Montag, 9. April 2012

Grigor Jovani: “Të shkruash poezi në krizë...”


 BIOGRAFI

U prish rafineria
në gjoks të nënës sime,
prej andej pikoi
benzinë.
Shpërrtheu ofiçina
mes këmbëve të tim eti,
vidhëndryshkurat formuan
makinë.

Fëmija që kish lindur
bori kishte në gojë,
për këmbë kishte
rrota.
Krijesa isha unë,
vendlindja: ofiçinë,
Atdheu -
gjithë bota.
 





 ANKAND PUBLIK
NE DITELINDJEN TIME


S’kam ç’bëj,
po nxjerr në ankand vetveten.
Të më fitojë kush të dojë!
(Në qafë pastë veten!)
Mos bëni zhurmë, s’është faji im,
duhet të dilja lakuriq.
Lëkurën shes... (Ej, dreq, ç’të bëj,
me këto gjembat, si iriq).
Foli dikush? Me një, me dy...
Mos folët, ju, zoti kasap?
Ah, e kam mishin të helmuar...
(Një jetë alkoolin, pa hesap).
Nuk shoh dikë... Doni gjymtyrë,
për paçe kockash, zotërinj?
(E keni fat: kaq shumë surume,
ma shterën lëngun në kërcinj).
Ju lutem shumë, bëni qetësi!
S’dëgjohet as kërcitja e gongut!
Është dhe hunda (thjesht, dekor),
kam dhe dy veshë (si të Van Gogut).
Ah, mbetet koka! Natyrisht,
shpellë e zbrazur ngjan përbrenda.
Dikur në të flinte Homeri...
(E mbushte pordhë dhe legjenda).
Ç’të bëj, të reklamoj të tjerat?
Nuk e bëj dot, më zenë të qarët...
(Nja dy-tre-katër-pesë mushkonja,
i boshatisën krejt hambarët).
Ç’bëhet këtu?! Mbeta në fund...
Nuk të blen kush! Ah, fat mistrec!
O At i Shenjtë! Beko ankandin,
pastaj më varr, për dordolec!

(E djelë, 1 prill, 2012.
Pazari i Jevgjëve, në Gazi, Athinë).





BURGU I BURRELIT

 Nuk të besohet!

Këtu ka qenë dikur
Rezidenca e Ferrit.

Mure memecë.

Gërmoju suvanë:
klithma mes Territ.

Dëgjo historinë!

U shkrua me thonj,
në Kohën e Tmerrit





HISTORIA

 Qysh i vogël
ëndërronte të bëhej poet,
mbi çdokënd.
Por rritej e rritej, medet,
dhe mbeste në vënd.
Në vazhdim... nuk ka
më vazhdim,
historia mbyllet këtu.
Ngjan edhe me tonat,
deri-diku.





HAKMARRJA
E TE GJALLEVE


Kur do të jem shtrirë
tek krevati i nëndheshëm,
do të më sjellësh një tufëz me lule,
për t’i mbështetur
mbi mermerin e gjerë.

Dhe do të mendosh:
“Sa ishe i jetshëm,
s’do që s’doje, të më merrje erë...”






GRATAÇIELAT

Më dridhet zemra
tek shaloj
qiellgërryesit:
si zog pa krahë,
shikimi mbytet
thellë...

Të vjen çudi?
Gjer dje
rroja në shpellë.






KONSTRUKSIONI

Strukturën e shtëpisë,
s’e kemi mirë.
Dhomë gjumi koridorin kam,
kur vij i pirë...
Vetë koridori... kthinë e ngushtë,
tunel që mbledh çdo gjë të vjetër.
Aty tek porta një pasqyrë. Kur dal,
kujtoj lë pas një tjetër.
Sallon formuam një haur,
“uikendeve” na mblidhen minj.
Të qylit, krejt. Ata që sjellin,
i numëroj me gishtërinj.
Dhoma e gjumit ngjan me kishë,
ndonjë mesnatë dëgjon dhe lutje.
Ku të kesh qejf, qoftë për një kryq,
mes hallederteve në rritje?
Vetëm WC-në bëmë drejt,
gojën e hapur të lekanit,
ku përfundon gjithë jeta jonë,
me një të zbrazur të kazanit.






BISEDE PER ARTIN

Ju jeni mjeshtri?
Sigurisht!
Çuditem!
Pse, kam bisht?
Jo po, ç’artist
jeni ndër VIP-at,
kur artin tuaj
shijojnë krimbat?
Më fal, zotëri,
që mbron idolët,
s’thashë bëj art,
por arkivolët.
Megjithatë,
cili nga VIP-at,
më dhjet në art
dhe shkon me qypat?







PERBINDESHAT

Thonë vdesin shpejt,
njerëzit me dy kokë.

Shans nuk kanë asnjë.

Kaq kohë brenda kokës,
ndjej një tjetër kokë...

S’më ka gjetur gjë.







NUK DUHET TE ME GJEJE

E patë? Ka ardhur gjë? I thoni:
nuk më patë!
Le të kërkojë! Nata është e gjatë...

Në ua zëntë syri, thoni: nuk patë gjë!
Bëni kinezin!
Gjithë natën, po të dojë, le të kërkojë,
sa të dëgjojë këndezin!

Më kishte lënë takim në këtë fletë...
Do të më jepej, me gjithë ç’ka e s’ka,
një herë e mirë, përjetë.

Jo, jo! I thoni: nuk më patë!
Frikë e kam shumë, si natën!
Më vret sekreti ynë!
Më shpall mandatën!

E dini? Pasioni e kam në jetë.
Pyetni kalin tim, Pegasin,
kur do të zbresë nga retë...

Ka ardhur gjë? I thoni: nuk më patë!
Kam frikë, nuk dua ta bëj t’imen.
Paçka se thonë, se vras, ngamot si sot,
pa shkak, intimen.

E patë gjë? S’e patë, as tek kjo fletë?
Në thëntë gjithë bota se ka ardhë!
Unë prapë do them: Jo, s’është e vërtetë!

Nuk erdhi? Ah, po nuk ju thashë,
as emrin si e ka, vaj mendtë e mia!
Atëhere, ç’mend t’ju jap? M’i mori krejt!
Dhe asgjë s’më dha. Dinakja:
Poezia!







 RITUALI

Të vdekurit
s’kanë ftohtë atje ku shkojnë.
E kotë,
t’u vësh me vete ndërresa.

Të vdekurit mbërdhijnë,
kur i zbon nga kujtesa.







SHEFI

Hedh kapelen mbi tryezë
dhe porosit:
ujin e tij,
kafenë e tij,
puron e tij,
uzon e tij,
mezenë e tij...

Gjithshka
nga unë,
që rri e i shërbej,
si mbi karfica.
Do t’i porositja
me shumë qejf,
një shkelm mbi prapanica.







HERONJTE

Me flamur i mbështjellin
dhe i përcjellin.

Pastaj i ringjallin:
fytyrëstamposur,
në 10 mijë bluza për të rinj.

Të njejtët,
që prodhojnë bluza,
dekretojnë heronj të rinj.







 DOKTORESHA

I thashë të vinte sa më shpejt,
çfarë nuk i thashë në telefon:
“Më mirren mendtë,
jam fikur krejt,
diçka në gjoks më sumbon...”
Erdhi. I nxorra pak verë,
ndeza dhe zjarrin në oxhak.
Pastaj e pyeta:
“Si t’ia bëj?
Demonët vërtiten në gjak...”
Verën s’ma desh.
E pagova dhe shkoi...
S’merrte dhe vesh nga demonët.
Kur s’bënte zap demonët e vet,
si mund të zbuste këta tonët?







 LAJMET

Ke zakon të keq:
mbi shtypin e mëngjesit
lë hapiet e mia,
sa herë në ekran flasin për dietat...

Prandaj preferoj sëmundjen time,
se sa hashishin
nga gazetat.







KRAHASIM

Ç’të përbashkët kanë
makinat funebre
me limuizinat qeveritare?

Mbartin njerëz seriozë:
shoferëve
nuk u flasin fare.

Kanë veç një ndryshim,
po ta mendosh mirë:
ministrat rrinë ulur,
të vdekurit shtrirë.







ILUZIONET

Kapriçio fëminore
a kokëfortësi plaku,
të dali ku të dal...
Veç vetes nuk ia fal.
Jo se të lashë të ikje
- ç’mund të bëja tjetër? -
por ngaqë paskam humbur
fotografinë e vjetër...
Ç’fitim mund të më sillte,
kujtimi yt i trembur,
është si të ruash çelsin
e një shtëpie të shembur?
Qoftë iluzion i rremë,
e doja. Ku di unë...
I pamë dhe të vërtetat,
se sa na hynë në punë.







ATA

Më kanë verbuar qiellin
me zjarr.
Diellin tim e bënë lypsar.

Nga ana tjetër, më qajnë hallin.

Dhe me një lirë të çakorduar,
kërcejnë rreth meje
dhe më tallin.


GRIGOR JOVANI

(Athinë, dyjavëshi i parë i prillit,
në prag të Pashkëve).

__________________________
Marrë nga "Sofra poetike" në FB
Prill, 2012

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen