Friday, September 27, 2013

Namik Selmani: Këshillat e vetes


Këshillat e vetes
Pas një bisede të mbrame me poetin Azem Shkreli
 

Mos u bëj poet, nëse s’mund të vdesësh
Për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë
                                                   Azem Shkreli


1.
Frerët e erërave ...

S’qenkan fort të lehta të mbahen te pëllëmba
Po duhet, poet, duhet,
Se na mrrolen sytë e agimeve e të muzgjeve tanë
E na thahen
Belbëzimet e tingullshqipes kur nis të marrë udhë kënga
E nga varri
ngrihen Bacalokët e rreptë me plisa e na mallkojnë.
 

2.

E dashurisë
T’i japim të gjithë urimet si gjerdanë me margaritarë
Përtej tradhëtive
Pendimi të mos na bëhet si kocka që fytin e çan.
Hej, POET!
Do të donim të ishim të gjithë sot farkëtarë
Që me rrezet diellore
të shkrinim urrejtjet në një kudhër ku zemra asnjëherë nuk ndal
 

3
 

E vdekja për FJALËN
do t’u bëhet të gjithë bardëve më e embël se sa të gjithë vdekjet.
Dikur do hirëzohemi,
po pas duhet të lëmë Brir Kënge e mjaltë ninulle
Në Mbretërinë e Territ
Trupi i secilit poet butësisht do të tretet
Me dhimbjen
Se vargjet s’u bënë si duhet Thesarë për tokën e gjyshërve
 

4
 

Shtrëngojmë shpërgenjtë
në djepe ku gdhendim diej, zogj e kokat e shqiponjës
Duart
edhe mund ta na lodhen e syrin na e vidhka gjumi.
Po duhet Bacë,f
Fjalët e pathëna t’i vëmë heshturazi në Murin e Kohës
E lulet e fjalës
Të na ndizen bukurisht në zemra si ngjyrë flamuri.
 

5
 

Drejt Portës së Këshillës
Kurrë mos e humbshim Flugerin e rrugës së gjatë!
E përherë të jemi
Fytyrëskuqur mes rrëfimit më të ndershëm në botë.
Veç Këshilla e vetes
Mos na u bëftë çengel që fjalën të na vrasë
E kurrë
Fjala e mençur shqipe të mos futet në arkivolin e ftohtë.
 

6

Fjala jote, diell të na bëhet, Baca Azem!
Fjala ylber të na bëhet
Për të pritur ditën që vjen!!!


Shtator, 2013

Wednesday, September 18, 2013

Fran Ukcama: Gjashtë poezi


UNË PASHË NJË ËNDËRR

Unë pashë një ënderr me kodin sekret,
sekret që as CIA nuk e gjën kurrë,
desha të mbetesha gjumit për jetë,
e pishman nuk behesha dhe pse i humbur..

Ma mirë në kerkim pa gjurmë e nishan,
botes ku shumëçka vihet në dyshim,
dua te kthehem te parajsa që lamë,
ani pse symbyllur nuk shoh ma diell.




MË THANË SE KURRËMA
DIELLI NUK ÇOHET PREJ GJUMI

Ka ra në shtrat , i ka mbyll sytë,
më thanë kurrëma Dielli nuk çohet prej gjumi,
i hutuem krejt mbeta unë erresinë,
Ani pra, u thashë:
-Qe udhen , qiellin e tokën dhe shpirtin m`i zdritë dikushi!

Dhe a e din,
për zemren tande e kisha fjalën,
për sytë e tu që sillen në orbitë!


TI MA DHE ATË QË LYPA

Si lypsar,
Te dreita e synit,
Ditë mbas dite ty t`u ngjita,
Edhe ti e kputun pak prej fillit,
Ma dhe zemrën që ta lypa.

Po dhe unë ty si lypsare,
Të kam vrejtur si kërkoje,
Skuqur faqesh, nën degë arre,
Të fala, ti vetë, çka doje..

Ne krijuam atë mes veti,
Tharmin brenda me magji ,
Pse lypsar mbetem prej shkreti,
Por ama në dashuri!!




AI MESONTE MBI RRASA GURI
-Vëllait Ndue Ukcana

Ai nuk kishte defter as kalem,
as libra kendimi as shkumes,
ai i mblodhi shkronjat nga prapa deres,
si zogu farat qe binin fushes..

Ai i hidhte germat mbi rrasa,
nji e nga nji u bënë tridhjetë e gjashtë,
një ditë mesonjsi e kapi si trincen në gracka,
e shtini në rresht, me doren në qafë..

Dhe për habi ai ishte i pari,
i pari pa u ul as dhe një ditë bankes së thjeshtë,
mesuesi për faqe pak e kapi,
e kaloi menjëherë në klasen e tretë..

Ai nxansi i rrasave të gurit,
dikushi u bë, i njohur gjithëkund,
se kishte nisur dritezimin tej , në Fisin e Merturit,
mbi rrasa guri, aty në katund..

Se dielli që leshohej prej majes së Kores,
iu kthye në dritë, në shtegtime shpirti,
në etje për dije, udheve të panjohunes
larg, oh sa larg, matanë të një Fisi!



 
KUSH KA SHKELË

MBI BRENGËN TONË

Brengën tonë burgosun shpirtit,
kush ka shkelë që nuk la gjurmë,
vetem andrra nisun hijeshem,...

vjen e shkon na len në gjumë.

Brengën mbjellun kohes ikun,
ikun jetes por pa humbë,
aty rrin si një relike,
muzealja, dertun shumë.

Nder ofshamat e saj rroj,
ato lugjesh, mbi shkambinj,
nuk po di ti a i dëgjon,
a po e ndjen ti shpirtin tim?!

 

 
PSE E U KTHEVE ME BUCELË

Kroni ku vinin në radhë,
trupin drejt, belin me dredha,
nuset me kurmin e bardhë,
shpesh me to çikat e reja.

Tash për njanen po marr mall,
kur blej shishet te dyqani,
shkri mbi gotë fytyra e saj,
tak..takk zemrën në vend ma ndali..

Se dikur udhes nën hije,
nën hije panjes, në buzë muzgu,
bucelen drodhi në brijë,
rrokullomë mbi gur ra uji.

Ajo drodhi tinez shoqeve,
dielli kur po hupte në lugje,
dhe ma dha një puthje të zorshme,
ma e bukura që s`gjen hupje.

Sot për njatë bucelë të zbrazun,
më djeg shpirti, bahet zhari,
se ajo mramje e kallun,
kurrë, ma kurrë s`u ba sëgjalli!

Thursday, August 29, 2013

Fehmi Korça: E DUA JETEN



FEHMI KORÇA

E DUA JETEN

E dua jetën
Zgjohu truri im,hapu të lutem
në atë hambar thellësie.
Të kërkoj të pakërkuarat,
e ti them vuajtjes se nuk të kam mik.
E dua jetën.
Ngritu arsye përtej shpresës.
Të puthi realitetin në mes t´ballit.
Ti them ëndrrës largohu,
ta varrosi në ditë me diell.
Jam lodhur nga pritjet e kohës.
E dua jetën.
Thuaje fjalën e përbotshme,
në ekuilibër jeta ka hile.
Truri ky gjenerator para kohe gabon.
Por mos gjyko,kërko realitetin.
Ta duash të vërtetën.
Dua rrezet e diellit,
edhe atëher kur kanë dhëmbë.
Dua hënën e plotë,
edhe kur kalendari shenon,
trembëdhjetshin e së Premtës...,!!
Dua cdo gjë
por nuk e dua ngatërresen.
Nuk i dua vuajtjet e të tjerve..,
Të gjithë e duam jetën.
 
Fehmi Korca
Kirchenthumbach

Wednesday, August 28, 2013

Ramadan Asllani: FËMIJA E PLEQËRIA

 
FËMIJA E PLEQËRIA

E kisha lakmi fjalën e pleqve,
Dhe vendin ku rrinin e flitnin,
Por ma mërzitnin llafin kur thoshin:...

“Nuk ka më e keqe se pleqëria!”

E pëlqeja kur thoshin:
“Plaku është si fëmija”
Se fëmijë isha atëherë,
Me lojërat e mia!

Thosha edhe unë jam burrë!
Se plaku qenka si unë...
Por tani nuk e di,
A jam fëmijë a plak me gunë?!...


Ferizaj, më 28 gusht 2013

Friday, July 26, 2013

Buqetë me poezi nga Zejnepe Alili - Rexhepi


Zejnepe Alili - Rexhepi

Buzë liqenit

Kur diç më pëshpërisje...
u deha nga ngrohtësia e diellit
nuk t’i dëgjova fjalët
e joshur me bukurinë e liqenit,
padiktueshëm më përkëdhele dorën,
unë vazhdoja me fjalë bindëse
se sipërfaqësore është bukuria, teksa
e përhumbur thërrmoja myshqet
mbi shkëmbin ku ulur isha...
më dëgjoje me kureshtje,
sytë i kishe plot dritë,
bëlbëzoja pa kuptim, si në dehje
se gjetiu kisha mendjen.
Oh, për një jetë të doja,
veç dyshimi më helmonte
për ca arsye të vjetra...
dhe doja të ndrydh ankthin
që pamëshirshëm shpirtin më shtrëngonte
atë çast, dilema kaloi...
me puthjen që ma le mbi buzë.
S’ di ç’ndjeja në çast...
po akoma dridhem për atë puthje.
Ishte fillim i një dashurie!




Shikimi i një miku

Mos i dëgjo fjalët e botës,
ata s’e njohin dashurinë!
Miku im i dashur...
pa mëdyshje duhet filluar jeta,
lodhja le të dergjet në greminë
fatin mbështet mbi zjarrin e shpresës
kur dashuroj s’e honeps mashtrimin,
në ëndrrat e tua s’dua të jem e harruar
as verbërimin e diellit në sy ta kem.
Të lutem, pa ngurim më fal shpëtimin
vetmia më vret nëse jeta s’më fton!
Mos dëgjo fjalët e botës,
i dashur miku im...
më shiko në sy e më thuaj se më dashuron.

 


Tulipan gjak

Në bukurinë e pranverës
Shijova aromën e tulipanit
Oh,jetë
Që kuqëlon me gjakun tim
Ngjyen tulipanin e falur
Me kujdes dashurie.
Njerëz . . .
Më venitët shpresën
Lules ia ndalët rritën
Doni ta ndrydhni jetën
Në grushte pamëshirshëm
Pa vulën e ndërgjegjes
Se jetën ma fali Zoti.
Dhe..., peng më mbeti fati
Për një buzëqeshje
Mbi hijen e ujërave
Në gjurmët e zemrës
Këndshëm stolis përrallën.
Soditje

Në bebëzat e syve tu
për jetë shoh lumturinë,
begatinë e shpirtit,
pavdekshmërinë e dashurisë.
Të gjeta fatlumsisht,
thesar guaske në fundet,
të ngrita në altar...
Je idhull i vërtetë.

 

Dëshirë e vrarë

Me hapërim drenushe kah ti nisesha,
përshëndetja të varej në buzë
puthjet i kurseje...
s’di pse vrisje dëshirën?!
Dielli im i zjarrtë,
më josh me rrezet e tua
admirimin kam shpresë jete
udhërrëfyese dashurinë
puthjen ballsam
netët prehje me ty.

 


Shtegtimi i fatit

Në pasqyrën e shpirtit reflektohesh
thyen rreze dashurie
për t’i ruajtur kujtimet,
me puthjet që prekën në ty
kur vinim prej së largu
për të ndjekur fatin
në dheun e lindjes, zog në shtegtim,
në flakën e nxehtë, xixë e pashuar...
të dëshirova këndshëm ,
mbete mall i pashuar.

 


Si buzëqeshja e jetës

Mbi kaltërsi të liqenit jetën pasqyroj,
me lulevjollcat që më stolise flokun e zi
pas puthjeve të ëmbla që më le mbi buzë,
zemra gufonte në pellgun e lumturisë.
Rrezet e diellit më miklojnë ëmbël,
si prekjet e tua të përndezura!
Dhe ja ...
befas ca pikëza shiu,
sikur duan të prishin këtë bukuri Maji
me mallin e së bukurës pranverë,
si stuhia që zbukuron legjendat,
përvajshëm në tingujt e një balade.
Një puthje më rikthen në jetë
më zgjat dorën për te kulla e dashurisë
një lulevjollcë e nisur për udhëtim,
në kraharorin e mikut magjepsur në shikime
valëvitur mbi imazhet e liqenit
ku rishtaz pasqyrohet jeta.

 

Dikur

Të desha prej kohësh,
ëmbëlsisht të puthja në ëndërr,
agimeve rendja me shpresë
të shuaja mallin që digjte,
pranë të qëndroja saherë
e s’të shikoja dot
digjte shikimi i syve tu,
kur prisja një premtim dashurie,
testament dhembjesh do mbetej
jeta ime e përgjëruar
për një të ardhme të lumtur,
nga një trishtim i shkuar.
Përreth t’i ndjeja gjurmët,
dinakërisht e ruaja miqësinë
kudo të ndjeja, edhe në shpirt
për jetë zemrën ma ke thyer,
për një përshëndetje
ku do të varej shpresa,
me buzëqeshjen e kursyer,
me fjalën që shëron.

Monday, May 13, 2013

Brahim Avdyli në Sofra poetike

Nga libri Poetik

 
„NË HIJEN E ALPEVE”

Rilindja, Prishtinë, 1983





OPINGAVE TË MIA


Poetët e mëdhenj do të qeshin
me këto vargje për ju

do të neveriten nga era e djersës
dhe era e baltës.

S’ka gjë,
ata kanë tema të mëdha-
fjalori i tyre s’na përmban,

le të na pranojë kjo tokë
ku hapin e lëshojmë pa drojë
me estetikën tonë kryeneçe-

poetët
le të kërkojnë nëpër libra
fjalë të mëdha!

______

*) Me këtë poezi programatike fillon botimi
i poezive të fillimit të viteve ‘80. Ajo shpreh
programin e poetit për ngjarjet e mëdha.



TORZO E SHPIRTIT TIM


A mund të komunikoni gjë me njerëzit
unë dhe koha ju gjymtojmë nga pak-
pjesët e copëtuara veç unë ua njoh.

Sa mëkat
ju lindi dhe ju rris të gjymta
për ta bartur tërë jetën
brengën e fjalës së pathënë
peshën e fajit që më përvëlon.

Kështu siç ju shoh
vetëm mua më lëndoni në shpirt
pse s’ua fala bukurinë-
e vërteta është e hidhur si vetë ju!

Lindja juaj lindje e vështirë
vargje të mia-
torzo e shpirtit tim!


YLLI PIKONTE GJAK


E kam hapur kopertinën
e historisë në muzeume-

në bebëza dyshimi
rrënjët m’i ka mbjellë

dikush në daulle
hidhte vallen e çoroditur

në sofrën e shekujve
zogut
helm i përgaditej!

Qiellit me re të trembura
ylli pikonte gjak….


E VETEN
E MADHËRON ME FJALË


Kur shqetësimi i detit
përplasej idhshëm brigjeve të kohës
dikush mbillte farën e dështimit

deti përkundte
valët e mllefit

stuhitë pillnin diçka të re në kohë
stërkalat kaltërorin qiellin…

Kush i vodhi pra
pranverat e mia-

djalli në mes të njerëzve
maskën e ëngullit mbanë në fytyrë,

morden e shkep me lule
e veten e madhëron me fjalë !


PËR AGUN
E NJË ËNDËRRE


Në ç’breg do të përplasen
dallgët e këtij vërshimi

yllit tim sa rudha
do t’i shtohen në ballë

shumë herë më ke thënë
me zjarr mos luaj

e thonjtë ke fshehur
për agun e një ëndërre

një ditë do të çmendem
me marrëzinë e sendeve

dhe s’do të jem tjetër
pos një pikëquditëse e ngrirë!


PJESËT E EMRIT

1. (Te ishuli i sirenave)


Kah deti rrodha
me lumin e dëshirave
dashurinë si barkë - ëndërrat vela
grushtat plot rreze t’i sjellë në Itakë

Polifemi përtypte pogaçen e diellit
te Ishulli i Sireneve këndonte vdekja!

E dallgët e dhembjes së përgjakur
rrëmbyen lopët e diellit-
Popsekdoni e zgjoi detin në stuhi,

në sytë e mi
ëndërrash shterrur
Nimfa Kalipso mbolli mashtrimin-

pjesët e emrit humbën nëpër rërë.


2. (Bishti i cigares)

Krejt çka më ka mbetur
nuk mjafton për vargjet,

nëse rastësisht u desh të gjendem
në mes valëve të turbullta
s’është e thënë të fundosem…

Sa keq
gjishtat duhet t’i djeg
për ta kuptuar rëndësinë e gjërave të mia !

3. (Gota)

E shterre burimin tim
për etjet e huaja
pjesa ime e mallkuar!

Tash ke për të pëlcitur
prej zbraztësisë

si buzët e mia do të bjezgohesh!

E shterre burimin tim
gjithmonë në duar të huaja!

4. (Guri i mullirit)

Si su lodhe duke përtypur
rruzat e bardha të jetës
mëkatar i rëndë,

kur s’do të kem asgjë
do të hash vetveten pa tjetër!

5. (Gurra)

Hullive rrjedh
damar i kthjelltë i trollit

rrjedhën tënde
nata s’e përgjum

freskinë ta xhelosojnë
djajtë dhe hyjnitë!

6. (Pasqyra)

Para teje
në maje të flokut
më lulëzonte çmendia

sytë më ngjanin
në varreza të pa mbuluara !

E mbaj mend-
të goditja
si Moisiu ndërgjegjen
me shpatë të zhveshur.

7. (Shporta e grisur)

Në barkun tënd të plasur
hija e natës shkujdesur fle

damarëve të një filli të mundur jete
ylli fiket përvujatshëm e ngadalë
si dhembja e gjërave që s’janë më

e asgjë në dorëzën e brejtur harrese

asgjë në boshllëkun tënd
pos viteve
që rrodhën ndër plagë !

8. (Kërruta)

Thinjat e mia
i bart mbi supe

nganjëherë
dridhesh në ngashërim
për rininë e ikur djerrinave

peshën e viteve
ma bart mbi supe,

hapat e fundit m’i numëron.



FLETË TË SHKËPUTIRA



Në sallën e ambullancës doganore
Rezultatet e shikimit mjekësor presim
Spanja unë dhe Italia,

grupuar sipas valigjeve të dhembjes.

Sa të ngjarë ka kjo sallë
me fytyrat tona-
historira të shkruara ndër rrudha,

Sytë-
fletë të shkëputura ndarjesh!

Rentgeni
nuk i lexon si unë zemrat tuaja
as mushkëritë e grisura
s’ua sheh dot rentgeni!


(Chiasso, 1980)



BREGUT TË LIQENIT



Shëtis bregut të liqenit
më i quditshmi unë e vetmia,
dielli varet pas kodre
puhia fryen: vërdallë ma sjell
përfytyrimin e vendlindjes.
Qe një pëllumb në qiell
qe një korb-zi pas
qielli mbushet krrokamë përgjakjesh
një barkë e zbrazët lëkundet mbi valë!
…Në këtë shëtitje mbrëmjeje buzë liqenit
brigjet e ëndërres dhembja ime i rrah!


(Locarno, 1980)



ZOGJTË NË IKJE
I PUSHTOJNË LARGËSITË



Zogjtë në ikje pushtojnë largësitë

ndarja
jehonë trishtimi
binarëve të kujtimit
shpërdanë dhembje

zgjas duart të të mbërrij-
gishtave të mi
pikon vetmia

heshtja vret fjalën e pathënë mbi buzë-

zogjtë në ikje pushtojnë largësitë…




KUR DUA TË FLAS,
MBETEM I PAGOJË



Sa herë i ndez qirinjtë në shpirt
filloj përvuajtëshmërisht të digjem

vjen shtërgatë e zezë atëbotë
e piramidat e së vërtetës m’i rrëzon.

Sa herë i zgjoj damarët e gjakut në këngë
e zjarre në zemër i ndez
për ata që ngrihen në hije

vjen fantazmë e mjerë
e më lidhet në dorë…

Dhe kur dua të flas
mbetem i pagojë.



SHTIGJEVE
KAH DO TË VIJE TI


Pres
shtigjeve kah do të vije ti
shpesat çelin
shikimet drejtohen si lutje
si përgëdhelje

diku në male bien lodrat!

E pse të mos mendoj
se në çdo çast
mund ti dëgjoj hapat e tu mbi barë

lules në dorë aroma m’i zbehet ngadalë!

…Shtigjeve kah do të vije ti
borë po bie, borë po bie-

Diku në male ulërijnë ujqit!




TË MERR E NUK TË KTHEN


Nuk mund të pajtohesha
me vrimat e qiellit-
frymëmarrjen e grisur

dhe kaptova male
prej humnere në humnerë.

Tash bulevardeve endem
në këtë ferr neoni
e s’di cili shteg
lul-ëndërrën e kuqe ma rrit.

Një gjë e di-
ka rrugë në botë
që të merr e nuk të kthen

ka diell në botë
që ndrit e nuk të nxen…

(Sursee, 1982)


ERDHA PËR FJALËN TËNDE



Erdha për fjalën tënde
tokë me plis të bardhë,

sa mall kam ndier për pllugun
hullive të dhembjes

po ngjitem shkallëve të gjakut
me historinë e fjalës së kuqe-
baladën e dashurisë së zhuritur

për shkepëtimin e rrezes në ballë
shpalosjen e bardhësive në bebëza

për fluturimin e papenguar të zogut
sofrën plot këngë: “bukë, kripë e zemër”…

Erdha për fjalën tënde
tokë me plis të bardhë !

(Morinë, 1982)








Nga poema
“BUKA E KUQE”

"Atdheu", Zürich, 1990




BRUMI I LIRISË


(Poemë )


-Protestës gjithëpopullore shqiptare
kundër politikës nacionaliste, hegje-
moniste dhe diskriminuese të Serbisë,
kundër terrorit shtetëror, dhunës dhe
krimeve të pafalshme të Jugosllavisë
mbi popullin tim-
posaçërisht të rënëve dëshmorë-

me rrespekt e nderim të thellë,
Autori.

1.

Kosovë,
në brumin e ditëve tua
shlligat vjellin helmin e urrejtjes

gatuajnë kohën në ty
si bukë pelini

shlligat e rritura
enkas për këto çaste...

Larat
e shpluara mbi shpinë
janë alarmet e fundit
të një drame, apokalipse
që të pret...

2.

Helmi i tyre
terapi e pazakontë-

sa më shumë t`a shtuan dozën
në palcën e durimit
rezistenca, qëndresa të rritej,

e mbete bimë që s`vyshket
as me fletë as pa fletë

e mbete trung që s`thahet
as me pipa as pa degë...

megjithate,
fjalë e pathënë gjer në fund !


3.

Kush në botë
pat në magjen e fatit
kaq shumë tartull në miell

gërshërë nëpër gishta
shpata mbi kokë

kaq shumë dhembje në këngë
kaq ushujza në ballë
e kaq plagë,

kaq kinzla në ujë
gas kimik-helmik në hapësirë...

Kush në botë
Kosovë
pat kaq mjegull rreth sysh

e kaq Diell në zemër !?

4.

Unë t`i njoh moj
të gjitha përgjakimet tua,

t`i njoh se të janë puthja e parë
e çdo dite të re në ballin tënd

jetë i thënçin !

Se nëpër to prore kemi rrjedhur
shtegut të xhungllës, shtegut të ferrit

shteg i thënçin !

5.

Tash kalojmë nëpër Luciferr
nyja e fundit-
i nënti shpirt në trupin e së qenmes

është tel i hollë
mbi magmat e ndezura të mallkimeve
që ndanë të kaluarën e të ardhmen

sa fija e flokut larg flakës
sa fija e flokut larg hirit
sa fija e flokut
larg portës së bardhë
të shpëtimit

purgatori pastron-
pastroftë të zezat e fatit Kosovë
përgjithmonë !...

6.

Shlligat përreth teje
janë mendimet barbare për ty

të gjitha ligësitë
e fshehura e të pafshehura!

Nga hullitë e qelbura të nëntokës
Megera i ka mbledhur
me helmin e etjes së tyre
nga epshi, ankthi, mëria
të tharmë brumin e kohrave-

aq sa edhe shekujt
të sëmurën nga urrejtja !

7.

I ligu përligj ligësinë
e ligësia është shpirti i xhungllës.

Kur ringjallet ajo
çdo gjë thyen përmasat,
konceptet,
e parashikimet humbin
nga dendësia e botës së egër,

mishngrënësit gëlltisin jetën,
bari rritet për t`i fshehur gjurmët,
sytë e tokës kalben ngadalë,
demonët kthejnë ujrat në qelb...

Oh, Megera është Zot i Lig !
Hiqeni, hiqeni Megerën !


8.
Ajo kohërat do t`i çmendë
tartull duke u dhënë

Zot i prapësirave-
bukën e gënjeshtrave gatoi
me brumin e besimit të verbër,
dhe dushk për gogla shet.

Nëntoka e saj dhe Kosova
janë antinome,

Kosova mban Plis të Bardhë,
s`i duron fëlliqësirat, katranet
mbi horizontet e bardha të shpirtit,

Kosova
është pasqyre e përgjakur dashurishë
për të mbetur gjallë !


9.

Ajo
në sofrën e Zemrës
shtronte pogaçen e shpirtit
kuq si Diellin e ëndërrave të veta,

u lutej Zotrave
të mos ia hidhnin plafin e muzgut
pa një mik,
pa një yll në qivurin e bjeshkëve
për t`u bërë dritë,

shtronte raki rrushi
nga rrushi i zi
i syve të buzëqeshur
edhe në mjerim...

Kosova-
bujari e tepruar !

10.

E tash
hallemadhja nënë
ngjyen ditët në shëllirë,

mbledh fëmijët
me zemër të cfilitur,
ua ndan nga pak misërnike
nga një copë qepë
nga një kokërr djath...

Fëmijët e hallit pyesin
për tollat e kuqe të gishtërinjëve
për lotët e përgjakur
që i rrjedhin ,

ndaj lënë mënjanë
koret e përgjakura
e bredhin të pangrënë, të etur,

dalin nëpër dritaret e durimit,
lëshohen prej katesh
të dhembjes së tyre të pastërt
mbi tokën e ndotur
mbi tokën e gërvishtur thellë
nga dhëmbëzorët-

bredhin
me një fitil të hollë frymëmarrjesh-
gazi kimik përditë ua sos
nga pak mushkëritë

ngrehin gishtërinjtë lart
duke thonë:
- Ti ngrehim të dy duart,
Qielli të mos bie !

11.

Eh, fëmijët e Kosovës !
Janë zogj të përndjekur.

Asnjë pip të qetë s`ua lënë korbat
asnjë kënd të ngrohtë s`ua lënë retë
asnjë rrobe të pagrisur
s`ua lënë drizat e fatit
asnjë fushë me lule kosat s`ua lënë,

po po,
fëmijët e Kosovës
janë të predestinuar !

12.
Fëmijë të pa lodra janë ata,

vetëm në lozshin me gazin e fikur
vetëm në lozshin me emra të përbuzur
me të cilët i thërrasin,
me shpullat e ngjeshura,
me rafalet e kobshme
që i godasin,

me flamujt e melankolisë
duke paramenduar
pak gëzim në mënyrën fëmijërore,

po, ata s`kanë asnjë lodër
pos prindërve të përjashtuar nga puna,

ashtu janë vetë lodra
në duart e egra të viteve !

13.

Sidoqoftë,
a s`është privilegj kosovar
të kesh prindin në shtëpi,

sa kush është nisur nga shtëpia
e s`është kthyer me të gjitha gjymtyrët,
sa kush është nisur
e s`ka mbërrirë të kthehet në këmbë,
sa kush ka humbur rrugën
ditën për drekë
e ka mbërrirë në qendër të listave
nga të cilat kurrë s`ka dalur
i vërtetë,

sa kush...sa qindra mijë ?!

14.

Shumë të tjerë
u shtruan në sofrën e dhembjes,
ata s`janë më
për të ndarë bukën e idhtë të jetës,

të përcjellurit, të ndjekurit,
të privuarit nga kjo hapësirë fryme,

ata me nekrologjinë
e frymëmarrjeve të pëlcitura
në kush e di cilin çast të kobshëm
mbi truall,

qirinjtë e ndezur të rrugëve
dishepujt e dritës së rrugëve
apo shënjtorët e rrugëve të Dritës-

Ata, Lavdi Paçin !



15.

Ranë të puthin Tokën
një grusht dhe të shtrenjtë
për një buzëqeshje fëmijërore,

furtunave të krisura
gozhufin e shpirtit ua kthyen
hodhën rrufe klithmat
drejt shtëllungave të mnerit
e bulëzuan në çdo pip
nëpër çdo degë
nëpër çdo rimë të ndrydhur
këngësh,

ata e shkrinë
ngjyrën e gjakut
me brumin e ditëve që do vinë
që të gatuajnë
me tërë qenien
Buken e Kuqe të Lirisë !

16.

Se Kosova e thotë fjalën
pa iu dridhur buza

dhe vdes
te këmbët e mendimit të vet
si para lterit,

nuk pranoi kurrë
baltën e fjalëve
që s`ia deshi zemra-

Kosova
është tempull i flijimit
për të vërtetën !

17.

Më kot çirren
fantomët e natës

pështymën e mykur të shekujve
më kot e gjuajnë
mbi fytyrën e Diellit,

fantomët e vdekjes-
të mbështjellurit
në hekur e pancir,
në mjegullnajën e mizorisë-

Kosova
flet e vdes burrërisht !

18.

Pranë secilës pikë gjaku
ndizet një Kujtim

pranë secilës pikë gjaku
ndizet një Dritë

dhe me të gjitha
v e t ë D I E L L I !

(Prill, 1990)











Nga libri poetik
„KUR ZGJOHET DODONA”

Rilindja, Prishtinë, 1992



NË VEND TË PARATHËNIES


Qe shtatë vjet
zemrën e shtrydhë mbi ty:

Herë më dukesh pak, aq pak
sa fytyrën e zë me duar!

Herë më dukesh shumë, aq shumë
sa s’di se ku të të lë!

Qe shtatë shekuj shtoj e heq
të njëjtën Dhembje, Shpresë

E botës për aq kohë
i paska ikur zemra-
s’paska se ku ta vë dorën!

Bota! Fjalë absurde bota!
Shpesh herë më doli si dredhë
për ty-

Athua,
pas sa dredhash do të dalësh në dritë!



KUPË E HIDHUR


I dua njerëzit
dhe gjëra të bukura
te ta kërkoj

Ata flasin për të kaluarën
për ëndërrat e së ardhmes

Midis ekstremiteteve
e tashmja përvidhet e tallet me ne.

I zemëruar kthehem te ti, poezi
se gjëra të ëmbla
të të dhuroj s’ kam


Ato që i kisha t’i dhurova
përgjithmonë,
por mirë u bëftë-

Unë
qe po e ngre
deri në fund kupën tënde!


A DO T’I MJAFTOJMË
TË VËRTETËS


Kurrë nuk lindët ashtu si desha
Kurrë s’u rritët ashtu si duhej

Jeta më vuri herët nën këmbë
disa u lindët para kohe
nga pesha e rëndë
disa pas kohe

Dhe mbetët shpesh bonjake e të braktisura
përderisa mund të ngrija sërish
kurrizin e thyer

Vargjet e mia
kurrë s’e thatë tërë atë që desha
kurrë se mbrujttë tërë atë që e thashë

A do ta shprehim…
A do t’i mjaftojmë së vërtetës!?


INTIMË


-I kushtohet Sh. (Shqipërisë) *)


Vazhdimisht mendoj për Ty

Më e zjarrta fjalë më je
më e djeguara fjalë jam unë

Larg ndodhem
aty ku lugu i mallit
lëviz gurët e masbesimit
e zemrën bluan përditë

Po ndër ëndërra
Unë dhe Vegimi yt!

E ëndërra…
Kush mund t’i ndalë ato?!

Së paku aty
përmallshëm bashkohemi!


______
*) Përkushtimi nuk doli në libër dhe dy vargjet e fundit u ndryshuan me të padrejtë nga redaksia.


FËMIJËT E MI


1.
Portreti juaj
e rrah babin kudo nëpër botë-

sytë tuaj
me pritjen e stpepur
e hapësirat e uritura nën qepalla…

2.
Në çdo mendim
në çdo hap më lidhet
molisja fëmijërore e përcjelljeve
dhe lëmshi i qindra pyetjeve
të papërgjigje!

Ore fëmijë!
Kur pat babi aq kohë
t’u përgëdhelë

Do të vijë dita
e do të më mbledhni cukla-cukla
nëpër rima nëpër shtigje-

dhëntë fati e të mbërrijmë *)
në ishullin e buzëqeshjeve tuaja!


______
*) Edhe këtu me të padrejtë është ndërruar koha nga redaksia.


MEGERA


Mbi maje të fronit
është ulur Megera

Me tis mjegullash
i mbulon epshet
me kurora lulesh
Zilinë,

Me njëren dorë rrah
karvanin e viteve
me tjetrën lëmon vithet

E Olimpi dridhet
shembet përditë
nga ngërdheshjet e saj

Ajo pa pra
fshikullon pa pra
karvanin e zotërave!


QIELLIT TË FËMIJËRISË


Qiellit të fëmijërisë
kuçedra kulloste
tufën e reve

Nëna prore tirrte
shtëllungat e fantazisë
dhe zgjaste perin e rrëfimeve për te

Lëkundej vendit me ta zënë në gojë
pështyente anash në fund të rrëfimit:
-Pfu ! E hëngërt ujku të mallkuarën!

Unë stukesha në dhomë
sa herë e mallkuara gjuante
ushtat e vetëtimave

Mezi kam pritur Dragoin
të zbrazë mbi të
topin monstruoz të murmurimave!



KUAJT E HAZDISUR


Me zgjebën e turpit
e pak kaltërsi të imagjinuar
mbi lëkurë
hazdisen rrugëve

Nga një yll i zverdhur
rremat e thyer
mbi kablosh u lëvar
e kobin e egërsisë
troklodhjne mbi dhe…

Kujdes thnegla, lule, bimë
kaujt e hazdisur po vijnë! *)

____
*) Kjo poezi, sikurse ajo para kësaj, në mënyrë klasike e simbolizojnë dhunën serbo-sllave mbi shqiptarët. Ajo shpjegon ardhjen e shpejtë të milicisë sebo-sllave për të zhvilluar fushatën e gjenocidit të madh antishqiptar, për çka autori i lut thneglat, lulet e bimët të ruhen nga “kuajt e hazdisur”, që do të vinin...



KORNIZAT E BUZËQESHJES

1.

Vij në ty kohë
me kthejtësinë e vesës mbi fjalë
dhe të sjell
buqeta frymëmarrjesh të pastërta
majemalesh

Vij në ty
me etjen e lules për Diell
e mugulloj
në përqafimin e parë të rrezes

Ti ma nxjerr
gjuhën e palarë
dhe fjalët i vë
në një sintaksë të çuditshme
ngërdheshjesh!

2.

Në plantacionin e dhembjeve
këpus bimët më të zgjedhura
e i thur kurorat
më tipike

Të ndjek e të ndjek
derisa venitem
shkretëtirave të përbuzjes

Të ndjek e të ndjek
e të gjëj
në llumin e instikteve
duke shitur shpirtin
e duke përkdhellur
këlyshët e vesit!

3.

Pastaj
më kot i ndërron
kornizat e buzëqeshjes
e ua reklamohesh ditëve të vrara
me pelerinën e zhubravitur
të ëngjujve

Më kot i mbledhë
thërmijat e nënqiejve të përmbysur
copat e nëntokave të gremisura
e përpiqesh
të rikrijosh ëndërrën time
për të Bukurën
dhe iluzionin e rremë
për vetveten…! *)

______
*) Nga kjo pozi redaktori Ali Podrimja tenton t’ia ndërrojë emërtimin e përmbledhjes “Kur zgjohet Dodona”. Në revistë kishte një titull të përbashkët “Buzëqeshja në kornizë”. Më vonë, Ali Podrimja doli me titullim e vet “Buzëqeshja në kafaz”, që nuk është në rregull.


PASQYRA MITIKE


Njeriu është pasqyrë
në të cilë shikohet
Jeta,

e jeta një pasqyrë
ku shikohet bota…

Imzot,
kur s’është pamja e bukur
kush i ka fajet?!


ORA QË NUK MË DUHET


Uria ime
paska vënë orën në provë
nga dëshprimi
akrepat po i çmenden

E dhembja e paska lodhur
të ecë me kohën s’mundet
të pushojë nuk bën

Dita, e zezë dita
është e ndalur edhe ajo e dridhet…

Këtë orë
kush e blen pesë para, këtë orë!


DITA NË ÇËRNOMELJ


Dymbëdhjetë orët i thyem
me çekanin e durimit të pashterrë
e dëshprimin e përtypëm
në mëngjes e në drekë
kanaleve të Çërnomelit. *)

Në mbrëmje
u kthyem me nga një ditë të mundur
lamë nga duart pluhurin e mospajtimit
e ngjyem
për darkë kafshoret e shikimit
në vezët e fërguara të hënes…

Sa e gjatë dita në Çënomel!

Cernomelj, 1986)

______
*) Ky është qytet në Slloveni ku ka punuar fizikisht poeti. Për herë të parë poeti dërgoi një cikël poezish në shtyp dhe në libër, me titullin “Këmbanat e pikëllimit”, që hapi temën e emigracionit politik të shqiptarëve brenda Jugosllavisë. Në libër ato u sakatuan në tri poezi të gjymtuara.


NJË LETËR E PAZAKONSHME

I.

E shkruaj këtë letër
Në mënyrë të pazakonshme:

Në vend të fletës
faqet e zhubravitura të fatit

Në vend të lapsit
kazma e lodhur

Në vend të shkronjave
gufimet e gjakut

Në vend të shenjave
barrierat e jetës!

II.

Dramën time të përditshme
s’ta dëshiroj biro,

Se ëndërrat që mbolla per ty
s’u rritën

Me dritare të mbylluara
në vazon e ditëve…!

(Crnomelj, 1986)


METROPOLI


Jam pjesa jote më e përbuzur!

Çdo gjë që më jep
është një buzëqeshje e zhytur
në falsitet.

Duke u zhvarritur trotuareve
të besdis kur nuk mund t’i ndryj
të gjitha dufet

që m’i grumbullon
herë pas here përroi i jetës së ndrydhur.

Në xhamat e vitrinave tua fytyra ime
më përqesh
më shikon ftohtë sa të gjithë dimrat e fatit

ja si fryn
përshëndetjeve tona të përditshme!

E më jep një numër të rremë ditësh
mbi njëzet është teprica e numrave

Të duhen për të ngritur mbi mua
katet e dhembjes.

Më kupton si gjeth të rënë
nën fshikujt e vjeshtave njerëzore
e pa mua s’jeton, e di-

të duhet pak dhe i shkrifët
shtojë e mbulojë për t’ia hedhur farës
së ditëve të gastarta.

Bërllogku dhe plehërat
herët mëngjeseve i dëllir dita të mos i gjëjë

s’u dashka të shoh gjithë atë që vjell terri
para se të fillojë dramën e vet,

Unë pyes, lejomë,
a vjen në ty dita, a e di ç ‘është mëngjesi?

Më mirë të hesht-
Damë e rëndë blloqesh!

(Zürich, 1989)


KUR ZGJOHET DODONA

I.

Fryu rrugëve të Dodonës
erë e marrë,
baltë e dhe hodhi mbi lulekuqe

Orës së qytetit
ia kurdisi kahun e vet
e qorrsokakët i zgjoi
si krahë të oktapodit
ta gllabëronin Dodonën e heshtur
një ditë
Njerëzit
ndërruan emra ndërruan kahet
ndërruan ëndërrat

Se ora
maste kohën gabimisht!

II.

Njerëzit
iknin nga qyteti
njerëzit vdisnin të vetmuar

Urat e gurit
përditë nga pak i shembeshin
në gji
nën karvanet e dhembjes

Atje tej
malet rrisnin thellësitë

e në magmat e palcës së globit
ushqenin damarët e Dodonës.

III.

Kur zgjohet Dodona
nga gjumi shekullor

shatërvanet shpërthejnë
në gejzerë të valë

Qytetit
ia lajnë fytyrën

e monumentet rriten
me shkëlqimin e bronztë!…


(Gjakovë, 1978)


NOSTALGJIA PËR DRITË


Lisat e jetës po shkundin gjethet
e dallgët e dhembjeve tronditin liqenin
në fund të shpirtit

E sa trishtueshëm
e shoh diellin rrëzë plepave
me kokën e kthyer teposhtë si fëmijët kur lozin
Më buzëqesh dhunshëm
larg, përtej shtatë kodrave
prej kah nuk më zgjon tjetër pos nostallgjinë
për dritë

S’jam për lojëra të largëta e pakuptim o diell
lisat e mendimeve të mia
po i shkundin gjethet e iluzioneve të zverdhura

sa m’u deshe e s’ma zgjate dorën
më le të thahem përdritjeve të hënës
me le të përlcas ulurimave të territ

E u desh në kaltërsinë e fjalëve të vëmë
shëmbëllimin tënd
për të mos na zënë trishtimi

Prandaj s’do të vdesim-
zemra jonë
është diell për stinët kur ti mungon !


(Zürich, 1989)


FLAMUR QË S’PËRKULET

-J. Gëvallës
dhe K. Zekës *)

Kam ca vëllezër
që më ranë rrugës
për ty Kosovë,

Varret në zemër na i lanë
dhe ca fjalë të fundme-
ca themele që s’tunden!

Në një pishë ëndërrat i shkrinë
E na i lanë peng të perjetshëm
drejt Diellit të ecim,

Ndaj
po qe se do të më djegë
nesër Flaka e Shpirtit

merrni nga kënga
amanetet e tyre-

atë flamur që s’përkulet!

_____
*) Rekaksia e hoqi përkushtimin dhe rrumbullaksoi vargjet.


KUR BIE NATA


Kur bie nata
bota mblidhet kruspull
me lecka të dhembjes
mbullon gjunjët e tharë.

Kur bie nata një ditë e vret veten
në një mendim të prishur
e mbyllet kopertina e qiejve
për t’u rrokullisur bebzat e dritës
e për ta parë veten lakuriq.

Kur bie nata
bota rrudhet
bota tendoset nga pesha e heshtjes, dhunës
dhe qindra pyetjeve që lind terri !

Nëse mund të të falem o natë
atëherë, për vorbullen e mërisë që më zien,
dhe dashurinë e përtrirë
për agun e një dite që s’përëndon-

Lum ata
që do ti shpëtojnë verbërimit tënd!!


XIXËLLIMË E SHKELUR


Fluturoj mbi ty Kosovë
e të shoh për së shtriri

Të lash
poshtë aq poshtë
sa s’njiheshe

nën këmbët e stuhive
dhe jorganit frymëzënës
të mjegullave !

Kështu,
kurrë s’të kam lënë-

Xixellimë e shkelur…!


(Charter, 1989)


PËRSËRI PËR NËNËN

-Triptik *)

Je mblakur nga Dhembjet
Përtërirë nga Lindjet

Por kurrë s’të shterri Dashuria !

____
*) Redaksia e hoqi titullin e vet dhe e bëri “Triptikun” titull, që nuk shkonte.



DRITË E NDEZUR *)


Kur do t’ju shoh ashtu siç dua
o fushat e helmit tim
kur, se plasa duke shpënë
dheun tuaj
gjyqeve të botës

duke jua thithur helmin
nëntorëve të vrarë mbi ju

duke jua njomur
kokrrat e plasura
me nga një currill fjalësh…

Po kur moj do të vijë festë maji
e të çelë hapësirave tua
dhe të mbetet
Dritë e Ndezur

tash o kurrë,
tash o kurrë, heu…!!

_____
*) Kjo poezi është marrë nga botimet në Kosovë dhe është botuar në Nëntori, 10, 1990. Në libër, ajo është botuar e rrumbullaksuar.










Nga libri poetik
“PASQYRË E PËRGJAKUR”

Marin Barleti,
Tirane, 1994.



(Një nga njëmijë letrat
e një kurbetçari
dërguar Atdheut)

Na shterrën ëndërrat,
durimi dhe pritja,
ty lëngu i kthjellët të trashet në sofër

misërnikja ftohet
mungojnë qepët e kripa
dhe leckat e vrragët e gjakut shtohen...

Sa më ka marrë malli
as të fle nuk mundem
po ashtu të shtypur, të llangosur në lot
ashtu nuk bëj ballë, ashtu s`të shoh dot

ndaj rri dhe tretem, digjem përsëri
vij apo nuk vij-
të kam e më ke në gji !...


RIKTHIM NË FILLIMIN
E NJË DRAME

Në horizontet e shpirtit tim
Kosova digjet për një fitil drite,
koha kthehet në fillin e një drame.

Si mund ta quaj rikthimin në ty Tiçino,
rrugëve të tua lash rininë e djegur
për një këngë,
kam mbledhur trotuareve të tua
duçat e cigareve,
kam ngrënë mollë të verdha
për të mbajtur frymën, për të kënduar përsëri,
e i kam lexuar të gjitha mendimet
që jeta shtroi në tryezën e ditëve...
po, s`kemi kohë të merremi me veten-
brezat duhet të ngjallen në Këngë,
koha të kthehet në fundin e një drame,

se në horizontet e shekujve përsëri

Kosova digjet për një Fitil Drite !


HALLI I POETIT
NË NJË MESJETË TË VONUAR

Kur dua të shkruaj
dikush më çirret pranë,
kur dua të shkruaj anash më përqeshin,

kur dua të shkruaj
për të ardhmen tënde Kosovë,
një qen leh në mua,
më ndjek e s`më ndahet,

kur dua të shkruaj
më flasin rëndë që të më thyejnë,
m`i lidhin duart, këmbët,
më detyrojnë të mos ulem
që mos të prekë Fjala mbi Letër !

Kur dua të shkruaj,
ulurinë nata çmendurisht...

E po ku mund të hesht
me kaq llavë fjalësh në zemër !?


REQUIEM
PËR TË DREJTËN E FJALËS

Vija me mall për të folur
duke synuar
drejtpeshimin e dashurisë

flisja nga zemra e plasur për drejtësi
që të pakësohej trishtimi i vegjëlisë,

po idetë mi ndrydhnin sapo filloja
e s`linin t`më lulëzonte fjala-
petalet ia shkundnin, fletët ia prisnin
me mëri...

Dreq o punë,
ç`kurora mund të thuren
me kaq therra ndër lule !


DETI I FJALËVE

Gjithë jeta më rodhi
rrugëve të mendimit për të nesërmen,
duke bluar fjalët
duke bluar ëndërrat,

dikush gatuan brumërat e ditëve
dikush do t`i pjekë-
e nesërmja duhet të piqet si buka !

Buka e fjalëve deshi një det prej lotësh-
Fjalët e Burrave Det u bënë...

Tash nuk ka çka flitet
duhet thyer, përmbysur,
hedhur nga kurrizi i valëve-

barrën e një jete që s`durohet !


DUKE PRITUR DALJEN
E LIBRIT TË DYTË NË PRISHTINË

Vinin e shkonin stinët dhe vitet
ndërroheshin kohërat, cenzuarat, qeveritë,
edhe rrobet e lisave ndërroheshin
edhe mosha e poezisë,
u rritën e u zbrazën ujërat
ulluqet dualën nga shtrati me kutërbim
dikush bile folka për ditën e re,
për demokracinë...
po ti sërish u mbylle, o fjalë e sinqertë
në kthinat e shtypit për t`u grisur nga minjtë,

sikur pret të zgjohet vetë Dodona një ditë
Dodona e heshtur,
e rrënuar nga smirëzinjtë !...*)

______

*) Shtatë vite me radhë qëndroj në procedurë botimi përmbledhja e dytë e autorit, "Kur zgjohet Dodona", e cila, mezi pa dritën e botimit, më 1992. Edhe pas botimit, administrata e dhunshme serbomadhe u përpoq për ta mbyllur në Depo.

Në botim u përfshinë kryesisht poezitë e verzionit të fundit (1989), duke lënë anash vargje të tëra të dorëzuara në verzionin e vitit 1986. Persona të ndryshëm të cilët ishin në kontakt me dorëshkrimin shfrytëzuan konstrukte të ndryshme figurative.


EKUACION
ME DY TË PANJOHURA
DHE KATËR VARGJE

Ç`personalitete të mëdha
ç`atdhetarë qenkan vallë ky soj
që çirren për mendimin e lirë
e hapësirat m`i vjedhin nëpër duar ?!...


PIRAMIDA

Mbi dhe
themelet e përgjakura,
kockat e thyera të njeriut

lart i madhërishmi
me shikimet e gastarta
gazin despotik
drejtpeshimin dhe peshën prej piramide.

Hiq një palë rrobe
vish një palë të tjera
nga tempulli i shekujve
ai botën shtron nën zgjedhë...

Themelet do të dridhën
do të dridhen përsëri nga urrejtja !


DREKA IME FAMOZE

Marr një copë buke e një bratwurst *)-
dreka ime famoze para Sant Antoninos:

një kafshore e një mendim,
një kafshore e një dhembje më shumë,
një dhembje e një det hapsire...!

Marr një copë buke e një bratwurst breg rrugës
rruga zgjatet gjer në Kosovë-
udhëtim i tmerrshëm kafshoresh

gjer te fëmijët e mi,
e unë kam dy milionë fëmijë
dy milionë thika në mushkëri,

ndaj bëhem vetë fëmijë para syve të botës
nga qepallat më rigon shi...

as ta përtyp as ta vjell dhembjen e pafund !!

____
* ushqim i lirë dore.


DIFERENCIMI
I TË DIFERENCUARVE
NË KUPTIM PRAKTIK

E privuan nga e drejta për të folur
sepse ishte shqiptar,
e privuan nga e drejta për të punuar
sepse ishte shqiptar,
e privuan nga e drejta për të dalur në rrugë
sepse ishte shqiptar,
e privuan edhe nga e drejta
për të menduar me kokën e vet
për të materializuar ekzistencën, frymimin e vet
sepse ishte shqiptar,
prandaj, prandaj
e privuan edhe nga e drejta për të qenë
me duar të zgjidhura
sepse ishte shqiptar...

o burra,
e çka mbeti tjetër pos për të vdekur për Liri !


PORTRET I DEMAGOGUT
NË KOHËN E TASHME

E ka qethur gjuhën nga hithrat
nga drizat
që dje i drizonin në çdo fjalë,
pardesynë prej poltroni e ka zhveshur,
kurrizit i ka vënë shtyllë platine
importuar me kredi nga Washingtoni,
pështyn idhshëm gjith ç`ka ngrënë
me larot e tjerë
në maje të Babilonit,
e sytë i mban të qeshur përherë
të mos i vizëllijnë pa dashur
gjarpërinjt e mendimit që helmon,
ndaj qetas dhe durueshëm fik

qirinjt e ndezur të fjalëve
aty ku mundet-

ende ka frikë se mos ndriqohet prapaskena
dhe duket dora e huaj në xhepat e kohës sonë !


MJER AI QË VDES
PA LIRINË TËNDE

Asnjë varg pa shkelur dheun tënd
nuk lind i bukur,
asnjë metaforë pa ujin e gurrave tua,
asnjë flutur vargjesh
pa lulet e egra të luadheve,
pa erën e lule-çajit rogave të malit,

heu larg teje Kosovë,
zemra digjet si eshka mbi gur,
mjer ai që i largohet hijes së lisave tu,
që s`e ndien erën e barit tënd,
që s`di për buzëqeshjet e rralla
të hënës mbi mal,
e që s`e mat dheun
me trupin, me këmbën, me gjakun e vet-

mjer ai që vdes pa lirinë tënde !


GOZHUFI I TURPIT

E kemi veshur
kur muarëm valigjet në duar
e tjetër shteg s`na mbet
pos botës në sy,

kur dola te pragu e mallkova veten
kurrë s`na u kënaq zemra-
kurr s`u qetësuam jashta tij

se jashta pragut as Zoti s`të njeh
jashta pragut-jashta nderit,...

o Gurë të Dheut,
shtërngoni zemrat e mos luani vendit !


LIRIKË NGA BURGU IM

As vajzë as grua s`të hy brenda
as lule s`të sjellin, as stoli
as kohë të ëndërroj
as vend të shtrihem në ty-

dhoma ime Goliotok a Siberi !

Njëherë në muaj
guxoj të fshij dyshemenë
një herë në vit pluhurin
e dhembjen, dëshprimin asnjëherë
ndonëse në zemër të botës
je ti-

dhoma ime Goliotok a Siberi !

(Zürich, 1990)


LOJA E FUNDIT ARTISTIKE

Buzë liqerit
Një tufë fëmijë
e një tufë pëllumbash
përplasin flatrat e bardha .

Barkat e mendimeve të mia
nisen sërish mbi liqe
me ëndërrën e hapësirave të lira.

Sakaq
zemra më bëhet pëllumb
e do të shpërthejë kafazin -

s`i mban dot më
këngë e vaj përbrenda !...


(Zürich, 1992)


____________
Për "Sofra poetike", Shaban Cakolli

Tuesday, April 16, 2013

POEZI NGA ABDULLAH KONUSHEVCI


ABDULLAH KONUSHEVCI

TRADHTIA

E përcolla me një pikëllim të fshehur
Në sy në buzë nën bark
I shihja gjurmët e tjetrit

Kur u ktheva
Në dhomë kishte rënë stuhia
Shtrati sikur ishte kthyer përmbys
Banja merrte frymë me vështirësi
Si një i sëmurë astmatik

Hodha shpejt e shpejt në shportë
Brekët këmishët çarçafët
Shtratin e shtrëngova mirë për këmbësh
Po hija po era e saj ishte kudo

E di se më nuk do ta takoj
Se tjetri në sy në buzë nën bark
Do të lexojë me pikëllim
Gjurmët e mia

Prishtinë, më 27 tetor 2010




 Vdekja e dytë e Gjergjit*


Kur derdhet atdheu në det
Shkulet shkëmbi fusha mali
Terri derdhet me shtëmba
Dhe thikat vezullojnë


Vlorën e zënë ethet e dridhet
(Babi, do t'i kenë tretur
Gjergjit eshtërat
Se Atdheu po derdhet
Përsëri në det)
Drilonit s'mund t'i them
Ji i fortë
Dritoni është bërë dhé


Dhe ata po e shohin
Se s'është kjo më
Lojë me qen e mace

* Vjershë për eksodin e madh në Shqipëri




Duke pritur Gjergjin e Ri


Ai do të vijë
Ti do ta çosh patjetër
Ne do të dalim dhe do ta presim
Me tupan e me zurna
Do ta marrim do ta hipim
Lart mbi supe
Do t'i brohoritim
Derisa të mos kemi zë


Ai do të vijë
Se ne e presim
Si Shpëtimtarin si Shëlbyesin
Do të shkelë këmbëzbathur
Mbi Dheun tonë
Do të ndezë qirinj
Te varret tona


Ai do të vijë
Ne e shohim ëndërr përnatë
Është kripëgjatë
Dhe nuk i trembet bishës
Që s'na lë të dalim
Nga portat e qytetit


Ai do të vijë
Ta therë në fyt bishën
Do t'i pastrojmë puset
Do të gjuajmë peshk
Dhe shpesë dhe kafshë
Do t'i njomim flitë përsëri


Ai do të vijë
Se ne e presim
Se ne vdesim përditë e më shumë
Se qyteti bie erë kufomë






Si e krijoi Zojsi Dardaninë


Nuk dihet
Nga koka a nga kofsha
Zojsi nxori Dardaninë
Dhe e deshi, e deshi, shumë e deshi
Nga dashuri e madhe
Kish rrezik ta mbyste


Sot e atë mot
E varim në dardhë
Dashurinë e tij të madhe
Dhe kryqin e marrim në shpinë
Duke pritur të ndodhë mrekullia
Eshtrat i bëjmë grumbull
Në Kodrën e Kafkave





Kthimi i dritësorëve


Dritësorët do të kthehen
Me leshra të kërleshur
Me thonj të paprerë
Me trup-duar-fytyrëdheu


Do të përplasen brenda
Do të na zënë për fyti
Do të na shkulin për flokësh


Dhe ne s’do t’i shohim
Se ata janë prej drite
Se nuk bëjnë hije mbi dhé


Ata e kanë pushtuar
Zemrën e tokës
Dhe kupën e qiellit


Dritësorët do të kthehen
Të na mësojnë zejën e vdekjes
Të na japin pak zemër të tokës
Pak kupë të qiellit


Të dehemi dhe ne


Me hirin e zjarrit
Të mos jemi vetëm hije mbi dhé




Ëndrra... pastaj Vlora


Diqysh shkuam në një planet tjetër
Ku kishte bukë qumësht mish
Dhe s’kishte milicë


Shqiptarët ishin shumë të mirë
Preheshin hijeve
Hidhnin valle shesheve
Bënin dashuri të mëdha


Disi... kur hyri Vlora në dhomë
Babi mbrëmë me dy orë natë
Na shkallmuan derën përsëri
Ata që s’mund t’u zë emrin në gojë






Zonja Mëmë


Jam lodhur duke pritur
Zonja Mëmë
T’i nisësh shërbëtorët e Tu
(Dhe unë shërbëtor Yti jam)
Të m’i këputin hekurat


Jam bërë një ashtlëkurënajë
E ka rëndë
Dhe toka të më mbajë
Ku ta këput kokën
Mbështetur për muri


Ti Zonja Mëmë
Mos resht të m’i ledhatosh shpresat
Po mbahem për një fije floku
I bindur se është floku Yt i thinjur


Zonja Mëmë
Mendimet për Ty
M’i vrasin në rrugë
Po malcimet e plagëve
Ti m’i ndien
Dhe ballin rrëzon në shuplakë


Ti duhet ta dish
Zonja Mëmë
Kur më hipën zjarrmia
Ai kroi i cemtë
Që rrjedh dikund aty pranë
Je Ti


Kur më ngushtohen rrugët
Dhe e kam pisk


E di se Ti
Zonja Mëmë
Do të më hapësh një shteg
Se me Ty është liria
Dhe dashuria ime për Ty




Mungesa e lirisë


Ti ishe
Një mëngjes i freskët
Që lëshonte
Tinguj të kthjellët


Dhe ishe një kopsht i derdhur
Zot sa i derdhur
Me erë me ngjyrë
Mbytje çdo gjë përreth


Nga duart nga yjet
Si nga një libër i hapur
Mund të parathoshe çdo gjë


Si fatthënë e rysur që ishe


Po jepeshe lehtë
Si një kafshë
E lodhur nga ndjekjet
Se në flokë
Në ballë
Në sy
Kudo
Të vihej re
Mungesa e lirisë





Skicë për një elegji



Ja
Kjo shtëpi
Ka një të vrarë
Dhe kjo këtu
Dhe kjo pranë saj
Dhe kjo tjetra
Dhe kjo dhe kjo dhe kjo


Ja
Dhe ajo shtëpi
Ka një të vrarë
Dhe ajo atje
Dhe ajo pranë saj
Dhe ajo tjetra
Dhe ajo dhe ajo dhe ajo


_______________
Marrë nga profili i autorit në FB

Friday, April 12, 2013

Lirika nga Janaq Pani

 
Janaq PANI
Toronto-Kanada

Janaq Pani, një psikolog e shpirtolog i fëmijëve, që me krijimet e tij, jeton me ta, mëson me ta, luan me ta, rritet me ta dhe mbetet i paplakur… Por nuk rri dot pa shkruar edhe lirika…
Nase Jani
...
 

  BRINJA E ADAMIT

Adami - krijesa e Zotit
E fali bujarisht një brinjë
E u sendërtua një Evë,
Po hijeshia e saj e la pa frymë
E kyet ia shtiu në zgjedhë...
 
 

 PËRSIATJE

Me nipin një ditë tufën me pellumba
mbi bar e gostitëm me pakez ushqim,
gazmorë nga degët zbritën trumba-trumba
e zemrat të dyve na i mbushën gëzim.

M'u shkëput diçka brenda vetes time
në një cep dëshire ca çaste përhumba,
pse atdheu dorën me ca pak thërrime
s'na e zgjat të vijmë si këta pellumba.
 
 

 P L A G Ë T

E ku numurohen plagët që në mote janë mbjellë
Ky oaz i dhembur shpirti a nuk ngjan me një kështjellë,
Armatosur kështjellarët të ngujuar rrinë brenda
Jashtë muresh të mos dalin as të bëme as të thëna,
Çfarë zemra vetë i hoqi si tani edhe më herët
E ç'fitojmë në i nxorrëm t'i përcjellim te të tjerët.

Çdo dhuratë e bëj me zemër, por zemrën për vete mbaj
Në e fala veç te njeri me të tjerë çfarë të ndaj,
Edhe shpirti është një, ndaj te Zoti që është një
Kuturis t'i hapë portën ashtu truar e pa zë.

Eshtrat e të parëve larg s'gjejnë rehat poshtë dheut
Mbas na ndjekin me Emaile dhembshurisht që nga atdheu,
Dashuritë e dhembjet tona s'ecin dot me këmbë të veta
Ndaj na mbeti koka mbas ne të mundurve nga jeta,
Dhe kjo botë ngjan teatër e të gjithë jemi aktorë
Neve fati na blatoi vetëm role dytësorë.
 
 

 TË BUKURËS SIME

E bukura ime, e bukur
E ëmbla ime, e ëmbël
Krijesa që mote jam lutur
Si perlë e vyer rri strukur
Në zemrën time, o zemër.

O jeta ime, o jetë,
Tundimi im, o tundim
O shpresa që ngroh nje folezë
si rrezja që bie mëngjesë
Gëzimi im, o gëzim.

Kungata ime, kungatë
O shuma e gjith' dashurive
Më erdhe nga Zoti dhuratë
Të mbaj si ujë të pakë
Të kam në dritë të syve.





  "KAMINXHIU I FUNDIT"

E gjen mëngjesi në këmbë në krahë xhaketën e grisur,
çibukun e nxirë në dhëmbë si lodër fëmijësh kurdisur.

E shoh që këmbët i shtyn si kalë i lodhur ngarkuar,
inatin nga hojzat e shfryn me shpirt përherë i trazuar.

Gëzimet?- veç me thërrime, e brengat - plot trasta në krahë,
në gjoks një zemër, një trime guxon ditpërditë të rrahë.

Heq udhën veç me vetminë, një jetë mikeshë e heshtur,
dhe frymën e mban në kaminë, me shtatin rrufitur e tretur.

Dhe eshtrat i dhembin për dreq, me baltën që ndeshet përditë,
pa vite të tërë i bën pleq, u err vështrimin te sytë.

Kërcinjte në baltë e ujë, të ngjan si xhind i llangosur,
mposht veten pa zhurmë e bujë, çdo verë që s'paska të sosur.

Dhe bëri i ziu sa mundi i rriti, një vatër fëmijë,
ky ish kaminxhiu i fundit, një tjetër s'po duket të vijë...
 
 
Për "Sofra poetike":  Thanas Jani

Tuesday, April 9, 2013

Tri poezi nga Fehmi Ajvazi

 
Fehmi AJVAZI
 
KOHËT TONA
( Miqve të mi: ku janë, e ku s’janë…! )

Na ish i’kohë e rënd e dhimbshme
E rrëmujshme si krijimi i botës
Kur pak diell nxente e veç shi binte
Në sytë tanë në ëndrrat e lokes

Ajo kohë kish gjymtimet e plagët
Prej gjirit t’Artes e deri n’Burim
Në prehrin e atdheut vinin bajlozët
E bënin varre në gjoksin tim

Ajo kohë klithmat i sillte n’Prishtinë
Nga zhgan i hershëm i rrënimit
E ne këndonim mëngjesin t’ue pritë
Ish koha e dhimbjeve-ish koha e zgjimit

Pastaj i lëkundëm varret e çipariset
Një gur n’Skrapar nji n’Galicë
E zogjtë fluturuen te mal i Raicës
Pastaj erdhi shiu e gjaku n’Prishtinë

Po rritën se ndalëm as ëndrrimin
Miqt e mi të mrië ku jini e ku s’jeni
Dhe rritën e bëmë bashk: e dini
Këndej dhe andej brigjeve të Drnit...

Nën këmbët e bajlozve na ikën vitet
Veç bota ish e vogël për klithmat tona
Në prehrin e atdheut i zbritëm yjet
Të mbesim zot të ëndrrave tona...

Prishtinë, 9 prill 2013
 
 
 
 
ATJE KU T’I TASH JETON

Atje ku t’i tash jeton është mbretëri e re
Legjione të kthyera në mort-sfidon
T’u ka ringjallë jeta në të madhin atdhe
Krejt si yll mëngjesi-krejt si medalon

Atje ku t’i tash jeton është stina me yje
Diktatura këndej ka shumë-si akeront
Eh sa ishe këndej të mungonte ky atdhe
Bërë nga bubullimat-bërë nga gjak e lot

Atje ku t’i tash jeton është koha legjendë
Liria është punë e madhe- sa vetë jeta
Sa ishe këndej t’i thurje një eden
Për gur e shqiponja-për male e breza

Atje ku t’i tash jeton na sheh si nga olimpi
Atje në mbretërinë e dalzotësve-therorë
Është bota e andejshme dhe t’i mirë e di
Po ti tash je atje-je për ne mburojë…
 
 
 
 
TI DHE TROJA

Ti duhet të vazhdosh të udhtosh
Xhunglat e atdheut t’i pushtosh
Mes tokës e qiellit zotin ta kërkosh
Moj - Zive kurrë mos t’u besosh

Mos thuaj ishe në gjumë – deliri
Nën sagën e vjetër të zmërimit

Mes teje dhe trojave të shekujve
Bëhet luftë e zotërave të mallkuar
Betejë që s’përfundon kurrë

Ti duhet të vazhdosh të udhtosh
Lirinë tënde gjithmonë ta sfidosh
Fiset tona askete – gjakprishura
Një ditë prej ditësh t’i bashkosh…

Grigor Jovani: CA GJERA, QE I NDODHIN POETIT

 
CA GJERA, QE I NDODHIN POETIT

- Shënime për vëllimin “Hapa mbi gjethe vjeshte”, të Eduard Konicës -

Ca gjëra nuk bëhen rastësisht, ka një shpjegim llogjik pse ndodhin. Bie fjala, pse lind një poet dhe pse merr ai një fytyrë të përveçme, që e dallon nga moria e të tjerëve. Eduard Konica, djaloshi nga Leskoviku, nuk u ...bë poet për shkak të mbiemrit të famshëm, që të sjell automatikisht në mendje, do s’do, Konicën e madh të letrave shqipe. Nuk e lidhi kjo rastësi me poezinë. Konica, ky i riu, i tanishmi, u bë poet për shkak të natyrës, i lindi dëshira e papërballueshme e të shkruarit vargje prej adhurimit që ndjeu për bukuritë e vendlindjes, prej nevojës për ta shprehur atë. Mbi të gjitha, i ra në “çaçkë të kokës” vjeshta. Do ishte më e natyrshme, për shkak të moshës, t’i pëlqente pranvera. Por ai poet do të bëhej, së pari. Dhe stina e poetëve, dihet që është vjeshta, me tërë atë koloritet dhe trishtim që përmban. 70 % të poezive Eduardi i ka me vjeshtë. Më ka rënë në sy kjo gjë edhe në vëllimet e mëparshme. Tek ky i fundmi sikur e ka tepruar... Tani jam i bindur: është bërë poet për shkak të vjeshtës. Prandaj, edhe ky vëllim quhet pikërisht ashtu: “Hapa mbi gjethe vjeshte”. E dashuron pa masë këtë stinë. Ja si rrëfehet vetë, në poezinë “E dashura vjeshtë” (rastësi është edhe kjo, që e quan pikërisht kështu?):

“Sa e dashur vjeshta ish për mua,
jo se kisha lindur në shtator,
kur vjeshta ulej këmbëkryq,
isha poet,
por dhe sadopak piktor...”

U bë vërtet, poet i saj, por edhe skulptor, siç thotë, por u bë edhe fotograf, do të shtoja unë. Fotografon pejsazhe vjeshte. Dhe i hedh në vargje, dhe mbush me to librat. Është risija e tij, ajo e përveçmja, është gjëja më e bukur që sjell për lexuesit Eduard Konica. Mbi të gjitha, ai është poet i pejsazhit. Zgjedh fjalë dhe piktorën me to pejsazhe, kaq të gjalla, sa të ngjan se udhëton mes tyre. Ka ca brilante me këtë temë. Veçoj poezitë “Mes dy stinësh”, “Ah, sikur!”, “Qershori në dy stinë”, “Hapa mbi gjethe vjeshte” e plot të tjera. Të ngjan se je në një ekspozitë pikture, tek lexon këtë libër.
Stacioni i dytë për këtë poet është dashuria. Eduard Konica dashuron, ka një dashuri djaloshare, të atij djali fshati, që zbret në gjimnazin e Leskovikut, pi ndonjë gotë raki tek lokali i rrapit madhështor në shesh dhe s’përmbahet, dhe përndizet, kur fustani i ndonjë vasheje gjimnaziste rebelon për pak përsipër gjurit. Bën poezi të bukura për dashurinë, por jo si ato për natyrën. Sepse tek cikli për dashurinë, përveç gjetjeve, ka edhe ujë, madje me bollëk, ka kashtë, nga ajo që digjet me t’u ndezur, ngaqë siç rrëfehet disa herë nëpër poezitë e këtij lloji, ngatërron poezinë me rakinë: “... duke pirë rakinë me bidona”, thotë në një vjershë. Por kjo ndodh edhe ngaqë libri nuk duhet të jetë i redaktuar, nuk ka kaluar, siç duket, nga censura e domosdoshme e redaktimit. Pse, e ndjen veten “poet i paredaktueshëm”, Eduard Konica?! Unë vetë ndjeva nevojën e redaktimit të strofës për vjeshtën, që përmenda pak më sipër. Dhe e bëra vetë, pa e pyetur autorin. Nuk ngjan më mirë e redaktuar, Eduard? Ama, ato poezi dashurie, që i konsideroj të bukura, janë vërtret të bukura, emocionuese. Siç është poezia “Imazhi i nënës tënde”, që më ka mahnitur për nga bukuria, origjinaliteti dhe vërtertësia e gjetjes:

“Nënën tënde dikur e kam dashur,
ti ke moshën e saj, kur e doja,
ke dyfish bukurinë e saj,
por s’ke zemrën, që unë adhuroja”.

Qafiri, Eduard! Poeti! I don të dyja! Dhe nuk ka turp ta thotë... Kështu janë poetët. Aq më shumë ata nga Leskoviku, që dehen me raki të mirë dhe nuk i vënë fre gjuhës...
Ja dhe një tjetër, nga të dashurisë, origjinale, poezia “Kaq pak”:

“ Kjo është dashuria?
Vallë, kaq pak mund të falësh?
Dashuria,
kryefjalë e çdo zemre të djegur,
... dhe ti,
kaq pak?!”

Naivitet djaloshar? Aspak! Çakpinllëk, zgjuarsi, sinqeritet dhe guxim poeti, origjinalitet gjetjeje. Problemi është, se siç thamë, dashuron shumë, ndaj dhe flet shumë për dashurinë. Ashtu i përndezur, nuk seleksionon. Kështu që, pashmangshëm bënë gabime, bie në përsëritje, ka proliksitet, herë-herë thurr bejte. Do t’i rregullonte imazhin poetit, po të hiqte fare nga vëllimi disa poezi, si psh: “S’ka lamtumirë”, me mbylljen deklarative: “Mes nesh nuk do ketë/ kurrë lamtumirë”, “Nëse një ditë”, që ngjan se e ka shkruar një djalë i tetëvjeçares: “Ike, kokën, pas s’e ktheve,/ arsyen nuk ma the kurrë,/ ajo ditë maji, si ditë vjeshte,/ prej qiellit s’binte shi, por gurë...”Art është ky?! Ore, Edi, si nuk të ra një gur edhe ty, në çaçkë të kokës? Të mos shkruaje gjëra të tilla, që ngjajnë pranë bukurive të tua të tjera, si ferra pa manaferra. Mund të sillja edhe shembuj të tjerë...
Pra, gjer këtu konkluduam: Eduard Konica është një poet lirik, i këndon natyrës me shumë mjeshtëri, por edhe dashurisë me pasion. Teprimet janë të justifikueshme. E thamë, e ka fajin rakija e Leskovikut.
Problemi fillon këtej e tutje, kur del prej këtyre dy temave dhe shfaqet në shesh të mejdanit poetik, si poet shoqëror. Aty merr poza që nuk i shkojnë, shfaqet si krijues tjetër, që nuk ngjitet dot tek stadi i poetit. Lexojmë poezi shoqërore që janë deklarative, skematike, narative, proliksiteti dhe thjeshtësia e tepruar të marrin frymën. Tashmë krijuesi ka lënë penelin dhe aparatin e vet fotografik, me pozat e çastit, dhe mundohet të bëjë filozofi. E bën thatë, ajo ç’ka sjell është e mërzitshme, e stërnjohur, pa finese artistike. Dhe vetëpyetesh: si u transformua kështu, ky njeri, nga poet i peisazhit dhe i dashurisë, në blablaxhi kafenesh?
Ku është problemi? Është tek konceptimi poetik. Poezia është “të shkruash ndryshe”. Të perceptosh një gjë dhe të mos e japësh drejtpërsëdrejti. Të thuash me finesë diçka dhe të nënkuptosh, gjoja pa dashur, diçka tjetër. Të luash me trillin poetik. Të flasësh me gjetje befasuese, figurshëm dhe me ritëm poetik. Të bësh dallimin midis rrëfimtarit, përralltarit dhe poetit. I pari rrëfen dhe të vë në gjumë, i dyti shkruan dhe të lë pa gjumë, ngaqë ti mendon të shtjellosh atë që të ka thënë. Po ta thoshte troç, nuk do lodheshe. E bukura të lodh. Nuk janë poezi vjershat “Ajo që nuk na vrau”, “Papunësi dhe varfëri”, rapsodia “Shqipja dhe burri i kombit”, vjersha “Dituria”, ku çuditërisht poeti tallet me të dashurën, ngaqë ajo “kishte bërë tre universitete” dhe ai, ngaqë po e humbte, natyrshëm, ngaqë kishte mbetur me të mesmen, priste rastin:
 
“... për ty shpejt po prishet moti,
ndaj harrove diplomat dhe kërkove mend”.

Mund të ndodh kjo: t’i jap mend i pashkolluari, të shkolluarës me “tre universitete”? Nuk ngjan e vërtetë. Është fallso. Nuk është ky poeti. Poeti është më i gjerë, jo kaq egoist... Mërzitet Eduardi, miku dhe kolegu im, që i them këto gjëra? Mërzitem unë, më parë se ai. Se edhe në këtë temë, në poezitë shoqërore dhe problemore, ka, megjithatë, tek-tuk, gjëra shumë të mira, siç janë poezitë e gjetura dhe emocionuese “Jeta” - poezi e shkëlqyer shoqërore, “Kape çastin”, ose poezia “Ike”, që ndonëse me rrëfim folklorik, është gjetje dhe rrjedh shumë natyrshëm.. Atëhere Konica, ky i riu, jo ai i shkuari, mund të shkruajë mirë edhe këto lloj poezish. Dikush duhet t’ia thotë ama, qoftë edhe duke pirë raki, se e ka gabim, atë që thotë në krye të vëllimit, si kryediçiturë: “Frymëzimi është një çast,/ çdo gjë tjetër që vijon,/ është një hollësi...” Jo, jo, çdo gjë tjetër që vijon, ka shumë rëndësi, përcakton punën e mirëfilltë të poetit, atë kërkim të vazhdueshëm dhe cfilitës drejt përsosjes. Nuk mbaron poezia me çastin magjik të frymëzimit. Ky çast nuk është i poetit, ta jep Zoti dhe të thotë: “Vazhdo! Tani fillove! Ke pas punën më të rëndësishme...” Pra, duhet t’ia thotë dikush këto gjëra poetit të ri Eduard Konica. Siç duket, nuk ia paska thënë miku i tij, i mrekullueshmi bard lirik Skënder Rusi, të cilit Eduardi i ka kushtuar në libër një poezi po kaq të mrekullueshme. Dikush duhet t’i japë për shembull Eduardit strofën e fundit tek poezia e tij “Dita jonë”, që mendoj se është shumë emocionuese:

“Këtë ditë të shënuar, ne e bëmë tonën,
kemi dashurinë thellë, brenda në gjak,
kemi ne dy yje, Fabionin dhe Fionën,
kemi një familje dhe kjo nuk është pak”.

Vërtet, nuk është pak! Kur thua gjëra të tilla të bukura, poet, na zbukuron edhe neve shpirtin dhe mendjen. Por ja, që nuk qenka e lehtë, të thuash gjithmonë gjëra të tilla.
Kështu janë gjërat, Eduard Konica., që në dedikimin për mua, në librin tënd, shkruajte: “Për mikun tim më të mirë...” Ngaqë më nderon, unë, si miku yt, të them: “Gjërat janë bardhë e gri. Por nuk është për t’u shqetësuar. Vazhdo, dëgjo dhe vendos vetë. Dhe mos u mërzit, në përgjithësi, mbarë ia ke nisur kësaj pune. Sa për gri-në, ti e thua vetë, në një poezi: “S’ka gjë, këto i ndodhin poetit...”

GRIGOR JOVANI

Monday, March 25, 2013

Fakte Rexha: YJEVE TE PASHUAR



 
DRITE, YJEVE TE PASHUAR

(Vellait tim, Urim Rexha. Dhe, gjithe te Tjereve.
qe s'vdiqen. Jo. Kurre me te vertete)


Kurre s'me harrohet krenaria yte. Gazi i paket. I vogel.
Varur skaj buze.
Fytyres te kishte rene njefare nuri i bukur i tjeterbotshem.
Fillim shkurti1999. Me kurre su pame.
As folem. As u degjuam.
Porosirat me kasnece jepnim e merrnim.
Deri dite para se te shkulen nga jeta, vella.
Me ç'ideale, me ç'shpresa ushqeje shpirtin... oh, kur me kujtohet!
Dhe, asgje ndodhi prej atehere...Kosoves. Pamja e zymte ne te perhirte.
Ashper e zymte si ngjyra e betonit. Si ta kishte pikturuar dora e atij
qe çdo mbremje ngreh gishtin kah vetja me paramendimin per vetevrasje.
Asnje ndryshim Kosoves. Ende prej atehere sa ishim gjalle te gjithe.
Ende lufta. Per drite. Buke. Pune. Pensione. Ilaqe qe premtojne harresen.
Spitale per invalide. Krevate per shpirterat e thyer.
Gjysma e me teper shqiptare me frike ushqen te nesermet.
Mbi Hirin. Dryrin. Myshkun. E atyre qe rane.
Dogjen.  I vrane. E kurre nuk vdiqen.
Jo, kurre me te vertete.

Friday, March 8, 2013

Klarita Selmani: E SHTRENJTA URTESIA IME


E SHTRENJTA URTESIA IME

E dhëmbura ime ndër vite,
qofsh mirë këtë mëngjes
rrudhë, çdo çast që rritesh
ditën, të të shoh mezi pres.

E duruara pa kusht e doganë
sa larg të kam e s'të shoh
përtej detit, ikur matanë
humbur të kam nëpër kohë.

E mira ime, shpejt mu plake
e unë bija jote s'jam më vashë
por ti, zemër të fortë paske
kaq humbje dhe ndarje të mbash.

E shtrenjta urtësia ime
ky mall, s'shuhet me asgjë
qesh e të ankohem në kujtime
pa to, kjo botë nuk me nxë.

Uratë pa fund e jetës sime
të kërkoj cdo mëngjes
tëndit zë t'i dëgjoj drithërimën
erërat, buzë Egjeut pres.




Marrë nga "Sofra poetike" në FB
08.03.2013

Thursday, March 7, 2013

Seveme Fetiqi: LULE PËR NËNËN

 
LULE PËR TY
-Nënës sime-

Në lule të blerta
ngjyrat e dashurisë sime
shpërthyen
në zemrën tënde
pranverat e humbura
desha t’i kthej
në shpresë të kamotshme

Pafajësia e fëmijërisë sime
lozi me shpirtin tënd të etur
përkëdheljet e tua
u zbehën në largim
mbi qepallat e rinisë sime
më nuk lulëzon asnjë kthim

Lulet e blerta i vura në mur
në hijen e fotografisë së heshtur
fjalën tënde të ngrohtë
duke kërkuar
që të lulëzojnë
sytë e tu të ujiten me shikimin tënd
duart e tua që t’ia gjej vetes
shpëtimin nga humnera e vetmisë
 
 
Marrë nga "Sofra poetike" në FB

TRI POEZI NGA BRAHIM AVDYLI



SOFRA JONË

Sa bukur jemi mbledhur
rreth zjarrit të fjalës
në këtë natë,

zhishkë pas zhishke
këngë pas kënge
lidhni të gjitha hallkat e dashurisë

e plafin e errësirës
si dora perden
Rrezja
ka për të mbledhur-

sapo të fekset në zemra
Agu i Përjetshëm!


Prishtinë, 1986.





MBIJETESA E VARGJEVE

Më të bukurat
humbën nëpër ndjekje-
bukurinë ua vodhën lubitë!

Më të zjarrtat
s’munda t’i mbaj-
zjarri i tyre përvëllonte kohërat!

Më të shtrenjat
si t’i nxjerr nuk pata-
bota qe mbushur plot kusarë!

Megjithate,
me ngjyrën e shpirtit
nëpër fletë gjurmët i lashë-

që të mos na shuhet Emri!...





PËRTEJ AKERONTIT


E tërë jeta ime dënimit i ngjanë-
pranë syve kalon gëzimi dhe s`e mbërrij,
pranë gojës kalon jeta dhe s`e shijoj,
përpara shëtit e vërteta dhe s`më njeh,
anash gjallëron bota dhe s`më sheh,
prapa kurrizit bie fati, dhe s`më merr...

E tërë jeta ime një tmerri i ngjanë,
edhe pse kështu nuk vendosën hyjnitë
se vetë më dhanë ata brumin e zemrës,
demonët më vodhën një ditë pabesisht
e më shpien të lidhur përtej Akerontit...

Më lanë përherë në një vorbull deti-
as i mbytur isha, as i shpëtuar;
më lanë të vetmuar në një maje mali-
plot thirrje kisha, por i padëgjuar;
më mbyllën thellë në një shpellë guri-
pranë e kam zjarrin e dridhem vazhdimisht

i syrgjynuar së gjalli, ja kështu, në ferr-
shpirtin plot dritë e përrreth vetëm terr!



Marrë nga www.brahimavdyli.ch