Freitag, 26. Oktober 2012

Grigor Jovani: TE SHKRUASH POEZI...


TE SHKRUASH POEZI...

E ka gjetur bukur emërtimin e kësaj grupliste internetike, themeluesi i saj, poeti i mirëfilltë Haxhi Muhaxheri: “Sofra Poetike”. Ka diçka nga materia shpirtërore e të gjithë neve, që dëshirojmë të bëjmë pjesë në të, Poezisë, si edhe nga tradita shqiptare: SOFRA. Të ulesh në sofër nuk është gjë e lehtë, nuk ka qenë gjithmonë. Kështu na kanë mësuar ata që na kanë rritur, kështu mësojmë edhe ne pasardhësit. Sepse duhet të të rëndojë fjala dhe mendimi në një sofër. Kur është fjala për poetët, duhet të të rëndojë poezia. Apo jo? Prandaj, nuk e kuptoj qejfmbetejen e letrarëve të rinj, kur... guxon dhe u jep ndonjë këshillë. Mbaj mend, që në rininë time, bënim si të marrë të uleshim në sofrat e poetëve të afirmuar, lumturoheshim kur na ftonin nëpër takimet letrare (unë ruaj akoma si relike të çmuar një libër, që më ka falur me autograf, në një takim të tillë, Ismail Kadareja), ngaqë atëhere nuk ekzistonin mundësi të e tilla internetike, që barazojnë kësisoj, me “ashtu dua”, nivelet. Uleshim të turpëruar nëpër cepa sallash dhe nuk bëzanim, vetëm dëgjonim, thithnim çdo gjë. Dhe ëndërronim kohën kur do të rriteshim, kur do afirmoheshim edhe ne...
Më bëri përshtypje, kur këtu në Sofër, para do kohësh, Mjeshtri i Madh, kritiku i mirënjohur Miho Gjini, dha disa këshilla dashamirëse për të rinjtë, që botonin në këtë faqe. Dhe vetëm prononcimi i tij këtu, vetëm që u bënë objekt i analizës së një kritiku të tillë, duhej të konsiderohej nder. Makar të ma bënte mua dikur profesori, Muzafer Xhahiu. Mbaj mend, i kisha futur edhe mik, që të më lexonte ca poezi dhe prisja gjithë agoni të më thoshte ndonjë mendim për to. Qoftë edhe të “më shante”... Veçse ndodhi ndryshe. “U prekën” letrarët e rinj, ngaqë i komentoi... mjeshtri i vjetër (!). Nuk shkojmë mirë! Nuk i kemi mësuar mirë të rinjtë...
Unë, që nuk jam mjeshtër kritike, si Miho Gjini, por veçse një koleg më i moshuar i të rinjve, që puna më ka bërë të merrem shumë herët dhe për kaq kohë me profesionin e redaktimit dhe të botuesit, e quaj për detyrë të jap përvojën time për ta, në këtë Sofër poetësh. Dhe do prisja ta bënin edhe kolegët e moshës sime. Se kështu mendoj se ndihmojmë...
Ja, shikoja mbrëmë dhe sot poezitë që botojnë letrarët e rinj në Faqe. Isha më i lirë, se kishim dërguar Revistën në shtyp dhe mundja ta bëja më i lirshëm. Ajo që më ra në sy e para, ishte liria që i japin vetes të rinjtë për t’u shpallur. Mungesa e... ndrojtjes. Gjë e keqe kjo. Sepse harrojnë nenet e para të kësaj pune: jo çdo gjë që del nga lapsi është art, jo çdo gjë që shkruan është poezi. Jo çdo poezi, me ta shkruar, merr ligjshmërinë e botimit. Mat njëqind herë dhe vendos një herë. Ky është ligj i çdo Sofre. Shkruan njëqind poezi (pak thashë) dhe vendos ta bësh publike vetëm atë që është, për ty, më e mira. Kështu bëhet, kështu ndërtohet profili yt artistik. Kështu mëson të ecësh... Pa poet... Nuk është një mantel që mund të blihet, që ta hedhin në supe, me t’u ulur në një sofër. Unë, betohem, që kam turp ta quaj veten kështu, edhe pas 40 e ca vjetësh që shkruaj dhe që botoj poezi... Dreqi e mori, në kaq vjet, vetëm katër libra kam bërë. Si mund t’i them vetvetes POET?!
Shikoni këto vargje të një vajze, të SONILA RAMADANIT, tek poezia “Kokë më kokë, si vëllezër” (ngjan për titull poezie ky togfjalësh?!): “Besoj ,se dhe ju vetë e keni kuptuar /Që koha e gjëagjëzave, sikur ka mbaruar/ Mblidhuni kokë më kokë , si vëllezër/ Mjaft jemi lodhur, sikur e keni tepruar !” Kastile e kam hedhur këtu si prozë (vetëm me shënjën ndarëse karakteresike të vijës së thyer në fund të vargjeve), sepse prozë është. Një prozë deklamative, moralizuese, jo artistike. Më thoni: po ta shikoni kështu, ju ngjan për poezi? Atëhere ndërtojeni ashtu siç është, në strofë katërshe. E njëjtza gjë. Prozë në strofë. Nuk ka as ritëm, as figura letrare, as nerv poetik, asgjë që të të kujtojë poezinë. Atëhere, përse është hedhur si poezi në një sofër poetësh, ku hedhin edhe mjeshtra të vargjeve? Nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie për këtë, vajza në fjalë?!
Ja poezia e KLODIAN HAJDËRAJ:

Djali : T'kam Jete
Vajza : Hahahaha
Djali : Te Dua...
Vajza : Hahahaha
Djali : Jap jeten per ty
Vajza : Hahahaha
Djali : T'kam ble 1 ore diamanti
Vajza : Ver8 shpirt
Djali : hahahahahahaha

E lashë ashtu siç është, të ndërtuar në vargje. Mund të bëja atë që bëra me poezinë paraardhëse. Do të kishim të njejtin përfundim: prozë e rëndomtë! As shaka nuk është. Vallë, u pyet ndonjëherë, letrari i mësipërm, se si mund të ndjehej një poet I mirëfilltë, që e ka të shenjtë atë dreq poezie, kur lexon një masakrim të tillë të saj? Ç’të them…
Ka një qejfmbetje ndaj meje të letrares Mira Demiraj, këtu në Sofër, ngaqë bëra objekt diskutimi publik, mes kolegëve të poezisë, një problem, që unë mendoja se shkaktonte një veprim i saj: kopjimi direkt i një vargu të Fatos Arapit dhe vendosja e tij në një poezi të saj, pa deklaruar burimin. Ca kohë më parë, unë e kisha këshilluar privatisht, për natyrën që po merrte poezia e saj. I kisha thënë se… “e përdorte” poezinë. Se e shndëronte në pamflete personale… Më drejtpërdrejt, më ndershmërisht, si mund t’i flisje një kolegeje më të re, kur ajo vetë, më parë, kishte kërkuar ndihmën tënde, si më i vjetër dhe më i përvojë në këtë punë. Dhe ja reagimi i Mira Demirajt, ja përgjigja e saj ndaj një këshilleje të kërkuar me ngulm, po prej saj: një pamflet i ri. Prapë poezia e përdoruar prej saj për ego personale, tani më ashpërr dhe më drejtpërdrejtë, pa maskë, prapë një poezi e masakruar:

TURP

Te cirret nje maskara
nen masken e te ndershmit !

Turp
Te beje injorantin
nen hijen e hakmarrjes !

Turp
Te ushtroje diktatorin
nen petkun e nje emri !

Turp , turp , turp
Po , ku e njohin turpin keta ''njerez'' !!!

Pyes unë: Është poezi kjo, miq dhe mikesha?! Dashurohet kështu poezia? Shkruhet kështu poezia? Dhe, në fund të fundit, flitet kështu në një Sofër Poetësh?
Natën e mirë!

GRIGOR JOVANI


_________________
Marrë nga ""Sofra poetike" ne FB
26.10.2012





FTESE PER DIALOG:

REMINISHENCAT POETIKE

Është i njohur problemi i reminishencave poetike. Që poetët japin e marrin me njëri-tjetrin, kjo dihet. Ndodh të bëhet edhe instiktivisht, pa u kuptuar, kur krijimi i njërit pëlqehet aq shumë prej tjetrit, saqë asimilohet shpirtërisht dhe riprodhohet nga i dyti si original. Poetë të mëdhenj botërorë, njëri prej tyre Elioti, nobelisti, kanë dëshmuar ndershmërisht, se në periudha të caktuara të krijimtarisë së tyre, janë ndikuar, madje kanë imituar poetë të ndryshëm. Meqë sollëm Eliotin, këtë mjeshtër të papërsëritshëm të vargut, të kujtojmë se ai, në një intervistë dhënë “Paris Review”, pohon se gjer edhe ka imituar stilin por edhe vargje të veçanta të poetëve frëngë të kohës. Në këtë kategori përjashtohen plagjiaturat. Nuk hyjnë ata poetë, që vënë poshtë një poezi, e fotografojnë, i bëjnë ca retushe (ndryshojnë fjalë) dhe e sjellin në publik si të tyre. Ata vjedhin… Këto meditoja sot në mëngjes, tek lex...
oja tek Sofra jonë një poezi të poetes Mira Demiraj, ajo me titull “Ti do të vish patjetër”. M’u kujtua menjëherë poezia e bardit tonë të madh, Fatos Arapit, “Ti do të më dashurosh patjetër”. Për mua, nuk ka diskutim, që një fill i dukshëm i lidh këto dy krijime, në stil, në konceptimin strukturor, por edhe në vargje të veçanta, që përdoren si refren dhe që formojnë strumbullarin, thelbin poetik.. Dhe mendoja, se ku duhej ta klasifikoja poeten në fjalë… Pastaj thashë, se meqë jemi në një sofër, të mos ngutem dhe le të ftoj edhe mendimin e kolegëve…
GRIGOR JOVANI
kryeredaktor i Sofrës Poetike

MIRA DEMIRAJ

TI DOTE VISH PATJETER

Vjeshta i zhveshi druret
dhe era luan me gjethet
ditet u bene me te shkurtra
ti , do te vish , patjeter !

Rruget renduar ne mall
dhe stoli ne park , vetem
zogjte rendin per larg
ti , do te vish , patjeter !

Hena me sheh trishtuar
dhe yjet disi te trembur
Dimri po qaset ne dere
ti, do te vish , patjeter !!!

(Marrë nga Sofra Poetike)

FATOS ARAPI

TI DO TË MË DASHUROSH PATJETËR

Ky qiell i prillit pa ty ësht´ i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,-
Ti do të më dashurosh patjetër!

Në sytë e tu diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot,po si durohet pa ty nesër?-
Ti do t'më dashurosh patjetër.

Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,-
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:

Ti do t'më dashurosh patjetër!