Grigor Jovani |
AKTI I FUNDIT
Ç’ndodh me Njeriun pas mbarimit të Aktit të Fundit,
kur ikin njerëzit dhe sallat zhyten në terr?
Kanë vazhdim veprat? Dhe nëse po, regjisori,
i ngre në Parajsë apo në Ferr?
Besoj se vazhdojnë. Ja, unë, kaq vite
aktroj me ty në mungesë. Çuditërisht, për së gjalli!
Me të vetmin ndryshim: tani luaj në Ferr,
ku ka veç dimër
dhe digjem ethesh nga malli.
ÇUDI
Nëse unë jam tiran, si Pont Pilati
dhe ti e kryqëzuara ime,
si Krisht,
atëhere përse,
në burgjet e mia,
hyn e del vazhdimisht?!
ME VRAU NJE ENGJELL
Më qëlloi me çifte
në mes të pyllit një ëngjëll.
Saçmet ma bënë përshesh fytyrën.
Zogjtë kënduan meshën e përshpirtjes.
Bari më mbuloi, si batanije ushtari.
Engjëjt,
në shenjë proteste,
nuk m’u ulën te varri.
MAUZOLEUMI
Ç’m’u desh të ballsamosja
buzëqeshjet e tua brenda shpirtit,
si në një mauzoleum me mermere
në ngjyrën e gjakut.
Tani jeta ime ngjan kabinet zoologjie,
ku të mbyt era e amonjakut.
LIMAN I SHKRETUAR
Më vjen në mendje në çastet kur besoj
se të kam harruar,
kur puth buzë të tjera dhe kujtoj të tuat...
Kur tash sa kohë ke braktisur ëndrrat e mia,
kur fytyra jote më zbehet përditë e më shumë
tek kujtesa,
si një fotografi e vjetër,
kthehem tek ai liman tashmë i shkretuar,
ku dikur të prisja të vije,
por kot
nuk duket më asnjë anije.
NUK KA TE BEJE
ME ELEKTRONIKEN
Si të të bëj të kuptosh?
Buisin në fillim të marsit,
në tetor fillojnë e vyshken
dhe vdesin ndjenjat
aty nga fundi i janarit…
Këtë ti s’e di,
se nuk mundesh ta lexosh,
tek ekrani yt i celularit.
ZOGU I KUQ
Të fal një zog të kuq,
mbështjellë me fleta pemësh,
që përpëlitet brenda grushtit.
Merre, është zemra ime.
Djegur për ujë në pikë të gushtit.
Tani që edhe dielli ndjen etje,
po zbrazet deti...
Por ti mos ki frikë,
zemra ime rron edhe pa ujë,
edhe pa diell.
Veç të mos i ndodh tërmeti!
Mjafton ta kesh ti nëpër duar,
si foshnjen në pelena.
Nuk të kishte fat të të bënte strehë,
zemra ime. Por cila bijë,
mbetet tek Nëna?
GISHTERINJTE
Kanë mbetur gishtërinjtë e mi pa të tutë,
janë bërë anemikë,
si drogaxhinjtë kur u mungon doza.
Kjo është arsyeja që i lëviz si robot,
jo arteroskliroza!
TE DASHUROSH
Lakuriq,
grua e mrekulluar,
rri përpara meje dashuria.
Në fytyrën e bardhë i skicoj
një buzëgaz ngjyrëgjak,
me mollëzën e gishtit.
I them: “Të dashurosh
do të thotë të durosh
kurorën me gjëmba të Krishtit”.
ZOGJTE E SHPRESES
M’i kthe zogjtë pas!
Nuk mund të vazhdoj të ngrej fole për vjersha,
tek kjo zemër që kam. Ngjan pemë e shkretë.
Të më kthejnë fëmijërinë e largët. Jam ngujuar
brenda një moshe të errët.
Numëroj vitet dhe çmendem:
njëqind e pesëdhjetë!
Të më kthejnë zërin e virgjër. Goja ime
i ngjan një binaje ku këndojnë qyqet.
Dhe gjoni atë këngën që dhëmb.
Nuk arrita të shkruaja vjershat që doja.
M’i more zogjtë. Tani
jam një kishë që e banojnë fantazmat.
Të trëmb.
M’i kthe prapë zogjtë e mi,
të përgjërohem!
Nëse nisin dhe më këndojnë nëpër vjersha,
mbase ndodh një thagmë
edhe rinohem.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen