Tuesday, June 28, 2011

Grigor Jovani: REVISTA "PEGASI" - 8

NJE KALE ME "RROBAT
E MBRETIT"


QARKULLOI "Pegasi"-8

Më fund, doli, qarkulloi "Pegasi" i ri. U step për një çast, aty tek porta e shtëpisë së tij, në Udhën "Fleming" të Athinës, sa t’i mësoheshin sytë me dritën e kësaj bote, të cilën kishte pothuajse një vit pa e kundruar, fërkoi patkonjtë në asfaltin e nxehtë të këtij qershori, si për të provuar njëherësh edhe punën e nallbanëve të vet, turfulloi kreshtën e artë dhe... fluturoi. Kapi menjëherë qiejt. Poshtë bota kishte ndryshuar dramatikisht... Por një kalë i tillë nuk ka punë me çndodh këtu poshtë, vendi i tij i natyrshëm janë qiejt.
Rrija, bashkë me mikun tim, Miho Gjinin, dhe e kundroja përmallshëm. Ua kishte paralajmëruar Miho Gjini: "Së shpejti, po të ngrini kokën drejt qiejve, do të shikoni përsëri "Pegasin" tuaj. Veçse tani me një veshje të re, shumë e shumë më të bukur. Me "rrobat e mbretit"..."
... Ja ku është tani. Aty, tek porta juaj. E kalërojnë kësaj here kalorës me famë të letërsisë dhe arteve. Të vjetër e të rinj. Të njohur dhe të panjohur. Fisnikë të tillë si Llosa, Gjoza, Lazri, Dhimitriu - i bëjnë nder "Pegasit"-8, në kopertinën e punuar nga kubisti ynë, i mirënjohuri gjithandej, Leonidha Bullgari, që drejtoi dhe përshtati për lëndën punën e një bordi piktorësh të talentuar, si Agron Dingo e Limbrand Dhrami. Krahas tyre, puna profesionale e fotoreporterit tonë, Armand Zogaj, që fotografon ashtu siç shkruan poezitë e veta. Dhe unë, që i hyra një pune të tillë, siç është faqosja, ndonëse nuk është brenda "kompetencave" të mia, vetëm dhe vetëm pasi u ndjeva përgjegjës për këtë brum të mrekullueshëm artistik, që më besuan kolegët dhe miqtë.
Trak-trak! Mos u shqetësoni, miq dhe mikesha! Troket "Pegasi" në portat tuaja. Hapini, t’u lejë bereqetin. Ç’mbart nëpër baulle dhe strajca? Le të shikojmë...
"Një kalë me "rrobat e mbretit". Editoriali i numrit, nga Miho Gjini, Mjeshtri i Madh, Kryeredaktori, që drejtoi punën teknike të stafit. Prezanton rinisjen e një ëndrre jete, që e projektuam së bashku, përpara tre vjetësh. Mirëpo është si porsa ta kemi bërë tani startimin. "Pegasi" ka ndryshuar tashmë. Bordit tonë drejtues iu shtua "mosketieri i tretë", Thoma Naka, pronari me origjinë shqiptare i entit të fuqishëm botues këtu në Greqi, "ORAMA Editions", i cili, falë bujarisë dhe dashurisë së tij për letërsinë dhe artet, u bë garantuesi i fluturimeve tona të ardhshme me "Pegasin", me kalin tonë të përbashkët. Si e qysh... këtë e thotë dhe e garanton më i "vjetri" dhe më "i rëndi" ndër ne, Mjeshtri i "Pegasit", Miho Gjini, me sinqeritetin dhe autoritetin e tij të padiskutueshëm...
"Qytetari "lumpen" i demokracisë së letrave". Kush është ky shkrimtar, që e kanë hymnizuar Kokto, Zint dhe Sartri? Është Zhan Val Zhani, që u bë... Viktor Hygo, thotë Skënder Demolli, në "Quiz"-in tradicional të numrit dhe shpjegon, se përse është konsideruar "krijues i Perandorisë së Të Keqes". Njihuni me të... Befasimi është i sigurt.
Një tufë me lule. Rubrika "Ata që ikën..." dhe përkushtimi i gjithëhershëm i Agollit: "O ti, që largohesh nga vatra e parë...". Të larguarit e mëdhenj të kësaj kohe: Ndoc Gjetja dhe Llazi Serbo, bardi i dashurisë njerëzore dhe aristokrati i skenës. Jeta, vepra, nëpërmjet materialesh dokumentareske dhe fotografish ekspresive, sjellur nga F. Slatina dhe B. Berberi, për të krijuar ikonën e madhështisë së tyre. Dhe e veçanta që sjell "Pegasi", ekskluzivisht për lexuesit e tij: ese të mrekullueshme, me fakte dhe detaje jetësore, nga bashkëkohës dhe miq po kaq të njohur të të përkushtuarve të humbur. Roland Gjoza me esenë prekëse "Ndoc Gjetja me fanarin e Diogjenit" dhe Miho Gjini me esenë tronditëse "Takimi i fundit me Llazi Serbon". Të jeni të sigurtë, do t’i njihni më mirë të larguarit e mëdhenj... Do t’iu vinë më afër, si njerëz dhe si artistë.
"Histori me piper", tek "Ditarët" e numrit. Meri Adamopulu, mikja jonë, kritikja e njohur greke e Suplimentit po kaq të njohur artistik "Idhees", tek "Ta Nea" e Athinës,
nxjerr në shesh "të palarat" e artistëve të mëdhenj të arteve figurative, që zakonisht "harrohen" nga librat e historisë së artit. Dini gjithshka për Polok, Dali, Vermeer, Sezan, Van Gog etj, dini si u krijuan "Lindja e Afërditës" i Botiçellit dhe "Patrullimi i natës" i Rembrandit, ç’gabime të tmerrshme fshihen pas tyre? Nuk e besoj. As unë nuk i njihja dhe shtanga kur u njoha me to. Mos i humbisni...
Një mik i dashur dhe i largët, Faruk Myrtaj, prezanton një poet, për të cilin shprehet: "Është nga ata, të Sheh Karbunarës...", Izet Shehun, që thotë nga ana e tij, se poezitë e "angazhuara" rrezikojnë artin e tyre. Dhe e vërteton këtë, me angazhimin e tij rigorozisht poetik, në ciklin, me të cilin i bën nder "Pegasit". E bëjnë më të freskët flladin e këtyre poezive fotografitë artistike të Armand Zogajt, me të cilat bashkëpunëtori ynë ilustron ciklin e Shehut dhe që u përshtaten kaq mirë...
Vasil Vasili, shkrimtari dhe eseisti shqiptar nga Patra, me "Zbulimi i një formule brenda Njeriut", mikpritet tek teorikja jonë "3 ese në 1". Xhojsi, Sabato, Servantes - në mikroskopin e eseistit, për të dalë tek formula: Të gjitha rrugët të çojnë tek Njeriu. Kisha lexuar tregimet e Vasilit. Gjithë musht jete. Tani, me këto ese, besoj se ka diçka
simbolike, tek e kaluar e tij në minierë. Zbuloi me të vërtetë Njeriun. Në jetë dhe në art. Lexoni dhe më gjykoni.
Naum Prifti rivjen tek "Pegasi". Me tregimin "Na duhet një spiun për ministrin". Grotesku në tërë madhështinë. Një dokumentar i pashembullt artistik për nomenklaturën më të lartë të diktaturës. "Shtet spiunash, qeveri e molepsur, batak, ky ishte mjedisi ku jetonim...", thotë heroi i tregimit, që mund të ishte fare mirë njëri prej nesh. Një akuzë e pashembullt. Dhe arti i madh i Priftit. Dhe më lejoni, të dashur miq, të citoj një frazë nga letra përcjellëse e këtij tregimtari të madh, për redaksinë tonë: "Gjykojeni vetë. Nëse iu pëlqen, botojeni...". Nëse na pëlqen, mjeshtër?! Mjeshtri tjetër, Miho Gjini i "Pegasit" tonë, lotoi, kur ju lexoi...
Lazër Stani në esenë origjinale "Provincializmi". "... është epsh në vijim të padijes, keqdashje e fshehur tinzare, shpesh vepruese dhe agresive", thotë për provincializmin Ezra Pound. Stani sjell shembuj dhe fakte nga e përditshmja provinciale në Tiranë, në Prishtinë dhe Shkup, duke ia përgjasuar këtë fenomen atij botërorit. "Provincializmi, i kombinuar edhe me monstruozitetin politik, i ka shkatërruar individët potencialë të shoqërisë dhe kulturës shqiptare", denoncon Stani. Dhe jep fakte konkretë, të shumtë dhe të pakundërshtueshëm...
"I kurorëzuari" i numrit: nobelisti i sivjetshëm, Mario Vargas Llosa. Zotëria ime sjell një ese të atyre ditëve, kur lajmi i papritur i dhënies së "Nobelit" kandidatit "prapa liste", latinoamerikanit Llosa, tronditi dhe befasoi botën letrare. Ishte thyer, më së fundi, rituali: letërsia fitonte mbi artin e angazhuar. Një shkrimtar i së djathtës së qendrës, një vlerë e padiskutueshme letrare, në fronin e përbotshëm të Stokholmit, në kundërshtim me traditën që thoshte, se më në fund, gjithmonë fitonin... "Çe Gevarët" e letrave. "14 minuta gjer tek përjetësia" - nga çasti kur lajmi mbërriti nëpërmjet telefonit tek veshët e shkrimtarit, gjer tek publikimi i tij zyrtar nga Akademia e Stokholmit. Një jetë e tërë brenda këtyre 14 minutave. Një rrugë nga allanat e lojnave fëminore, gjer tek "Nobeli". Ndiqeni!
