Montag, 6. Februar 2023

Hasan Kuçi: MË KUJTO VETËM ATËHERË



MË KUJTO VETËM ATËHERË

Më kujto vetëm atëherë
kur netëve të nxehta vere
nga lëkurë e djegur
nuk të zë gjumi
e ndër duar të vrazhdëta të kesh kaluar
flok i djersitur të ketë qullur jastëk vetmie    
nëse etja të të ketë marrë 
duke pirë në gotë nostalgjie
më kujto 
nëse po mbytesh në shi nëntori
e në këmishë nate ndjek yjet
nëpër balten e hirtë
nëse po ikën si e tërbuar
nga kujtim i hidhur vjeshte
më kujto atëherë
kur të ftohtit të të ketë hyrë në palcë
nga shtrati
të turpëruar të të kenë hedhur 
kur në ije
dhimbje e tmerrshme të të ketë kapur
nga pendimi për dashurinë e pështyer
për tingullin e mekur të pianos
për vargun e qëndisur me shpirt
më kujto vetëm atëherë 
kur nuk do të duhesh më
rrudhë e njëqindtë
të të ketë zhdukur qukat n`faqe
kur kujtimet s'i kap dot
dhe lot i tharë
të heqë mall dashurie

Solothurn, Janar 2022