Sunday, July 3, 2011

Cikël poetik nga Nikoll Ndok Ulndreaj

SËRISH NOTOJ NË DETIN E LOTIT TIM


Qielli i kaltër
Bjeshka e kaltër
Uji kaltër
Ëndrra e kaltër
Po zbehen e po zbehen
Ngase nuk mund të mërgohen
Me njerëzit.


Duket se vuajnë...
Bjeshka, qielli, uji e ëndrra
Rrinë strukur nënë qepalla
Të kohës që po ftohet
E marrin dritë
Nga një fener i braktisur
Ditën e ndarjes.


E unë... humbas
Si vërshëllima shtigjeve...
E serish notoj
Në detin e lotit
Larg, larg
Emigrantë
Në dhe të huaj.


Ndërsa shpirti shëtit e shëtit
Bjeshkë në bjeshkë,
Stan në stan
Krua në krua
Dhe në mure të ditëve
Shkruan
Emra të larguesish.


Nyjet e kujtimeve zgjidhen
Në skajin më të largët të vendlindjes
Atje ku pisha e mallit tim gjelbëro
E unë ç’kuptim ka të jetoj në shkretëtirë të largët
Ku loti përzihet me ngjyrën e errtë të dheut
Më duket se edhe vuajtja nga damarët e dheut më vjen
E jeta po më kthehet në zhgënjim.


Shpresa është si fara e pishës që mbinë në shkëmb
Të shtatë ditëve të javës...
Shtegu hapur i mbetet dëborës
Shtegu hapur mbetët shfryrjes së erërat
Shtegu hapur mbetet edhe për brengat e mija
Që qielli i përhimët
Do ti djegë me zjarr.


Mos mu fshih damarëve të stinës
Sikur je i vetmi kalorës që ec heshtur
Duke ju afruar bregut të vetmisë
I tha dhimbja shpirtit
Mos mu fshih se ndihëm i mbytur
Në vorbulla moti
Të të pa pritmes së beftë.


Se pastaj... do të zë peng e të vari
Në kurma të mrizit Qafës
Në sy të Kakisë,të majës Bardhë, të Shtarzave
Të majës Hekurave e të Kores Merturit
Sikur të ishe ketër i bardhë
Pa mëshirë në dritë të hënës
Në pusterr të natës.


Edhe ju, o zana mos i kërkonin lotët,
Lotët që i humbet nëpër shpatina
Vite më parë
Kurë Nikaj-Merturi rrudhosej nga popullimi
E vetmia vërtitej e vërtitej
Me hijet e ikjes
Në duar.


Unë shtegtari i harrimit
Dëgjoj zhurmën e erërave të botës
Dëgjoj edhe hingëllimën e kalit të Trojës
Gjithnjë e më afër
Sa herë hapet e mbyllet dera,
Dera
E lashtësisë.


Herë pas here ndërtoj kafaze
Nga druri i gështenjës
Dhe i vendosi në pragun e kopshtit
Për zogjët e bjeshkës sime
Që portretizojnë fytyrën e diellit
Kurë e nxjerr syrin mbi bjeshkë
Në ag të mëngjesit.


Qielli i kaltër
Bjeshka e katër
Uji i kaltër
Ëndrra e kaltër
Po mendohen e po mendohen
A mund të mërgohen
Me njerëzit.






VALBONA


Fërkon qepallat Shkëlzeni
Në ballin tënd
Saherë lindë mëngjesi
Që ti të dukesh më e bukur
Kur ikën
Duke fshehur vajin
Valbona ime kaltëroshe.


Ti nuk ke rënë me fjete
Edhe pse sonte
Ta kam fshehur fenerin
Në zverkun e pyllit të errtë.


Nuk të prishka punë
Feneri i bardhë
Që s’pirte sa të çmallemi.
Harbuar të paska
Kulloshtra kristal e bores.


Brigjet ti ka gjakosur një shpend i egër
Që jeton në shpatullat të bjeshkëve
Ku fryjnë erërat dimërore
Dhe vetmia zhgërryhet në hije...


Më merr malli
Kur ti ikën
Më mungojnë duart tua plot fllad
Që çelin trëndafila
Valbona ime.






