Montag, 23. Mai 2011

Grigor Jovani: POEZITË E MAJIT


Poezitë e majit
(Gruas sime, me rastin e ditëlindjes)



STATUJAT

Në atë vend,
mos ngrini më
statuja.

Nuk ka kuptim.

Ato ose i prishin,
ose shkojnë në mërgim.



BARBARET

(variant i dytë i një poezie të vjetër)

Kur erdhën barbarët, qyteti gërhiste.
Ishte mesnatë dhe kishim fjetur të gjithë.
Paria ëndërronte arin që ndriste,
vegjëlia pak drithë...
Rojat flinin me pornet qafuar,
u kaluan pranë dhe s’i nganë.
Pasi brodhën tej-tëhu të shpenguar,
ikën nga erdhën dhe na lanë.
Kur u zgjuam, tek një kishë, në mëngjes,
gjetëm diçka të shkruar tek dera:
"S’e pamë të udhës
t’u prisnim ëndrrat në mes,
e lamë për netët e tjera..."
U tërbua nga frika paria.
Rojat që u gjendën në gjumë,
i vari në litar, për t’i bërë shembull.
Ç’dëm do bënin barbarët më shumë?
Do të plaçkitnin, shumë-shumë,
ndonjë tempull...
 



KUNGUJT

Këtë nuk munden
ta kuptojnë dot:

Ngaqë rrinë mbi ujë,
s’do thotë se dinë not.
 



SYTE E MI

Dy pellgje të ndenjur,
sytë e mi,

me dy kokërdhokë
të ngujuar në mes,
si gurë,
që hodhi një idiot,

ashtu kot.

Kur kam etje,
pi pellgjet e mi,
që të mos kem borxh,

në asnjë zot.

Sytë e mi -
brigje përherë të lagura...

Verbohem,
po t’i mbyll,

plagët e mia të hapura.
 
 

LOTET E KROKODILIT

- Politikanëve,
pas tragjikomedisë më të fundit të zgjedhjeve -

Kështu më vjen,
t’i bie me një kazmë akuariumit,
të derdhen mbi ju
krokodilët.

Por mbase preken nga lotët tuaj
dhe kthehen mbrapsht
në akuarium,
debilët!
 



SHAHISTI

Luaja mirë. Por nuk fitova asnjë.
Më zbuan një ditë,
nuk më deshën...

Hëngra kokën time. Ngaqë gjithnjë,
doja të zija mat
Mbretëreshën.
 



THATESIRE

T’u thanë buzët me kalimin e viteve,
morën të çara,
si tokë në Saharë,
fryn nganjëherë vetëm flladi i fjalëve,
që më feskon,
si më parë.

E vetmja shpresë për pak lagështirë:
një puthje në buzë.

Por është kaq e vështirë....
 


EKZEKUTIMI

Kërkoi një cigare. E thithte ngadalë
dhe tymin
ia drejtonte
qiellit.

Vonohu sa të duash,
- mendonte inkuizitori -,
nuk do t’ia shohësh më fytyrën
diellit.

Kurse ai
i prishte Zotit gjumin,
për t’i dërguar shpirtin,

bashkë me tymin.
 



LULET

Nuk dua të më sjellin lule,
kur do të iki.

Mund t’u mbaj erë,
aty në varr?

Tani, që i kam hundët e zhbllokuar
nga gripi,
le të vijnë,
t’u mbaj erë
dhe me vete t’i marr.
 


FAJI

Nuk kanë faj,
ata,
që arkëmortjen ta bënë gati...

Ke faj vet.

Që të të masnin,
u shtrive sa gjerë-gjati.
 


PARADA E FUNDIT

E di çdo të ndodhë
gjatë prezencës sime të fundit.
Ligjin prapë do ta bëjnë të tjerët.
Do të vesh kostum të ngushtë,
si Çarli Çaplin,
një gravatë të lidhur keq,
si tek "Të mjerrët".
Prapë këpucët do më marrin shpirtin,
prapë ai rryp i shkurtër,
ngjyrë gri...
Qoftë edhe një herë
- tek arkivoli -
s’mund të gjejë rehat,
i ziu njeri.

 

PERGENJESHTRIM

Mjekësia thotë:
krijimet dykokëshe,
vdesin herët a vonë.

Nuk mund të jetojnë...

Në flamujt tanë,
shqipet dykrerëshe,
shekuj të tërë
fluturojnë.
 



DEMOKRACIA

Pas dështimit të zgjedhjeve të fundit,
me ligj të jashtëzakonshëm
u ndaluan:
bisedat publike,
mitingjet publike,
kundërshtimet publike...

Kështu, demokracia
u bë rakitike.

Të vetmet,
që funksionojnë lirisht
janë WC-të publike.
 
 

IM ATE

Kurdiste orën,
edhe kur qe në pension,
ta zgjonte zilja në katër...

Zakon i vjetër:
qysh kur ishte shofer,
destinacioni Laç-Batër.

Një mbrëmje,
zakoni i vjetër, nuk di
për cilin shkak u harrua.

Në mëngjes,
"Saureli" e priste, si gjithnjë,
por zilja nuk ra

dhe ai nuk u zgjua.
 
 


LUFTA

"Zoti është me ne!",
Prijësi na tha,
për të na dhënë zemër.

Dhe shtoi:

"Por dhe ata matanë,
kanë të njejtin zot,
veç me tjetër emër!"
 
 

TE PAKTEN…

... m’u njoh një rrethanë lehtësuese,
kur më shpallën njëzëri
me faj:

"I mbeti në kandil
një gisht vaj..."


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen