Sonntag, 19. Juni 2011

Poezi nga Bashkim Buxhovi




KUSH JAM

Gjysmë shekulli veç po jetoj,
kush jam unë, ende s’e di?
Herë-herë mburrem me vetveten...
Herë m’ vjen turp që jam njeri...
Kur t’ urrej, aq pa mëshirë,
...sa shpesh vetit s’i besoj,
vallë, si mund ky shpirti im,
me t’ tilla ndjenja që të rroj?
Kur të dua, shpesh brengosem,
mos kam shkelur çdo kufi,
ç’ dashuri është kjo që t’ bëka,
për të vuajtur gjerë n’ marrëzi?
 
 
 

SI T' MOS DUA

Hije t’ ka ai petk behari,
kur ta vesh, m’ shton lumturinë...
Je e thjesht, e s’shtihesh kurrë,
andaj t’ dua n’ çfarëdo stinë...
Si t’ mos dua ujët e kulluar,
...bashkë me t’ këndshmen gurgullimë,
shtratit të përroit kur rrjedh valëzuar,
ndalet koha, e zëmra m’ shkrinë?
Si t’ mos dua thepin e shkëmbit,
ngritë aq lart sa shqyen re,
thep ku munden veç shqiponjat,
në kraharor t’i ngrenë fole?
Si t’ mos dua lis ’n e gjatë,
E tund era, e ai fishkëllen ,
"kot mundohesh moj e ngratë,
asgjë në botë nuk më frikëson".
 
 
 

SI TA QUAJ?

Si ta quaj këtë qenje t’ mjerë,
që ka pamjen si njeri,
por që s’paska besë as nderë,
aspak dhembje, e as mirësi?
Qen bir qeni, s’i them dot,
...sepse qeni për dallim,
e len kokën për të zot,
dhe shtëpinë që i jep strehim...
S’mund ta quaj as edhe gomarë,
se gomari fillon të pllet,
nga urija kur t’ kërkon barë,
o t’ ankohet për pesh’n e vet...
Si ta quaj pra, s’kam ide,
këtë krijesë që s’ njeh njeri,
që harroi për mëmëdhe,
që horroi popullin e tij!!!
 
 
 

DYANËSHE ËSHTË JETA

A ka gjë më të tërheqëse,
se vendimin e frikshëm të foshnjës,
për t’ hedhur hapin e parë,
dhe shikimin e saj të ngulitshëm,
drejt cakut që ka marrë?
...A ka gjë më të dhembshme,
se kur një plak i stërmoshuar,
s’mund t’ qëndroi në këmbë të veta,
e ndër sy të tharë duke vështruar,
mëshirësi kërkon nga jeta?
 
 
 

VES

A ka qen që s’ëndërron ashtin?
A ka mace që s’do mushkëri?
A ka ujk që s’e ndërron qimen?
A ka dhelpër që s’bënë dredhi?
A ka gjel që zgjohet heshtur?
A ka zog që s’do pranverë,
A ka njeri që s’do vetveten,
E t’ mos urrej njerëz të tjerë?
Për që s’ka gjithkush e di,
Por një gjë po më shqetëson,
Pse njeriu me mend në kokë,
Këtë ves t’ keq nuk e ndërron?


Bashkim Buxhovi. I lindur në Prizren në vitin 1957-të. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Gjakovë, ndërsa studimet e fakultetit ekonomik i përcjelli në Prishtinë. Si ushqim shpirti e kishte krijimtarinë muzikore, artistike dhe letrare. Në lemën e muzikës kontribuoj duke marrë pjesë me kompozimet e tij në festivalet e këngës popullore dhe argëtuese që mbaheshin çdo vit në Gjakovë, dhe në Akordet e Prishtinës. Ndërsa artit dhe letërsisë iu kthye në vitet e fundit (2006-2010) duke botuar romanet e veta: "Sateliti i planetit të humbur", "Jeta në tri botëra" , "Përvetësuesi i medaljonit të Akilit", dhe "Testamenti i një Amazone", së pari në mërgim, e pastaj edhe në shtëpinë botuese "Faik Konica" në Prishtinë(komedinë fantastike në dy pjesë: "Sateliti i planetit të humbur"). Kohët e fundit, është i frymëzuar edhe me poezi...
Bashkimi përndryshe është vëllai i shkrimtarit dhe publicistit te njohur te letërsisë shqipe Jusuf Buxhovit...Jeton qe afër 20 vite ne mërgim.

Përgatiti: Pal Sokoli

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen