Tuesday, April 9, 2013

Tri poezi nga Fehmi Ajvazi

 
Fehmi AJVAZI
 
KOHËT TONA
( Miqve të mi: ku janë, e ku s’janë…! )

Na ish i’kohë e rënd e dhimbshme
E rrëmujshme si krijimi i botës
Kur pak diell nxente e veç shi binte
Në sytë tanë në ëndrrat e lokes

Ajo kohë kish gjymtimet e plagët
Prej gjirit t’Artes e deri n’Burim
Në prehrin e atdheut vinin bajlozët
E bënin varre në gjoksin tim

Ajo kohë klithmat i sillte n’Prishtinë
Nga zhgan i hershëm i rrënimit
E ne këndonim mëngjesin t’ue pritë
Ish koha e dhimbjeve-ish koha e zgjimit

Pastaj i lëkundëm varret e çipariset
Një gur n’Skrapar nji n’Galicë
E zogjtë fluturuen te mal i Raicës
Pastaj erdhi shiu e gjaku n’Prishtinë

Po rritën se ndalëm as ëndrrimin
Miqt e mi të mrië ku jini e ku s’jeni
Dhe rritën e bëmë bashk: e dini
Këndej dhe andej brigjeve të Drnit...

Nën këmbët e bajlozve na ikën vitet
Veç bota ish e vogël për klithmat tona
Në prehrin e atdheut i zbritëm yjet
Të mbesim zot të ëndrrave tona...

Prishtinë, 9 prill 2013
 
 
 
 
ATJE KU T’I TASH JETON

Atje ku t’i tash jeton është mbretëri e re
Legjione të kthyera në mort-sfidon
T’u ka ringjallë jeta në të madhin atdhe
Krejt si yll mëngjesi-krejt si medalon

Atje ku t’i tash jeton është stina me yje
Diktatura këndej ka shumë-si akeront
Eh sa ishe këndej të mungonte ky atdhe
Bërë nga bubullimat-bërë nga gjak e lot

Atje ku t’i tash jeton është koha legjendë
Liria është punë e madhe- sa vetë jeta
Sa ishe këndej t’i thurje një eden
Për gur e shqiponja-për male e breza

Atje ku t’i tash jeton na sheh si nga olimpi
Atje në mbretërinë e dalzotësve-therorë
Është bota e andejshme dhe t’i mirë e di
Po ti tash je atje-je për ne mburojë…
 
 
 
 
TI DHE TROJA

Ti duhet të vazhdosh të udhtosh
Xhunglat e atdheut t’i pushtosh
Mes tokës e qiellit zotin ta kërkosh
Moj - Zive kurrë mos t’u besosh

Mos thuaj ishe në gjumë – deliri
Nën sagën e vjetër të zmërimit

Mes teje dhe trojave të shekujve
Bëhet luftë e zotërave të mallkuar
Betejë që s’përfundon kurrë

Ti duhet të vazhdosh të udhtosh
Lirinë tënde gjithmonë ta sfidosh
Fiset tona askete – gjakprishura
Një ditë prej ditësh t’i bashkosh…

No comments:

Post a Comment