Sunday, August 28, 2011

Grigor Jovani: Peisazhe të detit


...TRE SKICA

1.
Drita e mëngjesit zgjoi fëmijët,
si këmbana e kishës, që paralajmëron
kreshmën ditore.
Pastaj,
kujdestari diell do t’i marrë për dore,
do t’i shoqërojë tërë ditën,
gjersa hëna
t’u thotë përrallën e mbrëmjes
në fjetore.

2.
Pasi rendën gjithë ditën mbi det,
zhveshën këmishët e djersitur
erërat.
Nderur për t’i tharrë,
nëpër degët e ullinjve të nxehur,
shpirti im,
nuk kishe gjë tjetër për të fshehur.

3.
Prej erës së tërbuar, deti
ngjan së largu impozant,
por i paprekshëm.

Trëndafil i hershëm,
mes gjëmbave strukur.

Po t’i përgjakja
gishtërinjtë e shpirtit nëpër dallgë,
mund të këpusja një poezi
më të bukur?

 
 
 

KONTRABANDE

Duroj.
Nuk më kanë shpuar akoma,
shigjetat e helmuara
të erërave.

Vesh për t’u mbrojtur
vuajtjet
e të tjerëve.
 

 
 

KEPUCET E SHENJTA

- E shkruar më 15 gusht, Ditën e Shën Mërisë -

Përkulem përpara ikonës, unë
dhe këpucët e mia amerikane.
Nëna e Shënjtë shtrëngon në kraharor,
fëmijën e zbathur, ndërsa vetë
vesh nallane.

Lavdi Zotit! Edhe sivjet, si i krishter,
bëra detyrën,
për të cilën kam ardhur...

Vitin e ardhshëm, përsëri
pa këpucë do të jetë Foshnja e Shenjtë,
ndërsa unë,
një firmë më të shtrenjtë do të kem mbathur.
 

 

DASHURI DHE URREJTJE

I përkushtohem çdo gjëje ka të bëjë me Zotin,
por dhe me Djallin,
gjithashtu.
Dashuroj me afsh bashkëshorten time,
të dashurën, po ashtu.
Më pëlqen makina ime "Toyota",
më është e shtrenjtë gjithë bota.

Nënvleftësoj çdo gjë që ka të bëj me Zotin,
por edhe me Djallin,
idiotin.
Hera-herës urrej bashkëshorten time,
e dashura nuk më ngja kaq intime.
Më vjen ta shes makinën time "Toyota",
mrekullitë e Botën më ngjajnë të kota.

E studiova Jetën gjithandej,
por nuk mësova të dashuroj,
as të urrej.
 

 
 

FJALE DHE LULE

Mban mend gjithmonë një fjalë të vetme,
që ta kam thënë në inat e sipër,
dhe, doemos, nuk e besoja.

Harron, ndërkaq, gjithë ato lule,
që nëpër vjersha t’i dhuroja.
 

 
 

MAMAJA

Nuk e dëgjova të ankohej kurrë.
"Si je?", e pyesja.
E njëjta përgjigje:
"Mirë, të keqen mamaja!"

Vetëm një herë u ankua:
"Nuk jam mirë...".

Dhe ndodhi hataja.

Vetëm një herë u ankua,
të shkretën.
Mjaftonte,
që të më dhimbte gjithë jetën.
 

 
 

TEORI

Do të vijë një kohë,
që njerëzit do të rrojnë,
sa do të duan vetë.

Kur do të largohen,
asnjë shenjë
s’do lenë në këtë jetë.

Kokriza rëre.
Lëndë pa shpirt,
do jenë andej matanë.

Do të jenë...
Po tani, ç’janë?
 

 
 

E VERTETA

Dashurova
Të Vërtetën.

Kur m’u dha
dhe e pashë pas dushit
lakuriq,
pa rrobën,

preferova Gënjeshtrën,
le të paguaja gjobën.
 

 
 

PER RAST NEVOJE

Kisha ca flori të fshehura,
në një xhep sekret.
Të kalonim pushime të gëzuara
në det.
"Për rast nevoje", thoja. Por ç’nevojë?
Jam kaq i pasur, sa nuk thuhet me gojë:
më quan Poet!
 

 
 

MALLKIMI

Mund të bënte ç’të donte:
të shkruante,
të gëzonte,
të këndonte,
të vallzonte,
gjer në çmendje të pinte...

Ç’e do, nuk mund të flinte.
 

 
 

TE DASHUROSH

Të dashurosh duhen tre zemra.
Unë kisha dy: të dashurisë
dhe trishtimit.

Tani e kuptova, duhet shtuar
një tjetër:

ajo e durimit.
 

 
 

TRENI

Kam hypur rastësisht në tren,
nuk di ku do më shpjerë.
Kaq kohë stacione numëroj,
hypin dhe zbresin plot të tjerë.
Ata që zbresin, vura re,
nuk zbresin vetë, i ngrejnë hop.
Për veten time, nuk e di,
kur do më ndizet shënja "Stop".
Gjersa kam hypur në këtë tren,
ç’ta vras më tej? Po dremis pak.
Në Agjencinë me Qiparisa
të më kërkojnë, në kanë merak.
 

 
 

KEPUCET E MBRETIT

Gëzohet: sheh të tjerët poshtë,
nga maja e ndritur
e pushtetit.

Harron:
poshtë kalit i shikon më mirë,
këpucët e grisura të mbretit.

 
 

HESHTJA

Cinik Pilati: pyeste Jesunë
për të vërtetën,
ndërsa nuk i interesonte (!)

Krishti iu përgjegj me heshtje,
vetëm e shikonte...

Kështu ngjet me mua dhe Botën:
më pyet ç’hall kam,
si zogun e mbërrthyer çarku.

Dua t’i dhuroj heshtjen time,
por më grin nga uria barku.
 

 
 

HUQ I VJETER

Më ka mbetur një huq nga fëmijëria:
kur numëroj,
instiktivisht,
vë në lëvizje gishtat.

Shumë herë nuk më mjaftojnë.

Vetëm kur miqtë numëroj,
më dalin dhe teprojnë.
 

 
 

DASHUR PA DASHUR

Tani që e mendoj: jam një lumë,
që nuk di pse ngutet të derdhet në det.
Ndryshoj sipas motit:
herë i kthjellët, herë llumë,
herë i egër çapraz, herë i qetë.

Në rendje e sipër, dashur pa dashur,
ujita në brigje shelgje shtatgjatë.
Mbase prej ngutit,
ndonjë është ç’rrënjosur,
veç ai më i bukuri, m’u gjend në krevat.

Ngaqë kam bërë gjithë këto marrëzira,
të shuhem në det,
do të jetë më e mira.
 

 
 

VJEN NJE KOHE...

E keni vënë re: bëjmë çmos,
për të fituar Jetën.

Përpara Vdekjes, vjen një kohë,
me gisht në gojë
mbesim.

Na djeg gjithë jetën si do rrojmë,
harrojmë se si do vdesim.
 

 
 

KAM NJE MIK

- Vaid Hyzotit -

Kam një mik, që nuk e zë gjumi,
këtu e një shekull.
Një hoxhe s’iu fal kurrë,
nuk bëri kurrë një kryq,
mbi kokë nuk vuri tjegull.

Më thonë, këtu e njëqind vjet,
se bredh ndër qiej
i pastrehë.
Ka për mik një det pa brigje,
hëna mbi kërrthizë e deh.

Unë kam një mik, që s’e zë gjumi,
se i ngjan hëna
qen që leh...
 

 
 

PREMTIMI

Me t’u lindur,
më kishin premtuar lumturi.
Më thonin: "Të takon!"
Por shtonin:
"Më vonë,
je akoma i ri...".

Tani që koha ngushton
dhe kisha frikë
mos nuk zbatohet premtimi,
më erdhi ky njoftim:
"Anullim,
për shkak mospërdorimi!"

Doemos, faji është i imi.
 

 
 

IM ATE, SHOFERI

U ul në makinën time,
shumë vjet pasi në pension kishte dalë.

Thuthte llullën e vet, i përhumbur,
mes tymit që e shfrynte ngadalë.

Doli vetëm një çast nga mendimet:
- Vë të tretën, djalë!
 

 
 

DREJTESIA

Zoti gjykatës,
nëse më dënon, ngaqë jam i huaj,
ma thuaj.
Ndonëse, të them të drejtën,
nuk e di pse këtë herë.
Ma do mendja, gjendem i pandehur
për llogarinë tuaj,

ndjehet me faj Drejtësia,
për një krim që ka bërë.

Gjykatësit nuk rrëfehen asnjëherë.
 

 
 

JEVGJITKAT

Në një dyqan rrobash elegante,
hyn dy jevgjitka.
U dukej në sjellje
një lloj frike...

Vunë buzën në gaz
tek vitrinat,
kukllat plastike.
 

 
 

HIJA

Ndjek këmba-këmbës,
hijen time.

Kudo shkon ajo,
më ka pas.

As më nget,
as e ngas.

Hije jam bërë
i hijes sime.

Të ndahemi?
Do plas.
 

 
 

PROVIMET E VJESHTES

Kësaj vere,
i gdhiva netët duke studiuar fletë për fletë,
ëndrrat që dikur bëra vetë.

Ishte kaq e vështirë. Kam humbur ndërkaq,
aftësinë e studimit
dhe ëndjen.

Më ke lënë për vjeshtë. Ngaqë kur flisje ti,
unë tjetër kund
e kisha mëndjen.
 

 
 

TE DYQINDET

" Me dyqind petrita, komunista lule,
"Hapi Shqipëria, historinë e kuqe".
(Nga një këngë e diktaturës)

Njerin e mësuam kush qe: Enver Hoxha!
U kujdes vetë,
të shkruhej i pari.
Njëqind e nëntëdhjetë e nëntë të tjerët,
kush qenë?
Që të nxirren
në Gjygj,
të identifikohen së pari.
 

 
 

KENDVESHTRIME

Gjithë jetën shikoja përpara,
të dalloja Të Ardhmen.
Një copëz qielli,
fshehur pas një reje.
Tani, gjithnjë e më shpesh,
kthej kokën pas,
tek E Shkuara.
E Ardhmja
është krejt e qartë para meje.
 

 
 

LUFTE DHE PAQE

- Ish nxënësve të mi -

Mësuesi fliste për tragjedinë në Torvioll,
për kurrthin e madh
në Albulenë.

Dëgjohej piskama që lëshonte një korb,
vaji i nënave,
që ngjitej në hënë.

Mësuesi hapi dritaren. Një afsh pranveror,
u çlirua nga pemët,
përmbyti klasën e madhe.

Fëmijët mendonin çarqet,
që kishin ngritur për zogj
dhe për kunadhe.
 

 
 

OPTIMIZEM

Do të kalojë edhe kjo. Do ta hamë
edhe këtë herë
të përpjetën.

Vdekje është, të shkretën.
 

 
 

PLEQTE E KAFENESE

Tek pragu, deti,
si një qen i urtë,
u lëpin këpucët.

Me një kafe të hidhur,
filluar qyshkur,
dremisin.

Kur zgjohen,
hedhin sytë përreth,
mos i shikojë kush.

Vdekjen, me një cigare
dhe me një gazetë,
përqeshin.

Pleqtë,
luajnë rolin e përditshëm,
si pleq.

Ruaka jeta,
ca xhevahire,
për dreq.
 

 
 

FOTOGRAFIA ME E BUKUR

Një fotografi më pëlqen mbi të tjerat,
nuk e mbaj në album,
me vete e kam.

Gruaja dhe vajza ime të përqafuara:
unë nuk jam.

Në më pyetsh: "Ku ishe asaj dite?"
Do të them: "Po kjo nuk ka rëndësi!"

I mungova fotos më të bukur,
pasi unë vetë jam
ajo fotografi.
 

 
 

SHKALLA

Linda në Qeli, në një ditë prilli,
rroj brenda guackës, si kërmilli.

Pushtetarët, miqtë dhe bashkëshkëshortja,
kanë përshtypjen, se përtyp maraz.
Unë kam gjetur shteg për arratisjen,
qoftë edhe nga burgu Alkatraz.

Një mikeshë e largët dhe e fshehtë,
bën diçka magjike, tash sa mot:
zgjat brenda qelisë një rreze drite,
kaq fluide, sa nuk preket dot.

Është shkallë. Thurret veç me fjalë,
Fjala nuk ndalohet, kurrësesi.
Fjalë mbi fjalë, ndër Qiejt skarfalitem,
gjersa prek planetin Poezi.

Kur dënimi im do ketë mbaruar,
nëpër gjithë planetet do kem shkuar.

(Mal i Zi - Kroaci - Kosovë - Shqipëri
Gusht, 2011)

No comments:

Post a Comment