VENDLINDJES


Ka shekuj që lumi i Bardh i puthë brigjet tua
Të përshëndeti dhe e përshëndete
Ti qeshë, qanë,heshtë fjalë të rëndë nuk thua
Shtegtarit të përjetshëm që mërgon në dete.


Vendlindje, ti qëndron ulur këmbëkryq mbi bjeshkë
Digjet pejsazhe yt me sy të përlotur nga udha
Serish zogu krahëlarm i këndon stinës në pjeshkë
Stinët vinë e ikin e në ballin tënd shtohen rrudha.


Bredhin arave zogj trumcakë të gjejnë kallëza gruri.
Dita shkrehët në pyllin e errët të vetmisë, humbet
Mote të dehura me verë blerimi në kulla saraje guri
Bujare sofra shtruar shtegtar të harruar pret.






SHOKUT TIM


I kushtohej Nikoll Isufit i cili
Ka kontribuar ne ndermin e
Qytetit B-Currit.


Serish doja të gjeja me projekte ne dore
Si dikur i ri, i shkathet dhe energjik
Duke i rritur shtatin qytetit tone malor
Me rruge, pallate, shkolla, kopshte o mik.


Ah, si ikën këto vite kështu or burrë,
Nga kallot e duarve tua ka mbire qyteti
I rreshtoje pallatet si ushtare para mbreti
Duke i njomur stinët me ujin ne gurre.


Kur i kujtoi ato kohëra shpirti me regëtinë
Tani e besoj se ato stine nuk kthehen tjetër
I kemi humbur te gjith lumenjtë e vjetër
Neper ditë, neper muaj dhe neper stine.


Serish afër muzeu vigjilo B. Curri plak
Qytetar të tij në ditë feste dhe ujkendi
Për ata që i mungojnë zemra i dhembi
Ndoshta të na shikoj serish ka merak.







DUKAGJINI


Dukagjini rrethuar me male si dhembe kali
Ne mes si shpirte bamirësie lumi kaltërosh
Njëqind mrekulli mahnitëse zoti ua fali
Dhurate për Shale, Theth , Gimaj e Shosh.


Atje mbetesh syhapur për ti parë fundin
Fshatra fytyrebuta , flladi të ngrit përmendore
Zemra kthehet ne sharki, zogjët kokën tundin
Mikpritje dhe përcillje me respekt mbretërorë.


Ndihesh i etur për bjeshke, për kroje dhe livadhe
Te çlirohet shpirti nga ankthi, boshi dhe mëkati
Njerëz te zgjuar, rritur si lis mali e zemër te madhe.


Shtëpi guregdhendur merakeshem për djemtë ngritur
Githeçka të fale dashuri fisnike flladin duke shkopsitur
Sa çele e mbyll sytë mund te fluturosh, faturat i ke gati.






NJE VASHE HAJDUTE BURRASH


Një vashë e freskët
Si uji tek gurra
Bënë ojme ditën
Natën hajdut burra.


Është harlisur
Vasha nga shtati
Që hajdut burra
E di gjithë fshati.


Një natë binte shi
Frynte edhe erë
Erdhi pa pritur
Më trokiti në derë.


E veshur në të bardha
Njashtu si zanë
Sytë e saj të zi
Dritonin si hënë


Më hajduti mua
Të mos u vijë çudi
U dorëzova pa kushte
Për sytë e saj të zi.






DY PËLLUMBA


Dy pëllumba të bardhë fshihen, nuk flasin
I druhen dinakërisë tekanjoze të gjahtarit
Por papritur më gjeste e cicërim të ngasin
E flakën i vënë pyllit të durimit të beqarit.


Po pse qeshja prej trëndafili erdh e shkrepi
Nëpër gjak. E gjakun ndezi në deje si fieraje
Dy pëllumba të fjetur në shtratin e një krepi
Zjarrin i vënë luginës e tymi dil në maje.






MOS MË LINI PA VARR


U nisa mbas dëshirës rrugën me gjet
Ndër shtigje mortjen gjeta mbi rrasë
Plaga e dheut a thua vërtetë jam vetë
Qëkur ika nga vendlindja me buzët plasë


Kokën më ka prerë e padukëshmia dorë
Një dorë e zezë , e zezë si ajo e territ
Trupin tim kufomë e mbuluan me borë
Shpirtin e burgosen në ferr të Aligerit.


Kufoma gjendet kur të ketë shkrirë bora
Kush do ta njohë kufomën time pa kokë
Ndaj po shkruaj duke mu dridhur dora
Mos më lini pa varr për dy pëllëmbë tokë






ZOGJËT E BJESHKËS


Zogjët e bjeshkës së bardhë ngritën tendë
Pranë kopshtit të mbjellur me vetëtima
Të fshehin diellin kur fryn moti rendë
Këngë të ëmbël i këndojnë me cicërima.


Por tenda e zogjve nga vetmia u shemb
Se vetmia pakëz bjeshkët i kish vrarë
Era flamuj gjethnajash ngriti në shkëmb
Dhe zogjët jeshil u kthyen në magjistarë.






STREHA E VJETËR


E di. Në krevet curulitet toja
E çelsi fle gjumë dikund në një skutë
Kullës nga çatia iu ka hapur goja
Dhe ofshanë butë.


Në vetull të derës qan një plasë
E në oden të burrave vetmia u përgjak
E gjyshit kutia e duhanit me letra
Për mysafir rri tek rrasa në oxhak


Ngrohtë në qoshen e urës rri një fjalë e shkret
Frika ka hyrë në mua
Rresht dhjetë breza nga trolli një nuk shket
Mos këputet filli tek un drua.


Në hi të syrit shikimi krahët përdredh
Mos të vrasë zogj pendimi
Në mote gjak e lot mbledh,
Strehë e vjetër, strehë amshimi.


E mbështes kokën time mbi prag
Pres një fjalë, një përkëdhelje, një bekim
Po unë kurrë s’të kam harruar edhe larg
Strehë e vjetër, strehë në amshim.






STANET NË BJESHKË


Gjithë stinën
Bjeshka u curulit
Në prehrin e ditës.


E stanet
Bënë sehire
E veruan në vetmi...







O LEKBIBASE VASHË BJESHKËTARE


O Lekbibase vashë bjashkëtare
Rrexe dielli në livadhe
Rrexe hëne nëpër zhare
Kurë veshë vello shtojzovalle.


Kur qeshë ti qesh dhe Marini
Zogu i malit heshtë në kreshtë
Nga liqeni ngrihet Drini
Hypë në kalë e ngjitet në bjeshkë.


Njomzo ahu, njomzo kajsia
Në vetull mali e në pllaja
Borën e vjetër e shkrinë Kakia
Nga xhelozia e nga sevdaja.






ZOGJËT JU NUK E DINI QË S’FLE


Zogj me këngë më zgjoni
Në mëngjes
Them se zgjim më të ëmbël
Nuk ka.
E ju nuk e dini miqtë e mijë
Që s’fle.
Se qielli i nxirë,
Pikon lot në brengen time
Medet.
Dhimbja fsheh plagën
Më lehtë se fjalën.
Diku pranë ujët që rrjedh
Hijes të qelisë
Ku tunden prangat
Tani në agim
Në sytë e tim birë
Si në vaj.
Kush vallë me lustra hijesh
Sajoi mbrëmjen e dimrit
Që erdhi
Duke u kredhur në terr
E u kacavjerrë frikshëm
Në hekurat e burgut.
Qumështor të unët
Digjen prajshëm
Në flakën e hashashit
Për një çikë punë
Që nuk ua dhamë
Për një copëz bukë
Që nuk e kanë
E shpirtit u humbasin
Në karvanin e cicërima
Të zogjve.


Zogj ju nuk e dini
Që s’fle
Kur ujërat qajnë
Për gurrën që humbet në ranishte.
S’fle se yjet rreth meje
Gjëmojnë nga prangat
E syri i qiellit loton
Mbi mua pleqëri flokëbardhë
Pa mëshirë.
E një vikamë si stuhi
Pluskoi mall të qulltë
Në prag të mëngjesit
Prej kaq kohësh
Në të katër stinët.


A thua
Hyri në cicërimat tuaja
Vezullimi i ftohtë
Afër agimi.
I yllit tim duke u falur
E përkulur
Para tokës dy herë
Së bashku me njerëzit
Që sonte s’flenë nga pagjumësia
Duke matur me sy mes të çarës së dritares
Oborrin e qelisë
E flaka e brengës
U fiket pa zë nëpër terr
Diku pranë një gardiani
Që rojton bijtë tanë.
Rrethuar me tela gjembaçë
Që hiqen zvarrë nga dhembja.
Ah,të kish drejtësi
Që ta pranonin gjith njerëzit
Sytë e mijë, sonte
S’do të ishin të pa gjumë.


Zogj ju nuk e dini
Që s’fle
Se qielli është i inatosur
E hëna mi fshehë sytë
Mbas bjeshkëve,
E lumi mi fshehë gurgullimat
E se e di që jam etshëm,
E kulla ma fshehë sofrën
E se e di që jam i unët,
E shteti nuk e di që marr frymë
Por unë
Nga brinja e Atdheut
Jam
Se këtu kam lindur
E i përgjërohem
Të më japë në pronësi
Dy pëllëmbë tokë
Vetëm dy pëllëmbë
Ti kam të miat
Sa për një varr
Kurë të vdes.


Zogj
Me këngë
Më zgjoni
Në mëngjes
Them se
Zgjim më të ëmbël
Nuk ka.
Por,
Ju nuk e dini
Që s’fle ...







GJËMË BURRASH


Britma burrash
Spiruar
Në gurët e kohës.


Dhe gjethi i njomë
Në lis
Ngjethet
E dridhet
Si thupra në ujë.
Lotët rrjedhin
Si krua bri mali
Faqeve të rrudhura.


Mbytur në trishtim
Qielli ngrinë.
Vetëm
Ka mbetur
Dhembja.
Zogjët e zhurmave
Fluturojnë
Sipër reve.


Ç'panë sytë
Ç'ndieu zemra
Në breg të këtij deti
Të trishtuar
Që dallgon lot
Mes vështrimeve
Lisi i akullt
Mbinë në buzë


Eh, mjeri vllau im, i mjeri unë
I mjeri për ty.
Eh i mjeriiiiiiiiiiiiiii
Ho, ho, ho,ho,ho,hoooooooooo.







KROI NË RRUGË


E kam gjetur gështenjën e vjetër duke qarë
Dihamë e ofshamë ndihej gjer larg,
Kurora mezi mbahej në trup të vjetër
As një qift nuk puthej në hijen e saj
Se hija qe spiruar nëpër gur e grisur nëpër ferra
Hedhur në përrua si këmishë fukaraje,
Kur ika unë, kroi im i mirë...
Kishe filluar jetë të re, shuaje etje rrugëtarësh...
Dashnishtë puthje vasha në buzë, në faqe e qafë
Edhe fieraket e këndshme i puthje
Që unë s’munda ti puthi dashtënisntë
Veç një rreze drite u mora në sytë e vesës së mëngjesit
Dhe zjarrminë e hënës
Që u digjte faqet, gjinjtë, ujëvarat e flokëve
Luljetës, Athinës, Terezinës e Manushaqes.
Po ti puthi për mua në buzë, në faqe, në qafë e gjokes
Puthi në gegërisht
E në gegërisht thuaj dy fjalë dashurie në vesh
Që nuk munda me ua thanë...

Tropojë me dt. 24. 6. 1973.







DY PËLLËMBË TOKË


Në vorbull të motit më ka lenë i pari
Kur toka digjej nga luftërat ashiqare
Dy pëllëmbë tok e pak zjarr shqiptari
Ballë për ballë me një bote hileqare


Ndër kreshta për një krah barë tuflak
Dhe për një tufë gojfil alpin erëqet
Dhimbshëm kam lënë një grushte gjak
Të shërohen plagët e gurit të shkret.


Në oborr t’ kullës shkëmbi, dimër te dera
Përsipër hëna manare plasaritur qerpiku
Shtigjeve të ngushta bredh lumi dhe era
Nga kafazi im zogu i moshës më iku.


Jap e jap të shqyej qiellin tim çikë-çikë
Rrudhat mbi ballë në radhë si valë deti
Dhe një lot, dhe një pikë djerse mbeti
Dhe ky shkopi i shkret nga unë ka frikë?!



Për "Sofra poetike":
Haxhi Muhaxheri

No comments:

Post a Comment