Friday, December 7, 2012

Buqetë poezish nga Sabit Rrustemi


 
ZOTI NUK THOTË HARROJE ( buqetë poezish)

 

 
LEGJENDË E HESHTUR

 

Një legjendë e fshehur
E harruar është Çepuri

Mes dy lumenjsh njomë buzët
Lanë faqet
E trupin me një rigë shi

Flokët i krehë e shkrehë
Për dritë  hëne

Rrobat i thahen
Me një paradite dielli
Vetëm hijes ngrinë dimrit

Nuk ofshanë as lëshon gjëmë
Kur ngusht e nxënë

Përmes gjethesh shushurinë
Qanë e k'non si shpend mali
Kur e shkundë jugu

Ushton prej malli
Për atë Zanë fushe
Që s'ju bë Orë mali.

 

(28.08.2009)

 

 

 

 
PIKOI

(variant)

 
Një diell pogaqeje 
Me mbrëmjen pikoi
Në këtë fushë të kaltërt e pambarim

S'di ishte faqja jote e zjarrtë
Apo ai lot zemre më kërkoi

Tërë natën prita e prita
Deri tek kjo Ditë e re

Ajo fushë e kaltërt
Vezulloi  lart
Universit
Skaj më skaj
Përmes dritës sate

E si mos të kthehem  kah Ti
Dashuri

Gjirin tënd kërkoj përsëri

 

(28.09.2009)

 

 

 
PRISTE SI NJË ËNDËRR


Ajo priste si një ëndërr
Skaj bebëzave të mia

E kapa për dore
Të tërën
Me krejt shpirtin tim
Në dhomën më të ngrohtë
Të qenies sime
E vendosa përjetësisht

Të plotë
Si hënën  në të pesëmbëdhjetë
Me atë fytyrë që shëndritë
E rri e çelur
Në sytë e mi

Aromën e saj
Edhe tash e thithë
Me afshin e zemrës e shijoj

Të lumin çast uroj
Që e gjeta

Këtu e kam

Pulson parreshtur
Ora ime e dashurisë

(9. 12. 2009)

 

 

 

REÇETË E PËRDITSHME

 
Me lotin e ftohtë të pritjes
Laji faqet
Sytë
E vish rrobat e shpirtit 

Shetitjen e mëngjesit
Bëje nëpër hartën e dashurisë

 Nëpër secilën gjymtyrë

Kur të merr etja
Për freski mali
Kthe kah buzët e mia

Po pate kokëdhembje
Ftoje pëllëmbën përkëdhelëse
Që me prekje shëron

Mungesash mos u streho
Aty ku nuk jam
Mos më kërko

Hapit tim
Fjalës që hap atë portë zemre
I beso

 

(1 mars 2010)

 


 

(V)ETJA IME

Shterre ate heshtje
Atë vapë që vyshkë
Atë akull që mërdhinë

Pije me fund
E mos u kënaq nga d(j)ergj(i)a ime
Në pritje

Hape atë gojë
Të eturat buzë
Që po shkrumohen rrëzë teje

Larg ajo hije
Ajo vetull jotja
Ajo palë bleroshe e flokut tënd
Që flladit

Më larg se shikimi im
Më e thellë se heshtja jote
Që vret

Më e zjarrtë
Se vapa që nuk pëlcet

Vetja ime
Po shumë më paske braktisur

(Gjilan, 17 Qershor 2010)


 

 

 

 

PËRTEJ NJË VETËTIME

 
Shiu vërshoi
Nëpër këpucët e mia të zeza

Qorapët e qullura
Më gostitën
Me ngjyra të mbyllura
Pjesëve të sipërme
Të këmbëve
Thembrave

E unë trupoja rrugën
Para makinave
Semaforëve të heshtur
Të lagur
Zebrave të fshira
Të harruara
Se Ti
Më prisje diku
Përtej një vetëtime
Syve përmallim

Këpucët po thahen
ballkon
Dhe ngjyra e fituar gratis
U shly tashmë

Mbete vetëm Ti
Qiell i kaltër dashurie

 

(29 qershor 2010)

 

 

 

Ç' MUND TË TË OFROJ MË SHUMË

Zoti nuk thotë
Harroje
As Zemra

Një det ndjenjash
Qepet Çepurit
Po rruga përpjetë
Deri në Kodër

Shtigjet zik - zake
I ka mbuluar dushku
Bari i ri
E paecura ime
Vonohet për pak
 
Ty të ruaj


Thellë në veten time
Edhe kur më ikën me mëngjes
Edhe kur më kthehesh
Rrallë e përmallë
Përmes ndonjë ëndrreje
 
E dashur
Po e deshe malin
Qe ku jam
Po e lype detin
Qe ku e ke
Në shpirtin tim

Dhe mua të tërin
Thellësive tua
Të paprekura

Ç' mund të të ofroj më shumë
Pos shpirtin tim
Të rinuar prej dashurie

(3 Korrik 2010)


 

 

 
 

MUND TË BËJ Ç’TË DOJË

 
Ajo mund të vijë me ditën
Mund të fshihet me natën
Mund të mos bëj zë
Me ditë e net

Mund të mbyllet si lulja
Nën petale të blertë
Me muaj me vjet

O
Ajo mund të sillet si të dojë
Dhe pa mua mund të jetojë

Unë do ta ndjej
Orë e çast
Në secilën sekondë
OrëZemra do ta kujtojë

Si tash

 
(17 shtaor 2010)

 

 

 



NDIZE SONTE

 
Çepuri flet përmes pamjes
Me fytyrë malli

Rri dhe sonte
Ta përzëmë këtë erë
Këto re përmbi
Që ikin tutje
Pa një pikë shi

Për muza s’ do kesh uri
Të ruaj nga cilado furi
Vetëm rri

Ta ndezim këtë natë
Asaj vashe pas kodre
Që ka humbë udhë
Dritë t’ i bëjmë

Të tharat gjethe
Këta rremba të tharë
Të qofshin falë
Sall ndize sonte
Ndize
Për atë hënëvashë

Çepuri nuk refuzohet

 

(4 tetor 2010)

 

 

 

 

 
TEK RRËNJA JOTE

 
Për dallim nga krimbi,
Dyshimi nuk e gërryen
Atë Zemër Molle
Po  Loçkën e Zemrës

Mos i jep rast
  të futet në brendi
Trupit jeshil
Qerpikëve të zi

Strehë e tij
Mos u bë
Moj peh’rri

Se ajo zemërrëmollë
Do gërryhet
Do bëhet zi

Ajo loçkëzemre
Do rrudhet
Do t’kurret
E do varet syve të mi
Plot mërzi

As dyshimit
As krimbit
Strehë
Nuk do t’i bëhesh ti

Verë e dimër
Tek rrënja jote do rri
Plagët të t’i mbyllë me dashuri
Nëpër sythat me lule
Të buloj përsëri
Me frut të ri

 
(Gjilan, 6 nëntor 2010)

No comments:

Post a Comment