Samstag, 24. November 2012

Kujtim Stojku: FOLEJA E SHQIPONJËS


CIKËL POETIK ME RASTIN E NJËQIND VJETORIT TË PAVARSISË
 
 
 
 
 

 
FOLEJA E SHQIPONJËS

Shqiponjat i ndërtojnë foletë në maja shkrepash
Unë këtë e di se e kam parë vetë me sytë e mi
 
Ajo se ndërton folenë e vet n’majë lisash e plepash
Por atje, në zgavër të shkëmbit krenare rri.
 
 


NJQINDVJETORI I PAVARSISË

Ja, më në fund gjendemi n’ditën e kësaj feste të madhe
Mundohem t’i rëndis ngjarjet në kohë
Duke i përmbledhur n’ligje të njohura e të panjohura
Dhe më së fundi të mundohem ta kuptoj msterin
E ëndrës së fatit të atdheut
Qeverisur përmes ëndrash të përgjakura nëpër shekuj.
Dhe ti o atdhe je kaq i magjishëm
Kaq i ëmbël
Ku përmes mugëtirës së shekujve ke arritur
Me lavdi këtë moshë shekullore.
Ke mbushur plotësisht njëqind vjet
Njëqind vjet që fitove pavarsinë
Dhe unë sot që bashkëbisedoj me ty
Jam një pikë e vesës
Kurse ti je deti
Që gjatë shekujve sikur zinte stuhia
Ai gjëmonte.
Dhe të gjitha këto unë i përkujtoj në mendjen time
Bisedojmë me njëri tjetrin bashkë të dy
Se historia të ka fshikulluar rëndë
Ndër shekuj e vite
Vargjet e mia sot mbi krye t’i vë si diademë
Unë ty të ndjej në çdo qelizë
Ti je tek unë dhe unë jam tek ti.
Unë eci përmes gjurmëve të tua duke ndjekur hapin historik
Unë sot të ndjej nga rrugët e asfaltuara
Dhe nga shiu që bie prej qiellit pikë pikë.
Ti mua më fanitesh n’mes galaktikës qiellore
Të ndjej në polifoninë e bukur labe
Në telin e lahutës ku kënga shkulme shkulme
Vlon nëpër gjokse.
Eh, ne jemi mbledhur për të festuar tëndin njëqind vjetor
Por ti je mijra vjeçar
Je që në gjenezën e këtij rruzulli
Dhe këtë e ndjej në fushën gravitacionale
E ndjej në rrugën historike që gjaku e skuqi.
E ndoshta vetë perëndia na vuri në provë
Por krenaria n’mes zymtësisë shekullore s’humbi
Rilindi përsëri,dhe ja ku po bisedojmë në këtë njëqind vjetor.
Bisedoj me varrezat dhe lapidaret e heronjëve
Bisedoj me malet, qiellin
Me lulëkuqet që të hijeshojnë ballin në formë kurore
Me rrezet e arta që lëshon dielli.
Unë bisedoj me pemët,frutat,ahet.lisat e pishat
Me rrëfenjat e moçme që i bartëm brez pas brezi
Për thikat që na i ngulnin pas shpine tinëzisht
Ku shumë herë na braktisnin
E vetëm në mes çakejve na lenin.
Përhumbem në mes këtyre ngjarjeve të errta
Betejave të përgjakshme e këngëve epike
Sot këto janë rruga jote, ekzistenca
Simbole spirituale nga historia antike.
Por atdheu ynë nuk ishte ky që është sot
Disa nga pjesët e trupit të tij janë në lëngatë
Ai është më tepër
Të gjithë e dinë por se thonë dot
Kanë frikë të pohojnë ditët e historisë së gjatë.
Mirpo unë sot historisë shekullore s’mund t’i jap përgjigje
Por brezat e mëparshëm para syve më përfytyrohen
Ti shëmbëllen në pamjen e një shqiponje
O krijesë hyjnore që s’jetoj dot pa ty…
 
 

 28 NËNTORI I NJËQIND

Ja,nata si përherë erdhi edhe sonte
Tinguj të magjishëm dëgjohen gjith gëzim
Cila këngë bashkë me ditën do të zgjohet?
Kur të lindë dielli do ta dëgjojmë simfoninë.

Ajo do të jetë kompozuar me të qiellit yje
Kupën qiellore sa bukur e qëndisin
Jehonën e tyre deri tek ne era e bie
Bashkë me t’rrahurat e zemrës,yjet regtisin.

Kjo festë që buron nga thellësitë e shpirtit
Zemra vallzon në gjoks për këtë festë të madhe
Pas errësirë pesqindvjeçare
Më në fund rrezet shëndrisin
Shaluar mbi një ëngjëll hyjnor
Shpresa të mëdha për ne do t’përhapte.

Dhe tani pa u ndjerë ne prapë na ndjek errësira
Atë e harrojnë sa herë përqafojmë ditën
Pasi dehemi me lirinë që na dha drita
Nata nxjerr gjoksin,ne gënjehemi
E si fëmijë ja thithim sisën.


 

 KËNGËT E MIA

Këngët e mia janë përkundur në djepin e gjoksit
Janë rritur duke dëgjuar ninullë orësh e zanash
Dhe pastaj mendimi rritej e drejt qiellit shtat hodhi
Banesën e tij kërkonte n’mes planetësh mbi retë e bardha.

Por rrugët ishin të panjohura dhe të vështira
Shpesh trembeshin se mos merrnin rrugët e ferrit
Me mijra rrugë të panjohura kishte hapsira
E mendimet nga hapsira e kozmosit
Në banesën toksore ktheheshin.

Dhe gjithçka lëviz dhe vetëm lëviz
Edhe hijet e fantazmat këtu në tokë të ndjekin
Urrejtja dhe ndëshkimi frutat këtu në tokë i kanë lidh
Qeni Cereber sytë asnjëherë si mbyll,
Ujrat e parajsës rrjedhin.

E kështu shpirti dhe fjala njerzore ngjizeshin të dy
Me rrënjë të ngulitura në trashgiminë e vjetër
Tingujt e lahutës përhapeshin në pafundësi
Hijet e perëndive në mes nesh mbetën.

Të gjitha këto përziheshin me dhimbjen
Pakënaqësia shpesh n’mes nesh hidhte rrënjë
E rrugët përgjakeshin me klithma lirie
Dhe kjo dhimbje,rrugëve gjurmë ka lënë.

E tash, pranverat vijnë njëra pas tjetrës
Duke çelur lule mbi gjurmët e idhnimit
Këngët lindnin,rriteshin,ushtonin,
Asnjë çast s’heshtnin
Duke marrë rrugët qiellore,
Rrugët e përjetsimit.
 
 
 

 ZBULOJ GJURMËT E HISTORISË

Më përkundet shpirti bashkë me ninullat hyjnore
Ata si një puhizë e lehtë më freskojnë ballin
Gjurmët e humbura zbulohen nga mugëtirat shekullore
Udhët e historisë këto gjurmë përflakin.

Kam rendur pas këtyre gjurmëve që t’i zbuloj
Koha i mban thellë në gjirin e saj
Njollat e saj më grishin në gjoks
Në rrudhat e ballit shtegun e hapur pashë.

E, kështu më ngushëllon poezia ime
Duke shtegtuar rrugëve t’përgjakura të historisë
Gjurmët nëpër kohë lëshojnë mijra rrezatime
Përmes mugëtirës së shekujve rrezet e diellit ndrijnë.
 
 
 

 SI DIKUR NËN SKËNDËRBEUN

Si dikur nën Skëndërbeun
Në fund të shekullit njëzet’
U ngritëm të çlirojmë atdheun
Gjysma e tij rënkonte
Fryente tufan dhe erë.

Kur trupin nxehtësisht na e shponin
Plumbat, duke sulmuar si rrufe
Në çdo anë të dehte era e barotit
Atje në ballë sulm u vrava
Rashë dëshmor për atdhe.

Dhe tani po të jetë nevoja
Me shokët prej së vdekuri do t’ngrihem
Mbi hordhitë të sulmojmë si shqiponjat
Si gishtrinjtë e dorës në një grusht mblidhen.

Kështu si dikur moti
Kur Skëndërbeu ngriti flamurin
Shpata e tij shkëndija lirie nxorri
Në gjunjë para tij ra halldupi.

E sot këta trima janë me dhe përzierë
Plagët akoma u kullojnë ndër varre
Trëndafilat e çelur lëshojnë t’këndshmen erë
Në nderim të tyre,vështrimi i qiellit ndalet.

Ushtojnë malet nga tingujt e lahutës
Ndjej një simfoni nën qiellin me yje
Këndojnë malet nën krisamt e pushkës
Një kurorë lule gjaku ja vë mbi krye.

Kështu ata u lidhën me besa besë
Duke u betuar mbi flamurin
Si dikur nën të madhin Skëndërbe
Halldupët me çallma tmerri i zuri.

Dhe sot në këtë njëqind vjetor
Përkulen para jush malet shqiptare
Mbi varre diellin jua vë kurorë
Nga gjiri i tokës burojnë këngët e kësaj balade.
 
 
 

 HIJA E TRADHËTISË

Megjithse kanë kaluar shekuj e vite
Kur çallmat duke britur “Allah” u sulën drejt Shqipërisë
Epoka kryetrimit i vari mbi krye kurorë lavdie
Ndërsa për disa tradhëtia la gjurmët e historisë.

Si hije e zezë pas na ndoqi përherë
Tradhëtia me fytrë lugati
Ka jehuar nëpr kohë si qen i pabesë
Si gjarpër i zi ka fjetur poshtë nesh tek shtarti.

Braktisën flamurin me shqiponjën e zezë
Rrokën flamurin jeshil me gjysëm hënë
Hëna shqiptare i qorroi të verbër duke i lënë
Mallkuar qumshti që pitë tek kjo nënë.

Dhe kështu me sy të verbër ju nuk shihni dot
Stolisur me grada e nishane vinit me hordhitë e mëdha
Dhe shumë që s’njiheshin kishte plot
Kjo tokë për ju dha frymën
E shpirtin do t’jua shkulë që n’asht.

Ju pëlqeu shthurja dhe veset
Duke shuajtur epshet në haremet e ndyra
Tradhëtinë latë trashgim në jetë të jetëve
Pa pikë gjaku s’ju u skuq fytyra.

Si lugat, hijenë, ti tradhëti fshehtas na ndjek
Sikur Hamzai tradhëtoi Gjergj Kastriotin
Hap pas hapi po na ndjek çdo brez
Ju vraftë buka e kësaj toke
E dielli t’ju përvloi…
 
 
 

 KOHA RËNKON

Nëpër kohë dëgjohet një rënkim i kahmotshëm
Kur dita largohet dhe nata e zezë vellon hedh
Rënkon bari i prerë prej kosës
Dënesjet e kohës dëgjoj, kur shiu pikon nga retë.

Më pas pyjet dhe kreshtat janë në ëndrim
Në gjumë ëndra e tyre përshkon eterin
N’qiell retë fillojnë të dalin ngjyrë trëndafil
Përmes rënkimit të kohës,një bilbili ja dëgjoj zërin.

Ja dëgjoj atë të bukurin zë, ëmbël duke kënduar
Pas tij duke fërshëllyer një melodie ja marr dhe vetë
Grykave malore kënga është duke ushtuar
Nga qielli një nga një po ikin dhe retë.

Ne sot rrojmë përmes këtyre këngëve,vajeve kohore
E toka kudo si qylym i bukur ka lulëzuar
Nëpër kohë përhapet një amëz toksore
Përzierë me retë është duke ermuar.

Rënkimet e kësaj kohe janë gjurmët e historisë në shekuj
Me amzën e tokës amaneti i të vrarëve ushton çdo anë
Në këtë nëntor rënkimet e tokës vijnë duke u tretur
Nëntor i kuq, trojet shqiptare lëshojnë vetëm një amëz.
 
 
 

 NËNTOR 1912

Kur bushtra Osmane s’kishte më fuqi për t’ kafshuar
Por përjargur vazhdonte të lehe si zagar
Diplomati plak e pa se s’kishte kohë për t’u vonuar
Si Skëndërbeu dikur u kthye në vatan.

Deti gjëmonte nga dallgët e mëdha
Furtunë dhe erë ishin ata ditë nëntori
Kthehej plaku i urtë,mbi shpatulla kish halle të mëdha
Vështrimin e kish vetëtimë,vullkan i digjej kraharori.

Si ujk i tërbuar rënkon sulltani në grahmat e fundit
Ushkuri s’ja mban dot të gjërat shallvarë
Zaptie kudo nga pas të vuri
Por se ndalon dot Ismail Qemalë.

Përpëlitej me sy të përgjakur perandoria
Ashtu pak nga pak frymën e fundit po jepte
Duke kërcitur dhëmbët,thoshte t’mos na ikë Shqipëria
Edhe duke dhënë shpirt desh ta merrte me vete.

Pesqind vjet, vrarë e prerë nën shpatën e Islami
Ne ishim më të moçmit në Europë
Ti perandori përfaqsoje perandorinë e djallit
Por prapë s’munde të na zhdukësh dot.

Ku shkelte hordhia Osmane nuk mbinte më bar
Pesqind vjet me eshtra tokën na e mbolle
nënat luanesha lindnin me dhjetra luftëtar’
kënga e lirisë anëembanë ushtonte.

Ushtonte duke u përballur me këtë bishë që zvarrisej
Për t’na zhdukur çdo gjë të vyer që e kishim të tonë
Edhe sot thonë i kemi vëllezrit prej Turqie
Për faqe të zezë prej atje kërkojnë bashkimin tonë.

Udhëtoje në atë muaj nëntori
Si shpuzë malli të digjte në gji
Historia t’përkundej në djepin e kraharorit
Ëndra shekullore,t’ngrihej flamuri kuq e zi.

Ti duhej të ishe i matur jo vetëm me t’sëmurin e Bosforit
Nga ana tjetër si kuçedra me nëntë kokë fuqitë e mëdha
Hiqnin pjesë prej nesh,të tjerëve ua shtonin
Kaloje nëpr dallgë, historinë e le pas.

Kërcëllitnin dhëmbët e uritur,vështrimin e kishin drejt nesh
Kërkonin që të ngopeshin qeveri të panginjur
Kurthe e pabesi në çdo hap syri të sheh
Si çakenjtë ndër dhëmbë u sheh nga një copë duke shkitur.

Të përloti fati i atdheut,malli të përvlonte në gji
Pseqind vjet kjo tokë vaditur me gjak
Terri i shekujve plot dhëmbje nxin
Shqiponja e zezë n’qiell krahët fillon e hap.

Atje,n’Kosovë se ç’shkrepnin rrufetë
Rruga ishte e gjatë ti nuk ndjeje lodhje
Flaka e barotit atje po ndriste retë
Përmes krismave të pushkëve
Përshëndetje të çonte.

Të përshëndeste me këto krisma ku rrëke derdhej gjaku
Me aromën e barotit mbarsnin retë që pillnin stuhinë
Ec bir të thanë,ne po na ther shkjahu
Me gjakun që po derdhet, firmose Lirinë.

Dhe e ngriti plaku i Vlorës shtizën e flamurit
T’kapur dorë për dorë yjet në qiell hedhin valle
Trokëllima e kalorsëve rrugët e Vlorës tundin
Para Isa Boletinit, Ismail Qemali flamurin mbante.

Dhe ra në gjunjë burri i Kosovës
Me vete sillte krisma pushkësh,vaj e dhimbje
Kur puthi flamurin shkreptima stralli sytë i nxorrën
Përmes rrugëve të përgjakura liria po vinte.
 
 
 
 

 KUR NATA BIE

Rrezeve të diellit jua dëgjoj melodinë
Kur syri i tij i zjarrtë pas maleve perëndohet
Rrezet e tij t’arta me shpirtin ç’mu shkrinë
Kur nata bie melodia e tyre dëgjohet.

Ngrihem n’ qetsinë e natës shkëlqimin e artë mos e kap
Por nata ishte e errët fryente një puhizë e lehtë
Atë shkëlqim të mahnitshëm unë nuk e pashë
Ç’fuqi kishte nata që e ktheu të pavlerë?

Drejtova sytë drejt qiellit ku pashë hënën dhe yjet
Rrezet e argjenda me gjethet pëshpërisnin
Si mik i tyre një kurorë t’argjendë m’ vendosën mbi krye
Kur lindi dielli në ag këto më fuqi s’kishin.
 
 
 
 

 GJITHÇKA DUA UNË PËR TY

Gjithçka dua unë për ty është t’shoh zonjë me nur të bukur
Veshur e stolisur, n’kokë me kurorë mbretëreshe
T’mos ndjej klithmat e dhimbjes, deri në asht më janë futur
Ti mbretëreshë që zbukurohesh me kaltërsinë e dy deteve.

Flladi yt i magjishëm po më përkdhel ballin
Si në një mantel t’mëndafshtë janë mbuluar livadhet,pyjet
Gjithçka dua unë për ty është të shoh me vello nusërie
Si rrezet e diellit të të ndrisin fijet e arit.

Sa herë dielli lind e perëndon ty të përshëndet
Puth me mall lulkuqet që vezullijnë
Këta lulkuqe me lot nënash janë vaditur vërtetë
E tani nën rrezet e diellit plot hijeshi rrezëllijnë.

Dua të t’shoh me skeptër hyjnor t’i falesh drejtësisë
Pa përçmuar plagët që përmes dhëmbjes erdhi liria
Të hijeshojë kuvendi yt sipas fjalës së urtësisë
Gjithçka dua unë për ty është se besoj tek rilindja…
 
 
 
 

 JAM BIR I MALEVE TË MIA

Kur kam lindur unë të qarat e mia mbushën ajrin
Syri për herë të parë shikoi qiellin,diellin,retë, malet
Kur u rrita pak lozja me shkulmat e zallit
Me fluturimet e skifterëve hija ime matej.

Shikoja i mahnitur majën e maleve që preknin qiellin
E unë që i vogël lozja me to
Ata me hijen rëndë ngandonjëherë më stepnin
Ata më dhanë çehre dhe shtat të ngjashëm me to.

Malet vërtetë kishin hijen e rëndë
Por bujarinë e kanë sa qielli i paanë
Çdo rrënjë e shteg i kam shkelur me këmbë
Prandaj me njëri tjetrin aq shumë ngjajmë…
 
 
 
 
 

 BRIRËT E DHISË

Brirët e dhisë mbi përkrenare janë simbol hyjnor
Kjo është më e lavdishmja në historinë tonë t’ artë
Kur Skëndërbeu luftontë me ta mbi kokë
Egërsisht përleshej drita me errësirën
Ditën nga nata kryetrimi e ndau me shpatë.

Dielli mbi ne shpesh përflakej kuq si gjaku
Si drapër prej lindjes hëna e zbehtë vinte
Kacafytej errësira me dritën e s’kishte të ndalur
Kur mbaronte dita rruga e diellit
Drejt perëndimit kuq si gjaku ndrinte.

E,kaluan kështu shekuj,vite
Kush e di enigmën e fshehtë të brirëve të dhisë?
Shpata e kryetrimit sot flakëron rreze drite
Bashkë me brirët u merr sytë njerzve
Nuk përqafoi lindjen e zbehtë
Por u bashkuan me perëndimin
Ku e nesërmja do t’na sillte agun e lirisë.

Kështu sa herë zhytem në vitet historike
Errësirën shekullore besoj e lamë pas
Vjen t’ja këpusësh vrapit nga çoroditjet e përditshme
Ç do gërmë e historisë sot pikon gjak.

Rropama historike fillon nga Fushë-Kosova
Më pas n’shekuj pesha historisë do t’na rëndonte mbi supe
Erën e shkrumbit të djegur e ndjejmë edhe në ditët tona
Si epoka me vello të errët në historinë tonë do të futej.

O troje Arbërore kërrusur nga pesha e rëndë e historisë
Me gjakun tënd ndriçove errësirën për pesqind vjet
Me mundime të mëdha arrite në pragun e lirisë
Ky shekull i ri plot gaz vetëm Shqip të përshëndet…
 
 
 
 
 

 BESLIDHJA E GJAKUT

Ngjyra e kuqe e gjakut se ç’na përshkëndit ndër deje
Shpirti lëshon jehonë përmes shekujve rrokullimë
Historia e këtij trolli është ngjizur me krisma rrufeje
E ngjizur me gjak,ngulur thellë në rrënjët Pellazgjikë.

Sot kjo ngjyrë e ndezur gjaku disave po u merr sytë
Derdhur pa kursim në mugëtirën e historisë
Mos shkel mbi të o vëlla se kemi të njëjtin gjak
Mos, se gjaku të zë, e të vë vulën e tradhëtisë.

Të vë vulën e mallkimit se është amanet prej Zotit
E ti s’mund ta shpërfillësh se toka zë e dridhet
N’vdeksh me këtë mallkim,brenda s’do të mbaj as vorri
Mos e shkel o vëlla, se qielli dhe toka me anë të gjakut lidhet.

Ne me anë të gjakut kemi një besëlidhje të përjetshme
Ne që mbartëm fjalën e lashtë “ku je or burri i dheut”
Mos harro Dodonën e lashtë ku shenjtëria përmes gjetheve fliste
Mos bre,mos e përbalt shtyllën e historisë SKËNDËRBEUN.

Pfff do të thonë disa ç’po shkruan ky pallavra
Po flet me gjethet e rrufeve po u merr krismën
Besa e Konstadinit ripërtrihet nëpër balada
Bashkë me fjalën,tokën dhe gjakun,
Njëherësh u ngjizëm.

Nëpër shekujt e territ si lumë u derdh gjaku
Klithmat e shpirtit nëpër qiell dhimbje hapnin
Gjysëmhëna ishte e zbehtë,e zverdhur prej së largu
E zbehtë si kufomë e funeralin kishte gati.

E kështu jemi të lidhur të gjithë vetëm nga gjaku
Ai që vazhdon të kullojë nga plagët e t’ripërtrij baladat
Heroizmi i martirëve disa i ka shtangur
Ai u derdh me shkulma,dhëmbjen mbajmë në rrashta.

Kështu jemi përleshur në kohë me hijet e zbehta
Duke përmbytur shekujt dallgë dallgë gjaku
Flamuri i kuq i vulosur nga shqiponja me dy krena
Valvitet sot e nusëron tek pragu.
 
 
 
 
 
 

 DISA MUNDOHEN

Disa mundohen të na fshijnë kujtesën historike
Të shuajnë vështrimin e syve me të cilët flet zemra e dheut
Sepse dheu kur i mbuloi mori sytë e tyre dhe pa
Që të happen të disave që verbëria shekullore i mbërtheu.

T’ju happen ata sy e të vështrojnë qiellin
T’shikojnë gjithë planetët qiellorë që ndriçojnë këtë botë
Se çfarë shohin e shohin me dritën e cila ndriçoi terrin
Disave drita e syve u është fikur e nuk mund të shohin dot.

E di se mendimi të shkapërdredhet se je krijesë e brishtë
Lëkundesh nga faktet e forta historike
Se ata që të mësuan nuk ishin mësues të mirë
Sepse ata nuk i dëgjuan të vdekurit
Ku plagët vazhdojnë të kullojnë
E toka me gjakun e tyre vazhdon akoma të vaditet.

Historia është guri i themelit të një kombi
Ku qytetërimi është i peshuar në plumbçe
Ajo tek ne n’mes dhimbjesh shtat vigan hodhi
Dhe nga disa të vërbër historia s’mund të zhduket.
 
 
 
 
 

 SHPESH BISEDOJ

Shpesh bisedoj me monumentet,varret
Unë ata nuk i harroj i kujtoj gjithnjë
Pyetjet që u bëj përgjigjen e marr prej malesh
Amanetin ata ne na e lanë kur mbyllën sytë
Prandaj gjumi shpesh natën nuk na zë.

Unë nuk hesht,pyes, kërkoj, gjithçka dua të di
Kur ata rrokën armët çfar kishin si ideal?
Si oshëtimë përgjigjia më erdhi nga qielli
Natën i ndiqnin yjtë,ditën dielli ishte me ta.

Habitesha, por monologun e bëja i heshtur me vete
Ju që ju falët vetëm altarit të lirisë
Mbi ju si shkëmb rëndonte e djeshmja
Shpërthyet të sotmen
Shikuat nga e ardhmja që e nesërmja
T’ishte gjith’dritë.

Edhe tani unë ju shoh me armë në dorë
Ndaj vrasësve syrin e keni pishë
Prandaj me ju bisedoj gjithmonë
Se prej plagëve që ju kullojnë mbinë
Lulkuqet e LIRISË.
 
 
 
 
 

 UDHËTIM NËPËR KOHË

Udhëtoj nëpër kohë me kujtesën time
Shaluar mbi ngjarje nëpër to kalëroj
Rend duke lënë pas të verbërat vështrime
Në shtjellën kohore kujtimet s’ndalojnë.

Në një çast ajo ndal vetëm me mua
Për të vëzhguar hënën krejt gjak
Gjëma e vaji vijnë duke ushtuar
Pastaj n’horizont duket dielli rreze ar.

Për një moment kujtesa akull ka ngrirë
Në vorbullën shekullore plot tmerr
Nën diellin e nxehtë kujtesa fillon me shkrirë
Mendimi kthjellohet vargu lirshëm del.

T’gjitha këto s’mund të harrohen,jeta gjurmë ka lënë
Sa herë takohemi të dy kuvendi gjallërohet
S’ngopem duke dëgjuar hallet e tua moj nënë
Nëpër kohë vuajtjet e tua me dhëmbje lexohen.


 
 

 SOT KËNDOJMË

Pas shekujve të errët me mundime sfilitëse
Të gjithë sot këndojmë me një zë
Oshëtima e detit zbehtësinë e shekujve do përzinte\
Gëzimet, hallet dhe vuajtjet,t’ja themi me këngë.

T’ja themi kështu me një kor të madhërishëm
Melodia të përhapet në hapsirën e pafund
Kësula e bardhë maleve se ç’u rri hijshëm
Teli i lahutës këto male se ç’po i tund.

Lumenjëve dhe deteve deri këtu jua dëgjoj frymëmarjen
Me frymën e tyre zgjojnë lulet nga gjumi i tyre i rëndë
Kjo këngë e ushqyer me amzën e tokës në çdo anë përhapet
Yjet në qiell hedhin valle dorë për dore zënë.

Prej gëzimit gjumi na është larguar nga qepallat
Në buzë ne sot kemi vetëm gaz
Dridhen tejzat dhe përshkojnë ajrin
Në truallin Arbëror sot kjo festë përflak.