Sunday, July 3, 2011

Cikël poetik nga Agim Metbala



FENIKSI KOSOVAR

Këtu si duke edhe dialektika
Është dehur deri në delirium
Dhe përdit në këtë kaos urban
Lindin pikpyetjet
Në këtë kaos urban të shfrenuar
Vështirë se do të vetëpërmbahet
Rolet janë ndërruar në mote -
Timonët i kanë në duar idiotët
Të paktë janë ata të tjerët
E Kosova zë në thua me shekuj...

Si duket këtu po perëndon
Apo po lind diç e re
Diçka si Feniks i ri kosovar
Kam frikë, kam frikë...
(këlyshët e parë hidhen në lunë)...
 
 
 
 

MOS I MBYLLNI SHTIGJET

Mos e mbyllni, hapeni shtegun
Do të shihni sa shtegëtarë ka
Që do të krijojnë shtigjet e reja
Për t'i lënë n'harresë labirintet e trishtimit...

Mos e mbyllni, hapeni portëm
Do të hapen pastaj të gjitha dyert
Frikën do ta djeg guximi
Guximi do t'i mbushë sheshet me gëzime
Frikën ia lëmë peng historisë...

Mos e mbyllni, hapeni portën
Pastaj do të hapen të gjitha zemrat
Zmra ka shumë sirtarë
Dhe në ballë të fëmijërisë
Do të ngjizet ardhmëria...




KOHË QIRINJSH

Në Kosovë
Motet ndërrohen
Nën ritmikë agregatësh
Ftohtë, akull, akullnajë
Dhe në shpirt të secilit
Mbin nga një ajsberg...
Në Kosovë
Nata edhe dita
Ndërrohen në vërtitje krismash
Duke bartur stafetën stereotipe
Me porosi të stërpërsëritura...
Në Kosovë
Çdo gjë është e brishtë
E ftohtë, akull, akullnajë
Derisa të lindë shpirti
Ai do t’i shkrijë të gjithë ajsbergët
Në bebëzat e syve do ta mbjellë dashurinë
Të kërkuar në këto mote...

18.03.2003
 
 
 
MEDALJONI

Secili që ka puthur
Mëngjesin në ball
Vetëm duke kërkuar fjalën
Pët ta shaluar
Të kalurojë mes njerëzve
Ai në çdo hap është takuar me dashuri
E gëzimi ia ka fshirë djersën nga balli...
Secili që ka shtrembëruar kurrizin
Duke e shndërruar në harqe
Mu porsi degët me peshë bore
Pastaj do të takohet me rrezet e diellit
Që burojnë nga sytë e njerëzve...
Secili që frikën e ka pshtyrë në fytyrë
Rrezikun e ka pshurë në gojë
E turpin e ka shkelur me thembër
Do të ec lehtë rrugës
Dhe do të ndiejë pasthirmën e zogjëve...
Ai s’ka çka u trembet viteve në vijim
Stolisur me medalonin e nderit!

24.08.2004





LIBRI ISHTE DËNUAR ME VDEKJE

Kam ecur
Kam ecur nëpër teh të shpatës
Për të treguar sa e rëndë është e vërteta
(kam vuajtur dhimbjet)
Kur të tjerët kanë qeshur
Dhe dehur me dhimbjet tona
Kam qarë
Kur të tjerët diferenconin
Arkivolet e blombuara
Kam shkruar shqip
Kur libri ishte dënuar me vdekje
Kur të tjerët kishin bërë aleancë me kërbaçin
Kur të tjerët kishin helmuar rrugën
Kam ecur këmbë maleve përpjetë
Për t’i takuar drangonjtë...
Atëherë isha plot me serenada
Duke pritur mëngjesin e ëndrrave - zhgjëndër
Tash rri në udhëkryq
Me një pikëpyetje të madhe në ballë
Dhashtë zoti të jem në ëndërr
Se ëndrra harrohet lehtë...


 
VETËVRASJA E HESHTJES

Përditë në vend të kaftjallit
Në pjatë na servohet nga një brengë
Në tavolinën për drekë
Na shtrohet nga një vdekje enigmatike
E për çdo darkë në mbrëmje
Para syve na vidhet shpresa....
Heshtja pa kusht duhet bërë vetëvrasje
Ose ne ta vrasim botërisht
E në gishtin tonë tregues
Le të lind guximi i fjetur...

O3.09.2004

 
 


HAPAT E MI

Në rrugëtimin tim
Çdo hap e kam stërmatur
Sepse në këto mote me udhëkryqe
Semaforët u ndalën
Vetëm me një ngjyrë – kuq!
Në rrugëtimin tim
Edhe sot hapin e hedh me kujdes
Se në këtë trevë
Janë ulur satelitët e UFO-të
Duke na përgjuar ftohtas...
Unë do të vazhdoj rrugëtimin tim
Ta hedh hapin në drejtpeshim
Pak në letër dhe pak në CD
Furtunat dhe uraganët do të pushojnë
Hapat e mi do të marrin trajtën!

12.05.2003

 
 

YLBERI MA NGJYROS BALLIN

Sa herë e dëgjoj pulsin e zemrës sime
Gabimit s’ia hap portën me asnjë kusht
Në rrugën time i mbyllet shtegu mashtrimit
Urrejtjen e shkeli me themër
Ylberi ma ngjyros ballin...

Durrës, 03.08.2003

 

SHPIRTI NË SHUPLAKË

Kurrë nuk do të isha trembur
Nga askush dhe nga asgjë
Po të mos ishte syri im
Që ma shpalos shpirtin në shuplakë...

Durrës, 03.08.2003



KËNGËT E MIA

Këngët e mia
Këndohen dhe këndohen
Me melodinë e vjetër
Në mes meje dhe njerëzve
Mes njerëzve dhe meje...
Këngët e mia
Në ndërdijen kureshtare
Zemër buçimë e jehonshme
Në të gjeni kuptimin e çastit
Gjykimin e drejtë
Nën kureshtjen e shestuar...

 


NË FUND TË VRAPIMIT
NDAHEN MEDALJET

Më quani si të doni
Nuk do të më bezdisni fare
Emri im fillon me shkronjën e parë A
Dhe paralajmëron dritën e bardhë...
Shamëni sa t’ju dojë shpirti
Jam i fundit nga ata që shahen
Si hekuri kalitem me fjalët e shkruara
Kam lënë faqe plot...
Vini barrikada pa numër
Nuk ndalem me asnjë kusht
Jeta ma ka mësuar
Vrapimin me pengesa...
Në fund të vrapimit
Ndahen medaljet...

01.12.2003

 
 


PO TË MOS FRYMONIM NE

Kurrë s’kam dashur t’i bashkohem
Shumicës vetëm pse forcën
E treguan me numër
E dhëmbët u kërcasin plot xixa
Duke shkelur pa ndjenja...
Kurrë s’kam pranuar të eci pas të "fortit"
Mbase ai drejtësinë e ndan
Me kutin e dhembjes pa mëshirë
Për të marshuar fitores personale...
Të pasurin s‘kam preferuar ta shoqëroj
Se shqisat atij s’i punojnë
Instiktin e ka të zhvilluar...
Dhe po të mos frymonim ne
Shumica në numër kishte mbetur pakicë
I forti i rrejshëm ishte frikësuar nga vetja
Ndërsa i pasuri hajn kishte mbetur i uritur...
 
03.12.2003


 
 
 
PORTA IME

Portën time ua kam mbyllur
Dhe nuk ua hap
Dallkaukëve që më kanë rrethuar në hark
Duke hedhur nga goja që ua ka falur Zoti
As atyre të operuar nga atdhedashuria
Që paraqiten si kozmopolitë...
Për të gjithë të tjerët
Urdhëroni
Portën e kam hapur krah më krah
Dhe ju pres me dashurinë e nënës...

02.09.2003

 
 


PUTHIN PRAGUN E NDERIT

Këngët e mia
Këputen në melodi të vjetra
Rrisin buzëqeshjen e fëmijëve
Ndonjëherë shtojnë nga një pikë
Loti në qepallë
Lehtazi shndërrohen në serenadë
Trokasin në dritaret
E xhamave të mërdhirë
Për ta zgjuar dashurinë
Befasishëm, po befasishëm
Në gjumë trembin
Mizat kush i ka nën kapuç...
Këngët e mia ecin dhe ecin
S’ngrihen nga të ftohtit
Mbase rreziten me rrezet e diellit
Dhe puthin pragun e nderit...

 
 

S’I HA PALLA PËR KOPALLA

Sa herë kam tentuar
Lapsin ta thyej përgjysmë
Ai është mprehur pa kusht
Rrugës goliatë të verbuar
Lapsi marshonte fitimtar
E në ballin tim pikat
E djersës së ftohtë...
Sa herë për shkakun e lapsit
Më kthenin tre hapa mbrapa
Ai më hidhte gjashtë përpara
Ndjenjat që s’përjetohen nga secili...
Perimetri i lapsit tim
Kap të gjitha meridianet
Orbita e tij
Satelit është
Dhe s’i ha palla për kopalla...

12.11.2003.

 
 
 

ZËRI I NDËRGJEGJES


Fjala
E zgjidhi secilën nyje
Të lidhur mbrapsht
Të vërtetën e shaloi botërisht
Djallit ia shqeu maskën copë-copë
Kërbaçin e poshtëroi skajshmërisht
Spiunin e damkosi për jetë
Ndërsa grabitçarit ia mbylli fytin me tapë...
Fjala jonë e bardhë
Me guximin nën sqetull
Ndershëm marshon edhe sot
Dhe vertikalisht qëndron si lapidar...

05.05.2004
 
 
 
 

LODHJA

U lodha në udhëkryq
Në pritje të ndërrimit
Të ngjyrës së kuqe
Derisa m’u zbardhën flokët...
U lodha e timpanët
M’u shqyen gjerë e gjatë
Me refrenet demode
Patriot-trathtarë, patriot-trathtarë...
Dhe tash fare jam shurdhuar...
U lodha e bebëzat
Më janë verbuar tërësisht
Me fytyra të njëjta në skenë
Duke ndërruar maskat
Në mënyrë serike
Gjatë katër stinëve të vitit...

03.07.2004

 
 
 


USHLAT I KAM PENTAGRAM GISHTËRINJVE

Unë nuk di të bërtas
Dhe çmendurinë ta vej në peshore
Butas belbëzoj melodi
Të vjetra për të gjithë...
Nuk jam mësuar në pjatë
Të më servohet djersa e huaj
Familjes së ushujzave s’i takoj
Mbase grykën e fytit e kam të ngushtë
Ushlat i kam pentagram gishtrinjve...
Unë nuk i dua duartrokitjet
False që i merr era
Dhe i shkep lëndinave të harresës
Dua t’m’i dëgjojnë meloditë
Me dashuri
Qofshin vetëm edhe katër veta
Për t’më përcjellë ndershëm
Për në banesën e fundit...

12.11.2003

 
 
 


NË PRITJE

Kanë thënë se loti
I burrave është këngë
Unë kam edhe lot
Edhe këngë
Metamorfoza duhet të ndodhë
Për ta ndërruar
Kursin e udhëtimit
Atje na pret ëndrra jonë...

12.11.2003.

 
 


LOT DHE SHPRESË

Lot
Lot
Lot nëpër shekuj
Sytë tanë rrënjë oqeanesh
Lotët nuk dinë të gënjejnë
Ata tregojnë gjendjen e shpirtit...
Lot
Lot
Lot nëpër shekuj
Ata janë dëshmi
Të pastërtisë sonë
E vuajtjeve të imponuara...
Lot
Lot
Lot edhe në ditën e lirisë
Ata lot le të jenë fund i lotëve tanë
Dhe fidane buzëqeshjes
Për brezat që do të vijnë...

07.12.2003.

 
 

SHPRESA

Shpresën në mijëvjeçarë
E torturuan për ta vrarë
Ajo është rreze
Që bie pingul
Majave të thepave të mprehta
Shpresën me shekuj u munduan
Ta pushkatojnë
Nga tytat çelin lulebozhuret
Shpresën me decenie
E mbyllën në katakombe
Bërtiti shesheve Eureka...
Shpresa pushton horizontin
E njerëzit - mbishkrime në varre...

17.11.2003
 
 
 
 
HESHTJA

Heshtja në vete fsheh
Dhëmbët e krokodilit
Në bark lavën e vullkanit
Që vlon pa pushuar
Në sy akumulon rrezet e uraniumit
Në shuplaka shtrëngim indesh...
Mos lejoni që heshtja
Të shpërthejë në klithje
Ajo pastaj pjell të zezat e tmerrshme...



ZEZONËN TË KALUARËS

Dhe renditen administratorë
Të operuar nga shqisat
Të ndëgjuarit
Të prekurit
Dhe të nuhaturit...
Dhe tash besoj se UFOT
Lëvizin shlirshëm planetit tonë
Ne na lodh dyshimi
Se këmba e njeriut
Nuk shkeli në hënë...
Duhet zgjuar nga ëndrra
Të keqen t’ia lëmë harresës...

17.11.2003



NGADHËNJIM

Në raste të panumërta
Ia kam lidhur duart syve
Nga turpi ynë të lidhur për beli
I gatshëm për dorëzim
Dhe një mijë e një të tjera
Të thëna e të pathëna...
Çuditërisht, sa herë kam kthyer
Shikimin nga fëmijët
Në një mijë variante
Më është paraqitur lindja
Dhe fitorja jonë...

20.11.2003


 
 
PASTHIRRMË BREZIT TË RI

Nëse jam rebeluar
Kundër uraganit
Që shtrydhte jetëra
Si letrën e byrekut
Për ta prekur me majat e gishtërinjve
Të vërtetën dhe kurrgjë tjetër
Sot do të rebelohem
Sepse më sulmohet embrioni
Dhe nuk do të lejoj dështimin
Mbase dua pasardhës
Që do t’i thonë nënës NËNË
Tokës tokë
Dhe ta vënë gishtin në kokë...

07.12.2003.


 
 
REALITETI I SHEKULLIT

Nata më dukej fare e shkurtër
Kafshoj gishtin për pagjumësi
Edhe sot kur të gjithë botën
E kemi në dorë në maus
E të gjitha bibliotekave
Në ekran të kompjutorit
Ta vëmë gishtin në kokë
Se s’na duhen më balada
As për trimëri përrallore
As për dhembje serike
As për njerëz të pazëvendësueshëm
As për ata të pavdekshëm...

11.12.2003
 
 

MË FRIKËSON VRAPIMI PA KOKË

Fshij pluhurin nga fëmijëria
Pak dashuri shumë dhembje
Marrin trajtë në ballin tim
Skamja si në kohën e Migjenit
Djallëzi në asnjë çast...
Sot i fërkoj sytë e ënjtur
Majat e rrokaqiejve prekin qiellin
S’ka qere me kuaj qe
Askund s’ndihet erë misraku
Edhe lulet janë të tjera
Pulat nuk kanë shije të njëjtë
Dredhëzat rriten në frigorifer
E trurin e dirigjon kutia
Të gjithë në ngarendje...
Fshij pluhurin nga fëmijëria
Një puhi e lehtë
Ma freskon ballin plot djersë
Dhashtë Zoti
Fëmijëria ime të mbetet vetëm e imja...

13.12.2003.


 
 
KRIMBAT PRESIN...

Edhe faraonët kishin tonelata ar
Dhe bjeshkën me ar e mbushën
Por vdiqën siç vdes secili njeri
Mbetën vetëm eshtrat
Kjo është formulë...
Qytetërimi aq shumë ka ecur
Por vdekjen s’e ndali kush
Ilaçi për të nuk u gjet
E Homeri recitohet edhe sot
"Mahabharata" ka hyrë në internet
E krimbat presin me padurim
Të vdesin më të majmët...

13.12.2003.


 
 
HIPOTEKA

Desha ndershëm të jetoj
Më thanë - s’ke lindur në kohën e duhur
Desha të vdes
Më thanë - ke lindur për të vuajtur...
Desha me afsh ta përqafoj lirinë
Më thanë – s’e ke merituar
U kënaqa me enigmën e zbuluar
Se duhet vdekur shumë herë
Për t’jetuar një herë.
Hipotekë e jetës sime të mbetur do të jetë!

14.12.2003


 
 
ÇAST

Ndiej kënaqësi
Kur butas prek një dhembje
Kur shijoj një dashuri
Kur tej mase ngarkoj vetveten
Kur një troh sakrifikohem për tjetrin
Edhe kur në gjysmë hap kap durimin...
Vetëm atëherë e ndiej çastin e jetës
Koha tjetër më është e humbur!

Më 14.12.2003.
 
 
 
 
 
VETËDIJËSIMI

Edhe sot veshi
Përgjon dritareve
Për t’ia dërguar lajmin djallit...
Edhe sot syri
Përbirohet portave kapexhikëve
Për t’ia dërguar djallit
Kuptimin e shpirtit...
Nga po i njëjti sy
Nga i njëjti vesh...
Ja do ta tundim kokën
Me gishtin tregues
Ose kafkat do t’na rreziten në lëndinë...

Më,14.04.2004


 
 

KARRIGA

Nën karrige si duket
Fshihet formula Abra-kadabra
Për të mos e lëshuar atë
Shkelën plisin e bardhë
Kohën tjetër diferenconin të vëllanë
Kohën tjetër vranë demonstrues
Kohën tjetër në pusi i pritën drangonjtë tanë...
Edhe sot janë të përgatitur
Të ecin me cilëndo të keqe
Vetëm për të mos e lëshuar karrigen
Karrigen për të mos e lëshuar o Zot
......................................................
Harrojnë se për në banesën e fundit
Do të përcillen si hajdutë....

15.04.2004


 

MË THANË

Më thanë të shkruaj bardh
Kur syrin verbonte terri
Më thanë të këndoj serenada
Kur dhimbja më ndiqte në çdo hap
Më thanë të shkruaj poezi
Duke shikuar vetëm përpara
Pa shikuar majtas djathtas
Më thanë të mos sajoj aforizma
Mbase ato ndjellin hakmarrjen...
Dhe çka s’më thanë tjetër ata
Që servuan terrin, shkaktuan dhembje
Me shikimin në xhepa të majmë...

15.04.2004

 

RRUGËTIMI

Skajshmërisht të rraskapitur
Me rrobat e grisura të kohës
Të alivanosur nga baladat
Të vërtetat e të trilluarat
Tmerrësisht të frikësuar nga krimet
Me bebëza të verbuara...
Vallë na duhet një rilindje
Apo kursi i ri i rrugëtimit?
Rrugëtimi ynë i ri
Duhet të jetë mes shkronjave
Mes vargjeve idilike të dashurisë
Në tastaturën e kompjuterit
Në CD-të dhe në rrjetin e internetit
Atje do ta gjejmë vullnetin tonë shekullor
E koha do t’na falë
Rrobat e reja lirie...

Më, 19.04.2004.


 
 

KOHË NË IKJE

Mos m’i vritni ëndrrat
Në pritje flokët më janë zbardhur
Për t’i ëndërruar sot...
Mos ma ndrydhni vrullin
Me barrikadat sterotipe të njohura
Do t’i sakatosni brezat që do të lindin...
Mos ma merrni prapë lapsin
Që deshi të shkruaj vargje të bardha
Se është ngopur me vrer helm...
Koha në ikje na fton
Për falje e lidhje gishtash...

22.04.2004

 


FYTYRAT

Ka shumë fytyra
Që çlirë shpalosin shpirtin
Kam parë fytyrë dhelpre
Mënjanë kinse me përkëdhelje
E në anën tjetër duke lëpirë
Me gjuhë të keqen...
Kam parë fytyra ujqërish
Duke shqyer gëzimet pa mëshirë
Në krijim të dhimbjes
Kam parë fytyrëdielli
Që shndriste si ar...
Kam parë fytyra engjëjsh
Duke shkepur dashurinë me njomësi
E buzëqeshjet me grushta...
Kot shpenzohet energjia -
Shpirtit dhe fytyrës
S’mund t’i bishtërojë kush...

29.04.2004

 
 


PËRSIATJE

Përsiatem me pikëpyetjet
Dyshimi vendin s’ma le
Me habi shkel orët e vona
E nga frika shkund mendimet:
- "Si të mbrohemi nga sida "
- "Dhuna në familje "
- "Korrupsioni i organizuar "
- "Standartet para statusit "...
Vargu i mendimeve pa kufi
Përsiatem me mendimet
Në kërkim të së vërtetës
Që s’do të zbulohet kurrë
E marrtë djalli...

07.05.2004
 
 
 


PA THONJË

Shumica nëpër mote
Pjesën e madhe të thonjëve
I hanë për hiçgjë
Duke u ngjitur për luspat e kuçedrës
Pjesën e mbetur i hëngrën
Duke u grithur mes vete
Çmendurisht...

Dhe tash kur thonjt u duhen
Për ta mbrojtur veMbetën pa ta...
 
 
 


KOMEDI

Fjalën nuk e frenova
Nëpër motet plot rrebeshe
Dhe tërmete të fuqishme
Kur vërshonte llava nga vullkanet
Dhe thembrat preknin majën e kresë
Sot më thonë do Sanço Pança
Ta lë fjalën përgjysmë
Komedi stereotipe
E një moti pa vlerë...

 
 
 

VETËDIJËSIMI

Edhe sot veshi
Përgjon dritareve
Për t'ia dërguar lajmin djallit...

Edhe sot syri
Përbirohet portave e kapexhikëve
Për t'ia dërguar djallit
Kuptimin e shpirtit...

Nga po i njëjti sy
Nga po i njëjti vesh...

Ja do ta tundim kokën
Me gishtin tregues
Ose kafkat do t'na rreziten në lëndinë...

14.04.2004

 
 
 

KARRIGA

Nën karrige si duket
Fshihet formula Abra-kadabra
Për të mos e lëshuar atë
Shkelën plisin e bardhë
Kohën tjetër diferenconin të vëllanë
Kohën tjetër vranë demonstrues
Kohën tjetër në pusi pritën drangonjtë tanë...

Edhe sot janë të pregatitur
Të ecin me cilëndo të keqe
Vetëm për të mos e lëshuar karrigen
Karrigen për të mos e lëshuar o Zot

......................................................

Harrojnë se për në banesën e fundit
Do të përcillen si hajdutë...

15.04.2004

 
 
 

MARSIN DUA TA SHOH NË BEHARE

Sa herë vjen marsi
I trembem rrëmujës
Dhe prangave...

Si e gjithë bota
Dua ta shoh dushkun të çelur
Vetëm në gjelbërim
Ta pushoj syrin e etur për bukuri
Marsin ta shoh në behare
Ta pushoj shpirtin e mekur ndër stuhitë
T'i kthej
Pranverat që m'i kanë vjedhur...

16.04.2004
 
 


ME GISHTIN TREGUES
DUHET NXJERRË PAPËRDHOKUN

Janë rreshtuar në maratonë
Në një shteg thuase të gjithë
Absurd i lakuriquar
Merr e vjedh, vjedh e merr
Refren si në diskun e prishur
Merr e vjedh, vjedh e merr...
Të tjerët janë të paktë
Hutimi u rri në ball pikëpyetje
Frika i ka lëshuar zogjtë
Rrugët në ecje çdokund
I kanë të mbyllur si shishe me tapë...

Duarkryq nuk pritet vdekja e së keqes
Me gishtin tregues duhet
Nxjerrë papërllokun e përjetësisht...

09.01.2004
 
 
 
 
 

FJALA MË MBETI NË FYT

Desha të flas
Fjala më mbeti në fyt
Janë ngopur të gjithë me fjalët tona...
Desha të shkruaj
Për çfarë të shkruaj
Para meje kishin shkruar për çdo gjë
Era i mori shkrimet e tyre...
Desha të protestoj
Për shumëçka
Para meje kishin protestuar për gjithçka
Ato i varrosën në sarkofag...
Desha të çmendem
Nuk më lanë
Më thanë: ka shumë të çmendur...
Dhe shtuan:
- Së pari kuptohet vetja
Atëherë i mirret era
Flladit të pranverës...
 
 
 

KOHA E KRISUR

Në këto kohëra të rënda si plumbi
Trurin e kam konservuar mirë
Pakkujt i duhet truri
Veshin e kam mbushur me pambuk
Për ta shpëtuar timpanin
Ndërsa sytë i kam mbyllur
Dhe i kam futur në kuti
Për të mos parë fëlliqësirat...
Do të pres ditë më të mira
Për të jetuar dhe për të vdekur...


 
IKJA

Monstrumi IKJE
Me eskavatorë
Shemb kalatë e guximit
Dhe në çdo zemër mbjell
Fidanët e frikës
Që lindin frutet e dhembjes
Dhe krijojnë lumenjtë e vdekjes
Pastaj në mënyrë të paartikuluar
Katandisen në detet e panjohura...
Ikja lind nga droja
E frikës dhe forcës
Të ikurit
Me gravitacion të humbur
Sillen si pa kokë
Me shpresë të mbështjellë
Në shaminë tetëpalëshe
Duke ngrehur këmbët zhag
Metropoleve të botës...
Ikjet çdoherë më trembin
I trembin edhe fëmijët në djep.

16.02.2003

 
 

MOS I MBYLLNI SHTIGJET

Mos e mbyllni, hapeni shtegun
Do të shihni se sa shtegtarë ka
Që do t’i krijojnë shtigjet e reja
Për t’i lënë n’harresë labirintet e trishtimit
Mos e mbyllni, hapeni portën
Do të hapen pastaj të gjitha dyert
Frikën do ta mund guximi
Guximi do t’i mbushë sheshet me gëzime
Dhe frikën t’ia lëmë peng historisë
Mos e mbyllni, hapeni zemrën
Pastaj do të hapen të gjitha zemrat
Zemra ka shumë sirtarë
Dhe në ballë të fëmijës
Do të lind ardhmëria

 
 

S’E PREFEROJ ECJEN E BRESHKËS
 
Breshkën e adhuroj se ka mburojë
E fare s’e preferoj ecjen e saj
Pse po modelohet lëvizja e saj nëpër mote?
Në ecjen tonë duhet modeluar maratonën
Për të zënë një karrige në Strasbur
Atëherë do të prehen të gjithë eshtrat
Do të pushojnë të gjithë shpirtërat
Që si mbyllin sytë gropë
E me dashuri ia falën jetën kësaj toke...

20.02.2003




YLBERI PUTH BLERIMIN

Sot guximin e ka kapur paraliza
Dhe aty-këtu ecën me paterica
Që i jep pamje tragjikomike...
Sot urtësia është varur në majë të lisit
Atë e kapi era me krahë të vet
Duke e hedhur në qiell të imagjinuar
Budallenjt organizojnë vallet e natës...
Sot në çdo rrugë dhe udhëkryq
Janë rreshtuar pikëpyetjet
Dhe karavanët e pyetjeve pa përgjigje...
Nesër do të lindë Ditë e re
Me kuptim, presje, pikëpresje
Duke përfunduar me një pikëçuditëse
Do të rreshtohen guximi, dija, urtësia
Shesheve do të mbijnë aguliçet
Ylberi do ta puthë blerimin në ballë...
28.02.2003
 
 
 

ÇASTE DELIRIUMI

Nga afër shikoj
Procesin e transformimit evolutiv
Të plisit të bardhë
Me katalizatorë të shumëfishtë
Më dhemb secili muskul
Më dhemb secili ind
Më dhemb secila qelizë...
Klithi deri në kupë të qiellit
Kurrkush nuk më dëgjon
I kanë prishur çekanët e veshëve
Klithi çmendurisht
Kurrkush nuk më shikon
I kanë vënë mëkëmbëzën thjerëzës së syrit
Klithi në delirium
Kurrkush nuk më ndjek
Të gjithë i kanë shndërruar këmbët në roushle
Duke vrapuar kah Perëndimi
Dhe duke humbur kohë pas thembrave...
Perëndimi një ditë do të kthehet kah Lindja
Të gjithë ata do të jenë të pafuqishëm
Për pelegrinazh...

28.02.2003

 
 


KOMEDI

Fjalën nuk e frenova
Nëpër motet plot rrebeshe
Dhe tërmete të fuqishme
Kur vërshonte llava nga vullkanet
Dhe thembrat preknin majën e kresë
Sot më thonë do Sanço Pança
Ta lë fjalën përgjysmë
Komedi stereotipe
E një moti pa vlerë...




E KËRKOJ VETEN

Dje e dija kush isha
I rreshtuar si luledielli
Me fytyrë të kthyer kah dielli
Në pritje të lindjes të frutit
Nga mishi dhe gjaku ynë...
Sot e kërkoj veten
Në këtë vorbull të shfrenuar
Ikje marramendëse me një këmbë
Qiellit që nuk i dihet fundi
Dhe me një këmbë në zjarr
Që nuk ka të sosur djegia
Bërtas me fund të barkut
Si kafsha e plagosur për vdekje:
- Kurrë nuk do të rreshtohem mbrapsht
Edhe nëse gjatë jetës
Vdes edhe një mijë e një herë...



LËKUNDJA E NDËRGJEGJES

Shpallen edhe tenderë
Brutalisht thyhen shpresat
Që na e sollën enkas nga larg
Në fjalorin e gjuhës shqipe
Lëkundet me themel ndërgjegjja
Humb pafundësisht fjala
Djersa poshtërohet deri në avullim...

20.08.2003
 
 
 
 

KOHA NË PESHORE

Mos shkel rrëmbyeshëm
Kujdes hapin si ta hedhësh
Mos shkel vetvetën
Se koha e sotme është në peshore miligramike
Nesër kanë për të të çmendur britmat...
Mos i mbyll sytë para dritës
Hapi bebëzat dhe shikoje të vërtetën
Se koha e sotme është në peshore miligramike
Nesër do të të ha terri i zi...
Mate fjalën me mikrona
Shkronjën mos e shkruaj në letër të ndotur
Nesër do të të shkurtohet gjuha
Shkronjat do të mbeten
Në reliefin e lëkurës sate...
Kujdes
Koha është në peshore miligramike...


 
 
NUK DUA TË MBETEM APATRIT

Nuk dua prapë të mbetem apatrit
Nëse ka nevojë do t’i pres të gjitha venat
Dhe le të shkojë gjaku im rrëke rrugëve
Deri në pikën e fundit
Mbase dymbëdhjetë lëkura m’u kanë rjepur nga shpina
Duke kërkuar hartën e re gjeografike...
Nuk dua prapë të mbetem apatrit
Duke u përcjellë brezave stafetën me pikëpyetje
Dhe vullnet të padeshifruar
Nëse ka nevojë do të dal në Sheshin Skënderbe
Për ta reinkarnuar Jan Pallahun
Sepse krejt çka pata dhashë
Duke kërkuar hartën e re gjeografike...

04.03.2003



PAMJE

Pamja që na shpaloset sot
Është deri në fund ironike
Çdo figurë në panoramë
Në mënyrë milimetrike është e përllogaritur
Të na bindë në këtë realitet të rrejshëm...
Harrojnë se thjerrëzat tona janë imune
Motet na i falën reflekset e kushtëzuara
Për të mbijetuar vertikalisht...


 
 
 
DERI KUR

Deri kur më në ecje do të bëjmë zigzage
Për t’u pëlqyer atyre që na i imponojnë ato?
Deri kur më do t’i përsërisim fjalët
Refrenët që na i shkruajnë të tjerët?
Deri kur do ta shkurtojmë gjuhën
Me kutin e porositur nga të tjerët?
Deri kur do të ulemi në tavolinën e gjelbërt
Me materiale të servuara si një supë?
Nëse kështu ecim vetëm edhe sot
Përfundimisht do të arrijmë në Ferrin e Dantes.

 
 
 

TRAGJIKOMIKE

Situata komike
Më kanë rrethuar
Në vend se të qeshi – qaj
Kafshoj ditën fort
Dielli zihet...
Rreshtave nuk u shihet fundi
Në qendrat sociale
Trupa pa kokë
Të paartikuluar rreshtohen
Para ambasadave
Lukthi s’ma përbin
Këtë pamje komike
Kafshoj natën, dhëmbët më thyhen
Nga dhembja hëna fshihet pas reve...
Më çmend ecja horizontale
Nëpër metropolet evropiane
Me gëzimin e paluar dymbëdhjetëfish
Në xhep të vogël
Kafshoj me dhëmbë mishin tim
Për të mos qarë...

12.03.2003




NË PESHORE

Ishim ata që krimet i përjetuam
Në çdo pore të lëkurës sonë?
Ishim ata që tmerret i pamë me sy
Në një mijë e një forma?
Ishim ata për libër të Ginisit
Me eksodin e papërsëritshëm?
Ishim ata që i thyem zemrat e botës?...
Jemi ata që ishim apo u transformuam
Duke harruar se jemi në peshore
Unë i frikësohem peshës së tepruar...

 

DERISA TA ZË DIELLIN ME DORË

Nuk pendohem kurrë
Se eca rrugës plot peripeci
Për ta sfiduar të keqen
Dhe çmova të bukurën...
Nuk pendohem kurrë
Që të padrejtën e sulmova
Me gjithë arsenalin e armëve të mundshme
Duke u shqyer maskat shëmtimeve...
Të tjerët heshtën për të mos u rënë supeve
As edhe asnjë qime floku
Unë do të parakaloj rrugës sime të trasuar
Derisa ta prek diellin me dorë...


 
 
NDJENJË REBELIMI

Derisa djersa e punëtorëve
Është ekspozuar në ankand publik
E zhvlerësuar deri në asht
Derisa dija e profesorit
Është nënvlerësuar më poshtë
Se fshesa e pastruesit
Derisa referate false
Në përvjetorët e dëshmorëve
Lexohen nga ish-përndjekësit
Derisa Kosova është amfiteatër i hapur
Ku përditë shfaqen tragjikomeditë
Para spektatorëve të hutuar...
Me atom të fundit të qenies
Do të rebelohem në ekstazë...



EPITAFET E TURPIT

Ata kobra që dje
Helmonin pjellën e vet
Sot u vardisen të ardhurve
Duke verbuar sytë e pasardhësve
Harrojnë se ata janë të identifikuar
Se nesër mbi varrin e tyre
Do të shkruhen epitafet e turpit...
 
 
 
PENTAGRAM I GRAVUAR

Çuditërisht
Sorrat shpejt harruan gjenezën
Përsëri krrokasin
Duke shpurdhur me këmbë të zhlyera
Që u vjen era CO2
Dhe marramendshëm
Në maratonën me korba
Me qyqet
Dhe me dreqin e mallkuar
Në pritje
Të ballit të ri të lugetërve....
Mashtrimin e kanë
Si borën e vitit të kaluar
Feniksi kosovar
E shporri terrin
Përtej shtatë bjeshkëve
Me gjakun nga damarët
Vizatoi hartën e re
Pentagram i gravuar
Në ballin e secilit..

04.11.2003
 
 
 
 

N E V E R I A

Të neveritshme janë këto mote
Që në treg kanë hedhur
Krimbat pa vlerë
Që zvarrë pastaj okupuan të gjithat
Nga zyra e vendit
E deri në parlament...
Neveria vjen dhe shtohet
Me robotë politikë
Të krijuar në punëtoritë
Dhe epruvetat evropiane
Duke marshuar me ndjenja të operuara...
Neveria arrin pikën e vlimit
Me biznesmenët e lindur
Nga fara e dinarit të Topçiderit
Duke lidhur kontrata ende me shkronjat cirilike
Që t’i verbojnë sytë...
Neveria pas pikës së vlimit
Avullohet dhe shtrihet mjegulla e dendur
Duke krijuar apati, alivanosje...
 
 
 
 

DHEMBJA MË SHFAQET
NË FYTYRË

Në këtë amfiteatër të pikëllimit
Nuk jam gomë t’i fshij dhembjet
Nuk jam profet me dorë t’i largoj brengat
Nuk jam kirurg të bëj ndërhyrje kirurgjike
Dhe as aq i fortë t’i marr të gjitha dhembjet...
Tërheqi thembrat zvarrë
Dhe humbem labirinteve të mia
Dhembjen vetë e përballoj më lehtë
Ajo më pikturohet në fytyrë...


 

GUXIMI FLE

Në këtë shesh të shqetësuar
Që vërtiten rreth boshtit të vet
Me shpresën e humbur të së nesërmes
Në këtë amfiteatër të hapur
Ku secili aktron role të paartikuluara
Me dhembje të pikturuar në fytyrë
Në këtë nënqiell të errët
Me mija peizazhe të errëta
Të ekspozuara vetëm bardhë e zi...
Faji është i lakuriquar
Na mungon vetëm guximi
Që nëpër mote fle...

31.03.2003


 

SHQETËSIMI

Më dhemb diafragma
Frymëmarrja më çrregullohet
Kur prapë i shoh në fotele
Monstrumët e lindur nga martesa
E vëllazërim-bashkimit
Me tri ndërhyrje kirurgjike –
Në zemër, në veshë dhe në sy
Ata që në vend të Zotit
Besojnë në dreq të mallkuar
Botës publikisht i kërkoj azil politik!

 
 

DO T’I GJUAJMË NGA TRE GURË

U lodhëm me trupat amorfë
Që në mënyrë serike marrin forma
Prej kallupit në kallup
Të akorduar nga jashtëtokësorët...
U molisëm me trajtat e njëanshme
Dhe format halogjene
Në maratonën e përvetësimit
Në garat e pangopësisë...
Na i verbuan sytë prototipat politikë
Të lindur nga kontejnerët
E metropoleve të kurvës plakë në ekstazë
Me orekse frigjidiale...
U molisëm nga një mijë e një të këqija
Të servuara në mija variante...
Fatomorgana do të paraqitet një ditë
Do të kalojnë lodhjet, do të shkunden molisjet
Në ceremoninë mortore të të këqijave
Do t’i gjuajmë nga tre gurë ...

 

D E H J A

Jemi lodhur tmerrësisht me veten
Me peticionet sterile
Jemi dehur nëpër mote
Me përpilimin e teksteve
Të protestave stereotipe të kohës...
Skajshmërisht na kanë lodhur
Ata të labirinteve si të merimangës
Të metropoleve neonike
Duke servuar nota proteste shterpe
Si bukën bajat për kafjall
Me qindra abortime të rezolutave sterile...
Tërë jetën në udhëkryq
Në pritje të ngjyrës jeshile
Vetëdija duhet të lidhë alenacë
Me triumfin dhe të dalë shesheve
Njëherë dhe deri në pafundësi
Të kuptohet se semafori është vetëm një mjet
Që mund të ketë defekt!




IRONIKE

Do të vijë një ditë
Kur shesheve do të zhvishet kjo ironi
E lakuriquar do të ecë
Secili kalimtar do ta pështyjë në fytyrë...
Do të vijë një ditë
Kur matrapazët në pelegrinazhe
Do të ikin në Merdare
Si elefantët në karvane
Për të vdekur turpshëm
Në mënyrë horizontale...
Do të vijë një ditë
Kur disa politikanë tanë nga grushtimet
Nokdaunet dhe nokautet
Dhe me sëmundjen e Parkinsonit
Do ta harrojnë edhe emrin e vet
...............................................
Ajo ditë do të vijë patjetër
Rrugës së Zotit!

29.04.2003


 

ATYRE U TAKON E ARDHMJA

Kjo kohë e zymtë
Kjo dritë është farsë
Thjerrëza duhet vënë nënkëmbëzën...
Kjo kohë është e brishtë
E ftohtë, akullnaja dhe ajsbergët
Instiktet sundojnë..
Kjo kohë është në udhëkryq
Para kohe lindin monstrumët...

Atyre që mbijetojnë këtë kohë
Në mënyrë vertikale
Atyre u takon e ardhmja...





NA NDOQËN

Na ndoqën
Ai, ajo – ky dhe kjo
Na ndoqën
Ata, ato dhe kush jo...
Ne të ngrirë mbetëm
Të gjithë ikën kokës duar të lidhur...
Kujtesën s’ia lëmë harresës
Ajo s’na le të shkelim rrëmbyeshëm
Dhe as nën këmbë dërrase të kalbur...
 
09.01.2004

 
 

KËNGË E GJALLË
 
Nga frika
Çdogjë kishte vdekur
Me ankth priteshin trokitjet
Dyerve nga të paftuarit...
Dita ishte e gjatë sa një shekull
Ndërsa nata dot nuk gëlltitej
Derisa malet tona nuk hijeshuan
(oh, sa ishin të bukura malet tona atëbotë)...
Pastaj nga malet
Vrullin e ndrydhur ndër mote
Me guximin e legjendave
Me këngë poema të pashkruara
Zbritën qyteteve dhe katundeve
Duke e mundur frikën për vdekje
Deri në largim të përjetshëm...

1998

 
 

MALLËNGJIMI

Tërheq thembrat zvarrë
Në udhëkryqin e Shijakut
Apo hija më tërheq pa cak
Sa fort më zu malli
Zemra ime e ndarë në dysh
Në mënyrë simetrike
Gjysma përtej Bjeshkëve të Nemuna
E gjysma këndej
Te udhëkryqi i Shijakut
Halucinacionoja në mesditë
Me sy të hapur si dy gropa pa fund
Para syve pëlhurë ekrani
Insertet ndërroheshin në mënyrë serike
Flakë, ofshamë, lot dhe ikje...
Mbi kufoma mbinin lulebozhuret
Prapë përsëritje si në refren:
Flakë, ofshamë, lot dhe ikje...
Oh, sa më ka marrë malli për rrasat e Rahovecit...
Tërheq thembrat zvarrë
Në udhëkryqin e Shijakut
Apo hija më tërheq pa cak...

15.05.1999

 
 

NËNAVE

Nga lotët valë të nënave tona
Do të ishin shkrirë
Edhe ajsbergët e polit verior
Nga ankthet e nënave tona
Para këmbëve të tyre
Do të ishin shtrirë
Të gjitha bjeshkët
Nga dhembjet e nënave tona
Do të kishin pëlcitur
Të gjitha prangat e qelive
Me durimin për çmimin Nobël
Të nënave tona
U rebeluan liderët botërorë
MBI SUPET E TYRE ERDHI PRANVERA NË KOSOVË!

14.04.2003


 
PËR ATA

Boshtin tim kurrizor
Do t’ua fal për lapidar
Sepse jeta
Do t’më kishte kaluar
Në frikë dhe pritje thikash
Po të mos ishin ATA.

14.02.2003


 
 
DHUNA

Mos i burgosni pëllumbat
Se burgosni lindjen tonë
Burgosni varret tona në çdo shtresë
Dhe çdo pëllëmbë të kësaj toke
Burgosni mendjen
Frymimin dhe qenien tonë...
Mos i vrisni pëllumbat
Ata janë të urtë
Dëshirojnë vetëm qiellin e lirë
Për të fluturuar shlirshëm
Dhe asgjë më shumë...

 

LIRINË E KAM ËNDËRRUAR
PAKËZ MË NDRYSHE

Lirinë e kam ëndërruar pak më ndryshe –
Pa vrasje enigmatike
E dëshmitarë që i lëshon toka
Pa dëshmitarë të mbrojtur...
E ëndërrova lirinë
Me shtrëngim duarsh
Si në skulpturën e Tasim Lokajt
Me parlament ku do të flasë arsyeja
Me Universitet vlerash të larta
Pa treg të zi devizash
Me dritë neoni shesheve
E pa frigoriferë që u vie erë e rëndë
Me ujë për ujitjen e parqeve
Dhe jo me gypa të koroduar...

Lirinë e kam ëndërruar ndryshe
Pakë-ë-ë-ëz më ndryshe!

06.05.2003
 
 

DHEMBSHURI

Futem nën lëkurën e secilit irakian
Nga çdo bombë e lëshuar
Më këputet nga një krah
Në çdo vrasje fëmije
Ndiej klithjen e dhembjes
Nga çdo pikë loti të nënave
Më betonohet zemra
Alergjik jam bërë në tym e flakë...

O2.04.2003

 
 
 
MARSIN DUA TA SHOH NË BEHARE

Sa herë vjen marsi
I trembem rrëmujës
Dhe prangave...
Si e gjithë bota
Dua ta shoh dushkun të çelur
Vetëm në gjelbërim
Ta pushoj syrin e etur për bukuri
Marsin ta shoh në behare
Ta pushoj shpirtin e mekur ndër stuhitë
T’i kthej
Pranverat që m’i kanë vjedhur...

16.04.2004

___________ 

P Ë R K U SH T I M E


PELEGRINAZH NDERI

Adem Jasharit


U mundova të eci shtegut tënd
Që kishte vetëm një zgjidhje
Ta shkruash emrin në abetare
E trupi mburojë plumbash
E mata veten në peshojë disfatë
Nga e cila doli listë e gjatë...
Për herë të dytë e mata veten
Me pjesën e zemrës sime
Të ecë bjeshkës kur çeli dushku
Im bir hapi istikame
U kthye duarsh me ushla pentagrame...
Herën e tretë
Nuk e mata më veten
Mbase shtegut tënd
Ecën vetëm dragonj e zana
Të tjerët ishin të pafuqishëm
Për atë pelegrinazh nderi!

10.09.2004


 
 
 
UKSHIN HOTIT

..." Zoti gjyqtar,
- Jam i vetdijshëm për veprën time,
por fatin e robit nuk e nënshkruaj!"...
U. H.
Shtegtove shtigjeve të xhunglës
Atje ku nuk guxon të shkelë këmbë e tjetrit
Ndër sheshe shqiptove fjalët
Që shumëkujt atëherë i mbetën në fyt
Si kafshatë e madhe
Në letër të bardhë shkrove ditirambe
Për të vdekurit e gjallë
Dhe të gjallët e vdekur
I ke pështyrë me kohë në fytyrë
Për së gjalli u ndave dy herë nga jeta
Duke i hapur tri kaverna në mushkëri
Për lindjen e re...
Dhe tash
Universi yt mbetet përjetësisht në këto troje...
 
 
 

TI MË JE FRYMËZIM

Kolonel Tonit


Sa herë kam thënë më vete
Të të lë të prehesh i qetë
Ti më ke ardhur në njëmijë e një pamje
Sa herë kam thënë të mos i shikoj
Fotografitë e tua
Në mesditë të kam ëndërruar
Sa herë jam munduar
Të të kushtoj ndonjë varg
Fjalët ishin të pakta
Sa herë kam dashur ta parafytyroj
Bukurinë tënde mbi të gjitha bukuritë
Ylberi më dilte përpara me mijra imazhe
Sa herë kam dashur ta përshkruaj
Trimërinë tënde që fjalë se thotë
E letra nuk i zinte dot...

 

BLERIM E PAPËRSËRITSHËM

Seladin Mullabazi – Micit

Vargjet e mia për të fërgëllojnë
Shpërndahen grykave të malit
Unë skuqem me ndjenjat
Fuqia e tij më frymëzon
Klithi nga bregu
- Asgjë, asgjë s’paskam thënë!
Më shtang kujtimi
Ai ishte shëngjergj i shëngjergjave
Blerim i papërsëritshëm
Që u dha hijeshi maleve...
Botërisht pranoj:
- I pafuqishëm jam
Ta përjetsoj kujtimin për të
Fjalët më ikin grykave të malit,
Atje ku janë drangonjt e zanat...
Lapsi më kthehet në pikënisje
Se fillimi dhe mbarimi –
Është emri i tij!

26.09.2003

 


TË KËRKOJ NË BARDHËSITË

Budim Berishës

Dhe ti nuk ka nevojë të flasësh
Shesheve të dehura
Asnjë fjalë goje
Atelieja jote ka romane
Të pashkruara
Që presin lindjen
E brezit në agim...
Dhe ti vetëm hesht
E dora jote e djathtë
Me brushën magjike
Shëndosh zemrat
Spërkat kaltërt – kaltëri horizontit
Duke verbuar terrin
Pa mëshirë...
Dhe ti prapë hesht
Natën dielli ta rrezon ballin
Bardhësitë metaforat
Zbusin pëllumbat e egër
Kukuvajkat trembin
Dora e përgjakur në kapixhik
Çizmja e rëndë digjet
Përjetësisht largohet me terrin...
Në relief lakohet emri yt
Unë të shoh në bardhësitë e qiellit
Atje, atje të kërkoj miku im...

26.09.2003


VDISET PËR TË JETUAR

Delegatëve të Kaçanikut


Të gjithë ata
U morën n’grykë me jetën
Marshuan guximshëm
Drejt cakut pa pikëpyetje
Për jetë a vdekje

Sot harresa e tyre
Sikur po shtresohet pluhur
Ama, vërtet lëvozhga bie
Por rritet bima e njomë e bukur...

Rahovec, më 19.02.2004




RËNKIM E DHEMBJE

Të rrëmbyerve

Rrëmbimi
Nuk përshkruhet me fjalë
Atë s’mund ta aktrojë asnjë aktor
Para tij edhe dhembja tkurret
Është dhembje mbi dhembje
Trishtim mbi trishtim...
Vetëm zemra e nënës mund ta ndiejë
Vetëm nga rënkimi i saj
Mund të matet kjo dhembje...

07.12.2003

 
 

NËNËS SIME

Në çdo rrudhë të ballit
Paluar ke nga një dhembje
Por gëzimin përherë
E pashë në sytë e tu.
Nga fytyra jote fluturonin
Pëllumbat e bardhë
Pas të cilëve vrapoja me ëndje
Për mua natën e bëje ditë
Se dita ishte e shkurtër
Të m’i plotësoje të gjitha dëshirat...
Edhe sot i thinjur
Ndjehem aq i vogël
Para dashurisë tënde mal
Që nuk matet me asgjë
Ti ndjehesh me shpirt
E prekesh me zemër...
06.12.2003



HIJA JOTE MË NDJEK KUDO

Tim eti

Sa herë në ecjen time tretem dhe harroj Zotin
Faljet e tua më kapin për veshi
E unë zgjohem nga ëndrra e keqe...
Sa herë dielli në horizont
Ma gjen kokën të mbuluar me jorgan
Shati yt më çon peshë...
Sa herë fjalën
E hedh pa menduar
Urtësia jote ma pren gjuhën...
Dhe, nuk i frikësohem
Jetës së mbetur me gabime
Hija jote më ndjek kudo...

Më 06.12.2003.


 
 
 

BIJËS SIME

-Fitores

Nuk të dua aq shumë
Vetëm për faktin se pjesë e imja je
Të dua mbase edhe për diçka krejtësisht tjetër
Se në syrin tënd ngjyrë gështenje
Përherë rri zgjuar syçeltësia
Se në ballin tënd bën rojë guximi
Fytyrën tënde buzëqeshja stolis
Të dua se ecën aq sigurt
Shtigjeve të jetës bija ime...

21.O8.3003

 
 


METAFORË E PËRJETSHME

Nexhmije Pagarushës

Ece shtigjeve me plot të panjohura
Kur të tjerët s’patën guxim
Notat i këndove shqip
Kur në portë përgjonte veshi
Kur në çdo dritare syri ndeshte syrin...
Donin të të frikësonin në çdo hap
Ti çdo herë edhe më e fuqishme
Nga thellësi e shpirtit lindnin epopetë
Dëshmi të dhembjeve tona...
Për ne që u rritëm me këngën tënde
Që qamë e qeshëm bashkë
Je metaforë e përjetshme
Simfonia jonë e pavdekshme...

17.08.2003
_________
 
 
BIOGRAFIA E AGIM METBALËS

U lind më 1953 në Rahovec. Shkollën fillore dhe atë të mesme- gjimnazin, drejtimin e pëgjithshëm, i kreu në vendlindje, studioi dhe u diplomua pranë Fakultetit Juridik në Universitetin e Kosovës, më 1976. Aty i vazhdoi edhe studimet pasuniversitare.
Agim Metbala, ka kryer disa detyra në nivel të komunës, kurse tash e kryen detyrën gjyqtarit, në Gjykatën Komunale të Rahovecit.
Me shkrime, ka filluar të merret qysh kur ishte nxënës i klasës së katërt të shkollës fillore dhe tash e 34 vjet më parë, bashkëpuoi me shumicën e revistave letrare dhe gazetave ditore, që botohen në gjuhën shqipe, në të gjitha trojet shqiptare.
Krahas shkrimeve për fëmijë, ai shkruan edhe poezi për të rritur dhe merret me enigmatikë. Gjithashtu, Agimi merret me perkushtim mbledhe edhe materiale nga lemia folklorike.
Agim Metbala ka merita të mëdha në zhvillimin dhe përhapjen e letërsisë për fëmijë dhe të enigmatikës në komunën e Rahovecit. Ai është iniciator për themelimin e Shoqatës së Enigmatëve "Labirinti" në Rahovec, e cila është themeluar më 1985 (e dyta në Kosovë), ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të parë të kësaj Shoqate. Ka marrë pjesë dy herë në garat Federative të enigmatëve në ish-Jugosllavi, dhe ate në Lipik (Kroaci) dhe Sarejëvë (Bosnjë), por edhe në shumicën e takimeve dhe garat e enigmatëve të Kosovës.
Me iniciativën e tij, menjëherë pas themelimit të Shoqatës, ka filluar të botohet revista letrare për fëmijë "Filizat", të cilën e ka udhëhequr, e udhëheq dhe e financon edhe sot.
Për nder të 10-vjetorit të veprimit të Shoqatës, me mjete të veta dhe me punime të përzgjedhura për fëmijë, me disa kolegë, ka botuar përmbledhjen "Si duket babi im" e për nderë të 20-vjetorit të veprimit të Shoqatës, përsëri me disa koautorë, ka botuar përmbledhjen me vjersha e tregime "Pranvera në shkurt". Poashtu, boton edhe revistën letrare për të rritur (formë libri), me autorë rahovecianë, "Jehonë Anadrinie".
 
 
Veprat:

- Koautor i përmbledhjes me vjersha e tregime "Si duket babai im",
- Përmbledhje me rrëfenjëza për fëmijë, "Deti në shtëpi",
- Përmbledhje me vjersha , tregime dhe drama njëaktëshe për fëmijë, "Grindja e fjalëve",
- Përmbledhje poetike "Kohë qieinjsh".
- Përmbledhje poetike "Guximi fle".

__________
/Materialet jan marre nga faqe te ndryshme ne internet/
Për "Sofra poetike": Haxhi Muhaxheri

No comments:

Post a Comment