Friday, July 26, 2013

Buqetë me poezi nga Zejnepe Alili - Rexhepi


Zejnepe Alili - Rexhepi

Buzë liqenit

Kur diç më pëshpërisje...
u deha nga ngrohtësia e diellit
nuk t’i dëgjova fjalët
e joshur me bukurinë e liqenit,
padiktueshëm më përkëdhele dorën,
unë vazhdoja me fjalë bindëse
se sipërfaqësore është bukuria, teksa
e përhumbur thërrmoja myshqet
mbi shkëmbin ku ulur isha...
më dëgjoje me kureshtje,
sytë i kishe plot dritë,
bëlbëzoja pa kuptim, si në dehje
se gjetiu kisha mendjen.
Oh, për një jetë të doja,
veç dyshimi më helmonte
për ca arsye të vjetra...
dhe doja të ndrydh ankthin
që pamëshirshëm shpirtin më shtrëngonte
atë çast, dilema kaloi...
me puthjen që ma le mbi buzë.
S’ di ç’ndjeja në çast...
po akoma dridhem për atë puthje.
Ishte fillim i një dashurie!




Shikimi i një miku

Mos i dëgjo fjalët e botës,
ata s’e njohin dashurinë!
Miku im i dashur...
pa mëdyshje duhet filluar jeta,
lodhja le të dergjet në greminë
fatin mbështet mbi zjarrin e shpresës
kur dashuroj s’e honeps mashtrimin,
në ëndrrat e tua s’dua të jem e harruar
as verbërimin e diellit në sy ta kem.
Të lutem, pa ngurim më fal shpëtimin
vetmia më vret nëse jeta s’më fton!
Mos dëgjo fjalët e botës,
i dashur miku im...
më shiko në sy e më thuaj se më dashuron.

 


Tulipan gjak

Në bukurinë e pranverës
Shijova aromën e tulipanit
Oh,jetë
Që kuqëlon me gjakun tim
Ngjyen tulipanin e falur
Me kujdes dashurie.
Njerëz . . .
Më venitët shpresën
Lules ia ndalët rritën
Doni ta ndrydhni jetën
Në grushte pamëshirshëm
Pa vulën e ndërgjegjes
Se jetën ma fali Zoti.
Dhe..., peng më mbeti fati
Për një buzëqeshje
Mbi hijen e ujërave
Në gjurmët e zemrës
Këndshëm stolis përrallën.
Soditje

Në bebëzat e syve tu
për jetë shoh lumturinë,
begatinë e shpirtit,
pavdekshmërinë e dashurisë.
Të gjeta fatlumsisht,
thesar guaske në fundet,
të ngrita në altar...
Je idhull i vërtetë.

 

Dëshirë e vrarë

Me hapërim drenushe kah ti nisesha,
përshëndetja të varej në buzë
puthjet i kurseje...
s’di pse vrisje dëshirën?!
Dielli im i zjarrtë,
më josh me rrezet e tua
admirimin kam shpresë jete
udhërrëfyese dashurinë
puthjen ballsam
netët prehje me ty.

 


Shtegtimi i fatit

Në pasqyrën e shpirtit reflektohesh
thyen rreze dashurie
për t’i ruajtur kujtimet,
me puthjet që prekën në ty
kur vinim prej së largu
për të ndjekur fatin
në dheun e lindjes, zog në shtegtim,
në flakën e nxehtë, xixë e pashuar...
të dëshirova këndshëm ,
mbete mall i pashuar.

 


Si buzëqeshja e jetës

Mbi kaltërsi të liqenit jetën pasqyroj,
me lulevjollcat që më stolise flokun e zi
pas puthjeve të ëmbla që më le mbi buzë,
zemra gufonte në pellgun e lumturisë.
Rrezet e diellit më miklojnë ëmbël,
si prekjet e tua të përndezura!
Dhe ja ...
befas ca pikëza shiu,
sikur duan të prishin këtë bukuri Maji
me mallin e së bukurës pranverë,
si stuhia që zbukuron legjendat,
përvajshëm në tingujt e një balade.
Një puthje më rikthen në jetë
më zgjat dorën për te kulla e dashurisë
një lulevjollcë e nisur për udhëtim,
në kraharorin e mikut magjepsur në shikime
valëvitur mbi imazhet e liqenit
ku rishtaz pasqyrohet jeta.

 

Dikur

Të desha prej kohësh,
ëmbëlsisht të puthja në ëndërr,
agimeve rendja me shpresë
të shuaja mallin që digjte,
pranë të qëndroja saherë
e s’të shikoja dot
digjte shikimi i syve tu,
kur prisja një premtim dashurie,
testament dhembjesh do mbetej
jeta ime e përgjëruar
për një të ardhme të lumtur,
nga një trishtim i shkuar.
Përreth t’i ndjeja gjurmët,
dinakërisht e ruaja miqësinë
kudo të ndjeja, edhe në shpirt
për jetë zemrën ma ke thyer,
për një përshëndetje
ku do të varej shpresa,
me buzëqeshjen e kursyer,
me fjalën që shëron.

No comments:

Post a Comment