinakërinë
T’na përvidhesh nuk të lëmë.

I hedh duart mbi pemishte
Thyen degë e prish kurorë
Porse Trungun nuk e mposhte
Ai ka rrënjët në kraharor.

Nga lugina ngrihesh lartë
Nga lartësitë në luginë ulesh
Pse i mat lisat e truallit
Kur s’ke forcën t’i përkulesh!

Lart – degët pushtojnë yjet
Poshtë – rrënjët krejt nëntokën
Gjokset hapur lisat kanë
Në ato parzme ti thyen kokën.


Marrë nga Zemra Shqiptare

No comments:

Post a Comment