Në këtë numër, në takimin tradicional të një mëngjesi ballkanas, për të pirë një "Kafe me fqinjët", ju ftojmë në shoqërinë e njërit prej shkrimtarëve më shpresëndjellës të letërsisë së sotme greke, mbase tregimtarit më të mirë të saj, Sotiris Dhimitriu. Mik i shpallur i shqiptarëve (dhe i yni, natyrisht), ngaqë disa libra të tij të sukseshëm janë me temë shqiptare, madje njëri syresh edhe me titull në shqip ("Djalthi im, Kristaqi"), pranoi me qejf, që nëpërmjet "Pegasit", t’i drejtohej ekskluzivisht botës shqiptare. Bisedoi, u fotografua me ne, madje iu përgjigj pyetjeve nga më "të bezdisshme", që i bëri për llogari tonë, miku dhe kolegu i tij, shkrimtari tjetër i njohur epiriot (i anës sonë të kufirit) Telemak Koça, që edhe ai, po shkëlqen si rrallëkush në prozën greke. "Toka është një portokall i vogël", thotë Dhimitriu, "dhe ne jemi skandalozisht të njejtë me... eskimezët..." (!) Atëhere, sipas tij, si të mos jenë të njejtë grekët dhe shqiptarët?! "Nuk ndryshojmë në asgjë, - konkludon ai. - Thjesht, jemi vëllezër". Pra, ia vlen, që në pikë të mëngjesit, të pish një kafe me Dhimitriun, këtë "djalë rebel të letrave kontemporane helene", siç e ka cilësuar kritika greke. Do ta mësoni përse...
"Panteoni evropian i vargjeve": Jarosllav Seifert (Çeki), Tomas Transtromer (Suedi), Cezare Pavese (Itali) dhe Joan Margarit (Spanjë). Ndër korifenjtë e poezisë moderne evropiane, lavdi letrare në vëndet përkatëse. Material fotografik, blice esesh për jetën dhe veprën, poezi të tyre në origjinal, në gjuhët amtare, shqipëruar prej nesh pikërisht ato, që të na gjykojnë edhe më skeptikët. Një udhëtim poetik, që do të vazhdojë në numrat e ardhshëm... Përgjegjës, para jush, jam unë vetë për këtë...
Akademiku Rexhep Qosja hyp "me këmbë të mbarë" përsipër jelës së "Pegasit". Për rubrikën "Arti dhe pushteti" është dërguar posaçërisht eseja e tij "Si mund t’i humbasë të gjitha betejat Sizifi". Konkludon kështu, në fund të këtij shkrimi tronditës, madhori i letrave shqipe: "Pesëdhjetë vjet bëj punë Sizifi: të gjitha betejat kundër servilizmit i kam humbur!" Rrëfim tronditës! Shpërrthim shpirtëror i Qosjes, akt mbrojtjeje apo sulm kundër dishepujve të servilizmit? Sido që të jetë, Rexhep Qosja është. Dhe është tek "Pegasi"... Së bashku me disa gravura dhe skica tejet ekspresive, nga artistë kosovarë, që ilustrojnë materialin e tij.
Graham Grin, shkrimtari britanik i teatrit, nga korifenjtë botërisht në llojin e tij, sillet për ju në pamjen e tij më njerëzore, nga Katerina Dhima, nëpërmjet tregimit të shqipëruar prej sa, posaçërisht për ne, "Dy njerëz me ndjenja delikate". Lexon tregim apo shikon një film? Ikona të gjalla, dialogje mahnitëse dhe një njerzillëk që ulërin. E veçanta brenda së zakonshmes. Ajo që nuk duket, por që është kaq e pranishme, kaq deçizive. Graham Grin. Një xhentëlmen që shkruan letërsi të madhe. Dhe Leonidha Bullgari, piktori ynë, që e ka shoqëruar denjësisht, me skica dhe grafika mahnitëse.
Vjet u nda nga ne Din Mehmeti, poeti i madh i Kosovës dhe i mbarë kombit. U nda në paqe, mbas një jete të vrullshme poeti, për të hyrë paskësaj edhe tek "Galeria Kulturore e Kombit", rubrika tradicionale e "Pegasit". E sjell për ne Prof. dr. Murat Gecaj, bashkëpunëtori ynë nga Tirana, që e ka njohur poetin nga afër, gjatë vizitave në Kosovë dhe e ka intervistuar po aty. "Një zog, që u dogj nëpër vargje...", e cilëson D. Mehmetin prof. Gecaj. "Këndo ose vdes pa klithmë", shkruante poeti i Kosovës, duke dhënë, kësisoj, një devizë jete. Lum ai! Vdiq me këngë në gojë!
Shkrimtaria e njohur e diasporës, Albana Mëlyshi-Lifschin, e pranishme gjithmonë në flatrat e kalit tonë fluturues, është autorja e një Antologjie interesante të para dhjetë vjetëve, "Zëra nga larg". Djem dhe vajza të reja, anembanë botës, me origjinë shqiptare dhe me dëshirën e përbotshme për të shkruar, përbëjnë këtë Antologji. Na i prezanton mikesha jonë, me dashurinë dhe merakun e një "blete mbretëreshë". Problemi është: Ç’u bënë këta të rinj, pas këtyre dhjetë vjetësh? Humbën, triunfoi pasioni i tyre për letrat? Këto pyetje jetike i ngre, kush tjetër, njëri nga më të talentuarit dhe të suksesshmit e letërsisë sonë jashtë kufinjve kombëtarë: Roland Gjoza. Merak, agoni, përgjegjshmëri. Ku shkojmë? Ç’bëjmë për të ardhmen? Të gjitha këto në rubrikën "Stafeta në duart e tyre".
"Portreti" i numrit: Alda Merini, "Një bletë e vogël e zemëruar" - një nga zërat më të pastra të poezisë së sotme italiane. Jetë tejet e çuditshme, art absolutisht i madh, i pavdekshëm. Një çudi poetike! "Më pëlqen të ndryshoj ngjyrë,/ më pëlqen të ndryshoj formë...", shkruan Merini. Ajo çka nuk ndryshohet tek ajo është bukuria e asaj që shkroi. Ajo është e tillë, mahnitëse, në të gjitha format. E shikon edhe tek poezitë e shqipëruara nga i talentuari i përkthimeve, Aqif Hysa. Ai e bën Merinin të këndojë shqip... Dhe të mendosh, që porsa kanë filluar "kalërimet" e tij. Për hajër!
Tregimi i dytë i numrit: një e porsashfaqur tek "Pegasi", por që kur u shfaq në letrat shqipe, vite më parë, askush nuk dyshoi në talentin e saj. Zhaneta Lazri - dishepulli më i ri i Poradecit dhe i Kutelit, pogradecarëve të mëdhenj, bashkëpatriotëve të saj - vjen me një baladë poetike në prozë, tregimin "Thëngjij në hirin e viteve". Poezi dhe prozë bashkë. Realizëm dhe romantizëm. Një art që shpërrthen kufinj. Me devizën: dashuria nuk njeh kohëra dhe sinorë! Lexojeni dhe do më kujtoni... Dhe, aty diku, një kitarë korçare, tej në sfond, që këndon paprerë, ca tinguj të sfumuar. Ëmbël, si zemra e një vashe pogradecare... Është heroina e tregimit apo shkrimtarja vetë? Kushedi...
Librand Dhrami, poeti me penel nga Bregu, ka bërë skica po kaq poetike, të cilat shoqërojnë tregimin në fjalë, që edhe vetë Zhanin, miken time, jam i sigurtë që do e mallëngjejnë...
"Në fokus"-in tonë të tanishëm, gazetari- "kineast", Dilaver Baxhaku, nga Italia, ku jeton dhe meleton visaret e harruara të kombit, sjell At Giussepe (Zef) Valentinin, për të cilin Papa Pavli i VII-të ka thënë: "... duajeni At Valentinin, se ai u donte me zemër, çmojeni, sepse ai punonte pa prerë, për t’ia bërë të ditur botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike", tek prezantimi "Jeziuti, që na dashuroi me zemër". Material i larmishëm dokumentaresk, shoqëruar me foto dhe dokumente, që mbase lexuesi i ndesh për herë të parë. "Ligji i maleve shqiptare", copëzuar në vibrimet e tij, prej ditarëve të klerikëve katolikë, që shërbyen në malësitë shqiptare të atyre kohëve. Vërtet, punë për t’u lavdëruar, prej një gazetari profesionist, si Baxhaku.
Isha takuar vjet në verë, në Bregun mahnitës, me studiuesin e mirënjohur të letërsisë, Fatmir Mingulin, të vëllain e mikut tim të letrave, Pirros, dhe ai më kishte premtuar një ese për Ricosin. Posaçërisht për "Pegasin". Nuk ia kisha thënë asokohe, por e vërteta qe, se nuk isha entusiazmuar dhe kaq. Ç’të thuash të re për Ricosin? Ishte shpallur në Greqi viti që jetonim, si "Viti i Ricosit" dhe ç’nuk më kishin dëgjuar veshët... Por ju betohem, ato që thotë Minguli për gjigandin grek të poezisë, që mbase nuk e nxinte as "Nobeli" - prandaj nuk ia akorduan, tek eseja e tij "A ristudiohet poezia e Ricosit?", unë as parë, as dëgjuar i kisha kund. Më mahniti. Zbulova një Ricos tjetër dhe kuptova, se sa të vegjël jemi në universin e artit... Mos e humbni këtë rast! Mos bëni gabimin që për pak bëra edhe unë...
Oho! Një mik nga të vjetrit, një "paloburrë" nga Ishmi, me banim në Rixhvud të Nju Jorkut, që paratë i harxhon në lokalet famëkeqe të limanit, siç e dekonspiron publikisht miku dhe kolegu i tij, R. Gjoza, i sjell lexuesit ciklin poetik "Mbi ne ecën rruga...". Flet për të Ndue Lazri, nga Bolonja (eh, si u shpërndanë miqtë e dikurshëm), poeti dhe gazetari: "Nuk e di pse, por ja që thonë, që loti nuk është për ne, burrat. Por ja që Vaid Hyzoti ta shkul me zor, që nga thellësia e shpirtit. Dreqi, është Migjen i kohës së grataçiele..." Kështu, Vaidi... Ka nxjerrë një legjendë për veten: ka zemër të sëmurë (!) Unë ju paralajmëroj: zemrat tuaj do të sëmurë poezia e tij! Prej emocionit!
"Muzikë dhe arte figuartive": dy shkrime. Dy prurje tejet të veçanta. Për muzikën: "Sazexhinjtë e mbretit", nga Vepror Hasani. Dini ju, cilat ishin sazet më të suksesshme në dasmën e mbretit Zog? Sazexhinjtë e famshëm të Korçës, Hajroja i Ibrahimit, Demka i Hajros, Ylli i Abazit, kryeartistë popullorë. Të gjithë të famshëm, muzikantë me nam. Dhe dini ç’dhuratë u bëri mbreti? Një udhëtim në Itali, ku u bënë edhe më të famshëm. Për artet figurative: "Piktori i provincës" - Ndue Pepa, piktori nga Laçi. Nuk e njihni? Çudi, është shumë i talentuar! E njohu kritiku i artit, Miho Gjini, për t’i përkushtuar pastaj një shkrim prekës, plot dashuri dhe njohje profesionale. Sa për pikturat e Pepës: do t’iu mahnisin disa syresh, që i sollëm për ju... "Koka e prerë e pashait..." Ali Tepelenlliu, që udhëton kokëprerë për në qendër të Perandorisë. "Vejusha", sensualiteti femëror, në tërë madhështinë e tij tundues, që preku edhe një njeri të tillë, kaq serioz, si kryeredaktori ynë...
E njihni Pirandelon, si njërin nga dramaturgët më të mëdhenj të Apenineve dhe më gjerë. Kështu është. Por është edhe një tregimtar i rrallë. R. Gjoza përkthen për ju tregimin "Prekja e butë e barit", të Luixhi Pirandelos, kurse Agron Dingo bën akuariele mahnitëse posaçërisht për të dhe magjia artistike plotësohet. Dhe ne vetëpyetemi: si fluturon "Pegasi", me pesha të tilla arti?! Çudi, vërtet!
"Ekskluzivja" e radhës është një temë, sa e ditës, aq dhe e gjithkohëshme: "Shtypi - ky pushte absolut mbi masat". Nga bota greke e artit sjellim një shembull të shkëlqyer: Pavllos Nirvanas, shkrimtari dhe gazetari i shquar athinjot i fillim shekullit. Mik i ngushtë i nobelistëve grekë të asaj kohe, Seferit dhe Elitit. Sjell në një skicë-reportazh ndodhinë e para një shekulli., botuar tek "ESTIA" athinjote e 22 shkurtit 1911 (!) Dhe më e habitshmja: të ngjan se flet për sot. Kaq të pandryshueshme janë gjërat. Ju vjen habi? Lexojeni vetë...
Stefan Martiko, miku dhe poeti i njohur, kujton në një rekuiem, sa prekës, aq dhe jetësor, poetin Vangjel Dalani, shokun e tij të fëmijërisë, që u nda aq padrejtësisht prej nesh, në kulmin e lulëzimit të jetës dhe talentit. "Lavdi shpirtit të njeriut, që do të na thërrasë përherë, për të mos i shkuar gjer në zgrip çmendurive tona!" Amin!
Poeti i tretë, i mikpritur nga "Pegasi", është Luan Xhuli. Jeton në Athinë, me ne, ndajmë bashkë gotën dhe vargun. Por Luani është mbase poeti më i pranuar, nga ne të tërë, në sofrat poetike greke, ku natyrshëm ftohemi dhe marrim pjesë. Poezi ndajmë, jo luftë. "Xhuli është fqinji, miku ynë, - thotë për të në shtypin vendas, Tea Vasiliadu, kritikja e respektuar greke. - Na bën që shoqërinë, miqësinë, lidhjet tona me fqinjët shqiptarë t’i vlerësojmë me tjetër ngjyrë..." Ky është Luan Xhuli dhe unë jam krenar për të. Është nga të rrallët, që e kalëron "Pegasin" për të dytën herë, në tre vjetët e revistës, me një cikël vjershash. Po, e pranoj: e mbaj me hatër. E meriton...
Një panoramë e gjerë tek "Kinematografia", një mozaik shkrimesh, intervistash, esesh. Dhe jo më kot: Fimi "Akademia Platon" - pasqyra më besnike e jetës sonë emigrante, këtu, në Greqinë mikpritëse. Është dhe kaq mikpritëse?! - pyet filmi në fjalë, i Filipos Citos, i lauruar me kaq e kaq çmime ndërkombëtare, gjer edhe me Kupën e Festivalit Ndërkombëtar Kinematografik të Tiranës, film për të cilin "Pegasi" harxhon kaq vend e vëmendje. Kronikë tiranase për filmin nga D. Baxhaku, nga 20 pyetje protagonistëve: aktorit shqiptar të filmit, Anastas Kosdine, nga D. Baxhaku, regjisorit greko-gjerman Filipos Citos nga G. Jovani, të famshmit Antonis Kafexopulos, në një nga rolet më të mirë të karierës, nga M. Gjini. E ç’të bënte "Pegasi" më shumë? Gjer edhe me protagonistët e famshëm u fotografua, gjer edhe ata ia ledhatuan kurorën e shndritshme...
Eksklusiviteti tjetër kinematografik: Anketa "Why cinema now?" - "Përse xhiroj filma sot?". Përgjigjen regjisorë të famshëm, nga të katër anët e botës. Shikoni emrat: G. Paskalieviç, F. Akin, K. Gavras, K. Louc, T. Kitano, Xh. Seils, V. Venters, T. Angelopulos. Një rapsodi kinematografike... Të cilës i shtohet "Aroma shqiptare në Holivud". Dy motrat, Greta dhe Vilma Zenelaj, "qytetaret" e reja të Mekës Kinematografike Botërore, sjellin flladin shqiptar në lëndinat e Holivudit. Kush tha se kalojnë pa interes?
"One man show" - "Shou për një". I ftuari i radhës: Xheremi Airons, "Xhentëlmeni britanik i skenës". Erdhi para ca kohësh në Athinë, shkëlqeu në "Pallatin e Muzikës" së kryeqytetit, me "A christmas carol" të Çarls Dikensit. "Pegasi" natyrisht që ishte aty. U fotografua nga A. Zogaj, kronikën dhe mendimet e aktorit të famshëm për jetën dhe artin u përmblodhën në një shkrim të mrekullueshëm të A. Kosdines dhe lexuesit do t’i mbetet në mendje një Airons sa njerëzor, aq dhe i mrekullueshëm në mendimet e tij për punën artistike, që e bëri të famshëm, anembanë rruzullit.
Dhe mjalti lihet për në fund, apo jo? Jeni gati, të çliroheni paksa nga tabutë dhe të riktheheni në adoleshencat tuaja të largëta apo të afërme, për të parë trokitjen e parë të erotizmit në jetën tuaj? Mos u ligështoni! E bën Roland Gjoza për ju, tek tregimi i mrekullueshëm "Libri i vënë poshtë". Një adoleshente, që lexon "Manastirin e Parmës" të Stendalit dhe nuk di, se edhe ajo, ka hyrë në... Manastirin e saj të ndjenjave sensuale... "Kur mbaroi punë, ai i përshpërtiti: "Zoçkë, mos u duk më në dhomën time..." Ç’kishte ndodhur? Ç’t’ju them? Asesi, nuk mund të rrëfej kaq bukur dhe kaq emocionalisht, si Gjoza. Aty e keni "Pegasin"...
"Mendimi kritik dhe estetik" i përkushtohet një krijuesi bashkëkohës mirditas, Ndue Dedës. Ç’e shtyu Miho Gjinin të kapet me këtë mesoburrë, mbase jo dhe kaq të njohur dhe "të denjë" për përmasat e gjykimit të tij kritik? Një e veçantë tronditëse, e shpjegon vetë kritiku i njohur: "Një episod drame psikologjike, e përmasës "Maria Oktobër", por edhe e ngjarë çuditërisht si ajo, që u faneps gjatë një takimi të vonë dy poetësh, njeri prej të cilëve ishte Ndue Deda, diku në zemër të Mirditës, verës së kaluar, ku isha edhe unë i pranishëm, si spektator a dëshmitar gjithaq i tronditur... Të dy ata poetë ishin njëherësh autorë dhe personazhe të kësaj "Maria Oktobër" reale..." Ç’kishte ndodhur? Ç’kishte detyruar kritikun e njohur Gjini, të hynte tek "Kulla letrare e Ndue Dedës"? Të gjitha këto, në një shkrim të mrekullueshëm, për të cilin, unë, si "epror", i thashë kryeredaktorit tim: "Hallall pena dhe mendja!"
Zhan Pol Sartr dhe Alber Kamy, ballëpërballë tek "Bashkëkohës dhe kundërshtarë". Thashë ta mbyllja këtë cikël, me heronjtë e numrit të kaluar. Por, të linin ata... të mëdhenjtë "kapriçozë" të mendimit frëng? U dashuruan dhe u urryen një jetë, si rrallëkush. Bashkëpunuan dhe u luftuan si çakej. Është "sekret i njohur" tashmë miqësia dhe rivaliteti i tyre, gati simbolik. Prej kohësh më ngacmonte kjo temë. Dhe, ky ballafaqim gjigandësh, kur mbaroi dhe u faqos në revistë, më ngjau se trandi edhe "Pegasin" fluturues...
Eseja e fundit: më e prekshmja. Për nga vetë tema, për nga vetë heroi i saj. Sadik Bejko bën një "in memoriam" për Jorgo Bllacin. Mjeshtërisht. Me dashuri, me revoltë. Zbulon dhe akuzon. Dhe fjalët e Fan Nolit për Bllacin: "Jam i lumtur, që pyjet e mëmëdheut paskan bilbila të rinj, që aq bukur ligjërojnë..." Bilbilë të tillë të masakruar... Ndaj thashë, se dhemb. Nuk rekomandohet për të dobëtit...
Për në fund lamë "Kronikën e Athinës". Manaxheri i "Pegasit; Festim Zaçe, i palodhuri ynë, bën edhe detyrën e kronikanit. Veprimtari të larmishme, të cilat nuk mund të mendohen pa praninë e "kalit fluturues". Se duhen përhapur gjithandej shariqet artistike të Athinës: Ekspozita Vetiake e Librand Dhramit, që kujdeset njëkohësisht edhe për zbukurimin e kalit tonë, libri i ri i Vasil Zenos, greko-shqiptarit intelektual, të njohur aq shumë në Athinë, veprimtaria promovuese e të cilit u organizua nga "Liter-Arti" në Zyrat Qeveritare të PASOK-ut, si edhe takimi kaq i suksesshëm i shkrimtarëve emigrantë shqiptarë, me kolegët e tyre grekë, të së njohurës EEL - Shoqata më e madhe dhe më e vjetër shkrimtarësh vendas., në të cilën kanë bërë pjesë Kazanxaqi, Sikelianos, Eliti etj.
Dhe... "E orës së fundit..." Kur bënim gati të dorëzonim lëndën për shtypshkronjë, plasi sihariqi. Ishte gëzim vendas, nuk mund t’i mbyllnim sytë. Bujar Aliamani, regjisori shqiptar që jeton mes nesh, në Athinë, e bëri përsëri mrekullinë. "Amnistia" e tij triunfoi në "Berlinale"-n ndërkombëtare të filmit. U "mobilizuam" rrufeshëm, "huazuam" nga DEUTSCHE VELLE kritikën e mrekullueshme të Anila Shukes për filmin, gjetëm fotografi të bukura rreth temës (disa na i kishte dhuruar vetë regjisori) dhe "kali" ynë qe gati të zinte qiejt. Duke pasur Alimani dhe trofetë e tij, edhe një herë, në bagazhet e veta. Por, pikërisht kur e nxorrëm në prag, erdhi ftesa tjetër. Galeria e njohur e Artit e Lidhjes Greko-Amerikane, vatër artistike që ka pranuar me bujari edhe disa veprimtari të artistëve emigrantë nga Shqipëria, organizonte Ekspozitën Fotografike "Njerëzit e Livenshtejnit". Leon Livenshtejni, fotografi më i madh amerikan i kohëve moderne, në tërë madhështinë e tij. Me fotografi të thjeshta, bardhezi, që hymnizonin madhoren: të përditshmen e njerëzve përreth. Na ftuan dhe shkuam. Aparati fotografik i Zogajt ishte gati, mendimi prej specialisti i Dhramit, gjithashtu...
Dhe kaq. Fund. Nuk kishte burrë, që ta mbante më gjatë atin fluturues të letërsisë dhe arteve, "Pegasin"-8, nën zotërimin tonë. Tashmë kishte marrë qiejt. Rrugës për tek ju... Hapini portën, miq dhe mikesha! Është kaq i bukur dhe i mbarë kali ynë! Keni për ta parë... Dhe, nëse doni ta keni atë mysafir të rregullt, abonojuni! Ua them me zemër: do na ndihmoni shumë, edhe ne! Do na bëni të bindemi, se ia vlen të kujdesesh për një kalë të tillë. Për "Pegasin" tuaj!

GRIGOR JOVANI
drejtor i "Pegasit"
 
 
 
 
 
"PEGASI"
Revistë Periodike për Letërsi dhe Arte

Adresa:
Leoforos "Fleming" 48
Kt. G/D11
Renti, tk 18233
Athens
Greece
Tel. 00302104825942
e mail: pegasi2008@hotmail.com

Botues:
THOMA NAKA
ORAMA Editions

Drejtor:
GRIGOR JOVANI
Tel. 00306942698148

Kr/redaktor:
MIHO GJINI
Tel. oo306998760406
(Mjeshtër i Madh)

ABONIMET VJETORE:
Greqi: 50 euro
Shqipëri: 3000 lekë
Europë: 70 euro
Amerikë, Kanada, Australi: 100 $
Numri i llogarisë bankare:
NATIONAL BANK OF GREECE
GR 1301101950000019576956916
Çmimet e abonimeve përfshijnë edhe dërgesat postare.
Lutim abonuesit, të lajmërojnë redaksinë për abonimet,
si edhe të dërgojnë nëpërmjet postës elektronike të revistës
adresat e tyre.
Ju falenderojmë!
Fluturim të mbarë dhe të këndshëm,
nëpërmjet "Pegasit" tonë,
në qiejt e letërsisë dhe arteve!

No comments:

Post a Comment