Sonntag, 1. Dezember 2019

Tre poezi nga Lebit Murtishi

Lebit Murtishi

Tërmeti lëkundi tokën
Zemra e Shqipërisë lëkundi gjithë globin...

Mbahu Nënë, ja ku jemi, ja ku na ke;
nuk ka kufi që ndan një zemër, 
nuk ka murtajë aq të fuqishme që të pengojë
rrjedhën e gjakut drejt origjinës, 
drejt epiqendrës, drejt Zemrës së Madhe
të të gjitha zemrave dhe Diellit që të
gjitha dhimbjet ngroh... Mbahu Nënë, 
ja ku jemi, të gjithë në valle, të gjithë në festë,
ja dhe Flamuri në gjysmështizë. 
Kështu na rrite, na edukove, 
edhe në dasma, edhe në lotë - 
nën hije Flamurësh të festojmë...
Kush do provonte më mirë se Zoti
madhështinë tënde!
Kush do provonte më mirë se dhimbja
dashurinë tënde!
Mbahu Nënë, ja ku na ke...



Për Shqipërinë...

Eh, ç'peshë paska një klithmë Nëne!
Mjafton një ,,oh" drejt horizontit
Që të lëkundë gjithë universin
Ky Zë mister si Froni i Zotit...

Loti ka nënë dhimbjen - thuhet
E dhimbja nënë ka dashurinë.
Askurrë kjo vatër s'do të shuhet
Gjersa ka zjarr për Shqipërinë...



Atdhe

Nuk të lëkundi as dhe një gur
Era që të rrahu mbrëmë
Tek mbylle sytë për pak gjumë
O Dhè o Nder o Prag o Rrënjë...

Nuk të lëkundi me një dridhje
Era që sfidon shkëmbinjtë
Por ësht' adet kur ti ndjen dhimbje
Të çohen peshë gjithë Shqipnitë...
____
Përzgjodhi: Zekerija Idrizi

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen