Dienstag, 11. September 2012

Grigor Jovani: KU DO MË ÇOJË KJO DASHURI


“Ku do më çojë kjo dashuri?”


 
 ZOGJ TË PLAGOSUR

Nuk të them!
Mos më pyet ku isha!
Po të lë në duar këto vjersha.
Janë zogj të braktisur,
që s’gjetën folenë.
Ranë përtokë, thyen flatrat
dhe tani lëngojnë.
Shtrëngoji në gjoks,
si fëmijët e saj,
një grua lehonë.
Nëqoftëse, nga kontakti me ta
zemra s’të dridhet,
atëhere, besomë,
filli i zemrave tona,
më mirë të zgjidhet.



 


BALADE
PER NJE SHPIRT DHE NJE FLUTUR

Nënë,
të solla të njohësh këtë vajzë kaq të bukur,
të thjeshtë e të ëmbël.
Po pse të dridhet ajo zemër si flutur?
Ti vetë më thoje: “Të takon më e mira!”
Tani më qorton: “Të ma thoje më parë...”
M’u mërzite, o shpirt? Të dua kaq shumë!
Doje të veshje, një përparëse të larë,
mos të t’i shihte duart gjithë brumë...
Doje t’i fshihje thinjat nën shami.
Kanë turp nga bora majëmalet e larta?
Asaj i kam thënë: Rubinët e mi,
të nënës sime janë thinjat e arta!
Të ulemi pak mbi pragun me gurë,
ku më prisje dikur, të vija nga shkolla,
ndërsa flladi qëndiste mbi pëlhurë
të fustanit tënd, mbi këmbët e holla.
Të mbështesim kokën, të dy, si fëmijë,
kësaj ane unë, andej dashuria.
Nga prehëri yt erë molle të vijë,
të mësohet ajo me gëzimet e mia.
Ndaj dhe ta solla këtë vajzë kaq të bukur,
të thjeshtë e të ëmbël, si një peri.
Të nis të vallzojë shpirti yt, si një flutur,
dritë të të bëhet, terri i varrit të zi.
T’i thuash tim eti, tek kthehet mërzitur,
pasi unë, si gjithmonë, larg do kem shkarë:
“Biri ynë - e beson? - na solli një flutur!
I ziu ti! S’kishe fat për ta parë!”



 


MINARETE E GJIROKASTRES

Nuk mund të puqen
xhamitë e Gjirokastrës.
S’kanë fat të puthen
minaretë.
Veç Mali i Gjerë
Lunxhin përballë,
mbase e puth,
fshihen mbi retë.

Thua të shkojmë
përsipër reve,
të mos ngjasojmë
me minaretë?



 


PANAJIRI I TERRIT

Tej në horizont, në fund të fushës, nga
fillon të lartësohet mali, çdo buzëmbrëmje
nis Panajiri i Territ.
Vijnë të ftuar të gjitha llojet dhe speciet:
kafshëza të vogla, insekte fluturake dhe
zvarranikë, popuj të vegjël, të çuditshëm, që
falen përditë në Tempujt e Ferrit.
Ka ushqim për të gjithë. Copëza hëne të vrarë -
menu e pëzgjedhur për minjtë dhe
miqtë e përkushtuar të Djallit.
Insektet dhe zvarranikët e çdo lloji preferojnë
ëmbëlsirat prej balte. Pastaj dehen
me ujërat e pafiltruara të moçalit.
Me bimët dhe kafshët e egra ka problem. Nuk
ngopen. Përtypin me dhëmbët prej krimbash,
krahë shtojzovallesh, vrarë
një ditë më përpara.
Kurse lart, mbi degët e pemëve, orkestrat
e niqasura të zogjve, s’bëzajnë. Përshpërisin:
“Shyqyr që iku në kohë, dhe
i shpëtoi kësaj lukunie Pranvera!”

Nesër, do të fluturojnë tek krijuesi i tyre dhe
do t’i thonë: “Mos na sill këtu herët e tjera!”



 


NJE MIJE E NJE DRITARE

Shpirti yt -
një mijë e një dritare.
M’i mbylle të gjitha,
për fare.
Ku e ku,
lë të hapur diku
një kamare.

I hedh të mbyturit
një kamardare.



 


IMAZH I ERRET

Dërmuar vetë, me këto duar,
verbuar nga unë vetë,
përsillem territ duke të kërkuar,
nuk mund të flej.
Humnerës së ëndrrave, sakaq,
bie një mijë herë,
ngrihem po kaq,
por nuk të gjej.

Imazhi yt - ëngjëj të errët,
më zgjojnë qysh herët,
më përgojojnë guximin.

Le të më tallin. Hallin tënd
kam unë tani,
jo t’imin.



 


FRUTA TE NJEJTA

Do shpërfill ngricat e dimrit. Do
të bëhem pemë.
Nuk do kem acar në zemër. Pas
s’bëj dot, gjthësesi.
Kopshtet e varura të Babilonës,
mund t’i bënim tok. Mjafton
ta doje ti.

Është një problem: bëjmë fruta
të njëjta. Por kjo,
nuk ka rëndësi. 



 


DIELL I ZEMERUAR

I egri diell i mesditës,
heshtjen time përgjonte.
Tufa rrezesh,
si shtazë të etura,
lëshonte,
Një ëngjëll,
që e fshihja thellë brenda vetes,
të përcëllonte.

E nxirrte kokën, ëngjëllushi,
të merrte frymë,
ku e ku.
Të ikim, iu luta. Ku ka më pak dritë,
ku nuk na ndjek
zemërimi i diellit,
diku.

Ti je një ëngjëll drite,
s’mund të nxihesh!

E kotë të fshihesh!



 


VESA E MENGJESIT

Vesa e hershme e mëngjesit,
prej borisë së beftë të këndezit
brofi në këmbë, për të shtegtuar
në të tjera vënde.

Është qetësuar
në pëllëmbën tënde.



 


KU DO ME SHPJERE KJO DASHURI?

Ku do më shpjerë kjo dashuri?

U gjenda në këtë breg i vetëm,
përposhtë këtij dielli si tiran,
i pamëshirshëm për askënd.
Në këtë burg të tmerrshëm rëre,
erërat plugojnë trupin tim,
si me parmënd.

Çdo të më bëjë kjo dashuri?

Koha zvarritet si hijenë,
përdridhet frikshëm belit tim,
më zë krejt dritën në dritare.

Unë ekzistoj, ngaqë je ti.
Dhe mund të rri këtu për fare...



 GRIGOR JOVANI
(Gjirokastër, shtator 2012)