Samstag, 30. November 2019

Çun Lajçi: SHQIPNISË SIME T'LUHATUN

Çun Lajçi

Shqipnisë sime t'luhatun

Kur dridhesh ti
Ne s'bajmë gjumë Shqipni
Se tutemi po vdes
E rrajë jetimash mbesim
Të duem edhe kur vërshohesh
Ujnash
Edhe kur digjesh
Zjarresh
Edhe kur mallkohesh nesh
Kur luhatesh
Dridhesh e përkundesh
Tërmetesh
Si zogj t'futemi n'gji
E lutemi
Vetëm ti t'mos vdes
Ne
S'bajmë gjumë kur ti dridhesh
Se veç Ty t'kemi Shqipni

Puntorie Muça Ziba: SHQIPËRI

Puntorie Muça Ziba

SHQIPËRI

O copëz Shqipëri
o copëz dritë,
o copëz nur
o copëz terr...

O tablo joshëse,
o moj hyjnore!

Për shtatit tënd
rrimë thurur si kulpër.

Varur mbetemi për kurmin e brishtë
veshur me zefir e trëndafilë.

Plak e i ri
me faqëza ngjyrë qershie
para teje mbeten melankolik.

Sytë ta miklojnë fytyrën hollake
si një lëvore qepe
që grithet me një ferrëz gardhi
me një ferrëz sa një thua mace,
dhe gjaku i kuq
pikla, pikla të pikon...

Kur vjen muaji i lulimit
bijtë e tu shtegtar
me sy varur për qielli
prekin sublimen e ëndrrës
për faqen tënde,
për shtatin nazik.

... dhe vegjëtoret
që ju del hoje buzëve
nisin e klithin
nisin e qajnë,
afër sinorëve
vaj, vaj, e vaj...

O copëz Shqipëri
o copëz dritë,
o copëz terr,
mbi relievin e elozheve tua
më daltë njaj shpirt.

Ndue Ukaj: LIBRI I ZISË

Ndue Ukaj

Libri i zisë

Arbnit janë të fortë e tërmetet ua copëtojnë
një copë zemre në çdo stinë
por krejt zemrën e kanë më të madhe se toka.

Përditë shkruajnë në librin e zisë
një fatkeqësi të re.

Sepse ata janë një tregim përplot dhimbje
dhe një diell që buzëqesh në çdo mëngjes.

Në librin e zisë
kanë derdhë shumë gjak
kanë shkruar për motin e lig
e furtunat kur u mbytën në det.

Dhe sa herë kanë dashtë të dalin në fletën e bardhë
një termet i ri i ka trishtuar.

Ata i kanë shuar kufijtë mes dhimbjes e gëzimit
gjatë kanë shtegtuar neperë detin e pikëllimit
kanë parë tryezat e tyre të plasaritura
gotat e verës të thyera
e ullinjte e derdhur përtokë.

E nga Bjeshkët e Nemuna
shpesh kanë dëgjuar
gjamë
ulërimë.
E nga deti tërbimi kuçedrash.

Arbnit hartat e pikëllimit i kanë shqyer moti
nëpër orët e liga të fatit
nëpër dete të trazuara të historisë
kur lundruan me barka plot pikëllim.

Ata zemrat i kanë plot tërmete.

Është nëntor
muaji i arbnve.
Ata kanë dëshirë të shtrojnë tryezën e gostisë
dhe të vishen me madhështinë e Kryezotit
të cakërrojnë gotat për shëndet dhe një pranverë të re.

Prandaj lutën.
Në nëntor nuk duan të hidhërohen.
Por moti i lig ka çuar peshë dallgët e detit
e tërmetet kanë rrëzuar muret e pallateve
s kanë zanë plot njerëz brenda.

Por zemrat e tyre i kanë forcuar
sepse atyre as pesëqind tërmete nuk mund t’ua thyejnë zemrat.

28 nëntor 2019

Mevlyde Mezini Saraçi: MË LINI KËTU

Mevlyde Mezini Saraçi

Më lini këtu

Pse erdhe tinëzisht moj mortje ogurzezë
Mbi kapakët e syve më rëndon masë betoni
Vdekja paska zënë rrënjë në ëndrrat e mija
Portret i hënës mi mbuloi shpatullat e ngrira
Më lini këtu ju lutem mos më trazoni
Dua të mbështetem në krahët e nënës
Përjashta bën aq ftoftë mos më zgjoni
Nesër vetë do të fluturoj si shqiponjë
T’ua sjellë përshëndetjet e festës së flamurit
Më lini këtu ju premtoj se do të kthehem
Ta përqafoj Shqipërinë time me mall e dashuri

Gjakovë, 27 Nëntor, 2019 ora 10:30



Plagë

Lotët e shiut pikojnë
Freskojnë ballin e atdheut
Shpirti kullon dhembje
Plagët ngjiten në qiell
Zëra fëmijësh thërrasin

Nënë ma jep dorën

Kristaq Turtulli: ATDHEU IM

Kristaq Turtulli

Atdheu im

Atdheu im, rënkim në gjysmë shtizë,
Dhimbje dhe lot i kristaltë,
Në sytë e skuqura të një fëmije,
Mbështjellë me shallin e lodhur të ylbereve.
Pëshpërimën e harruar të mëngjeseve,
Duar zgjatur si dy pragje jete,
Të mëkëmbë nga rrënoja ëndrrën e vrarë.
Kafshimin e tërmetit, oktapodit të pabesë,
Në ëndrrën e dëlirë dhe të paqme.
Atdheu im, i shtrenjti im, ankth, klithmë dhe drithërimë,
Thirrje për një ditë pa shumë fjalë.
Sa kohë do për të vrarë një errësirë,
Për tu mëkëmbur dhe ndërtuar një shpresë.

Margherita Stoja: ATDHEU IM

Margerita Stoja

ATDHEU IM

U përlota sot atdheu im
Flamurit gjysëm shtizë
I rëndojnë qelizat
Me krahë të trëndafiltë,

Ku nën gërmadha një gulçitje
e përmbytur kerkon dritë,
troket me cicërima në muret
e qelqta të zemrës, por më kot.
e del nga trupi pa jetë i mëmësisë.

Perëndi bekoje foshnjën e
Qumështëzuar me ëndrra uji
merre ne krahët e tu
e vishe me dritë.

Oh, tmerr ç’ndodh kështu
Me ty toka ime e përvëluar?
S'di ç'është, ëndërr apo e vërtetë?

U përlota sot Atdheu im
Jetë të këputura në sfilitje
Ëndrra pa zgjim.

E sot shqiptarët bashkuar
Në folenë e dhimbjes
Ndienë muret e zemrës t’u tronditen
Siç u lëkundën shtëpitë
Që flijuan dhjetra jetë.

U përlota sot atdheu im.
Qielli ka veshur mantelin e zisë
Si të një murgu qe kërkon të
Bekojë ofshamën e fundit
E prej dhimbjes tënde
as natyra nuk frymon...

Pal Sokoli: DRIDHMË GJAKU

Pal Sokoli

DRIDHMË GJAKU

Dridhmë tund trollin tim arbëror
Dridhmë me of- e pamëshirë
Aty një mëngjes me mbylli sytë
Atye e martja m’ shtërngoi në grykë.

Rrënojat bërtasin ndihmë
Më zërin e dredhur e të mekur
Heshtë Nënëlokja e goditur
Me nipin në prëher e vdekur.

Sot qënder e dridhmëdhimbjes
Therri gjakun tonë pllakë
Vloj gjaku i bashkimit rrëke
Vloj aty, dhe të unë në mërgatë.

Klithmë e shëmbur qe thërret
Me dorën e shtrirë pranë
Të prekë gjakun e tij afër
Më thërret dhe mua këtu ku jam.

Shumë u trand kjo zëmer sot
Nga shumë rënkime e vajë
E vërtetova sa të deshta
Dhe sa të dua, të dua edhe tani.

26.11.2019

Zyrafete Manaj: AH SHQIPNI

Zyrafete Manaj

AH SHQIPNI
26/Nëntor/2019

Sot doja te mos ecte ora
Tiktaku sikur me sillte dhimbjen
E minutat shkulnin nga nje cop zemer nga unë.

Sot natës desha të ia vraj ardhjen
Shoqe me vdekjen po bëhet
Sa ma plas palcën e ashtit
E ma fundos shpresën e jetës.

Ah Shqipni dhimbja ime
Me plagët e tua mbeshtillet trupi im
Mes vdekjes Shqipni ta putha ballin
Sa her i gëzoheshim jetës në cdo zgjim.



PO MË RRI MIRË

Po më rri mirë
Kjo rrënjë e rrënjës
Xhubletë, plis, ajër valmurë
Bukuri qe kurr shekujt se vranë.

Po më rri mirë,
Gegnishtja ime,
Gjuha e nënës e gjyshes plakë
Po më rri mirë
Fjala e besa
Rrënja e trungu shtatlart.

Sabit Gecaj: E JEMJA SHQIPNI

Sabit Gecaj

E jemja Shqipni

Sonte me ré nga dora
e me nuk e mbaj veten as krenarine e dashnise per ty

Perhere je ajo jeta e praruar qe me trazon bukur
sahere filloj me te preke me sy
nga ajri si fillim e pastaj me pellemben e dore se shtrime mbi fytyre

Ai relief qe eshte si molle e kuqe dashnie
ato drita te syve si ngjyre portokalli qe ngrohin
me rane perdhe keto dite
u fshehen ne ate toke te plasun zemre

Por Ti je prap aty
krenaria e ime dhe e stergjysherve te mi
je ajo toka qe me duhesh edhe keshtu e vrame

Je Shqipnia ajo toka qe i jep emer e jete rruzullimit!

Rrahim Sadiku: STINËT TONA

Rrahim Sadiku

STINËT TONA

Na u shkrumuan këngët
Deri te vaji rruga jonё
Deri te shpresa
Pa qeshur një ditë
Gjithnjë drejt rrugës së pritjes
Zot sa larg mëkatesh jemi
Sa thellë në mëkate na duan
Nuk na u ndanë dhembjet
Duke qarë të rënët
Duke vajtuar të gjallët
Na u shkrumuan edhe lotët

Nёntor, 2019

Ahmet Selmani: NE DUHET TË QAJMË

Ahmet Selmani

NE DUHET TË QAJMË
(ose lotët janë shenjtorë)

A të kam thënë
se për t’u dashur më shumë
ne duhet të qajmë
ndaj mos i fshij lotët me duar
as mos u turpëro
nga dhembja e madhe qe ndjen
se lotët që derdhim
janë shenjtorët tanë të mirë
që na e ushqejnë
shpirtin e mbytur nga lëngata
e moçme sa bota.



KRONIKË E ZEZË NË DITË FESTIVE
(ose urata me fytyrën e dhembjes)

Ka edhe ditë
kur urata shfaqet me fytyrën
e dhembjes
si ndonjë flamur i përlotur
që pret
të valëvitet mbi gërmadha
nga ca duar
që zgjaten për të shpëtuar
nga vdekja.



RRËFIMI I SHQIPONJËS
(ose gojëdhëna e dy kokave)

Zoti më krijoi për ty
më bëri me një kokë

pastaj u sulën
të ma këputin

kur pandehën se vdiqa
më dolën dy koka

seç u tmerruan
kur njëra kokë e ruante tjetrën
e të dyja
trupin

Freitag, 29. November 2019

Adem Gashi: STRUKTURA E SHEMBJES

Adem Gashi

STRUKTURA E SHEMBJES

sesi na ndodh e dridhemi e na dridhin
në trup, në shpirt, në ndërgjegje
e s'bëjmë përtej shpërfilljes
nga muzgu komod prej shpelle

u dashka një natë, një paraag mëngjesi
një gjumë, një gjysmëndërr
të na e nxjerrë dheu, toka sheshit
dhëmbjen e përkorë
të të qenit me vdekjen dhëndër

dridhim, dridhemi e na dridhin
shpërfillës për ndjenjën dhembje
pa e kuptuar se një natë, një ditë
na merren mendtë e klithim: shembje!

Rakela Zoga: RENKOJNË DALLGËT, VJESHTA QANË!

Rakela Zoga

Renkojnë dallgët, vjeshta qanë!

Gjithmonë të kam dashur e do të dua,
ty stinë dashurie,
E zverdhur parqeve, zemrave, mendimeve..
E plakur asnjëherë..

Të gjuajti qëlli me gurë, në Atdheun tim..
U rrezove, nëpër dhimbje rrugesh,
E perqafove lotë trishtim..

Njerëz të ndere mbi gjethe?..
Apo të gjallë të ç'veshur të rrëzuar mbi ty?. ..

Tërmet, vjeshtë tërmet..
Mbi kryet e popullit tim..
A do mundesh dot, ti mbash plagët në shpinë?..

Nëntori i ftohtë, me shi vjeshte lote..
Dallgët e Durrësit bregut renkojnë..

Nikollë Loka: FLAKA E SHPIRTIT

Nikollë Loka

Flaka e shpirtit

Një re e zezë
ik prej perëndimit të diellit,
rritet perëndimi
në qiellin pakufi.
Nën këtë qiell vjeshtak
në prag të dimrit,
pritëm një shqipe të vijë.

Për pesëqind vjet
shpresa
na u kthye në gurë,
në gurin
që na rëndonte në votër.
Prushi i skuqur
u bë flamur
dhe flaka
shqipe me flatra.

U ngjit ajo flakë
në qiell me vetëtimat,
pastaj ra në tokë si rrufe.
Ndër beteja,
ku jetën e dhanë trimat,
shqipet i ngritën foletë.

Sa shumë rrufe
ranë mbi gurin e votrës,
po zjarri s’u shua kurrë.
E flaka e shpirtit
udhëtoi drejt Vlorës,
që të valonte madhërisht
në flamur.

Flakë e shpirtit
na u bënë
shqipet ndër male.
Në prush na u kthye mishi
dhe gjaku.
Nuk vdes Atdheu!
Nuk vritet guri!
Nuk shembet mali!

Adem Zapllusha: MOS U DORËZO NGA KY TËRMET

Adem Zaplluzha

MOS U DORËZO NGA KY TËRMET

Sot përjetuam vdekjen e fluturave
Një krah i thyer
Kurrë më s’mund të fluturoj
Nëpër qiellin e mbetën peng
Dhembjeve dhe plagëve pa gojë

Ky tërmet i çmendur
Për së mbrapshti ia ka mësy atdheut
Por mbase ka harruar
Se kjo tokë
Asnjëherë nuk iu është dorëzuar askujt

Ishte nata ku nën rrënojat
E qytetit të pavdekshëm
I dëgjuam gjëmat
Edhe në Fushën e Mëllenjave
Ku shtatë ditë e shtatë net
S’do pushojnë kukamat

Nënë moj mbaje ison e guximit
Mos u dorëzo nga ky tërmet
Ani që u lindëm
Nga shpirti i mjerimit
Ne sërish jemi krenar si një mbret

Sabit Abdyli: SHQIPËRI

Sabit Abdyli

SHQIPËRI

Rrënjët të gërmonin në thellësi
trungu të rritej në lartësi
Shqipëri

Degët mundoheshin t’i prisnin
por rrënjët në thellësi
të mbanin të fortë

Shqipëri
Yll në jugperëndim të Evropës
çerek shekulli u bëre
Shqipëri
shtrive Bajlozin
riktheve flamurin
Shqipëri

Lamtumirën i dhe gjysmëshekullit të marrë
që të bëri të harroje Kosovë e Çamëri
që tek ti kishin zemrën shpresën
Shqipëri

Dhjetor 1999

Fran Tanushi: TRANDJA E TRISHTË

Fran Tanushi

TRANDJA E TRISHTË

E shoh se je lëndue
por nuk je rrëzue
Veç je mbështet
n’njërin krah
pak më pushue

Pas trandjës së trishtë
ke nevojë për një dorë
t'jep krah me u ngritë

Ty nuk të duhën lutje
dhe as lot dhimbje
As lecka të përdoruara lëmoshë
për ti mbulue plagët e shtatit
dhe dhimbjët që ke

Shqipëri
ti je sall dashni
që sduhët m´e fshehë

Naim Fetaj: DY PALË LOTË PËR TY

Naim Fetaj

DY PALË LOTË... PËR TY...

Ra nata e zezë si qyqe mes qytetit
Përplasën njerëzia si valët e detit
Mes klithma zogjësh mbi një shkëmb
Dikund
Silueta jote si det i pafund...

Futej e zezë nata... si maca ndër sini
Ik prej njërit gju ...ik prej tjetrit sy
Në secilën stinë...dy palë lotë për ty
Ah ...Nënë Shqipëri...

Maxhun Osmanaj: MBAHU NËNTOR


MBAHU NËNTOR !

Mbahu Nëntor !
se s'jeni Flamur i vetmuar
as i përkulur në vetmi ,në gjysmështizë
sa të frymojë çdo shqiptar
dhembjen dhe dashurinë
do ta kemi të përbashkuar!

*
Mbahu Nëntor!
besimin në Zot dhe Njeri
prore do të jemi NJË!

Musa Dushica: KËNGË E VAJ PËR NËNËN

Musa Dushica

KËNGË E VAJ PËR NËNËN

Më lër të fshij sot djersën tënde të ballit,
Dhe lotin tënd të ngrohtë, që të pikon në sy...
O nëna ime e lodhur, e dhimbjes dhe hallit..!
Me sa fuqi që kam, dua t’përqafoj...
t’pëqafoj unë ty !!

Po, po të fshij lotin...lotin tënd të ngrirë !
Të freskoj dhe ballin...ballin rrudha shumë...
Vuajtja të la gjurmë, se s’pate një ditë të mirë...
Sot u sëmure rëndë, nga dhimbja s’bënë dot gjumë !!

Të fshij lotin nënë dhe ta pi atë lot...
Të ndihmoj të ngrihesh, të shohësh
pak rrotull...
Tërë këta djemë e vajza që t’kanë ardhur sot,
Për t’i shëruar plagët e ulur me ty, në sofër !

Duke shkruar fjalët, nënë, zemra më dhembë për ty !
Ti je nëna ime, unë jam biri yt,
Në të mira e të liga, jemi bashk të dy
Kemi veç një nënë, s’kemi një të dytë !

O e dashur dhe e shtrenjtë,Shqipëri o nënë !
O burrëreshë e vuajtur, e djegur,e pjekur...
Asnjëherë ti vetëm jo, nuk na ke lënë
Për ty derdhim lotë, por zemrën kemi hekur !

28 nëntor 2019

Faruk Tasholli: DASHURIA IME LËVIZ KAH DETI

Faruk Tasholli

DASHURIA IME LËVIZ KAH DETI

Dashuria ime me vrull i çan bjeshkët
Nuk fluturon nga kepi në kep si dikur
Mbi shpinën këngëve të moçme majekrahu
Ka ndërruar formën e lëvizjes
Udhëton përmes maleve që ikin kah qielli
Nga njëri cep në cepin tjetër të dhembjes

Dashuria ime udhëton dhe i dridh gurët
Ata gurë që hidhërohen e na zënë përfundi
Ata gurë pa të cilët nuk mund ta shenjojmë
Bukurinë e jetës kur zë vend trishtimi

Dashuria ime gjëmon si një lumë i rrëmbyeshëm
I mbushur nga lifqerët e syve të perënduar
Nën flatrimin e shqiponjës së vjetër

Dashuria ime rrëshqet butësisht anës së detit
Aty ku dhembja përfytet me bajlozin
Për t’ia këputur kokën që e nxjerr nga dheu

Hajdin Morina: KUR NDRYSHE E NDIEN DITËN

Hajdin Morina

KUR NDRYSHE E NDIEN DITËN E 28-ës
(ose bisedë nga larg me bijën time, Arblindën në Tetovë)

Dje ndryshe
njeriu i tokës sime
e ndjeu ditën e 28-ës,
ndryshe e ndjeva këtë ditë
edhe unë, babai yt, Arblindë,
sepse ende nuk dihet
edhe cili fëmijë
ka mbetur i vdekur në Durrës
nën gërmadhë,
edhe cila nënë në Thunamë.

Pë të parën herë,
prej se ti erdhe në jetë,
një gotë
për ditëlindjen tënde s'e çova,
vetëm përmes celularit
"Gëzuar!" të urova
dhe mbase pak me vonesë
dhe mbase pak vonë
të shkrova Arblindë,
ty atje n'Tetovë.

Por dita e 28-ës
duhej ribërë në shpirt,
aq sa mundet njeriu
kur brenda vetes prek tragjedinë.

Duhej ribërë 28 Nëntori,
sepse i treqind ushtarëve
të Gjergjit ndihej troku
tek hynin udhës së pazarit
në Krujë,
tek kalëronin
pllajave të shpirtit tim,
tek unë.

Tërmet,
por e 28-ta duhej bërë,
sepse shpirti ndiente
tek përqafonte
Isa Boletini flamurin
dhe Ismail Qemalin,
sepse Kosova ndiente
krismën dhe këngën
e Adem Jasharit.

Tërmet,
por e 28-ta duhej bërë,
sepse Atdheu ndiente
jehonën e UÇK-së
në varrimin
e mësuesit Halit Geci
në Llaushë atë ditë,
në atë 28 Nëntor
kur linde ti Arblindë.

Tërmet,
por e 28-ta duhej bërë,
sepse e tha poeti Fatos Arapi
në vitin 1968
kur Shqipërinë e goditi
si sot një tërmet:
"Tërmet.
Tërmet.
Tërmet.
Po ai lind,
vjen në jetë.
.....................
Tërmet.
Po ai klith,
do sisë."*

(Kosovë, 29 nëntor 2019)
_______________________
*vargje nga poezia "Episod" e Fatos Arapit, shkruar më 1968.

Arif Molliqi: TËRMETI

Arif Molliqi

TËRMETI

thellë u kollit toka
duke i përtyp vdekjet
nga kavermat lëshoj dhimbje

pas një copë herë
para diellit të vonuar
të gjallë dhe të vdekur heshten

shtëpitë shumëkatëshe
ulërinin
të zëna ngushtë nga tërmeti

Sa qava
kur nata e zeze i trazonte njerëzit
nëpër fole

në dhomat e plasaritura
tërmeti gëlltiti buzëqeshjen fëmijve
ua vodhi gjumin
ëndrrat
lojrat..,

nuk i dëgjonin as ninulat e nënës...
gërhamat e vdekjes
i mashtronin

(26.11.2019)