Mittwoch, 1. August 2012

Poezi nga Ramadan Asllani


HAJN I GJUMIT

Dua të vjedh...
Mos u çuditni!
Jam i papunë.
Nuk më duhen paratë,
As veturat luksoze,
As ndonjë ajfon (IPHONE).
Dua vetëm: 
-Të dashurës time,
T’ia vjedh gjumin!

Ferizaj, më 29 korrik 2012




EC ME LOTIN !...

Qerpiku majë pene,
Loti bojë lapsi,
Rrjedha vargu,
Puthja strofë.

Syri pikturë deti,
E nuhat dashurinë,
Në buzë vargu katërsh,
Me gjuhë lidh poezinë.

Ferizaj, më 27 korrik 2012




PRES !...

E gjeta vitin tetëdhjetë,
Pas Sharrit tatëpjetë.
Se edhe Tetova lidhet me tetë,
U takova kur bëri mbi tridhjetë.

Bardhokja zhvillohej në Emonë,
Thinja ime në Kosovë.

I lindur zeshkan,
Po bëhem bardhan.

Dhe nuk e di kur?
Do ta prek atë lëkurë...

Ferizaj, më 25 korrik 2012




TI VETËM TI !...

Dita më je Ti!
Ti më je edhe nata,
Njëzetekatër orë Ti!

Ku të shkoj nga Ti?!...
Pos te Ti!

Edhe mendja edhe këmba,
Kanë marrë udhë te Ti!...

Po edhe Ti ke një Ti!
Që mendon për Ty.

Tym e flakë si feniksi,
Më nuk jam ekuacioni iksi.

As i panjohuri ypsiloni,
Më lini te Ti – më rehatoni!...

Ferizaj, 25 korrik 2012-07-28




ME KLARINET

Secila vrimë e tij,
Është fryma ime!
Germat tuaja,
Emër me gjashtë tinguj!

Kur luaj gishtin e parë...
Kam dy R-të tona!
Të dytën vrimë marrim frymë: 
-Me zanoren e parë!...

Dhe për çudi, edhe në gishtin e tretë...
Me fuqinë MM!...
Prapë germat tona!
Gjëmo klarinet, gjëmo!...

Ferizaj, më 1 gusht 2012