Tuesday, April 16, 2013

POEZI NGA ABDULLAH KONUSHEVCI


ABDULLAH KONUSHEVCI

TRADHTIA

E përcolla me një pikëllim të fshehur
Në sy në buzë nën bark
I shihja gjurmët e tjetrit

Kur u ktheva
Në dhomë kishte rënë stuhia
Shtrati sikur ishte kthyer përmbys
Banja merrte frymë me vështirësi
Si një i sëmurë astmatik

Hodha shpejt e shpejt në shportë
Brekët këmishët çarçafët
Shtratin e shtrëngova mirë për këmbësh
Po hija po era e saj ishte kudo

E di se më nuk do ta takoj
Se tjetri në sy në buzë nën bark
Do të lexojë me pikëllim
Gjurmët e mia

Prishtinë, më 27 tetor 2010




 Vdekja e dytë e Gjergjit*


Kur derdhet atdheu në det
Shkulet shkëmbi fusha mali
Terri derdhet me shtëmba
Dhe thikat vezullojnë


Vlorën e zënë ethet e dridhet
(Babi, do t'i kenë tretur
Gjergjit eshtërat
Se Atdheu po derdhet
Përsëri në det)
Drilonit s'mund t'i them
Ji i fortë
Dritoni është bërë dhé


Dhe ata po e shohin
Se s'është kjo më
Lojë me qen e mace

* Vjershë për eksodin e madh në Shqipëri




Duke pritur Gjergjin e Ri


Ai do të vijë
Ti do ta çosh patjetër
Ne do të dalim dhe do ta presim
Me tupan e me zurna
Do ta marrim do ta hipim
Lart mbi supe
Do t'i brohoritim
Derisa të mos kemi zë


Ai do të vijë
Se ne e presim
Si Shpëtimtarin si Shëlbyesin
Do të shkelë këmbëzbathur
Mbi Dheun tonë
Do të ndezë qirinj
Te varret tona


Ai do të vijë
Ne e shohim ëndërr përnatë
Është kripëgjatë
Dhe nuk i trembet bishës
Që s'na lë të dalim
Nga portat e qytetit


Ai do të vijë
Ta therë në fyt bishën
Do t'i pastrojmë puset
Do të gjuajmë peshk
Dhe shpesë dhe kafshë
Do t'i njomim flitë përsëri


Ai do të vijë
Se ne e presim
Se ne vdesim përditë e më shumë
Se qyteti bie erë kufomë






Si e krijoi Zojsi Dardaninë


Nuk dihet
Nga koka a nga kofsha
Zojsi nxori Dardaninë
Dhe e deshi, e deshi, shumë e deshi
Nga dashuri e madhe
Kish rrezik ta mbyste


Sot e atë mot
E varim në dardhë
Dashurinë e tij të madhe
Dhe kryqin e marrim në shpinë
Duke pritur të ndodhë mrekullia
Eshtrat i bëjmë grumbull
Në Kodrën e Kafkave





Kthimi i dritësorëve


Dritësorët do të kthehen
Me leshra të kërleshur
Me thonj të paprerë
Me trup-duar-fytyrëdheu


Do të përplasen brenda
Do të na zënë për fyti
Do të na shkulin për flokësh


Dhe ne s’do t’i shohim
Se ata janë prej drite
Se nuk bëjnë hije mbi dhé


Ata e kanë pushtuar
Zemrën e tokës
Dhe kupën e qiellit


Dritësorët do të kthehen
Të na mësojnë zejën e vdekjes
Të na japin pak zemër të tokës
Pak kupë të qiellit


Të dehemi dhe ne


Me hirin e zjarrit
Të mos jemi vetëm hije mbi dhé




Ëndrra... pastaj Vlora


Diqysh shkuam në një planet tjetër
Ku kishte bukë qumësht mish
Dhe s’kishte milicë


Shqiptarët ishin shumë të mirë
Preheshin hijeve
Hidhnin valle shesheve
Bënin dashuri të mëdha


Disi... kur hyri Vlora në dhomë
Babi mbrëmë me dy orë natë
Na shkallmuan derën përsëri
Ata që s’mund t’u zë emrin në gojë






Zonja Mëmë


Jam lodhur duke pritur
Zonja Mëmë
T’i nisësh shërbëtorët e Tu
(Dhe unë shërbëtor Yti jam)
Të m’i këputin hekurat


Jam bërë një ashtlëkurënajë
E ka rëndë
Dhe toka të më mbajë
Ku ta këput kokën
Mbështetur për muri


Ti Zonja Mëmë
Mos resht të m’i ledhatosh shpresat
Po mbahem për një fije floku
I bindur se është floku Yt i thinjur


Zonja Mëmë
Mendimet për Ty
M’i vrasin në rrugë
Po malcimet e plagëve
Ti m’i ndien
Dhe ballin rrëzon në shuplakë


Ti duhet ta dish
Zonja Mëmë
Kur më hipën zjarrmia
Ai kroi i cemtë
Që rrjedh dikund aty pranë
Je Ti


Kur më ngushtohen rrugët
Dhe e kam pisk


E di se Ti
Zonja Mëmë
Do të më hapësh një shteg
Se me Ty është liria
Dhe dashuria ime për Ty




Mungesa e lirisë


Ti ishe
Një mëngjes i freskët
Që lëshonte
Tinguj të kthjellët


Dhe ishe një kopsht i derdhur
Zot sa i derdhur
Me erë me ngjyrë
Mbytje çdo gjë përreth


Nga duart nga yjet
Si nga një libër i hapur
Mund të parathoshe çdo gjë


Si fatthënë e rysur që ishe


Po jepeshe lehtë
Si një kafshë
E lodhur nga ndjekjet
Se në flokë
Në ballë
Në sy
Kudo
Të vihej re
Mungesa e lirisë





Skicë për një elegji



Ja
Kjo shtëpi
Ka një të vrarë
Dhe kjo këtu
Dhe kjo pranë saj
Dhe kjo tjetra
Dhe kjo dhe kjo dhe kjo


Ja
Dhe ajo shtëpi
Ka një të vrarë
Dhe ajo atje
Dhe ajo pranë saj
Dhe ajo tjetra
Dhe ajo dhe ajo dhe ajo


_______________
Marrë nga profili i autorit në FB

No comments:

Post a Comment