Dienstag, 28. April 2020

Dy poezi nga Naxhije Doçi

Naxhije Doçi

MEJË -
PELLG AMËSIE

Në hartë një pikë fare mikroskopike,
në shikim një fushë e madhe
sa vetë zemra jonë,
sa vetë ëndrrat tona
për shlyerje ndryshku nga buzët,
dhe shporrje errësire nga dheu jetik.
-Mejë pellg amësie
me përshtypje kohësh
malet roje që nga legjendat.
Në shpërthim rrebeshesh
namur nga jehu i thellësisë
blatimi dritë per rrezatim shprese.
-Helmetat serbe të skëterrës
ndanë katërqind lule të gjakut tim
nga kalvari i gjatë sa biblizmi i robërisë.
Si i trajtuan dhe kah i çuan, enigmë.
-Dëshmitarët sy e gojë mbyllur
përtej gardhit të dhembjes dëbuar,
mjegullnaja tis në shlyerje kujtimesh.
-Në Mejë dielli shndrit sërish
në ngrohje ëndërrash të thyera
të shqiponjave në fluturim.
-Mbi ograja e suka bjeshkësh
sërish bulojnë lulekuqet si gjaku
për ta përtërirë jetën
hapin për ta zënë me kohën.
- Secili la një gjurmë për shijen e lirisë
shekujsh kallur etjeje për të.
- Kënga e ndezur si shokë ylberi
ka ende plagë zemre
me mall pritjesh me shpresa
për kthim burrash
në përtëritje të plangut.
- Eshtra lidhur në plasmaste
Ishte shpërblimi i vonuar.
- Fushë e Mejës krejt gropa-gropa
në shenjtërim martirësh nga pavdekësia
Sarkofagët në vellon kuq e zi
qetësojnë zjarminë e tokës së djegur
pagëzuar “Lëndina e lotëve”.
- Muret patjetër do të mbajnë këtë herë
ngjizur për rrënjë legjendash.

Nga libri me poezi: “Kohë flakadanësh të lirisë”



LIBRI SHQIP

Në kohë të rënda të fëmijërisë sime,
gjithësesi edhe në ato të rinisë së parë
rrëzë Gardhinës Plakë të Therandës trime
e lexoja krejtësisht fshehtas
librin e shenjtëruar shqip
shkruar në gjuhë të dëlirë përëndie
thesar magjik i lashtësisë sime në shtresime,
e gjysma e dytë e shekullit njëzet ishte
ngrysur thellë në mjegullnajë robërie.

Kur të gjithë në shtëpi flinin, lexoja 
me dritën elektrike të përkufizuar
që të mos më dallonin nga jashtë 
hijet e patrajta,
puthadorët zemërgurë të paguar,
nga verbëria e vet turpëruar,
nata përgjonte e mashtruar.

Ishte mëkat i pafalëshëm atëherë, 
bjeshkë e purpurtë guximi
të mbahej në shtëpi libri i mirëfilltë shqip
botim i flakëruar Shqipërie 
e diasporë dashurie
se kohë mugu vazhdues ishte  
në Kosovën me gjemba trishti robëruar
nga pushtuesi barbar e shfarosës serb,
me izolim sizifi ishte ndëshkimi
e refrene ngujimi.
Në bibliotekën familjare relikt e merrja
librin e ëndërruar shqip
sjellë nëpër kohë trishti sfidues
nga hapësira e përmallimit përballë 
të trungut tim të ndarë
me dredhi e hangjar.
Pishtar gjyshi zulmëmadh dhe i përkushtuar
nga babai fjalartë pasuruar.

Krenari me flakërimë hirësie ndieja 
librin shqip kur e lexoja
më dukej se krejt bota bëhej imja
edhe përtej së mundshmes,
epokat bënin fole të dehur në zemër 
për madhështinë e dheut tim me emër.

Nga libri “Vargëzim mbi gjurmë”