Samstag, 21. August 2021

Ajne Iberhysaj: E T’TANËVE ËSHTË KJO DHIMBJE



E T’TANËVE ËSHTË KJO DHIMBJE

Syri e puth zemrën tënde
Me rrezen e diellit e vendos kufirin
E zgjojnë heshtjen e kohës
Retë bien mbi qerpikun e dhimbjes
Malli çmallet me dritën e I(lirisë)
Yjet rrëmbejnë e ndezin shpirtin
Mijëra sy përqafojnë diellin
Mijëra petale si mirazh dashurie
Ngrohin shpirtin e qiellin tend

Dardani.
E t’tanëve asht kjo dhimbje jona
Peshon okë gjak
Okë shpirti e fjalë zemre
Dhimbja e prek qiellin
Lëshon klithmë shqiponja
Mbi dymijë vjet e mbajti frymën e fjalës
E peshën e shpirtit e mat me diellin.

Tokë dardane.
Je klithma e zëri i shpirtit tim
Je zjarri e vrulli i emocionit
Je rrugë e thekur me lotin e gjakut
Je drita e diellit e syve të mi.

Fryma jote është e tanëve
Je qiell e shall shpirti
Je ashti im dardan.
Çdo pëllëmbë toke
E masim me okë bese
Okë shpirti e fjalë zemre
Në qiell jemi të tanë bashkë
Me kurmin e fjalës tënde.

Donika Stasa Domi: FILIZAT E MALLIT



FILIZAT E MALLIT

Eh moj bijë...
ç'rënkuan themelet 
edhe tjegullat e shtëpisë,
kur kalove pragun
dhe mbylle atë portë,
nëpër vena mu mpiks gjaku,
dhe dënesën s'mbyta dot.
Mu përmbys toka nën këmbë,
tashmë asgjë sikur s'ka vlerë;
mbi bulëzime shpirti
zë vërtitet shpresa,
dhe në vatrën e pazjarr..
vetë marrimi zë mbjell erë.
Ti vrapuar si një rreze,
çarë mjegullat që s'kanë fund,
e mua...
larvë e trishtimit
zë m'cëmbis zemërgjorën,
e këtu në këto troje..
ku gjunjëvrarë mësove hapat,
dalëngadalë do t'më tres malli,
të t'puth flokun,
të t'ndiej dorën.
Në kraharor më fle stuhia,
e deti i syrit
rri ngritur në tallaz,
në dallgë uragani
tinëzisht kthehet dhimbja,
e brigjeve të humbur
qëndron edhe plas.
Se dot nuk i shkula
ah filizat e mallit,
kanë mbirë në mish,
kanë çelur në gjak,
dhe përqafimet humbasin
në mjegullime ekranesh,
e gjurmët pëshpërijnë 
në botën atje larg.

20 Gusht 2021