Mittwoch, 18. Dezember 2019

Tri poezi nga Haki Morina

Haki Morina

BEGU I LIRISË

Ne një lagje të Kumanovës
ai Beg Riza i lirisë
si luani me shtatë zemra
i dha shpirtin Shqipërisë

Nuk ka fjalë që mund të thuhet
s’ka si t'ketë bre asnjë fjalë
veç me gjak shkruhet liria
kështu siç bëre Ti o djalë

Si në kohën e spartanëve
tridhjetë trima me tremijë
derdhet gjakun e dardanëve
për Atdhe e për Liri



PORTRETI I PUSHTETARIT

Në lavdinë e ëmbël të karriges së fituar,
në vilen, me asfaltin te dera, e oborrin me rrush
me kocka, me bar, me trëndafila lulëzuar,
kush thotë se s’ka Cobo Rrapush?

Nga pocërka, në banje me nxehje, masazh e bojler
kurse në tru akoma i kërcet derë e ngrirë qenefi
e në vend të fllanikut katër frigoriferë,
dhe thotë me vete: "Është kohe xheneti!"... 

Zgjohet nga ëndrra i djersitur
nga frika se është kthyer në botën e vet,
nga xhamat e avionit, me zë te ngjirur thërret:
"Poshtë pocërka, unë jam pushtet!".



ME TY

Më ty dua të bredh
tingujve të rrjedhës së ujit
të shikoj valsin e yjeve të natës
dhe sytë e blertë të Kleopatrës

Me ty dua të ngarend
ëndërrave të zgjuara 
strukur nen çarçafin e reve
netëve të bardha

Me ty moj - dua të shëtis
e të zbres në freskinë e malit
që era trupin të ma ledhatoj
pastaj... të mbjell trëndafila
në Kopshtin e Edenit

Me ty botën dua ta përshkoj
e të kthehem udhës së fëmijëve
që verës nën një hije qershie
ta shkruaj libra dashurie

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen