Zyra Ahmetaj |
BRENDA MEJE
Thellë në mua,
Fjalë të pathëna, shurdhmemece
Thellë në mua,
Vargje të pashkruara,
Rrugë të pashkelura.
Thellë në mua,
Dëshira të ndalura, akoma pa zgjuar
Të fjetura.
Thellë në mua,
Ëndrra si fara lulesh të pambjella,
Të mbytura në liqenin e mjegullës gri
Pëllumba pa krahë që përpëliten në përjetësi.
Thellë në mua,
Shumë jetë, aq të dëshiruara
Të pafilluara.
Dy pika lot si ortekë dëbore
Rrokullisen shpatinave të faqeve.
Një ofshamë,
Si haz i ortekëve të rëndë.
Sa shumë dhimbje në mua,
E stërngopur prej dhimbjes,
Për më tepër nuk ka vënd.
PARANDJENJË
Ëndrrat qenë ndalur.
Nuk kisha dëshira.
Shpirti- Hon i zbrazur
lëshonte psherëtima.
Çfarë më kishte lënduar?!!!!
Mendjen, kot e vrisja.
Vallëzoja me këmbë,
nuk isha në tokë.
Dëgjoja këngë,
mbytesha në lot.
Për çfarë me përgatisje,
Ah, more ZOT!
PARAPLEGJIKËVE
Vjershat e mia i lexoni ju
Qe trupin e keni të rëndë,
gjysmë të vdekur.
Ëndrrat të vrara, të ngatërruara
si nervat e këputura
në trup.
Dëshirat të ndalura
Si dhitë e ngujuara në shkëmbej.
Përfundojnë në greminë
po të lëvizin më tej.
Ju
Qe vetëm në gjumë
Vallëzoni dhe këndoni
Me endje.
Ju,
Që jetën e keni të rëndë
si gurë varri
plot dhimbje.
Vjershat e mia
I lexoni ju
Që fatkeqësisht,
Mendjen e keni top
Dhe mirësisht,
Zemrën të ngrohtë!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen