Faruk Tasholli |
HUNI DHE MAGARI
Veç me mujtë magari
Nji herë me kapë hunin,
Kish m'i shkoq do njerëz
Që ia kanë marrë trunin.
Kish me dalë qytetit
N'çdo hap tu' i taku,
Dykambshat mbrapshtana
Të vyem për hu!
Ani me zgat kryet
Me k'qyr n'parlament,
Prej poterës, gazit -
I kishin dalë mentë!
Ish ndalë m'u ankue
N'derë të Qeverisë:
Pse na përgojoni
Si soj t'magarisë!
Vërtet na magarët
Bërtasim tuj pallë,
Por mirë e dimë rendin
Kur duhet m'u ndalë.
Ndërsa ju or shokë
Mbytni pëllitjet tona,
Tek e çoni zanin
Nëpër mikrofona!
Ne gjithë nëpër shekuj
Besnikërisht kem` pallë,
Po pse ju o njerëz
Ndërroni fytyrë e fjalë?!
Ah, me pasë magari
Veç nji herë nji hu!
Kush ia mori veset
Krejt e kish shkoklu!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen