Agim Shehu |
S H Q I P Ë R I A
Udhëton drejt një prralle që i thosh gjyshja te djepi;
shalon valën për udhë, vdes te guaca e detit.
Egërsohet te gërxhi, bën pajtim me gjitonin
në një pllajë dëbore ku puth pisha limonin.
Kap rrufenë nga reja, e vë hark përmbi derë,
kur s'ka bukë, pi dritë te një reze e prerë.
Përmbi mjegulla, 'Lindjen' e shtyn drejt harrimit,
buzë detit lan sytë të shohë mirë Perëndimin.
Truri i tij me diamant, shpirti i tij me fosfor,
flë në dhè si fshatar, zgjuhet majë - Perandor.
Pi një dhallë...e ngrë luftë për liri me tre shtete,
rebelohet nën hënë e bën gjumë mbi tërmete.
Nuk mban mënd se ç'fe ka kur i prekin vatanin;
në xhami nderon pashkët e në kishë bën bajramin.
Zër' i tij - zë Zeusi në trojet e veta,
i del krismë nga pushka, i hyn këngë te gërneta.
Dritën botës ia pa aq sa bota ia la -
nga një shkronjë abetareje te dyfeku në krah.
Vjen nga gjaku i të parëve që kaq zot i rri vëndit
me dremitjen e tigrit nën lëkurën e qëngjit.
I flijuar i luftës, i 'mashtruar në paqe,
u rrëfehet të rënëve te një fletë manushaqe.
Aq bekim që i dha Qielli, 'mallkim' toka ia mbajti -
zvogëluar te trojet, i madhuar te inati...
PËRCJELLJA E ÇAMIT
Po e përcillnin në udhën e fundit.
Te sytë e mbyllur në një paqë të qetë
vështronte si i lëvizte brënda gjumit
një udhë drejt Jugut që po bënin retë.
Një buzëqeshje e hollë, e ngrirë
qe ulur përmbi buzë të tij -
po shihte ëndër në hapsirë
se po e çojnë në Camëri!...
VALLJA E GRAVE LABE
Ua njihni vallen grave labe ?...
një rreth i rëndë pa dredhka supesh,
thua, në mes të valles kanë
bijtë me plagë të rënda lufte.
Burrat matanë lënë këngën
posa jep shënjën një i parë,
"Pushoni, gratë zunë vajin,
mbi vaj ngarkojnë bijtë e vrarë!"
Gratë në vënd e presin këngën
sa u jep shënjë shoqja në shpinë:
"Pushoni, po këndojnë burrat,
venë në luftë e s'dimë në vinë!"
Këndojnë labet - zgjohen malet,
çdo gjë lëviz e trazon shekujt:
të vdekurit dridhen të ngjallen,
të gjallët dridhen për të vdekur...
SI ËNDËR
Frushulliu një krahë thëllëzash,
më preu gjumin e vonë...
Kisha fëmininë në ëndëra
diku larg në fshatin tonë...
Nëna që nga mali tutje
kthehej me thekër në shpinë.
Barra që në krahë i tundej
më peshonte gur në brinjë.
Pas pelës në gur e gjëmba
vrapoja mos më ikte mëza.
Gjakun që më dil nga këmba,
e kishin në këmba thëllëzat.
Ferrë më ferrë si dhi sherete
zgjatesha për dy tri mëna.
Ferrat me oreks për vete
rrëmbenin kallinj nga nëna.
Pas kallinjve këmba këmbës
na vinin gjer afër fushës -
thëllëzat nga barrë e nënës,
larashi nga barrë e mushkës.
"Nënë, çlodhu pak te bregu!..."
Ulej, ndezur flakë e kuqe.
Drapëri me hark të feksur
i zbardhte si hënë mbi supe.
Më zgjidhte kallinj të rëndë,
i shkoqte dhe pëshpërinte:
te çdo kokër në pëllëmbë
birit i numuronte vitet.
...Hapa sytë...s'qe më ëndëra!
Nga dritarja sytë i ngrita -
njoha drapërin te hëna,
nënën e njoha te drita.
QYLYMI I NËNËS SIME
Gjalmin zgjedhur prej çdo ngjyre, -
nëpër gishta shpjer e bjer...
Mbi tezgjah, krahët mes tyre
i formonin një ylber.
E kuqja kudo nxjerr ballin
(qe dielli mbi Lumaqe
ku shëndet' i kuq i malit
nënës i ndizej në faqe).
Kur të zezën mes të kuqes
hidhte në qilim të saj,
ato ditë kish parë tutje
një shqiponjë lart në majë.
Një fill rozë, të hollë të pakë
ndrojtur në qylym ka prurë,
(qe një trandafil i largët
që u këput e s'u dha kurrë).
Ngjyrën e ëmbël të hënës
tek e verdha që shikoni
biri kur sëmurë ka qënë -
nëna derdhi ngjyrë limoni.
Hidh e prit me duart flutur,
e kur boshti priste fijen,
lidhte gjalmin e këputur,
si t'u zgjaste udhët bijve.
E gjelbra e ngrohtë. e butë
ku nuk futej në qylime...
(bar i dhënve kurrë mos humbtë -
gjithnjë thoshte nëna ime).
Mes blerimit të qylymit
zogj të bukur qenë skicuar...
qenë zogjtë që përcillnin
nënën larg me dru ngarkuar.
...Vijat në qylim - të drejta,
harqet - valle hip e zbrit...
Si s'e dinin nënë shkretat
se aty do ecnin bijtë!...
NËNA NË GALERINË E ARTEVE
Në tablo, luftëtari i plagosur
shtrirë mbi dëborën e shtruar.
Në telajo nëna zgjati dorën e ndrojtur,
i preku gishtat e zbuluar.
- Ndalohet të preken pikturat me gishta! -
i tha nënës dikush te salloni.
" Jo, bir, - i tha nëna - po desha të shihja
mos mbërdhihte, ta mbulonim"!
NË VEGJËLINË ME HËNË
Thoshte një këngë në fshat:
"ç'nuse-hënë kemi zënë..."
Sytë e njerëzve te nusja,
sytë e mi ngulur në hënë.
"Bir-o, shko në mal - tha nëna,
lart te delet vero vapën"!
Doemos që do të shkoja,
në mal hëna është më afër.
Ndiqja brinjave shelegët -
unë ik e hëna ik!
Lodhesha, e më lëmonte
dritë argjëndi në qerpikë.
Unë qëndro, hëna qëndro,
poshtë saj më lidhej goja.
Ngrija kokën - hën' e plotë
ishte 'bejka' që kërkoja.
Flija ëmbël në kalidhe,
dëgjoja mushkën nga brënda.
Gjuhëza kur prekte zilen,
thoshja - ra një yll te hëna.
...Këngët që këndonin dasmat
i shkoja në buzë ngadalë.
...Hëna nga pasqyrë e nuses
më shihte pa thënë një fjalë.
NUSET DHE VJEHRAT
Kur dalin plakat në lëmë
u qahen nuseve - vita:
- Moooj, na mbani në pëllëmbë
se ju dhamë djem si drita! -
Nuset, tek u çojnë kafenë,
u shtojnë përgjigjen sipër:
" Po ne djemtë prapë jua kthejmë,
ca si mbesa, ca si nipër"...
VALLJA E GRAVE LABE
Ua njihni vallen grave labe?! -
një rreth i rëndë pa drethka supesh,
thua, në mes të valles kanë
bijtë me plagë të rënda lufte.
Burrat 'matanë' lënë këngën
posa jep shënjë një i parë:
"Pushoni, gratë zunë vajin,
mbi vaj ngarkojnë bijtë e vrarë!"
...Gratë në vënd e presin këngën
sa u jep shënjë shoqja në shpinë:
- Pushoni, po këndojnë burrat,
do venë luftë e s'dimë në vinë !-
Këndojnë labet...zgjohen malet,
çdo gjë lëviz e trazon shekujt:
të vdekurit dridhen të ngjallen,
të gjallët dridhen për të vdekur...
FRYMA E SHTËPISË NË FSHAT
Hyra në shtëpinë e lindjes,
tanimë pa njeri brënda.
Nëpër trarët e shtëpisë,
si mëndafsh i butë ajri
endej frymë e gjyshes sime
që iku kur s'kisha lerë.
Te hiri shuar në vatër
flinte jeta e këputur
e aq brezave nga fisi.
Nëpër pllakat e oborit
bari që njeri s'e shkelte,
çelte për inat të vdekjeve.
Prilli në degët e ftoit
ulte hënën në çdo lule.
Zogu që ulej pa frikë
në parvazin e dritares,
dyerve që nuk lëviznin
u kërkonte kalamanët.
Isha larg e isha burrë,
Në dhomat me sy të shqyer
muret donin frymë njeriu
të ngjiteshin ku qenë çarë.
Macja e vetme e fqinjes
në oborr ecte pa dëshirë
se s'kishte njeri ta trembë.
Një gozhdë ngulur në mur
ndryshkej nga malli për rroba.
Rezja që hynte në dhomë
nga të çarat e çatisë
zgjaste syrin herë pas here
mos dikush qe ngjallur brënda...
Vërshëlleva pak me vete...
S'di ç'u zgjua brënda dhomës
dhe muret mësuar heshtur,
bubullinë për të rënë...
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen