Sonntag, 17. Mai 2020

Naim Fetaj: POEZI NGA LIBRI QË PO VJEN

(Nga vëllimi poetik, në process botimi: ZOGJTË NUK NDËRROJNË FYTYRË)


ME SYTË TANË NË SQEP

Janë endur korbat me sytë tanë në sqep
Me sytë tanë si gacë
Herë përmbi Kukës e herë përmbi Bllacë...

Janë trashur qentë
Dhe krimbat janë trashë
Edhe zonja macë...

Herë në gojë të ujkut
Herë në gojë të qenit

E sa shpejt harruam
Ah bacë ...o bacë…



DITË PROTESTE...

Ende nuk janë ndarë dita dhe nata
Një acar i egër djeg sikur flaka
Kot ca hije të zeza brigjeve kanë zënë pritë
E bardhë e bukur. ..ngadalë zbret kjo ditë

Zbardhet horizonti sheshet mbushen jetë
Zhurmojnë edhe zemrat si koshere me bletë
Zbret kjo ditë proteste si për teh të shpatës
Ua verbon sytë ... lugetërve të natës



AZIL KËRKOJNË DHE VARRET...

Hijen time
Pas lufte e ke vrarë
Po unë kam shpëtuar
S'e di
Si të ika nëpër duar..

Tash e njëzet vjet
Veç vdekja atje thërret

Tek çdo gur varri
Zbritën edhe malet

Sa shumë rrena
Që bluan dhëmballët

Vonë e morëm vesh
Se meit i do të gjallët...

Ec e ndali tash
Azil kërkojnë dhe varret…



STINË E VUAJTJES

Stinë e vuajtjes... keq na ka murosur
Veç me kokë nën sqetull
As gjallë...as varrosur...

Herë si ujk në kurth...herë qen i plagosur

Një shekull kjo stinë
Dhe ende s’ka të sosur



PEIZAZH I VDEKUR...

Zgjohen të vdekurit e vdesin të gjallët
Shahen mes veti nuk dëgjojnë as malet
Ikin të rinjtë po zbrazën mëhallët...

Ah, liria ime
T'i hëngri qeni fjalët…



KUR I VRAMË MË TË MIRËT...

Dikush gishtat ia ndërronte fyellit
E dikush sytë ia mbyllte diellit

Një kukuvajkë zbriste në fund të katundit
Se për dike ishte nata e fundit...

Anës së Drinit motra e qante vëllanë...
" Na e vranë... e na e shanë. "

Tash dhembjen s'e mbajnë as zinxhirët...
Atë ditë e sot...kur i vramë më të mirët.



TË GJALLËT I QANTE NËNA...

Tinëz sikur ëndrrën të mbajtëm në gji
Edhe ndër varre tinëz kënduam për ty
Liri...

Pas lufte disi e skuqur dilte hëna
Të vdekurit i varrosëm
Të gjallët i qante nëna

Nëpër këngë tinëz
Përbirohej nëma…



NJËQIND VJET NA NXIU DIMRI

Dergjeshin stinët rend si speca në varg
Si kripa në zjarr u plaste zemra në bark

Njëqind vjet stinët njëra tjetrën hanin
Njëqind vjet na e nxiu gjithë jetën dimri

Njëmijë të zeza i bëmë
E qanim të trembëdhjetën

Sa keq e sa egër sunduam vetveten...
E thias sa thellë e varrosëm të vërtetën



QENTË E ÇARTUR...

U bënë bashkë në muzg e u nisën për gjah
Herë hidheshin në dy e herë në katër këmbë
Qençe i lehnin hënës se ishte e plotë
Çeta e qenve në terr që dukej si një flotë

Kështu bënin prore kur mbushej hëna
Qentë e çartur të një katundi të ri
Pas u shkonte gjëma gjak e jargë ndër dhëmb
Të grithurat e tyre s'i shkelte njeri

Vinin nga çdo anë sa herë skuqej nata
Tokë e qiell i shponin me ulërima
Si në sahat të dekës lutej njerëzia
E lisat më të gjatë i çante vetëtima...

Qentë e çartur kur vinin tek lëndina…



RAPSODI MBI VARRE...

Me të vdekurit sonte do të hedhim valle
Do kërcejmë e do të lodhemi mbi varre
E do t'u tregojmë
Se i falëm fushë e male
Ndoshta na e falin
Tradhtinë e madhe

E zjarrtë zbret nata përmbi këto varre
Ah nata e marrë...me njëmijë marre

Rapsodi e çmendur kjo
Për të gjallët hapen varre…