![]() |
| Hyqmet B. Hasko |
DRITHËRIMET E SHPIRTIT
NUK I NDALOJ DOT
Drithërimet e shpirtit nuk i ndaloj dot,
lëngëzimin e syve të mbushur me lot,
gjunjët s’më mbajnë, mbështetem në shkop,
klithmat njerëzore më bëjnë të pa zot.
Në prag të mëngjesit drithëroj toka,
tërmeti e shkundi, tymnajë në qiell…
dihat e ngarkuar me dhimbje epoka,
syri ynë vjeshtor nuk po sheh më diell…
Një nënë me të bijën e përqafuar,
drithëron kombin shqiptar,
plaget e shpirtit na i ka shtuar,
ulërin se pa të bijën nuk do të jetë e gjallë.
Me dhjetëra të tjerë të gjallë dhe të vdekur,
në gërmadhat që shpesh i kërkuam vetë…
të babziturit e kohës asgjë nuk i ka gjetur,
me hajdutëri kërkojnë ta sfidojnë këtë jetë.
Unë poeti nuk po e gjej fjalën e duhur
t’i ngushollojë sado pak dhe me një varg…
mendimet ngushëlluese janë përzier me pluhur,
loti njerëzor muzën e ka çuar shumë larg.
Thonë e stërthonë tërmeti është i pa parashikueshëm
Zoti e di më mirë se gjithkush nga ne,
por ne kemi ne dorë të jetojmë mjaftueshëm,
nëse babëzisë dhe pangopësisë do ti vinim fre.
Janë fshehur, janë strukur, nuk dihet se ku janë
Ata që ndërtuan pallatet, hotelet e vdekjes,
për disa milona peshën e urretjes sonë mbajnë,
shpirti i tyre i qelbëzuar nuk di ç’është pesha e dhimbjes.
Ky çast, kjo ditë, kjo javë e ngarkuar, kjo kohë,
zemrat na i bëri me zemër, lotin na e ngriu në sy…
le të lutemi përulësisht të penduar në këtë botë,
Zoti të na falë një detë të madh me dashuri…

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen