Mittwoch, 15. Juni 2011

Lirika nga Grigor Jovani




Grigor Jovani

DASHURIA

Ky lumë
nuk gjen qetësi,
nuk ka moshë.

Prandaj, kudo
dhe kurdoherë,
të josh.
 
 
 

DESHIRE

Kur të vdes, dua të bjerë shi,
të ngjajë qielli
sikur qesh me lot.

Mos të duken sy e tu të lagur,
gjithë meraqet
që s’t’i fshiva dot.
 
 
 

ERA

Nuk e di,
si u gjend para meje
ky libër i hapur.
Kalonte era
dhe ndërronte fletët,
përditë.
Kur mbërriti në fund,
kishte ngatërruar
dashuritë.
 
 
 

ISHULLI


Kur më doli gjumi një pasdite,
kraharorit tim:
një grua ngjeshur.

Ishte kaq e bukur, teksa flinte,
krejt e zhveshur...

Ndjeja përgjërim. Ta zgjonte,
shpirti s’donte.

"Është një ishull", - thashë.
Përgjersa zemra,
nanuritje valësh i këndonte...
 
 
 


SHPIRTI


Të mund të bëja një vjershë të bukur,
si ty,
të ta dhuroja.

Mund të përsillej rreth teje gjithshka,
duke vallzuar...

Por ka ca kohë,
që vjersha shpirti s’më ka.

Edhe të vallzoj kam harruar...
 
 
 
 

FARA


Gabuam,
nuk hodhëm farë
kohën e duhur.

Nuk mbiu...

Si pluhur,
në vende të tjera,
e fluturoi veriu.

Rrënjë lëshoi,
kur gjeti dhe
që josh.

Tjetër idil...

Do të më kujtosh,
kur mban në dorë
një trëndafil.
 
 
 
 

TANI…


… kur zemra ime,
i qep dhe qëndis
rroba të reja
dashurisë,
do doja
të ishe këtu.

Por dashuria
vjen
dhe s’të gjen...

Doja veç të të them:
sa më pëlqen!
 
 
 

MBRETERESHA

Si anije torpiluese lufte,
kërkon të çajë nëndetëset
gjuha ime,
gardhin e shtërnguar
të dhëmbëve të tua,
pas të cilit fsheh gjuhën,
mbretëreshën
e flotës detare.

Në ta pushtofsha
bazën e mbyllur
të gojës tënde krenare,
mbretëresha
do më ndjek pas,
si manare.
 
 
 

PARAJSA

Më thua:
askund nuk ekziston Parajsa!

Tej e përtej i shkove botës...

Po mirë, ke shkuar ndonjëherë,
në fund të gotës?
 
 
 

E PANJOHURA

Më priste e panjohura jashtë portës.
Më shikonte
me ca sy të pangjyrë.
I hodha një sy,
gjoja kalimthi,
me një buzëgaz falls në fytyrë.

Gjoja se doja të lidhja këpucët,
u ktheva për ta parë,
pas pak.
Ajo kishte zënë hijen time për dore.
Poshtë mantelit,
i ndriste syri dinak.
 
 
 

SHAHISTI

Luaja mirë. Por nuk fitova asnjë.
Më zbuan një ditë,
nuk më deshën...

Hëngra kokën time. Ngaqë gjithnjë,
doja të zija mat
Mbretëreshën.
 
 
 

NDARJET

Çdo ndarja jonë -
një vdekje e vogël.
Me ringjallje,
fatlumtërisht.

Të bëjmë kujdes!
Vetëm Jesunë,
nuk e gozhduan
gabimisht.
 
 
 

THATESIRE

T’u thanë buzët me kalimin e viteve,
morën të çara,
si tokë në Saharë,
fryn nganjëherë vetëm flladi i fjalëve,
që më feskon,
si më parë.

E vetmja shpresë për pak lagështirë:
një puthje në buzë.

Por është kaq e vështirë....
 
 
 

HYJNESHA

Ditët e mia ngrysja kot,
s’e dija se ç’më priste!
Lumenj të ngrirë kishte në sy,
gjiri si akull ndriste.
Rrinte e ftohtë, si një statujë,
i flisja dhe s’më fliste.

Ngjante se vinte prej diku,
nga të tjera galaktika.
Kish bërë gosti me Perëndi,
ndaj s’dinte ç’është frika.
Mister i madh: ç’donte këtu,
pse rrinte me të gjallët?

Ishte hyjnesha Afërditë,
ndaj s’thyhej lehtë nga fjalët.
 
 

QIELLI

Fajin s’ma kanë lotët.

Iu prishën qiellit
brravat dhe mendeshat:

Ra shi gjithë natën
dhe m’u lagën vjershat.
 
 
 

UNAZAT

Nuk vura unazë në jetën time.
Përse të fyhesh,
dashuri?
Një jetë të tërë, unazat tona -
kaq larg,
njëkohësisht kaq afër,
ashtu si motrat në mëri.
Nuk do takoheshin në gjallje,
si të kishin burrat hasmëri.
Ne thamë: çdo gjë e kemi bashkë!
Kështu nuk thamë,
dashuri?
 
 
 

TURBULLIRE

Fjalë,
fjalë,
shumë fjalë,
lumenj të turbulluar,
që s’i pranojnë
brigjet.

Tokë djerrë - shpirti im,
digjet.
 
 
 

PORTA

Ia tërhoqa pas vetes,
me mund,
kanatet e rënda.
Por s’mora vesh,
më në fund:
mbeta jashtë a brenda?
 
 

VDEKJET

Më mbyllje sytë,
në çdo vdekje:
Shkofsh i qetë,
në mbretërinë
e heshtjes!
Dashuria për ty,
është çdo riardhje,
gjuha e nxjerrë,
në formën
e përqeshjes
 
 
 

NJEREZORE

Në krahët e mia,
një krijesë e fildishtë.
Skulpturë e Fidias,
fshehur nën çarçafë,
me ato vijat e brishtë.
Pashë dhe sytë e tu,
Imzot,
lumturinë nuk e fshihje dot.
Dehur prej gëzimit tim,
ishe njeri,
jo Zot.
 
 
 

TOKA

U rrëzova në rërë,
tek të ndiqja,
ndërsa trupi yt,
si fllad,
drithërohej.

Nuk është se jam plak...

Unë i thashë,
firaunes Tokë,
të rrotullohej?
 
 
 

SHTEPIA

Është një shtëpizë e fshehtë,
ku banojnë zogj të rrallë:
fjalët -
që nuk ia thua kujt tjetër.

Është një shtëpizë e fshehtë,
ku çezmat s’rrjedhin ujë,
por ar,
për mbretër.

Është një shtëpizë e fshehtë,
e madhe -
sa një mbretëri.

Por s’e gëzojmë as unë,
as ti.
 
 
 
 

E PAMUNDUR

Pretendon,
çdo gjë ta ndjejmë bashkë,
miks?

E dashur, këtu dhe orët tona
asnjëherë s’mund të jenë
fiks.
 
 
 
 

SHPRESA

- Ç’është kjo?! Thua gjithmonë
fjalën e fundit.
Lëre, të lutem,Vdekjen
jashtë...

- Po qysh ta lë? Është shpresa e fundit,
të jemi, të paktën, diku
bashkë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen