Samstag, 14. November 2020

Në vend të inmemoriamit: POEZI NGA SAMI SHERIFI

Sami Sherifi 1950 - 2020

Sami Sherifi u lind më 15 shkurt 1950 në fshatin Sillare e Poshtme të Shkupit. Pas mbarimit të Shkollës Normale, ushtroi detyrën e mësimdhënësit në periudhën 1969-1981. Mëpastaj diplomoi në Degën e Pedagogjisë, Grupi klasor në Universitetin e Prishtinës. Per disa vite jetoj dhe veproj jashte atdheut. Kurse me krijimtari letrare ka filluar te merrej që nga viti 1969, per te publikuar pastak krijimet e tij nëpër shume gzeta e revista të kohës.
Ndërroi jetë më 13.11.2020.

Veprat:
  1. “Mallëngjim Dheu (i botuar dhe promovuar në Itali);
  2. “Si të kthehem në atdhe” (i botuar në Bukuresht);
  3. "Porta e Parajsës”( botuar në Bukuresht);
  4. “Dielli i atdheut tim” (i përkthyer edhe frengjisht “Le solcit de ma patria”);
  5. “Shpirti” (i përkthyer edhe në rumanisht”Sufletul”);
  6. “Ëndrra e madhe mërgimtare (në shqip, e përkthyer në anglisht dhe rumanisht).
  7. “Dridhet fjala si fije bari”


Poezi nga Sami Sherifi


YJET NDIZEN ME PUTHJE 

Netëve të vona
Në qiellin e vargut tim
Yjet
Si xixëllojna ndrisin
Ilirikun e stolisin
Me agun
Diku larg
Pas mjegullave më fshihen
Në qerpikun e përlotur të gjyshit
Ylberin shumëngjyrësh harkojnë
Dhe derisa unë
Me duarët e mija hënën e përgdheli
Në brendi të shpirtit tim
Ndjenjat rizgjohen
Dashuria
Lartësitë qiellore prekë
Yjet
Mbi valë deti i zbret
Me puthje ti ndeze.




MES ËNDRRËS E DASHURISË

Sa herë që ëndrrat më mundojnë
Nënën të merzitur e shoh
I mërzitur
Dhe i trishtuar ndjehem edhe unë
Kur mallëzimi shpirtin më rëndon
Ëndrrat
Ke pragu i shtëpisë më bartin
Nënën të përqafoj
Kujtesa
Në vesh më pëshpëritë
Diellin e blertë të shpresës
Në vargun tim e zbret
Vrragët
E dhimbjet e mia zbutë
Ndodhë që edhe të gëzohem
Sa herë që Shqipërinë
Në pëllëmbë të dorës e mbajë
Po edhe të dëshprohem
Kur dikush tjetër
Mëmëdheun e vjedhë
Dhe gjakun ia thithë
E unë vazhdoj të ëndrroj
E të dashuroj
Shqipërisë
Pa hile t'i buzëqeshem.




BUZËMBRËMJE KUJTIMESH

Më ndodhë shpesh
Që kujtesa
Në vitet e fëmijërisë s'ime të më bartë
Vite kur bashkëvendasit e mij dervenas
Me opinga të lëkurës ngjeshur
E me plis të bardhë në koke
Në qytetin e Shkupit zbrisnin
Mbi Urën e Gurit kalonin
E në Çarshi të Vjetër ndalonin
Bukë të nxehtë frangjolle
Në furrën e vjetër blenin
Dhe miqësisht mes veti e ndanin
Me një gotë boze të freskët
Bukën e përtypnin .

Sonte
I mërzitur
Larg atdheut ndjehem
Ëndrrat
Nga Parisi i largët
Në rrugicat e Çarshisë së Vjetër më bartin
Shokët e fëmijërisë s'ime të rikujtoj
Kujtesa
Nga Mali i Thatë i Dervenit
Atje lartë mbi Malin e Krojeve më bartë
Hënën
Me duarët e mija të përgdheli
Si fenjerë i ndezur drite
Valët e Bardharit t'më ndritë
N'ato vite rinie të rikthehem
Dhe nga dëshpërimi e hidhërimi
Juve t'ju drejtohem
E t'ju them
Ne rrugët e Shkupit
Burra me plis të bardhë në kokë
Të mos kërkoni
Këtu vetëm hingëllima kuajsh
E urrejtje do të ndjeni
S'ka buzëqeshje
As kujtime fëmijërie në qytet.




STROFË E PËRLOTUR E VARGUT TIM TË NDARË

Ndër shekuj
Gjyshërit e stërgjyshërit tonë
Shqip flisnin
E njëri tjetrin se kuptonin
Të ndarë e të përçarë ishin
Dhe armiqve ju shërbenin
Zotit
Në gjuhë të huaja i luteshin
Ofkëllimat e nënave tona
Në balada e këngë kreshnike duke i kthyer
Rapsodët në fejesa e dasma ti këndojnë
Andaj i hidhëruar e i mërzitur ndjehem
E dy fjalë po ua them
Ka vite e dekada që rrugëve të botës
Atdheun e kërkoj
E keq ndjehem
Edhe sot
Kur rrugës së Kombit udhetoj
Dhe me sytë e mij
Shqipërinë
Të përkulur e të përlotur e shoh
Që zjarrë
I paskan vënë.

Shqipëri
Ti e dashura ime nënë
Unë biri ytë i mallëzuar
Nga mërgimi po të shkruaj
Sonte
Ke shkallët e shtëpisë më prit'
Lum nëna
Ngase drejt teje jamë nisur
Bashkimin e kombit
E pasaportën shqiptare të kërkoj
Më pritë se erdha
E dashura ime Nënë.




E ÇASTIT

Shkruani vargje e botoni libra
Sa të doni
Ju o miqtë e mi poetë
Vargjet i bëni litar
Njëri tjetrin të vjerrim
Flisni për lulet
Flokët e të dashurave tua
E për veshjet e tyre intime
Shani
Urreni
E hidhni gur mbi njëri tjetrin
Unë rrugën time kam zgjedhur
Sytë
Kah at-mëmëdheu më bartin

Rrugë tjetër s'njoh!

Montag, 17. August 2020

Brahim Avdyli: SIMBOLIKA E DHEMBJES

Brahim Ibish Avdyli

SIMBOLIKA E DHEMBJES

1.

Edhe njëzet vite
pas luftës
bëhet një tjetër përpjekje,

erërat e vjetra
të vdekjes
i ngjallin demonët,

djemt e nipat
e atyre që na kanë vrarë

tani më
me duart e përgjakura
shetisin
gjakut të lirisë

e të rritës sonë!

2.

Shfrytëzojnë rastin
deri në shkatërrim,

dreç me bishta të jemi
e jo më shumë,

prandaj
në kohë të paqes
prapë sulet
gjenocidi serb

të shpërthejë
mbi foshnjat e lidhura
në djepa tmeri!...

3.

Hijenat e gjakut
sillen pas luftës
njëzet vite pa pushim

e njëjta trajtë
të zhdukjes sonë
mbi doçkat tona

pa u ndalur
e sillte rrotën e madhe
me qindra gënjeshtra,

për të bluar qetas
në mullirin e padrejtësive
qenien tonë

dhe mjerimin e pa fund!

4.

A jemi përherë
viktimat
e shfrimeve satanike
që kalojnë
nëpër vdekjen tonë,

apo hije të tmerrshme
nëpër errësirë,

vetë nuk u besojmë
syve të toptisur,

bota, çka është bota
ka dalur jashtë vetes

e kënaqet
deri në shkatërrim!

5.

Tanimë duhet
të ndjejë ketë dhembje
prej fillimit
e deri në mbarim,

simbolikisht
i kanë marrë prej nesh
fjalët e urta
gjenezën
e gjuhën...

ne ishim e jemi
përherë dhënës
e asnjëherë
marrësit e tyre!

6.

Nuk do aq mend
të kalkulohet e vërteta,

simbolika e dhembjeve
ka vijuar përherë
me alfabetin e fjalëve
nga Dardania!...

7.

Evropa e vërtetë
copat e shfryerjes
duhet t`i nxjerrë,

gënjeshtrat
e gjenocidin
e fashizoidëve serbë
duhet ta ndalë,

përndryshe
kryedemoni
do të pikasë
me paudhësinë nga arabia
deri në Evropë!...

8.

Kësisojit
sindroma e vdekjes
nuk është mbyllur
katrahureve të dhembjes,

kemi qenë të parët
në botën e dalldisur
përtej shekujve

e të fundit kemi mbetur
me zemrën e djegur
nëpër duar,

e vetmja simbolikë
për gjenezën e popujve-

përpiqemi
që ta mësojmë
urtësisht
si duket jeta
me dashurinë!...

9.

Athua,
kush ua dha atyre
këtë tmerr jete
mbi filizat tona,

alfabetin e mohuar
të dhembjeve tona
kush ua kthen,

simbolikisht
përherë ka rrjedhur
nëpër lotët tanë

gjaku i lirisë!...



HIJENAT E GJAKUT

1.

Gjenocidet janë
kur ikë
me kokë në duar

për një frymëmarrje të lirë
nëpër katrahurat e vdekjes,

edhe atëherë
kur detyrohesh
të braktisish
me ëndërrat tuaja
Atë Dhé

jashtë rrethanave të jetës
e lotët
që të rrjedhin!

2.

Hijenat të prekin kudo
rrënjët t`i nxjerrin prej tokës

blerimin prej degëve
ta krasisin
pa gjurmë
pos shkatërimit...

Nga padushkmëria
i zgjasin duart e përgjakura
me paraardhësit
e pasardhësit
drejtë stinëve të gjurmuara,

doçkat tuaja nuk mund të jetojnë
me dhembjen e rritur
kudo

edhe në të kaluarën
pa të ardhme...

Hijenat e duan gjakun,
dalshin menq,

e fluturimet vazhdojnë
nga trungu i atdheut-

zogj që ikin
pa fund-

zogj të dhembjes sonë!...

3.

Të largohemi prej vetes
plas durimi i jonë,

gjenocidet rriten me shifra
vdes
apo zhdukesh,

aty ku kemi lindur
është djepi i rritës suaj
nëpër kohë-

nuk mund ta zhdukin
kujtimin e tij,

hijenat
plasin prej durimit tuaj!...



GJENOCIDET

1.

Fjala sillet
nëpër gjakun e derdhur
pa faj

të dobët jemi
fëmijët, gratë e pleqtë
e dhembja e jonë
pa kufi!...

2.

Genet
janë të parat
e Cidi rrjedhë
drejt shkatërrimit-

cili është ai që e mohon
origjinën e vet,

të paturpshmit e menqur
na mësojnë
vetes
t`ia hapim varrin

e paturpësisht
qesh me ne
para botës,

i përkund djepat tanë
me fëmijët e prerë
e të vrarë,

derisa
dhembja e jonë
ngrihet
në kupë të qiellit!...

3.

Gjenocidet i kanë
njëmijë forma
mbi ne,

e asnjëra nuk e ndalë
nuk e dënon-
paraqitjen e shfarosjes!...



FILIZAT E TRETURA

1.

Dridhen
pa shpresë
filizat e tretura
pa njerëzit që i donin

gjithmonë me frigë
e sytë e shterrur
në kokrra loti

mbështjellë prej tmerri!...

2.

Nuk e di
nëse i ka humbur njerëzit
apo vetë ka humbur
nëpër kohë,

qanë pa u ndalur
frigohet
se do ti humbë
të shtrenjtit
në plagë të shpirtit,

edhe fëmijët e fëmijve të mi
ndodhen
në plasa të zemrës!...

3.

Prindërit nuk janë më
sepse ua ka ngrënë
koha me dhelpëri,

asgjë nuk dinë nga jeta
pos lotëve,

Hija e jote
o Zot i Madh
Zemërbadhë
shkatërrimin e jetës
do ta ndalë,

e filizat tona
të dashurisë

janë në Besën tënde!...



PLAGË QË KULLON

Nëpër trupin tonë
plagët e vjetra
kullojnë gjak

e jeta hargjohet
pak nga pak
ikë nga vetja
thua se do të mbyllen plagët,

kullojnë jetë të vdekur
e vdekje në jetë...

askund nuk pushojnë
të rrjedhin
pa ndërprerë
ngjyrën e jetës...

Gjenocidet
janë prore
trandjet tona!

Sonntag, 17. Mai 2020

Naim Fetaj: POEZI NGA LIBRI QË PO VJEN

(Nga vëllimi poetik, në process botimi: ZOGJTË NUK NDËRROJNË FYTYRË)


ME SYTË TANË NË SQEP

Janë endur korbat me sytë tanë në sqep
Me sytë tanë si gacë
Herë përmbi Kukës e herë përmbi Bllacë...

Janë trashur qentë
Dhe krimbat janë trashë
Edhe zonja macë...

Herë në gojë të ujkut
Herë në gojë të qenit

E sa shpejt harruam
Ah bacë ...o bacë…



DITË PROTESTE...

Ende nuk janë ndarë dita dhe nata
Një acar i egër djeg sikur flaka
Kot ca hije të zeza brigjeve kanë zënë pritë
E bardhë e bukur. ..ngadalë zbret kjo ditë

Zbardhet horizonti sheshet mbushen jetë
Zhurmojnë edhe zemrat si koshere me bletë
Zbret kjo ditë proteste si për teh të shpatës
Ua verbon sytë ... lugetërve të natës



AZIL KËRKOJNË DHE VARRET...

Hijen time
Pas lufte e ke vrarë
Po unë kam shpëtuar
S'e di
Si të ika nëpër duar..

Tash e njëzet vjet
Veç vdekja atje thërret

Tek çdo gur varri
Zbritën edhe malet

Sa shumë rrena
Që bluan dhëmballët

Vonë e morëm vesh
Se meit i do të gjallët...

Ec e ndali tash
Azil kërkojnë dhe varret…



STINË E VUAJTJES

Stinë e vuajtjes... keq na ka murosur
Veç me kokë nën sqetull
As gjallë...as varrosur...

Herë si ujk në kurth...herë qen i plagosur

Një shekull kjo stinë
Dhe ende s’ka të sosur



PEIZAZH I VDEKUR...

Zgjohen të vdekurit e vdesin të gjallët
Shahen mes veti nuk dëgjojnë as malet
Ikin të rinjtë po zbrazën mëhallët...

Ah, liria ime
T'i hëngri qeni fjalët…



KUR I VRAMË MË TË MIRËT...

Dikush gishtat ia ndërronte fyellit
E dikush sytë ia mbyllte diellit

Një kukuvajkë zbriste në fund të katundit
Se për dike ishte nata e fundit...

Anës së Drinit motra e qante vëllanë...
" Na e vranë... e na e shanë. "

Tash dhembjen s'e mbajnë as zinxhirët...
Atë ditë e sot...kur i vramë më të mirët.



TË GJALLËT I QANTE NËNA...

Tinëz sikur ëndrrën të mbajtëm në gji
Edhe ndër varre tinëz kënduam për ty
Liri...

Pas lufte disi e skuqur dilte hëna
Të vdekurit i varrosëm
Të gjallët i qante nëna

Nëpër këngë tinëz
Përbirohej nëma…



NJËQIND VJET NA NXIU DIMRI

Dergjeshin stinët rend si speca në varg
Si kripa në zjarr u plaste zemra në bark

Njëqind vjet stinët njëra tjetrën hanin
Njëqind vjet na e nxiu gjithë jetën dimri

Njëmijë të zeza i bëmë
E qanim të trembëdhjetën

Sa keq e sa egër sunduam vetveten...
E thias sa thellë e varrosëm të vërtetën



QENTË E ÇARTUR...

U bënë bashkë në muzg e u nisën për gjah
Herë hidheshin në dy e herë në katër këmbë
Qençe i lehnin hënës se ishte e plotë
Çeta e qenve në terr që dukej si një flotë

Kështu bënin prore kur mbushej hëna
Qentë e çartur të një katundi të ri
Pas u shkonte gjëma gjak e jargë ndër dhëmb
Të grithurat e tyre s'i shkelte njeri

Vinin nga çdo anë sa herë skuqej nata
Tokë e qiell i shponin me ulërima
Si në sahat të dekës lutej njerëzia
E lisat më të gjatë i çante vetëtima...

Qentë e çartur kur vinin tek lëndina…



RAPSODI MBI VARRE...

Me të vdekurit sonte do të hedhim valle
Do kërcejmë e do të lodhemi mbi varre
E do t'u tregojmë
Se i falëm fushë e male
Ndoshta na e falin
Tradhtinë e madhe

E zjarrtë zbret nata përmbi këto varre
Ah nata e marrë...me njëmijë marre

Rapsodi e çmendur kjo
Për të gjallët hapen varre…

Dienstag, 28. April 2020

Dy poezi nga Naxhije Doçi

Naxhije Doçi

MEJË -
PELLG AMËSIE

Në hartë një pikë fare mikroskopike,
në shikim një fushë e madhe
sa vetë zemra jonë,
sa vetë ëndrrat tona
për shlyerje ndryshku nga buzët,
dhe shporrje errësire nga dheu jetik.
-Mejë pellg amësie
me përshtypje kohësh
malet roje që nga legjendat.
Në shpërthim rrebeshesh
namur nga jehu i thellësisë
blatimi dritë per rrezatim shprese.
-Helmetat serbe të skëterrës
ndanë katërqind lule të gjakut tim
nga kalvari i gjatë sa biblizmi i robërisë.
Si i trajtuan dhe kah i çuan, enigmë.
-Dëshmitarët sy e gojë mbyllur
përtej gardhit të dhembjes dëbuar,
mjegullnaja tis në shlyerje kujtimesh.
-Në Mejë dielli shndrit sërish
në ngrohje ëndërrash të thyera
të shqiponjave në fluturim.
-Mbi ograja e suka bjeshkësh
sërish bulojnë lulekuqet si gjaku
për ta përtërirë jetën
hapin për ta zënë me kohën.
- Secili la një gjurmë për shijen e lirisë
shekujsh kallur etjeje për të.
- Kënga e ndezur si shokë ylberi
ka ende plagë zemre
me mall pritjesh me shpresa
për kthim burrash
në përtëritje të plangut.
- Eshtra lidhur në plasmaste
Ishte shpërblimi i vonuar.
- Fushë e Mejës krejt gropa-gropa
në shenjtërim martirësh nga pavdekësia
Sarkofagët në vellon kuq e zi
qetësojnë zjarminë e tokës së djegur
pagëzuar “Lëndina e lotëve”.
- Muret patjetër do të mbajnë këtë herë
ngjizur për rrënjë legjendash.

Nga libri me poezi: “Kohë flakadanësh të lirisë”



LIBRI SHQIP

Në kohë të rënda të fëmijërisë sime,
gjithësesi edhe në ato të rinisë së parë
rrëzë Gardhinës Plakë të Therandës trime
e lexoja krejtësisht fshehtas
librin e shenjtëruar shqip
shkruar në gjuhë të dëlirë përëndie
thesar magjik i lashtësisë sime në shtresime,
e gjysma e dytë e shekullit njëzet ishte
ngrysur thellë në mjegullnajë robërie.

Kur të gjithë në shtëpi flinin, lexoja 
me dritën elektrike të përkufizuar
që të mos më dallonin nga jashtë 
hijet e patrajta,
puthadorët zemërgurë të paguar,
nga verbëria e vet turpëruar,
nata përgjonte e mashtruar.

Ishte mëkat i pafalëshëm atëherë, 
bjeshkë e purpurtë guximi
të mbahej në shtëpi libri i mirëfilltë shqip
botim i flakëruar Shqipërie 
e diasporë dashurie
se kohë mugu vazhdues ishte  
në Kosovën me gjemba trishti robëruar
nga pushtuesi barbar e shfarosës serb,
me izolim sizifi ishte ndëshkimi
e refrene ngujimi.
Në bibliotekën familjare relikt e merrja
librin e ëndërruar shqip
sjellë nëpër kohë trishti sfidues
nga hapësira e përmallimit përballë 
të trungut tim të ndarë
me dredhi e hangjar.
Pishtar gjyshi zulmëmadh dhe i përkushtuar
nga babai fjalartë pasuruar.

Krenari me flakërimë hirësie ndieja 
librin shqip kur e lexoja
më dukej se krejt bota bëhej imja
edhe përtej së mundshmes,
epokat bënin fole të dehur në zemër 
për madhështinë e dheut tim me emër.

Nga libri “Vargëzim mbi gjurmë”

Samstag, 21. März 2020

Katër poezi nga Bajram Sefaj

Bajram Sefaj

Ishull për ishull
(A. Podrimjes)

ec e dije
bjeri në fije
ç’është Ujë i Madh
në është Ujë
a vetëm Ujë nuk është
i albania-as ishull është



Udha e fundme

shalojeni
atin dori
të nisëm dua
të arrij atje
në kodrinën
mbi katund
ku eshtrat 
e të parëve të mi
prehen në paqe
e me presin në qetësi




Pa fjalë

s’ka
as lamtumirë
as
mirupafshim
nuk do të vi
sonte në mbrëmje 
as
nesër në mëngjes 
nuk do të kthehem
as....



Mëkate

mëkatet e mia
janë të mëdha
të rënda janë
as ujë drini
s’i lanë
as squfuri
s’i djeg
veç vuajtjet
e mia
hakut u vijnë

Sonntag, 15. März 2020

Tetë poezi nga Rakela Zoga

Rakela Zoga

Bej qe ti zgjoj, po nuk me le ti!

Përse jemi bere, kaq të largët të huaj.
Në botën e shpirtit zhurmon qetësi.
Dikur me ngrohje me gjethet e vjeshtës,
Të thara të vjetra, qëndrojnë në vitrinë.

I shoh nga larg me djeg malli I stinës.
Mundohem të vij po ikje je ti.
Sytë I përkul tek lendina e vjetër.
E ti nuk më qesh, me qan veç me sy

I zgjoj ato kohë, në enderim e përlotur.
Ishin jetë e ditëve vetmi.
Tani janë një grackë, fundosur drejt dhimbjes.
Bëj që ti zgjoj, po nuk me le ti...



Virusi i gjelbër! 
(E diela me shume se gri).

Në jetën tënde ke ulur mikrobin e heshtjes.
Me kot i trembesh Virusit, që gjelbëron në stine
I yti e ka një shpirt të vetëm përkulur.
I imi ka qindra shpirtra të tjerë, të dlire..

Dhe shoh, si zgjat dorën e heshtjes.
Ato krahë, që kure s'me dhanë përqafim.
E paskam pasur dhe unë një virus brenda vetes
Te dua çmendurisht pamundësinë..

Mos u trembni prej virusit të gjelbër..
Ç'do sundimtar bie një ditë...



Ditët mëkatare!

Ditë të haruara marrin ferymë.
Këmbëzbathur zvarriten rrugëve të gjata.
E bien në krahë nate dergjur vetmi.

Presin sy zgjuar,
Te nisim, vallen e bardhë mes reve.
Si dy të dashuruar sërish..

Ditë të torturuara mëkatare,
Kerkojne të ringjallen përsëri...



Zgjim apo ikje!

E pres një ditë zgjimi me ty.
Le të jesh I moçëm, s'ka rëndësi sa vjet.
Kam kohë që e pres, mundohu të më gjesh..
Të qetësohen motet.

Dhe nëse s'do zgjohem me mire..
Muzgjet e lodhura s'do pikojne lot.
Ditët e vyshkura do çelin orë të reja.
Pritja do ketë pasqyrën e ikjes.

Ajër në dritare bosh...

Në kotësine e kësaj bote te padrejtë.
Krenare gënjeshtra do luajë mureve,
Duke zhgaravitur portretin tënd pa ngjyrë...



Stolisje lotësh!

Lidhjet e shpirtit stolisen ne lote.
Pikat rrjedhin, gurgullojne ngadale.
Troket trishtimi e luan në trup.
Fishkellen melodinë e vetmisë peralle.

Dëgjohet kënga, në zemër refren.
Shpërndahet ujvare,mbeshtetet në gjoks.
Prek gjymtyrë, që dridhen në dhimbje.
E dergjen sërish, në të shtrenjtat lote. .

Lidhjet e shpirtit e paskan një shok...




Në Korçë

Në natë me vetminë e erës,
i ndaj kujtimet.
E fryj buzëve të saj,
me peshperitje lotësh ujë.
Zgjohen puthje, heshtje,
gurre, që s'u shemben dot kurrë.
I përkëdhel me sy,
Ajri qesh e qielli s'flet..
Po deri kur, deri kur?...




I njëjti trup!

Me lëkurën time të veshur në trup.
Ec enderimit të djeshëm.
Heshtja e varur mbi supe,
Rendese kujtimesh..
Dhe ec, me lëkurën time veshur në trup.
Me hapa mjegull..
Në atë qiell resh,
Ku shiu vonon të bjerë...



Si dikur! 
(Vetëtimë)

Do të kthehem vetëtimë, në dimrin tënd.
Me dashurinë e motit të pranverës.
Të deboj akujt e shpirtit, që dhemb.
Me rreze ndjenje, të shkrij mungesën.

Do mbështjelle flutura bore në duar.
Të rrjedhë ujë, si dikur në sy.
E lotët e zemrës do qeshin me mua,
Do çelen në degë, që si mund dot as ti.

Do zgjoj atë mall, që fle në ditë dimri.
Oxhaku i ngrohtë,s'do këte me as prush.
Në flakën e shpirtit do ndizen ca zjarre.
Thengjij të vjetër, të shuar dikur..

(Prandaj ne ditë dimri do kthehem nuk humb)

Donnerstag, 27. Februar 2020

Buqetë poetike nga Tahir Desku

Tahir Desku

KTHIMI I DASHURISË

Ç’më duhesh tash e marrë
Shih ndjenjat më janë topitur
Stinën e trëndafiltë e harrove, si munde
Kur erë frynte e shi rigonte
Mbi kokat tona rritej fati
Dhe drurin që gdhendur e patëm me durim
E mori zjarri e mori
Bukur e dhembshëm qajtëm e heshtëm
Ligjet e jetës pa i ditur
Unë njeri i shqetësimeve
Mbeta. Sot e atë ditë
Larg qiellit. Larg deteve, harrimit.
Për dashurinë s’më kujtohet ç’thashë
Vetëm të padukshmet i dua
Më shumë se dashurinë e pathënë
Kur nga gjri i harrimit kthen

Vërtet jam bërë harrestar i madh
Asgjë nuk përfill si dikur



PËR ANITËN

E shpaloi zemrën prilli
Kujtimet i dogji në verdhësi

E dashur merri
Sytë e mi



VETMI E PËRGJAKUR

Anitë
Ka të sosur zjarri yt
Vetmia e përgjakur
Breguit të diellit
Merre kujtimin e zhuritur
Rrëfeju pasardhësve
Për lindjet e vdekjet
Për vetminë e gjatë
E lëvizjet nëpër zemrat tona

O ku mbeti blerimi
Shpirti i gjallë në pritje
Pa kujtim trëndafilash
Në tokën e bardhë
Anita ime e lodhur në kujtime




PA TY

Nuk kam qetësi
Gishtërinjtë bien si shi

Ashti u dogj
U dogj edhe vajguri
Prapë ora një

Hëna iku
Ndërsa unë rri




ËSHTË NJË DASHURI

Është një dashuri
Diku

Duart i zgjat

Mallin në mua
E kthen
Pagjumësia




CILA JE

Me çka të të krahasoj
me cilën këngë
me cilën bimë

me cilin varg
me cilen rimë

Je Ti vasha nga përralla
që në pëlhurë zemre
qëndisë nusërinë

apo Penelopë e shenjtë
që shpiku besnikërinë

me çka të krahasoj

Cila je
e butë
a e ashpër
si Atdhe



UNË DO TË VIJ

Kur të vijë pranvera
do të nisem tek Ti
se të dua shumë

Të kam shpikur me një zjarr të ri
se jeta ndërroi formën e vet
tash do të provoj dhembjen deri në gjak
që të jem afër teje

nëse vdekja më ndalon
ti prit derisa të vijë pranvera

Unë do te vij
tepër i bukur
tepër i ri



ÇKA KAM BËRË PËR TY

Kam ngritur kulla e ura
kam shpikur planete e qytete
kam zbrazur plumba e mortaja
një qytet e kam trazuar për Ty
dashuria ime

pasi të krijova nga uji jari lotët
Ti erdhe Semiramidë e shenjtë erdhe
pikëllim mallkim në mua derdhe

në jam ëndërr a s’di ç’po flas
hija jote kudo më vjen pas
stuhishëm bie mbi mua
derisa e skuqur gjak bëhet vetmia

n’dreq të mallkuar Ti dhe vargjet e mia



DASHURIA

Vetëm ajo nuk plaket
vetem ajo nuk matet
shihet
as preket

Po u largove
të ngrin acari
po u afrove
djeg

ajo është vetë zjarri

kujdes nga njrëzit
që u mungon

u mungon...

Mittwoch, 26. Februar 2020

Ali Podrimja: DASHURIA

Ali Podrimja

DASHURIA

Koha eshte te duhemi
te kesh besim ne mua kur te them: Trime,
te kem besim ne ty kur me tha: Trim.
Por koken time kryenece shume kurthe ngrite,
shume e pushket mbushi babai yt, fisi yt,
nje mije e nje te zeza kurdise ku do ma zije priten.
E nen kulm banonim,
nga frengjia me drite me peshove,
me dite lexoja Shekspirin ne hijen e Kulles,
se mos do te takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinen nga dielli, nga acari!
Kam frike se ma therin syrin cubat e territ,
kam frike se me vrasin pas shpine te pabeset.
Dashuria ime, ma zgjat doren ta kapercejme kete
uje te madh,
i huaj s'jam as vij nga toke e vdekshme.
Ne fund te livadhit te kositur a po sheh:
ai kali i bardhe eshte yni e tash pergjithmone.
Me shikon drejt ne sy, leri zenkat, fjalet, sharjet,
Une do te te sjell Lulen nga zemnra e Bjeshkes,
do ta ndez llamben ne Kulle,
do ta hedh faren ne token e re.
Kur te desha, coja dashurie me nje grua te marre,
e mehalla jeohnte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, s'menduam pak edhe per vete,
Koha eshte te duhemi.

Abdullah Thaqi: POETI I MALEVE

Abdullah Thaqi

POETI I MALEVE

Ne fshatin malor
ishte nje poet,
qe fati e deshi
te jete analfabet!

Kishte hall ai
kenget si ti shkruante,
kishte hall ai
kenget si ti ruante.

Se koha e ashper
rridhte neper male
e mbi vlera gerryente
si ndryshku n’metale.

Seç i polli mendja,
beri nje cifteli,
me te i kendoi
gjithe kenget e tij.

Dhe hapen fjalet,
prej goje ne vesh,
dhe u ruajten kenget
prej brezi ne brez!

Nje dite erdhen nipat
me lapsa e fletore,
poetit te maleeve
i ngriten permendore.

Abdullah Konushevci: JETA NË MOZOMAZI

Abdullah Konushevci

JETA NË MOZOMAZI

Në Mozomazi mund të vdesësh çdo çast
Të këputesh si lule në erë
Dhe të vazhdosh së jetuari pas vdekjes
Me të gjallët e vdekur përreth
Që ruajnë kujtimin tënd të përgjakshëm
Si vashën e mallit të parë

Në Mozomazi jetohet për mrekulli
Aktor mund të jesh kur të duash
Dhe të ndërrosh jetë kur të të teket
Si një aktor i palodhshëm tragjik

Ja pse në Mozomazi pihet shumë raki
Dhe pagjumësia bëhet ëndërr e ankthshme
Dhe njerëzit kanë turp të gjallojnë
Karshi thneglave milingonave karkalecave

Që kryejnë punët e ditës e natën çojnë dashuri

Zot
Në Mozomazi nuk shihet njeri
Se nata bie aq shpesh
Dhe terri është aq pis

Çdo gjë që lëviz ecën fluturon
Shoqërohet lehaqensh larashësh laureshash