![]() |
| Naxhie Kastrati |
DIELL
Më lejo o Diell të jem me ty
edhe nese më gllabëron.
Lermë të përcëllohem!
Të shtrij gjymtyrët e mpira
Të shkrij hekurin që mbërthen.
Më lejo o Diell të tretem në ty,
Të dal nga kjo hulli
Që po më fundos.
Se, gozhduar më janë pëllëmbët
kah po mbahem fort.
Më lejo o Diell të hap derën tënde
lermë të harrohem!
Se, hi po e bëjnë mirësinë
megjave, leqeve, hendeqeve,
në këtë therrnajë të mallkuar…
Më lejo o Diell,
Të kalëroj zbathë në ty!
Se, sapo nisem ma presin hapin
e po më dhimbet udha, mos po e vras
me shqelmat e hidhërimit tim.
Më lejo o Diell të besoj në ty!
Se, zaptuar na i kanë edhe tempujt fetarë
e nuk po guxoi t’u hap derën.
Se, lakuriqë të nxirë zotërojnë terreve
e s’po mund të hyjë as Zoti!!!
Hyjnisht je lartë o Diell
E nuk po mund të t’vënë lak
Se zbritur n’litarë do të kishin,
Të mbetej veç nata
që t’i fshihnin ligësitë...
SHESHI I PRISHTINËS
Ju nëna të dëshmorëve
Mos i vajtoni më djemtë e vrarë
A keni ardhur në shesh të Prishtinës
Sheshin a e keni parë
Ju nëna që e shterët vajin
Që në zemër u rëndojnë gurë
A keni ardhur në Sheshin e Prishtinës
A keni parë në secilin trup një flamur
Ju nëna që lindët
Skënderë Ademë e Hasanë e Mekulë
Po ejani në Sheshin e Prishtinës
S’do qani më kurrë
Ju nëna që ndrydhni mallin e djemve
Që ju shkrumbon në secilin damar
Po ejani shihni në Sheshin e Prishtinës
Atdheun tonë të bardhë
Ju nëna që tirrni retë me gishta
Që pikojnë në secilën çati
Nxitoni zbritni në Sheshin e Kosovës
Është derdhur dielli në rrezet e tij

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen