Montag, 29. August 2011

Grigor Jovani: Peisazhe të detit


...TRE SKICA

1.
Drita e mëngjesit zgjoi fëmijët,
si këmbana e kishës, që paralajmëron
kreshmën ditore.
Pastaj,
kujdestari diell do t’i marrë për dore,
do t’i shoqërojë tërë ditën,
gjersa hëna
t’u thotë përrallën e mbrëmjes
në fjetore.

2.
Pasi rendën gjithë ditën mbi det,
zhveshën këmishët e djersitur
erërat.
Nderur për t’i tharrë,
nëpër degët e ullinjve të nxehur,
shpirti im,
nuk kishe gjë tjetër për të fshehur.

3.
Prej erës së tërbuar, deti
ngjan së largu impozant,
por i paprekshëm.

Trëndafil i hershëm,
mes gjëmbave strukur.

Po t’i përgjakja
gishtërinjtë e shpirtit nëpër dallgë,
mund të këpusja një poezi
më të bukur?

 
 
 

KONTRABANDE

Duroj.
Nuk më kanë shpuar akoma,
shigjetat e helmuara
të erërave.

Vesh për t’u mbrojtur
vuajtjet
e të tjerëve.
 

 
 

KEPUCET E SHENJTA

- E shkruar më 15 gusht, Ditën e Shën Mërisë -

Përkulem përpara ikonës, unë
dhe këpucët e mia amerikane.
Nëna e Shënjtë shtrëngon në kraharor,
fëmijën e zbathur, ndërsa vetë
vesh nallane.

Lavdi Zotit! Edhe sivjet, si i krishter,
bëra detyrën,
për të cilën kam ardhur...

Vitin e ardhshëm, përsëri
pa këpucë do të jetë Foshnja e Shenjtë,
ndërsa unë,
një firmë më të shtrenjtë do të kem mbathur.
 

 

DASHURI DHE URREJTJE

I përkushtohem çdo gjëje ka të bëjë me Zotin,
por dhe me Djallin,
gjithashtu.
Dashuroj me afsh bashkëshorten time,
të dashurën, po ashtu.
Më pëlqen makina ime "Toyota",
më është e shtrenjtë gjithë bota.

Nënvleftësoj çdo gjë që ka të bëj me Zotin,
por edhe me Djallin,
idiotin.
Hera-herës urrej bashkëshorten time,
e dashura nuk më ngja kaq intime.
Më vjen ta shes makinën time "Toyota",
mrekullitë e Botën më ngjajnë të kota.

E studiova Jetën gjithandej,
por nuk mësova të dashuroj,
as të urrej.
 

 
 

FJALE DHE LULE

Mban mend gjithmonë një fjalë të vetme,
që ta kam thënë në inat e sipër,
dhe, doemos, nuk e besoja.

Harron, ndërkaq, gjithë ato lule,
që nëpër vjersha t’i dhuroja.
 

 
 

MAMAJA

Nuk e dëgjova të ankohej kurrë.
"Si je?", e pyesja.
E njëjta përgjigje:
"Mirë, të keqen mamaja!"

Vetëm një herë u ankua:
"Nuk jam mirë...".

Dhe ndodhi hataja.

Vetëm një herë u ankua,
të shkretën.
Mjaftonte,
që të më dhimbte gjithë jetën.
 

 
 

TEORI

Do të vijë një kohë,
që njerëzit do të rrojnë,
sa do të duan vetë.

Kur do të largohen,
asnjë shenjë
s’do lenë në këtë jetë.

Kokriza rëre.
Lëndë pa shpirt,
do jenë andej matanë.

Do të jenë...
Po tani, ç’janë?
 

 
 

E VERTETA

Dashurova
Të Vërtetën.

Kur m’u dha
dhe e pashë pas dushit
lakuriq,
pa rrobën,

preferova Gënjeshtrën,
le të paguaja gjobën.
 

 
 

PER RAST NEVOJE

Kisha ca flori të fshehura,
në një xhep sekret.
Të kalonim pushime të gëzuara
në det.
"Për rast nevoje", thoja. Por ç’nevojë?
Jam kaq i pasur, sa nuk thuhet me gojë:
më quan Poet!
 

 
 

MALLKIMI

Mund të bënte ç’të donte:
të shkruante,
të gëzonte,
të këndonte,
të vallzonte,
gjer në çmendje të pinte...

Ç’e do, nuk mund të flinte.
 

 
 

TE DASHUROSH

Të dashurosh duhen tre zemra.
Unë kisha dy: të dashurisë
dhe trishtimit.

Tani e kuptova, duhet shtuar
një tjetër:

ajo e durimit.
 

 
 

TRENI

Kam hypur rastësisht në tren,
nuk di ku do më shpjerë.
Kaq kohë stacione numëroj,
hypin dhe zbresin plot të tjerë.
Ata që zbresin, vura re,
nuk zbresin vetë, i ngrejnë hop.
Për veten time, nuk e di,
kur do më ndizet shënja "Stop".
Gjersa kam hypur në këtë tren,
ç’ta vras më tej? Po dremis pak.
Në Agjencinë me Qiparisa
të më kërkojnë, në kanë merak.
 

 
 

KEPUCET E MBRETIT

Gëzohet: sheh të tjerët poshtë,
nga maja e ndritur
e pushtetit.

Harron:
poshtë kalit i shikon më mirë,
këpucët e grisura të mbretit.

 
 

HESHTJA

Cinik Pilati: pyeste Jesunë
për të vërtetën,
ndërsa nuk i interesonte (!)

Krishti iu përgjegj me heshtje,
vetëm e shikonte...

Kështu ngjet me mua dhe Botën:
më pyet ç’hall kam,
si zogun e mbërrthyer çarku.

Dua t’i dhuroj heshtjen time,
por më grin nga uria barku.
 

 
 

HUQ I VJETER

Më ka mbetur një huq nga fëmijëria:
kur numëroj,
instiktivisht,
vë në lëvizje gishtat.

Shumë herë nuk më mjaftojnë.

Vetëm kur miqtë numëroj,
më dalin dhe teprojnë.
 

 
 

DASHUR PA DASHUR

Tani që e mendoj: jam një lumë,
që nuk di pse ngutet të derdhet në det.
Ndryshoj sipas motit:
herë i kthjellët, herë llumë,
herë i egër çapraz, herë i qetë.

Në rendje e sipër, dashur pa dashur,
ujita në brigje shelgje shtatgjatë.
Mbase prej ngutit,
ndonjë është ç’rrënjosur,
veç ai më i bukuri, m’u gjend në krevat.

Ngaqë kam bërë gjithë këto marrëzira,
të shuhem në det,
do të jetë më e mira.
 

 
 

VJEN NJE KOHE...

E keni vënë re: bëjmë çmos,
për të fituar Jetën.

Përpara Vdekjes, vjen një kohë,
me gisht në gojë
mbesim.

Na djeg gjithë jetën si do rrojmë,
harrojmë se si do vdesim.
 

 
 

KAM NJE MIK

- Vaid Hyzotit -

Kam një mik, që nuk e zë gjumi,
këtu e një shekull.
Një hoxhe s’iu fal kurrë,
nuk bëri kurrë një kryq,
mbi kokë nuk vuri tjegull.

Më thonë, këtu e njëqind vjet,
se bredh ndër qiej
i pastrehë.
Ka për mik një det pa brigje,
hëna mbi kërrthizë e deh.

Unë kam një mik, që s’e zë gjumi,
se i ngjan hëna
qen që leh...
 

 
 

PREMTIMI

Me t’u lindur,
më kishin premtuar lumturi.
Më thonin: "Të takon!"
Por shtonin:
"Më vonë,
je akoma i ri...".

Tani që koha ngushton
dhe kisha frikë
mos nuk zbatohet premtimi,
më erdhi ky njoftim:
"Anullim,
për shkak mospërdorimi!"

Doemos, faji është i imi.
 

 
 

IM ATE, SHOFERI

U ul në makinën time,
shumë vjet pasi në pension kishte dalë.

Thuthte llullën e vet, i përhumbur,
mes tymit që e shfrynte ngadalë.

Doli vetëm një çast nga mendimet:
- Vë të tretën, djalë!
 

 
 

DREJTESIA

Zoti gjykatës,
nëse më dënon, ngaqë jam i huaj,
ma thuaj.
Ndonëse, të them të drejtën,
nuk e di pse këtë herë.
Ma do mendja, gjendem i pandehur
për llogarinë tuaj,

ndjehet me faj Drejtësia,
për një krim që ka bërë.

Gjykatësit nuk rrëfehen asnjëherë.
 

 
 

JEVGJITKAT

Në një dyqan rrobash elegante,
hyn dy jevgjitka.
U dukej në sjellje
një lloj frike...

Vunë buzën në gaz
tek vitrinat,
kukllat plastike.
 

 
 

HIJA

Ndjek këmba-këmbës,
hijen time.

Kudo shkon ajo,
më ka pas.

As më nget,
as e ngas.

Hije jam bërë
i hijes sime.

Të ndahemi?
Do plas.
 

 
 

PROVIMET E VJESHTES

Kësaj vere,
i gdhiva netët duke studiuar fletë për fletë,
ëndrrat që dikur bëra vetë.

Ishte kaq e vështirë. Kam humbur ndërkaq,
aftësinë e studimit
dhe ëndjen.

Më ke lënë për vjeshtë. Ngaqë kur flisje ti,
unë tjetër kund
e kisha mëndjen.
 

 
 

TE DYQINDET

" Me dyqind petrita, komunista lule,
"Hapi Shqipëria, historinë e kuqe".
(Nga një këngë e diktaturës)

Njerin e mësuam kush qe: Enver Hoxha!
U kujdes vetë,
të shkruhej i pari.
Njëqind e nëntëdhjetë e nëntë të tjerët,
kush qenë?
Që të nxirren
në Gjygj,
të identifikohen së pari.
 

 
 

KENDVESHTRIME

Gjithë jetën shikoja përpara,
të dalloja Të Ardhmen.
Një copëz qielli,
fshehur pas një reje.
Tani, gjithnjë e më shpesh,
kthej kokën pas,
tek E Shkuara.
E Ardhmja
është krejt e qartë para meje.
 

 
 

LUFTE DHE PAQE

- Ish nxënësve të mi -

Mësuesi fliste për tragjedinë në Torvioll,
për kurrthin e madh
në Albulenë.

Dëgjohej piskama që lëshonte një korb,
vaji i nënave,
që ngjitej në hënë.

Mësuesi hapi dritaren. Një afsh pranveror,
u çlirua nga pemët,
përmbyti klasën e madhe.

Fëmijët mendonin çarqet,
që kishin ngritur për zogj
dhe për kunadhe.
 

 
 

OPTIMIZEM

Do të kalojë edhe kjo. Do ta hamë
edhe këtë herë
të përpjetën.

Vdekje është, të shkretën.
 

 
 

PLEQTE E KAFENESE

Tek pragu, deti,
si një qen i urtë,
u lëpin këpucët.

Me një kafe të hidhur,
filluar qyshkur,
dremisin.

Kur zgjohen,
hedhin sytë përreth,
mos i shikojë kush.

Vdekjen, me një cigare
dhe me një gazetë,
përqeshin.

Pleqtë,
luajnë rolin e përditshëm,
si pleq.

Ruaka jeta,
ca xhevahire,
për dreq.
 

 
 

FOTOGRAFIA ME E BUKUR

Një fotografi më pëlqen mbi të tjerat,
nuk e mbaj në album,
me vete e kam.

Gruaja dhe vajza ime të përqafuara:
unë nuk jam.

Në më pyetsh: "Ku ishe asaj dite?"
Do të them: "Po kjo nuk ka rëndësi!"

I mungova fotos më të bukur,
pasi unë vetë jam
ajo fotografi.
 

 
 

SHKALLA

Linda në Qeli, në një ditë prilli,
rroj brenda guackës, si kërmilli.

Pushtetarët, miqtë dhe bashkëshkëshortja,
kanë përshtypjen, se përtyp maraz.
Unë kam gjetur shteg për arratisjen,
qoftë edhe nga burgu Alkatraz.

Një mikeshë e largët dhe e fshehtë,
bën diçka magjike, tash sa mot:
zgjat brenda qelisë një rreze drite,
kaq fluide, sa nuk preket dot.

Është shkallë. Thurret veç me fjalë,
Fjala nuk ndalohet, kurrësesi.
Fjalë mbi fjalë, ndër Qiejt skarfalitem,
gjersa prek planetin Poezi.

Kur dënimi im do ketë mbaruar,
nëpër gjithë planetet do kem shkuar.

(Mal i Zi - Kroaci - Kosovë - Shqipëri
Gusht, 2011)

Mbi poezinë "Findlej" të Robert Bërns

Mbi poezinë "Findlej" të Robert Bërns

- Percepsion nga Majlinda RAMA -

"Kush troket kaq vonë në derë?" - ky është vargu hyrës i bardit skocez, Robert Bërns në poezinë me titull "Findlej". Nuk është një pyetje retorike. Ajo që të bën përshtypje në pamje të parë, është pikërisht nocioni kohë: "kaq vonë". Kush mund të trokas netëve vonë? Ndonjë shtegtar i vonuar, ndonjë kalorës që ka humbur rrugën, ndonjë bujtës i rastësishëm apo…? Është dikush që lëshon një sinjal pakëz të lehtëshquar dhe pakëz dyshimtar, ndaj dhe pyetja është: "Kush troket kaq vonë në derë?", një pyetje me një zëth femëror. Dhe përgjigjja: "Jam unë!" që vjen përtej trokëllitjes së lehtë të derës. Është një përgjigje pa përmendur emër dhe ajo as që vazhdon më tej me një tjetër pyetje: "Kush ti?". Pikërisht kjo heshtje dhe kjo mungesë e pyetjes së dytë, e tradhton vajzën, e gjen atë disi të papërgatitur ndaj asaj që ndjen dhe asaj që përpiqet të shprehë. Pra, ky qenka zë i njohur për të, domethënë, nuk është hera e parë që trokitet në këtë derë, nuk është hera e parë që ai vjen në dritën e hënës dhe vëzhgimin e yjeve për të trokitur në këtë derë.

Por trandja e vajzës flladitet edhe më tej. Ajo i kujton vetvetes se ndihet e sigurt në atë që ka arritur, një dashnor i krisur që rrezikon orë e çast për të mbërritur te zemra, rrahjet e së cilës duhet të ruajnë qetësinë, por s’mund, duhet të ruajnë fshehtësinë, por që prapë s’mund.
Po si guxove te me vish? / "Guxova!"- tha Findlej...
Guxim kalorësiak? Ndonëse nuk është një poezi e damave mesjetare... Mjafton t’u referohesh këtyre vargjeve dhe sheh se Ajo kuturiset llastueshëm, kërkon të dëgjojë dhe bindet nga Ai se është i gatshëm për sfida si kjo e kësaj nate verbuese.
Bërns nuk do të ndalet thjesht dhe vetëm te njëra anë e medaljes, ajo e sakrificës së të rinjve, por vargu i tij merr përmasa më shumë se dimensionale. Autori parasheh në krijimin e tij dashurinë si nocion dhe këndvështrim gjithpërfshirës, duke tingulluar deri në thekje "alarmin" e idilit.
Ajo parashtron, Ai pohon; Ajo thërret, Ai përgjigjet; Ajo lëshon klithmën e parë të parantezës së dashurisë, Ai prapë bëhet pohues deri në vetëmohim: "Do të vij përsëri!"... Autori jo më kot e ka bërë këtë zgjedhje, duke i besuar në rastin konkret detajit, çastit, fjalës - buruar të gjitha këto nga thellësia e ndjenjës.
Ja, do provoj të të fus brenda./"Provoje!" tha Findlej/Te rrimë tok, siç na ka ënda /"Do rrimë!" tha Findlej.
Të dy mezi presin. Të dy rendin. Të dy gulçojnë e gufmojnë në poezinë e Bërnsit. Ky i fundit, nëpërmjet fjalës së thjeshtë dhe një vargu që vjen natyrshëm, ka arritur të na servirë një tablo të qartë të asaj që duket para derës dhe të asaj që shfaqet underground. Duke iu referuar këtyre vargjeve, shihet qartë një flakë, prushi i ndezur dashuror. Nuk na jepet limitim, as kornizë e asaj që do të ndodhë, por na jepet shumë më shumë e aspak më pak:
"Të rrimë tok siç na ka ënda"
E si mund t’ua ketë ënda të rrijnë bashkë dy të rinjëve? A munden ata t’u bëjnë ballë krizave që kap çdo ind pranë njeriut që do? Çfarë mund të ndodhë më tej? Autori në asnjë rast nuk na tregon se aty bëhet fjalë për një vajzë dhe një djalë që duhen dhe as na jep momente ku ai i thotë dikund: "Të dua!". Por gjithçka flet, rrëfehet, ndërthuhet nga ky minidialog para dhe pas derës, mbi dheun e kaftë, nëpër trokëllimat e kuajve pa frè dhe nën vallen e sapo nisur të yjeve.
Robert Bërns është një indicie kuptimplote e lëvizjes romantike dhe poezia "Findlej" përbën pikërisht një nga shtyllat e ndjenjës së vrullshme dhe dashurisë së pastër tokësore, duke paraqitur heronj lirikë të një formati të veçantë.
 

Robert Bërns

FINDLEJ

Kush troket kaq vonë në derë ?
"Jam unë!" - tha Findlej.
Ik se të zunë, o i mjerë!
"S’më zënë!" - tha Findlej.

Po si guxove të më vish?
"Guxova!" - tha Findlej
Kuptohet që ti s’do t’ia dish...
"Kuptohet!" - tha Findlej.

Por në ta hapsha, siç do ti...
"Hape!" - tha Findlej.
Do rrish pa gjumë, o i zi!
"Do rri!" - tha Findlej.

Ja, do provoj të të fus brenda...
"Provoje!" - tha Findlej.
Të rrimë tok, siç na ka ënda ...
"Do rrimë!" - tha Findlej.

Në bëfshim sonte dashuri...
"Do bëjmë!" - i tha Findlej.
A do vish ti përsëri?
"Do vij!" - i tha Findlej.

Për punën që do bëjmë ne...
"Do e bëjmë!" - tha Findlej.
Ta kyçësh gjer të hysh në dhe!
"Do e kyç!" - i tha Findlej.

Qershor, 201