Zef Ndreçaj |
KOSOVË
Kosovë -
Një penë
Dy pushkë
Një për popull
Një për Zot.
Drenicë
Gjashtë Lisat në Likoshan
Izbica – plot lot
Prekazi - një emër
Kulla e Jasharajve
Kushtrim – Bacë Ademi
Këtu s´kalon dot.
Kosovë -
Meja, Reçaku
Ah! Lot ... gjak...
Të vranë
Por s´të mposhten
Mos ne ...
Zoti do të merr hak
Kosovë!
Ah!
Kosovë -
E vrarë dhe e prerë
Ti kurrë pa gjak
Por kurrë pa nder
Kosovë!
Kosovë -
Me një litar në fyt
Evropë ,
Ti se mban dot
Arbëria do dritë
Kosovë!
HERONJTË
Në varret tona mos na vëni lule
Lule kamerash as elektoratesh
As mos na bëni lapidare të larta
Pos shkronjave të nderit që janë të arta
(Ja vdekje, ja liri!)
Në varre mos na vajtoni
Me lot profetësh as të oratorisë
Se edhe ne e deshem jeten
Por kishim ideal lirinë
(Ja vdekje, ja liri!)
Mos lejoni që varret tona
T’i mbulojë pluhuri i harresës
Atë të Saharës nuk na bën flamuri
Shqiptar etnia jote është prej guri...
(Ja vdekje, ja liri!)
Ne jemi vetë lule
Çelim çdo pranverë
Këtë tokë amanet
Për të, të vdiset me nder!
(Ja vdekje, ja liri!).
TI, DUHET TË MBETESH
Kalove mbi shekujt
Ndonëse i thyer
Ndonëse i vrarë
Truallin tënd
Me gjak ke larë.
Nuk je turk
As grek as latin...
Ke gjen Ilir
Je shqiptar
Mallkimin mos përfill
Historia nuk fal.
Ngre kokën lart
Me Perëndim nuk humb etni
Lindja të vesh në të zi-
Je gjak ILIR
Duhet të mbetesh gjithnjë.
Ti je vetvetja
Etninë të dha Zoti
Të dha gjuhë dhe fole
Mos u mashtro
Ti duhesh të mbetesh
Ai që je...
MOS I HARRONI VARRET
As kur erërat kanë eufori
Qoftë ai jug apo veri
Në varre është kalitur
Dasma e shuar në gji.
Çdo varr flet në agoni
Kujtimet mbesin gjithnjë
Varret shënojnë në vete
Legjendë dhe trimëri.
Mjerë ai që bën dredhi
Në emër të kohës lavire
Ndryshojnë të vetmen shkronjë
Apo zhbëjnë histori.
Pushtuesi pushtues mbetet
Varret tregojnë gjithnjë
Mbi ne do të mbetet mallkimi
I etnisë ngri…
TI, AKTOR I VALLES SË ÇMENDUR
Ti që ishe pre
E miteve të fundosura
E shekujve të përmbytur
Të ajkës së lakmisë.
Ti aktor
I valles së çmendur
Ti hije e zezë epshesh
Krahë thyer e zemër ngri.
Ti që më vishe
Me mite karpatesh ogurzi
Ti që më vret tinëzisht
Çdo net tinëzare çdo agim të ri.
Ti që më kaplove
Hyjni dhe etni
Gishtin tregues mbaj
E mbaj të kthyer kah ti!
YLLI I LIRISË
(Kolë Mirdita)
U ngjite si zog në fluturim
Me shikimin prej engjëlli shndrit
Atje ku historia e dhembjes
Padrejtësisht kishte ngreh kufijtë.
U nise drejt kaltërsisë së qiellit
Ëndrrës së pambaruar
Rrugës se përthyer e të etur
Me gjak lirie shtruar.
Ju qase ëndrrës së pritur me shekuj
Besën dhënë tokës ngri
Në dritëshekullin e ndezur
Shqipes t’ia kthejë kushtrimin.
Rrugëliria përpiu ëndrrat
Qielli i prangosur ishte ngri
E në fushëgjakun e lirisë
Mbin lule shqiptare.
Në Lapidar kthejmë kujtimet
Të përjetësisë së flijimit ndrit
Lirinë e shohim në buzën engjëllore
Të verbuar nga malli yt.
IKONË NË ALTAR
(Mikut tim, D. Gazulit)
S’isha i huaj në Lezhë
Zemra mu bë varr
Kur vizitova Varrin e Gjergjit
Një pllakë, një gur...
Një Përkrenare
Ca shkrime në mur
Një shpatë
Një celebrues
Dola i vrenjtur
Qielli mu duk i skuqur
Nëndheu mu duk
I tëri i i skuqur dhe zhar.
Atë ditë takova mikun
Për herë të parë ...
Më dha jetë
Mu duk gjigant
Varri që kisha parë
Sepse
Mu në Lezhë
Miku i im D. Gazulli
Flet mbi nëntokën
E varrit të Gjergjit
Princit të të gjitha kohërave
Varrit të nderit
Varrit legjendar
Të ndërgjegjes se vrarë.
Kur u ndava
I thash vetes
Vetëm kohët ndërrojnë
Lezha nuk vdes
As historia nuk bën pajë
Kjo penë e artë
E vuajtur dhe e tharë
Hedh shkronja edhe varreve
Ikonë në Altar.
STUHITË E BOTËS
Janë lodhur lumenjtë
Yjet ndriçojnë me vështirësi
Ditët dhe netët janë mplakur
E stërmbytur në pritje.
Edhe akujt në Antarktik
Janë lodhur gjithmonë ngri
NASSA njofton globin
Klima ndryshon në brendi.
Çdo gjë e lodhur
Deri në Detin Jon
Aty valët gjithnjë gjëmojnë
E krushqit kurrë nuk pushojnë.
Por ti mos u lodhe
Ti poezi e jetës sime
As kur kohët shënojnë
Stuhitë e botës intime.
RUTINË
Është rutinë e pashmangshme
Një gotë pas saj një tjetër
Çelësi i heshtjes përpihet
Ne epilogët e zbrazëta.
Është rutinë
Në rrugë dhe shëtitore
Njerëzit shkojnë e vinë
Pret vetëm ai
Që cakun ka mbërri.
Është rutinë të mendosh
Nga profili i zbrazur
Mund të paragjykosh
Një rutinë të mashtruar.
PROLOG
Sa shumë lot
Sa shumë pranvera të përgjakura
Sa shumë shekuj plot dhimbje
Sa shumë ëndrra të ndaluara
Sa shumë frikë e plandosur në heshtje
Sa shumë këngë të ndaluara
Sa shumë rrugë të shtruara me gjak të lirisë
Sa shumë ëndrra të pambaruara.
Sa shumë varre
Lapidare pavdekësie
Sa shumë themele lashtësie
Sa shumë sarkofagë thellë nën dhé
Sa shumë net të limiteve
Sa shumë gjysmë globe të errësuara
Sa shumë harta të përpiluara.
Sa shumë, sa shumë
Mjerimi s’ka fund
Mbi ty tokë e shenjtë e të pareve
Ti prolog i dhimbjes krenare
Ti tokë që lind
Sa shumë
Lule shqiptare…
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen