Sunday, June 5, 2011

Grigor Jovani: Cikli poetik “Barbeque”



Grigor Jovani

LEGJENDE BALLKANASE

"Lufta tashmë ka mbaruar", na thanë.
Nuk u besuam!
"Lindni fëmijë! Lini pushkën mënjanë!"
Ndër sy u shikuam!

Pasi korrëm grurin e parë,
përsëri u ngujuam...

"Lufta tashmë ka mbaruar", u thamë.
Nuk na besuan!
"Po nisim krushq, aty ku u vramë".
Nuk na lejuan!

Zunë pusi në bjeshkën e parë,
përsëri na qëlluan...


 QYLYMI I KUQ

Në shkallët e Selisë Presidenciale,
tek shtrojnë qylym të kuq,
shpirti me dhëmb.

Ngaqë ngjyrën e turpit
nuk e veshin dot në fytyrë,
e shkelin me këmbë.
 


PARULLAT

Të lodhura kaq kohë nëpër ballkone,
u shtrinë në parkun bashkiak,
pranë lumit.

Gërmat e kuqe, shënjat e pikësimit,
zunë nga një hije
dhe ia futën gjumit.

Erdhën policët: "Ju s’duhet të flini!
Për tjetër gjë ju bëmë,
në fund të fundit!"

"E bëmë detyrën tonë, - parullat thanë, -
pasi e narkuam,
fjeti dhe i fundit..."


BOSSI

Në vendin pas të një limuizine,
krekoset si dhespoti
në kungim.

S’e kam zili! Me këtë lloj makine,
i shtrirë do shkoj në Had...
Për qejfin tim!
 


DEMONI

Kur po ulej në pistë aeroplani,
na kujtoi të gjithë autoparlanti,
të vendosnim rryp të sigurisë.

Më erdhi në ndihmë një stjuardesë,
duke më rrasur në fytyrë
një sisë...

Mbylla sytë. Rrezik kaq të ëmbël,
nuk kisha ndjerë më parë,
si udhëtar.

Ishte njëlloj sikur demoni,
më vinte pak sapun
në litar.
 


FLORIRI

Mos më mbaj inat, shpirti im,
që akoma nuk ta bleva dot,
atë unazë të floririt.

Prit dhe pak,
për hir të Zotit dhe Birit!

Kaq shumë i ra vlera në Bursë,
sa ngjan thëngjill i shuar,
mes hirit.
 


NJERIU

Të shkretët prindërit e mi!

U munduan
të më mësojnë nëpër shkolla
Të Mirën,
pa u llogaritur shpenzimi.

Unë mësova shkëlqyeshëm
Të Keqen,
pa bërë asnjë orë mësimi.
 


KU TA DINIM?

Thamë t’i bënim Zotit një dhuratë,
me atë baltë, që pasi bëri ne,
teproi.

I ndërtuam një pallat të lartë,
që iu shemb mbi kokë
dhe s’e gëzoi.

Ku ta dinim? Që të lidhte muri
duheshin mes baltës
dhe ca gurë.

Qëllimisht, ai tek ne s’i vuri.
Më e keqja:
nuk na e tha kurrë!
 


BARBEQUE

Me lukunisë suaj -
zemra ime,
gati për skarë,
në barbeqiu.
Me nga një thikë
dhe një pirun në duar,
duke lëpirë buzët,
të gjithë ju...
 


MATEMATIKA

Kam qenë i dobët në matematikë,
moj grua.
Nga numrat,
koka mbeti bosh...

Prandaj s’të kuptoj, kur më thua:
"E bëmë kaq herë...
Nuk di të numërosh?!"

(Athinë, fillim vere, 2011)


No comments:

Post a Comment