Samstag, 21. April 2012

Grigor Jovani: “Kantina e verërave”


“Kantina e verërave” 
(bërthamë për një libër)
 



 TE PYES...

Kur ke shëtitur zemrën time,
ç’i do të tjerat udhëtime?!




 BABAI

Më caktoi zëvëndësin e tij
në kantinën e verërave,
pa dyer dhe dritare.

Çakërqejf, mes erërave,
u përfjet për fare.




 NDERMJET

Në vendin tim njerëzit nuk plaken,
jetojnë të rinj gjer në të 70-tat.
Nga një sëmundje që nuk njohin,
papritmas vdesin.
Ndërmjet,
i kthehen disa herë fillores,
por s’e mbarojnë,
në klasë mbesin.





 ZOGJ

- Ç’farë shkruan? - më pyetën
ca njerëz profanë. Kush dreqin e di,
si më gjetën.
- Vargje! - u thashë. Kurse ata:
- Ç’janë ato? - ripyetën.
- Vargjet... janë, si të thuash,
zogj... I vizaton në letër,
pastaj... cicërojnë.
- Lëreni, dreqin! Është i marrë!
Dhe njerëzit rrinë dhe e dëgjojnë (!)






 E VERTETA

Sa herë guxoj të them
të Vërtetën,
më tallin.

Kur nuk e them,
në burg më kallin.






 TRENDAFILI
- Ollgës -

Kur erdhi Vdekja të më marrë,
flija në krahë trëndafili.
E pakujdesëshme, siç qe,
iu përgjak dora dhe manteli.
Kjo, padyshim, më solli fat:
kur kthehet Vdekja e plagosur,
nuk ia pranojnë gjahun në Had.






 TE SHTUNAT

Të shtunat e vetmuara
kanë shpirt,
si vajzat e mbetura.

Të shtunat e vetmuara
nuk shkojnë “uikend”,
gdhihenngrysen të fjetura.

Të shtunat e vetmuara
kinema verore nuk janë,
por kopshte të braktisur.

Të shtunat e vetmuara
janë afishe të grisur.








 MATERIE

- Përse je nxirrë kështu, shpirti im?
Je bërë materie e prekshme,
pikon gjak?
- M’u shfaq në ëndërr dashuria e hershme,
harruar s’ish,
pickonte pak.
- Po ç’desh nga ty? Me sa di,
kaq kohë nuk iu bëre bela...
- Bëri gabim, - më tha. - Kërkoi të falur
dhe iku e më la.









 BIZNES

Dashurinë,
tregtarët e krijuan.

Të gënjeshtërtën,
më shtrenjtë e paguan.







 SHENJAT

- Bija jonë u çmend,
- ankohet gruaja -
natën flet me yjet,
duart flatrazon,
si pulëbardhë.

- Të thërrasim mjek,
këtë më thua, grua?
Zëre se ka ardhë...

- Ç’njeri je, o zot!
Tallesh me këto?

- Nuk e kupton dot?
Vajza dikë do...







 ME SHAJ

Në do të shash dikë,
mos u druaj,
shamë sa të duash.

Pranoj të bëhem
taketuku yt,
cigaren të shuash.

Por ah, e di,
ti cigaren e pi,
ngaqë s’mundesh dot
të mos më duash.







 MIQTE

Doni të dini, me gjithë mend,
sa miq kam bërë në këtë vend?

Po heq këmishën. Pas, mbi shpinë,
me shënja thikash kam dëshminë.







 LEGJENDA E FISIT

Vramë kuajt. Të mos na vdisnin urije fëmijët.
Shembëm shtëpitë. Të iknim sa më larg
dhe të shpëtonim.
Dogjëm këngët e Lindjes dhe të Vdekjes sonë,
me shpresën e marrë: të mos kujtonim!
Prapëseprapë, fëmijët filluan të na vdisnin.
Ia behën kuajt nga legjendat. I përkëdhelnim,
na shtynë.
Erërat këndonin mitet e harruara. Prej tyre
dolën të vdekurit tanë dhe na pështynë.
U mblodhën më pleqtë. Hodhën themele të reja.
Nëpër Lindjet dhe Vdekjet u dëgjuan përsëri
këngët e këtu e një mijë vjetëve.
Të vdekurit, kokëulur, morën udhën sërisht
drejt katakombeve të tyre të fundjetëve.

Vetëm fëmijët tanë të vdekur nuk u ngjallën.
Siç duket, nuk na falën.







 KAMARIERJA

Ishte djalli vetë.
Kish një gaz mistrec,
syve, si pasqyra.

- Ç’kemi sot? - e pyeta.
- Nga gjithë çka dyqani,
gjërat më të mira...

Më gënjeu. Unë prisja,
gjinjtë e saj të fryra.







 VRASESIT TIM

Mos më qëllo nga pas!

Në është të më vrasësh,
më dil më mirë,
para syve.

Të të them: Bën gabim!
Na merr në qafë,
që të dyve!








 NJE ENDERR...

Do të vijë një kohë, kur me ligj të përbotshëm,
do të ndalen luftrat,
fëmijët nuk do të vriten, si minj.
Njerëzit do të vizitojnë njeri- tjetrin të lirshëm,
do të kujtohen: “Këtu ka pasur kufinj!”
Mund të jenë ndërmjet tyre të ndryshëm,
por do të kenë nga një Vdekje të njejtë,
në Paqe.
Gjersa të mbërrijnë aty, do të dashurojnë,
gjithë jetën, qysh në barqe.
... Këtë ëndërr pashë në shtratin tënd,
përsëri,
pasi kishim bërë dashuri.






 PREFERENCAT

Ishim në kinema,
të dy.
Ti ndiqje filmin.
Unë shikoja ty.








 SHOQERIA

Të bëhesh i mbarë për shoqërinë,
më thoshin qysh i vogël.
Dhe unë, vërtet, jam bërë i mbarë.
Por ç’faj kam unë, që shoqëria,
me sy të keq më ka marrë?








 LAJMET

T’i ëndërroj.
Mëngjeset,
me ankthin e ëmbël të takimit.
Ditët,
me puthjet e gjata të perëndimit.
Netët,
me përjetësinë e amëshimit.
Të ëndërroj.
Ëndrrat me yjet s’do t’i ndaj.
Kam frikë,
mos më thonë lajmet e tua të reja
dhe qaj.









 KRYQI I ARTE

Imzot, Jezu Krisht,
kam parë një Djall,
përditë të gozhdon.

Pastaj, Kryqin tënd,
me zinxhir të artë,
e var medaljon.

Thotë se të shpëton...








 INSTIKTI
Tek priste sallatën,
ime shoqe,
u pre pak.

Instiktivisht,
pashë dorën time,
mos rridhte gjak.









 DASHNORET

Më the dhe emrin e asaj,
me të cilën nxirrkam sytë.
Dëshmi gërvishtja në kurriz,
që më ke parë një ditë.
Ndaj është i turbullt truri im,
ngjan si një pus i errët.
Mbrëmjesh digjesh në krevat,
ujin ta pijnë të tjerët...

Do ta pranoj, s’ia dal me ty,
veç do të bëj një korrigjim:
dashnore nuk kam një, por dy,
shkoj me Vetminë dhe Nderin tim.










 HAMLET

Në dorë,
kafkën time të vdekur
kam marrë,

kërcej e qesh si budall.

Atë që më ka vrarë,
përqesh e tall.









 KENGE MAJEKRAHU

Ka njerëz,
këndojnë nëpër skena,
por kush s’i dëgjon,
harresa i vret.
Malësorët,
këndojnë në bjeshkë
majekrahu,
zgjojnë burimet,
që mbushin lumenjtë,
jehona u ndihet
në det.
Ndaj uji në bjeshkë
është kaq i kthjellët,
si brisk të pret.








 PELHURA E PENELOPES

Thurje pëlhurën e vetmisë tënde.
Unë vija netëve fshehtas
dhe ta shthurja.
Gjersa na panë
dhe në mes të ngeci.

Mos u mërzit! Dhe Penelopës,
më gjatë s’i eci.








 LARTESITE

Zbrit andej lart!
Ç’është kjo punë?

Më shikon të vogël,
siç të shoh dhe unë.







 DARKA BARBARESH

Ky vend - në menu pjatë e parë:
shqiponjë e egër,
servirur për mbretër.
Nga saçme barbarësh përgjakur e vrarë,
pjekur në furrat
e Skilës së Vjetër.

Ky vend - pjatë e parë në menu,
në darka zyrtare
kancelarësh të zinj.
Garsonëve vendas, ku e ku,
u hidhnin, si qenve,
ndonjë brinj.







 TRANSFERTE

Më bëne kontroll
kardiologjik.

Por zemra ime
nuk u gjend.

Në gjoksin tënd
kishte zënë vend.







 POEZIA E FUNDIT
- Federiko Garcia Lorkës -

Pak përpara agimit
e mbështetën në mur
dhe ai pa qiellin.

Dëshira e fundit:
“Të presim dhe pak,
sa të shikoj diellin”.

Nuk ia pranuan.
Të etur për krim,
nuk pritën aspak.

Në xhep iu gjet
poezia e fundit,
firmosur me gjak.









 KORNIZA

Jam një kornizë prej arre.
Bosh përbrenda,
si tokë djerrë.

Të dal në foto? Lëre fare!

Pozat
s’m’i kishte ënda
asnjëherë.







 ENGJEJT E MI

Kur do t’iki,
të më shoqërojnë
shpirtin,
një tufë vjershash,
nga të miat
dhe lotët e tua,
grua.

Këto ëngjëj dua!





Java e Madhe e Pashkëve,
Gjirokastër,
14 - 20 prill, 2012

 
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen