Samstag, 14. Mai 2011

Cikël poetik nga Seveme Fetiqi


SOFRA

femijeve te rritur
para kohe ne Kosove
Syrin e kane
cdohere te ngopur
urine qe moti e kane ngrene
cdohere kur lepijne me gjuhe
buzet me shije te njelmet
falenderojne zoterine
me zemer te thyer
gjthmone paq zoti te dhashte

kur e ndajne buken e pjekur
ne diellin e femijerise
ne hirin e kerkimeve te humbura
koren e forte e zbusin me lote

ju lutemi mos ia shkelni sofren
sofren e futur ne mesin e shtepise
zogjte te ulur rreth tij
me shije i hajne thermijat e skamjes
gezohen per ekzistencen e tregut
rritjen e vet e varin ne germat e abetareve
e vrapojne pas rrezeve

syrin cdohere e kane te ngopur
urine qe moti e kane ngrene





MACJA ME VIRTYTE

Nuk ecte kurre
Mbi pullaze
Ecte neper skaje
Shume me kujdes
Skajet ishin orientimi i saj

As nen sofra
Nuk hynte
Kur e nuhatte
Eren e mishit
E minjte e perhimte
Loznin valle rreth saj

Nuk kotej
Afer zjarrit
Rrinte prapa
Dyerve
E sillur
Rreth e perqark
Heshtjes se vet

Ndonjehere e mllefosur
Me thonjte e mprehte
Gerryente
Durimin e saj
Mbi gur

Nuk e pinte
Qumshtin nga pjata
As ujin e shiut

Nente shpirterat e saj
Ketu ne kete vend
I kishte lene

Sa here
Ia mbyllen deren
Sa here
E humben ne largesi
Cdohere e gjeti
Rrugen
Deri te pragu
I shtepise
Ku ishte lindur






REQETE PER NJE FJALE TE MIRE

Une cdohere kam cka te flas
por se pari fjalen
me duhet ta pastroj
ne lartesite e qiellit
ta laj ne thellesi detrash
t ja shtoj disa pika nektar lulesh
t ia qepi me kujdes nje fustan buzeqeshjesh
ta forcoj ne gurin qe peshon ne vend te vet
ne freskine e eres ta mbaj qete ne preher
t ia lidhi fjongon e sinqeritetit
t ia jap neuronin e mendjes se shendoshe

me melodine e cicerrimes se zogjve
me ne fund ta them





VAKUUM KOHE

E harruam shpirtin
nuk e dijme
se ku e lame e ku na mbeti

harruam te qajme neper deke
te vallezojme ne dasma

harruam si rrjedh kenga
ne dejte tone
as te vdesim nuk dijme me

jetojme keshtu
ne vakuum kohe





NGA JETA

1.Lindja

Une dhe Kosova
nga hiri lindem
e koherat tona
te plagosura
i hodhem
ne faren
qe kurr me
s do te mbije
Ishim te vogla
duke ngrene
farat e dhembjeve tona
Eshtrat e ngrire
i lame te rreziten
me pagjumesi
plaget i lidhem dyfish
me fasha
tri here te pergjakura
me flamuje te bardhe
pershendetem agimet
megjithate
dhembjet
nuk ua dorzuam
korbave krahelehte


2.Rritja

Jemi zvogeluar Kosove
e jemi rritur
kemi vjedhur
pastertine e qiellit
kemi dhuruar
syte e shtrenjte te diellit
kemi mbyllur
porta detesh
jemi bere
shtrat lumenjsh
kemi prekur
fundin e puseve te erresuar
me gishterinjte
e thyer e te vrare
kemi prekur
majat e Kepit te Shpreses se Mire
e jemi rritur deri te dita e lirise
me blerim ne pellembet tona


3.Pleqeria

Mbi kurrizin e pulebardhave
pendlat e shqetesimit
po hedhin vallen e fundit
e Kosove kohe e mplakur
po rrokulliset si e cmendur
ne flokun e bardhe
ne lekuren time te rrudhur
sille nje arome trendafilash
do ta gezosh shpirtin
ne diten e pulebardhave
emrin tend s do ta harroj kurre
bastoni im nga mahagoni
ne hirin e kohes se re
do te shkruaje
legjenden per ty
Edhe ti Kosove
sigurisht kurre s do ta harrosh
gjyshin tend
me flokun e bardhe ne balle


4.Vdekja

E pas vdekjes Kosove
kush do te shkruaje
epitafe mbi varrin tim
kush do te mbjelle
indin dhe gershetin tim
ne gurin shkembor
kush do te ma shartoje
dhembjen me gezimet e botes
Do te linde te dielen
nje vashe
do ti kremtoje ajo
vdekjet e mia
ne djepin e perjetesise



KOSOVE

gjysherit e mi
e lane peng
kengen per rinine tende
mos i shenjtero
fjalet e kesaj nate
perkunde perrallen
e gjysherve te mi
ne qetesine e nje dashurie
shih je e gezuar
lulezon ne lirine tende te bukur
o Kosova ime
e lindur nga hiri

Marr nga permbledhja "Kurore e kalter" 1985 Rilindja






LULE TE BLERTA PER TY

Ne lule te blerta
ngjyrat e dashurise sime
shperthyen
ne zemren tende
pranverat e humbura
deshta ti kthej
ne shprese te kahmotshme

Pafajesia e femijerise sime
lozi me shpirtin tend te etur
perkedheljet e tua
u zbehen ne largim
mbi qepallat e rinise sime
me nuk lulezoi asnje kthim

Lulet e blerta i vura ne mur
ne hijen e fotografise se heshtur
fjalen tende te ngrohte
duke kerkuar
qe te lulezojne
syte e tu-te ujiten me shikimin tend
duarte e tua-qe t ia gjej vehtes
shpetimin nga humnera e vetmise

Do ti gjej keto nena ime
ne pajtimin e urrave te thyera
ne mallin e zemrave te djegura
atje ku balerinat mbi akull
lene gjurme jete
ku femijte i vjedhin
te papjekura pjeshkat
e femijerise se tyre.

1980





SI U BERA GRUA E KEQE

ne labirinthin
e dhembshem te jetes
nuk gjeta nje copez drite
askush nuk me tregoi
kuptimin e territ
shpirti mu gjunjezua
para mekateve

se pari ndjenjat me vdiqen
fytyra mu pjek
ne zjarrin e ferrit
dhembjen e varrosa
nen hijen e turpit
e me turpin
vrapova rrugeve paskaj

koken se ktheva
nga pasthirrmat

plaget
me helmin e gjarperit
i sherova
derisa
engjujte talleshin me mua

trupin tim nudo
e vendosa ne vitrine
se pari ndjenjat
me vdiqen





ME MERR MUA

Kosove
Me merr mua
Cdo dite
Te shetitem
Ne damarte e tu
A ke harruar
Une jam gjaku yt
Cdo mesdite
Ngrohe shpirtin tim
Te merdhire
Qe te shnderrohem
Ne diell shprese
A ke harruar
Une jam mengjesi yt
Cdo pasdite
Fal shi
Ne buzet e mia
Qe lengojne
Semundjen e fjales shqip
Per ty etja
Mos te me rrembeje
Cdo nate thirrem
Permes pellumbave te kurbetit
Permes nurit te henes
Nen mollen e shartuar
Te dhembjegezimeve te mia te ulem
A ke harruar
Une jam ajo siluete qe shkoi
Me lotin peng nder mote
Barke e lodhur
Qe deshiron te pushon
Ne limanin tend
Me merr mua
Ta gezoj vehten
Te te gezoj ty
Kosove



KUSH JAM UNE...

...a jam zjarr ne akull
a akull ne zjarr
ne mes te vertetes
genjeshter
apo ne mes gjenjeshtres
e vertete e hidhur

a jam trendafil ne hi
apo Liza ne boten e cudirave
me mallin qe djeg
nder dhembe te merdhezur

apo murane ne kenge
e heshtur ne gjuhen time te akullte

a jam pasqyre
ne tregun e te verberve
apo nje i cmendur verberisht
ne mesin e metropoleve

rruge e pakthim
qe i kerkon gjurmet e hirit te tretur
apo utopi qe i mashtron kthimet

vetem ti do te dijsh
kush jam une
o Toke e imja
kur nje dite tek ti
te prehem
me epitafin mbi koke
ketu prehem i qete
nuk kam me mall




TI DUHESH
(Njeriut)

Te rrezatosh por jo te shkelqesh
me rregull i parregullte te jesh
vetvehten mos ta shkaterrosh
i lire te jesh
i pamundshem te jesh
ketu dhe atje te gjendesh

pyetje me kuptim te perpilosh
ate cka mendon ta ndjesh
i tejdukshem te jesh
te shpejtosh

mesheftesira te kesh
si askush te veprosh
endrrat e tua ti ruash
ne lartesi te tua te ngjitesh
castin e rastin ta pastrosh

me kembe te shendosh
therren mos ta shkelesh
shume te dashurosh
nga askush dashuri te mos presesh

Ti duhesh...

te mos genjesh
ne ndihme urgjente
i shpejt te jeshe
ne anen e djathte
te vozitesh
nga ana e majte te tejkalosh
hjeshem te mplakesh

martesa te mos prishesh
ne ngushllime te jesh
falenderime te mos presesh
vetvehten ta pushtosh
te vallezosh

Ti duhesh...

asnje shok e mik mos ta shqetesosh
asnje dere te mose rrupllosh
asnje gje te bardhe mos ta nxijsh
neper shkalle te hajnave
mos te ngjitesh
cdo dite vetvehten ta kontrollosh

gjate udhtimeve ne shtepi te jeshe
kritiken ta pranosh
me hund te shikosh(veshtrosh)
vetvehten mos ta kafshosh

i hareshem te jesh
vetvehtes pushim ti bejsh
pa turp te jeshe
shkelqyeshem te jetosh

Ti duhesh...

Me qellimet e tua te startosh
vetvehten shpesh ta adhurosh
nen asnje hije te mos mbetesh
rrotat e tua ti kontrollosh
ne qetesi te grindesh

filikaqe te mos jesh
nje rreze dielli te dhurosh
nga vetvehtja mos te ikesh
mprehtesine ta kuptosh
te rrumbullakten ta perthekosh

me shume te qeshesh
se sa te vajtosh
hidherimin ne telashe
mos ta shnderrosh
jeten me ngjyrera te bukura
ta ngjyrosesh
fytyren mos ta humbesh

nje Po te vendosur ta kesh
nje Jo te vendosur ta thuash




DASHURIA

...eshte nje bote e vogel
ne Univers
nje enderr e embel
qe zgjat shume shkurt
stuhi qe fryn ne cdo stine
fillon ne bebze te syrit
jeton ne dritherime zemrash

dashuria...

te shkrepetine ne shikim
ndezet ne pasione
si helmi shperndahet ne gjak
si nje thike me dy tehe
te ngulitet ne mendje
si qelq i shkelqyer
damaret ti pren
lene vrrage ne shpirt
eshte e shurdhte
fjale nuk degjon

eshte e bukur si poezia
spirituoze si pjese teatrale
mbaron si nje perralle

ne fund
mbeten
germadhat e dhembjes




MOS SHKO

Mos shko te luta
Mos i mbyll
Te gjitha dyerte
Qe hapen per ty

Mos shko te thashe
Mos i fshij
Me nje verberi
Gjurmet ne zemren
E lodhur
Lejo edhe kete pranvere
Te na bashkohen buzte
E te zbardhemi si behari

Mos shko te luta
Lejo qe vetem
Edhe kete vjeshte
Gjethet ne deget e veta
Te mbesin pa ra
Ne Toke

Shkove
I mbylle dyerte
Gjethet rane
U shkelen
Gjurmet te humben
U shkrine
Me boren e parvjeme


ZEMRA DHE ENDRRAT E MIA

endrrat e mia nuk jane shpelle e errte
ku mund te strehohen egersirat
per ta kaluar dimrin

zemra ime nuk eshte fushe loje
ku mund te fryj cdo stuhi

endrrat e mia jane nje ishull magjik
ku mund te zgjas pa kufi nje lumturi

zemra ime eshte nje vend i shenjte
ku mund te zgjas amshueshem nje dashuri




SHIU S PO NDALET

Ky shi le te bie
le te bie
pika -pika
te kisha pasur
mundesi
nga cdo pike e rene
te pertrihem
si Toka
e t me zgjoj
stina e peste
e lumturise
ne nje tjeter jete
te lindem prap
me ty
une jam pjesa tjeter
e gjysme henes tende
qe thehem ne harkun e saj
kur te zgjohet stina e peste
ne gjakun tim
e ne perteritjen e Tokes
kur te shkrihesh




DIÇKA SI MALI
DIÇKA SI DASHURIA

1.Hesht zemer


Vetmia vetmive ju dorezohet
ne enderra te zgjuara
fjales kur i ngjiten flatrat
dashurise stuhi i behet
i dorezohet nates
i jap vule henes
mos rreh shpejt zemer
ne rrjedhen tende te gjakut
perqafoje durimin
mos harro se ilaqi
menjehere nuk ndikon
as lulja pa i ardhe
koha nuk lulezon
as dita nuk agon
nata pa u kry
pranvera nuk vjen
debora pa u shkri
emri yt zemer
heshtje le te jete
heshtja durim e lutje
pritja shprese dhe besim
hesht hesht zemer
derisa fjala s ka rreshqitur gremines
e e shemtuara s ka mbreteruar


2.Erdhe dhe shkove si pranvera


erdhe i qete
mallin ia le erresires
terri mbi terrin ra
nata mbi naten zbriti
fytyra jote peng me morri
shkembinjte pluhur u ben
ne syte e mi syte e tu
prangat i lidhen
e vjeshtat e perlotura
u varen ne krahte e zogjve shtegtare
shikimet si vetetima
i ngule ne gjoksin tim
zjarret e bardha
mi dogjen floket ne ere
mbi gur gur u bera
heshtja ime nga turpi
mure te ftohta thurri
u bera shi qe binte pa nda
mbi hirin tim te pikellimit
vetmia lozte vallen e harrimit
u mbulova me largesine
ta ruaj shpirtin tim lakuriq
nga ftohja dhe dritherimat
era frymemarrjen ma vodhi
me kujtohet fytyra e diellit qeshte
nga fjala jote
e tash zeri im jehone
ngrihet ne akull
ne mua gjithe zerin e valeve e kerkoj
deterat jane tharre
buzet jane te heshtur dhe digjen ne prushe
nga horizonti s degjohen shenjat e jetes
eshtrat zvogelohen
po kaloj mbi te pamundshmen
cmendurine e heshtjes e rrit ne shpirt
a te kujtohet
ardhjen tende e quajta pranvere
malet iken nga rruga
njeriu me njeriun a takohet ndonjehere
zjarri nga zjarret nuk mbetet shtatzene
klithjet jane perzier ne malin e genjeshtrave
mekatet na i mbyllin portat
nuk kthehesh nuk mund te kthehesh
nga ai vend qe shkove
a te kujtohet
shikimi shpirtit i jeptte shpirt
perjetesisht pranverat
do ti pyes per ty


3. Mos u kthe


Te gjitha kafazet i theva me mundim
thellesive te deterave i gjuajta
rete i largova ne pafundesi
nuk do te pikoj ne shuplaken tende
si shi pranvere
mos u kthe te lutem
trendafilat me qepen ne kopshte
fluturat i japin ngjyre loteve te tharre
cdo mengjes kenget e dashura
qe i perkdheli me zbehen
e pabesia jote si nje fustan
i zdeshur e i braktisur mbeti ne shkalle
mos u kthe qe te mundem
nga afer te te shikoj
mos u kthe keshtu le te rritet dashuria
ne mungesen tende
shih vetmia eshte me e bukur se ti
vetmia eshte me e sinqerte se ti
fjala eshte me e forte se heshtja
mos u kthe
qe te mundem ne mua te te gjej
ne kete shteg pa dalje ta gjej fundin
ku malli pameshirshem
i perflake ditet ne harrese
ne dritherimat e mia te brishta
atehere do te quhemi
hene e plote
atehere s do te kete me
as dhembje as lote
shiu ende spo ndalet..




NATA E ZERUR PENG NE KOHE
1.
nate e erresuar
sonte e braktisur
e mbytur ne vetmi
ne heshtje e gjunjezuar
une vij te te marre
ne preher te ngrohte
e ti mi gllaberon
dritherimat ndezur zjarr
mi mbyll ne guace te fildishte
mekatet tua te mesnatave
une perlat e vetmise
i rendis ne gushe
dhe tallem
me heshtjen e gjunjezuar

2.
kohe ti me ik
ne lumin e permbajtjes sime
te mos trazohen monopatite e ores
e humbur kerkoj burimin e lumit
ah ti kohe s ke meshire
as sy as zemer
bile as emer
ma mban naten peng ne kurth
ti kohe e cmendur
zgjon deshira qe vallezojne
si fjolle bore
mbi zjarrin e anktheve
derisa gjymtyret e mia te lodhura
diku ne nje kurore malesh
mbjellin fidane te reja
e ti zgjohesh dhe kotesh
shkrihesh dhe ngrihesh
fshehesh dhe mbeshtillesh
sonte ne jehonen time
e loti pikon mbi agimin e bardhe



KUR Ç'MBESHTILLET LEMSHI

Shiko qe
po i c´mbeshtolli nyjet
sikur zanat kur i c´mpleksin
gershetat per fitoren e enderruar
eja
permes Camerise e Tiranes
permes Dibres e Gostivarit
permes Plaves e Gusise
permes anes se Moraves
deri ne Dukagjin
shtriju si femije i llastuar
mbi Fushe Kosove
duke i njehsuar fijet e barit
deri ne pafundesine e haperimeve
behu jete mbi varret e Drenices
ngjitu ne freskine e Bjeshkeve te Nemuna
t´i ndjesh mushkerite si lirohen
nga dashuria e ndaluar
eja
fotografive te kohes se gurit
lekuren t´ia rrjepim
qiellit te lire
t´ia qepim fustanin e mendafshte
as me te gjere as me te ngushte
eja
ketu te lundrojme
ne lumenjte e perterire

Marr nga permbledhja"Deshmia e kthimit tim"1998





MERNI ÇDO GJE NGA UNE

do ti japi cdokujt
c kerkon nga une

vetem mos mi kerkoni
endrrat dhe mrekullite

vetem mos mi kerkoni
dritherimat qe me vargohen ne gji

gershetat se me to
mbrohem nga stuhite

vetmine se me te
shkarraviti qetesine

mos ma kerkoni dashurine
me te e rrezatoj shtepine

te gjitha te tjerat ua japi
pulle dhe monedhe
teshe dhe koteshe

por as lotet
as pagjumesine
as mallin

te gjitha keto
mi krijojne poezite






VËSHTRIM I SHKURTËR MBI VEPRIMTARINË POETIKE TE SEVEME FETIQIT


Në nënqiellin europian të mërgatës sonë, në mes të një laramanie harmonike letrare gjejmë një thesar të lënë nganjëherë pas dore, gjë që është në kundërshtim të habitshëm me krijimtarinë e mërgimit botëror në përgjithësi. Jam i mendimit se shum pak i jepet rëndësi letërsisë jashtë trojeve etnike e kjo krijon një mangësi morale ndaj autërove që me mund të pashoq krijojnë në kushte të pavolitshme vepra që rradhiten në lartësitë e letërsisë sonë.
Një ndër autorët që meriton respekt të posaçëm për arritjet poetike, që jeton e krijon në perëndimin europian, dallohet Seveme Fetiqi e cila padyshim, qëndron në anën e poetëve që kultivojnë një gjuhë të kulluar shqipe, pa rëndime të panevojshme me huazime që ngaherë është bë modë tejet e dëmshme në letërsi e sidomos në gazetari e politikë por edhe në forume të ndryshme anë e mbanë botës shqiptare. Kur flas për gjuhën e Sevemes, përmend edhe faktin se autorja preferon krijimin e një fjale të re (neologjizmën) dhe kështu fiton një adhurim të posaçëm nga idhtarët e gjuhës së pastër sepse me këtë vë në pah fuqinë e saj krijuese dhe dashurinë ndaj amëtares duke iu mënjanuar fondit të fjalëve të huaja, këtij snobizmi të kohës sonë.
Poezia e viteve gjer më 1981/82 dallohet me një gjallëri sentimentesh rinore të botës së revoltave dhe përjetimeve të paharueshme, që me bukurinë e shprehjes edhe simbolikës, këndon ngjarjet historike të demonstratave të viteve paraprake është padyshim “Natë e plagosur” (Kurorë e kaltër”, 1985). Këto vjersha lexohen me ëndje me dhjetëra herë, janë aq të fuqishme…, gati mistike në brendinë e vet domethënies së tyre sa që ngjallin etje të pashueshme për lexim e rilexim. Shpesh në literaturën botërore, gojore apo të shkruar, hasim në vargje me “pëllumba të bardhë” por shifeni çfar magjije i jep autorja kësaj “formule” aq të lexuar e dëgjuar që nga lashtësitë:

me pëllumba të bardhë
nga syri imi lëshoje
në qiellin tëndë të paskaj


Në spektrin emocional e filozofik, vitet e paraluftës në Kosovë, posaçërisht ata të kohës para dhe gjatë demonstratave ’81, janë të shtjelluara nëpërmjet metaforës që është pasojë, në fillim, e ngarkimit terorizues të pushtetit të huaj por që autores i sjell famën e zotërueses më të madhe të kësaj figure shprehëse. Metafora në poezinë e saj zë vendin e mbrojtëses së integritetit psokofizik e nga ana letrare, shkëlqen si margaritar i rrallë i simbolikës poetike të kohës së vrullit demonstrues kundër pushtuesit në Kosovë, pjesëmarrëse dhe përjetuese e të cilave është edhe vet autorja.

Fuqia dhe bukuria e shprehjes ; e vargut në poezinë e Sevemes nuk lind nga ndonjë shkollë apo ndikim special i mësuar ose i përvetësuar nga poetë të rangjeve botërore ose kombëtare. Ajo vjen si ujë burimi nga thellësitë e përjetimeve vetanake përgjatë trazirave të njohura kombëtare dhe luftës së vazhdueshme për liri. Për më tepër, konsideroj se këto vargje janë sublime dhe shprehin një rrugëtim historik shekullor të veshur me petk lirik tejet mbresënëlës. Dallohet gjithashtu një ndërtim sintaksor që shndrrit rreze gati euforike liridashëse. Në këtë kontekst ndërtimi stilistik, dallojme në disa vende anaforë të mrekullueshme (u bëra murane në pritje / u bëra klithje në heshtje) dhe simbolin, për të cilin kam bindjen se është figura më e preferueshme e poetes.

Përmenda më lartë se Sevemja posedon një forcë befasuese në krijimin e neologjizmave. Ajo në disa vënde me lehtësi të paparë gjen dhe ndërton fjalë me të cilat plotëson një « shprazëtirë » shprehëse ; sikur i mungon fjala e duhur, andaj ajo me estetikë të pamohueshme prodhon fjalën që ia kënaq dëshirën e shprehjes në varg. Ndaj këtu shembullin më të bukur kur ajo nga « hapësirave » ndërton shprehjen « hapërimave » që nuk do koment, ka një ngjyrë shum më domethënëse se termi i zakonshëm burimor.

Ndër veçoritë e rradhës së parë, pa mëdyshje është forca tërheqëse për të lexuar poezitë (librat) e Sevemes. Lexuesi, nuk kalon mbi këto vjersha me një hedhje syri. Nuk janë këto vjersha që eventualisht mund të lexohen shkel e shko. Lexuesi byle këthehet disa herë në të njëjtën vend. Lexon dhe rilexon. Kjo magji tërheqëse që mban peng lexuesin krijon një ndjenjë adhurimi ndaj fjalës dhe analizës së « historikut » të fillit dhe mbarimit të vargut e lidhjes së tij në hapësirën e brenda vet vjershës, ciklit dhe librit në përgjithësi.

Kur flas për veçoritë e veprave në përgjithësi, do të vë në pah një moment tjetër që flet për preokupimet e Sevemes që i hedh në letrën poetike. Moralisht e paluhatshme, ajo i ndejti besnik shfrytëzimit të temave dhe çështjes kombëtare, që më së miri i « flejnë » për zemre dhe nuk tregoi as tentativën më të vogël t’i rreket, si shum shkrimtarë këtyre dekadave të fundit, shkarravinave pornografike me të vetmin qëllim të arritjes së një emri e sidomos, arritjes së suksesit në tregun e librit. Personalisht, nuk kam hasur në asnjë shkrim të saj edhe ndryshimin më të vogël në rrugëtimin e saj drejt majave të poezisë shqipe.
E mbyll këtë shkrim të shkurtër me bindje se Sevemja do të na prezentoj akoma libra të rinj, duke i ndenjur besnike gurës së gjertanishme të frymëzimit dhe do të dij të ruaj stilin joshës të mbushur me jetë kombëtare dhe jo, si që hasim shpesh tek disa poetë, me katrahura mitike jashtilire që bastardhojnë të kaluarën dhe të tashmen tonë sublime.

Laureta Miftari




POEZI ME KONSISTENCË ESTETIKE


 Referencialiteti I tekstit letrar të shpeshtën e herave varet edhe nga kontreksti receptiv, domethënë preupozon statusin e tekstit dhe pozicionin edhe social të recepientit. Ky refleksion lindi nga rileximi I poezisë së dy librave poetike të Sevëme Fetiqit, “ Kurore e kalter, (1985) dhe “Deshmia e kthimit tim”, (1998), veçmas kur merret parasysh fakti se pjesa më e madhe e poezive janë krijuar në një kontekst tjetër socio-kulturor, prej të cilit është varur edhe pranimi I saj si faktikë poetike. Momenti poetik në të cilin është shfaqur poezia e kësaj autoreje ishte kohë e sprovave estetike, e lojërave estetizuese, kohë e kërkimit nga poezia e shkallëzimit sa më të lartë eskspresiv. Në atë kohë poezia e librit të parë të Sevëme Fertiqit, “Kurorë e kaltër”, është trajtuar si një përpjekje e suksesshme që të imponohet si gjuhë e mvetësishme poetike, si një diskurs poetik i profilizuar në planin figurativ, si një shprehje që sa synon ornamentalistikën poetike, domethënë degëziminin dhe filigranizmin e figurës poetike, po aq edhe si shprehje që formësohet si një sublimat poetik i emocionit, ndjeshmërisë së thellë që arrin ta gjejë trajtën adekuate gjuhësore-ekspresive.



Referenca tematike

Në dy librat poetik të Sevëme Fetiqit, “ Kurore e kalter, (1985) dhe “Deshmia e kthimit tim”, (1998), hetohen dy prije mbase edhe kontrapunktive. Në librin e parë tematika mbizotëruese është ajo që lidhet me pasqyrimin e jashtësisë, problematika jetësore dhe përditshmëria, që në vetëdijen e poetes çdo gjë I nënshtrohet një filtri subjektivizues. Pjesa mbizotëruese e poezive etimonin e kanë në proceset reale të jetës së përditshme, por që falë fuqisë sublimuese të poetes arrijnë të intimizohen, të marrin vulën subjektive të shpirtit të saj:

“Mos e fik yllin polar |është shikimi im |Mos e ndal erën| është thirrja ime |Mos e shuaj zjarrin| është dashuria ime| Mos e prish heshtjen| jam heshtja jote” ( ”Heshtja e pathyer”, faqe 33)

Përditshmëria me të gjitha segmentet e saj, social, rrethanorë, procese që përcaktojnë sjelljen e individit, konteksti madje edhe politik, etj, është vepruese në vetedije, por gjithnjë e tranbsformuar, e nështruar , siç thamë, intimizimit. Pra në fokus është një subjekt I prirur për meditacion. Po kaq edhe temat universale, ato që mund t’I trajtojmë si cikle kozmike, koha si koncept edhe filozofik, po edhe si fenomen natyror, gjen “ pasqyrim” në këtë poezi. Edhe kur trajtohen këto tema, natyra, stinët, ndryshimi I kohës dhe rrjedha e saj, koha si koncept universal, ato gjithnje janë të përqëndruara rreth një vetëdijeje që është në proces subjektivues, që nga subejktivimi arrin të nxjerrë përmasën imagjinative, aspektin personal nga motive I trajtuar. Përgjithësisht libri i parë është në shenjë të refleksionit, meditacionit dhe ndjeshmëria dhe amalgam ilirik është mbizotërues.

Në librin e dytë, “Deshmia e kthimit tim”, (1998) që vjen mbas një pauze trembëdhjetëvjeçare nga libri I parë, sjell një preokupim dhe formësim gjuhësor të evoluar. Poezia e këtij libri përmbledh krijimet poetike që janë rezultatj i rrethanave specifike, në kushte kur në ambientin jetësor të njeriut tonë ndodhin përmbysje të mëdha, që doemos së të gjitha këto gjejnë shfaqje si në planin social, moral e psikologjik. Kjo katandisje kolektive s’ do mënd se do të shfaqet edhe si preokupim artistik, po aq sa edhe si pasqyrim gjuhësor aq sa na e kujton një pohim të Roland Barthes-it se ndryshimi radikal në gjuhë shkakton edhe revolucionin në shoqëri.

Edhe poezia e librit “Deshmia e kthimit tim”, i ka të gjitha parashenjat e kësaj kohe dhe të këtij ndryshimi real apo të anticipuar si parandjenjë poetike. Edhe regjistri i temave, motivet dhe perokupimet lidhen drejtpërdrejtë me këtë realitet, me këtë katandisje jetë sore, me ngushticën ekzistenciale, rrezikun e mbijetesës kolektive. Këtu kemi të bëjmë me një poezi të tipit të angazhuar, poezi që buron nga nxitjet reale, nga reagimi etik i subjektit ndaj perverzitetit, nga reagimi subjektiv ndaj një situate rrezikuese të ekzistencës apo të jetërsimit të qenies:

pagjumësia me rolin
e dëshmitares së pagabueshme
së bashku me pëllumbat
i shkundnin krahët e lodhur
në pluhurin e shekujve
puthnin plagët e muzgut të skuqur all
dhuronin bardhësinë e puplave
përfundimit të lidhjes së plagëve
të kësaj nate të përlotur”
(“Natë e plagosur.II”

Ose

eja
permes Çamërisë e Tiranës
përmes Dibrës e Gostivarit
përmes Plavës e Gucisë
deri në Dukagjin
shtriju si fëmijë i llastuar
mbi Fushë Kosovë
duke i njehsuar fijet e barit
deri në pafundësinë e hapërimeve
ngjitu në freskinë e Bjeshkeve të Nemuna
t´i ndjesh mushkëritë si lirohen
nga dashuria e mbytur

(“Kur çmbështillet lëmshi”)

Nga shembujt fragmentarë mund të shihet se poezia e librit vijues ka karakteristika të tjera edhe si tematikë po edhe si formulim gjuhësor. Derisa poezia më e hershme është poezi e sublimatit lirik, e emocionit të artikuluar me një gjuhë poetike asociative, shprehje që buroi ga thellësia e subjektivitetit, poezia e librit të dytë është poezi e shprehjes konkrete, e idesë së angazhaur, e artikulimit përmes leksikut mobilizues, lëvizës në planin e ndikmimit në ndërgjrgjen e lexuesit.


Perspektiva poetike

Poetja Seveme Fetiqi hy në kategorinë e krijuesve akrivë, tek ai grupim i artistëve që janë në gjendje permanente kreative. Këta krijues bashkëjetojnë dhe bashkndiejnë me kohën e vet, duke qënë në lidhje të vazhdueshme me jetën dhe proceset jetësore dhe duke përthithur dhe asimiluar frymën e saj, ndikimin e procesve në vetëdijen njerëzore, në psikën dhe moralin e tyre. Nëse poezia e saj është aktive si shprehje, po aq është edhe subjektivuese, intimizuese, sepse vë në praralelizma, në binaritet realitetin subjektiv dhe realitetin konkret të jetës.

Këtë e dëshmojnë edhe poëzitë e reja të shpërndara qoftë në mediat e shkruara apo edhe në rrjetet sociale, ku bëjnë jetën e tyre artistike. Këto poezi, që janë pjesa komplementare e veprës së saj poetike, dëshmojnë një process të konsolidimit të ,ë tejmë të shprehjes, stabilitetin e figurës, dhe prerjet subjektive që I bën aktulitatetit përmes një korrektivi imasgjinativ. Te këto poezi kolokvialiteti, të folurit repertoresk, që ishte karakterizuese për poezitë e librit të dytë, vjen duke u konturuar në figurë dhe në meditacion. Në këto poezi sikur kërkohet ajo përmasa e brendshme e gjërave që është një gërshetim i aksepetimit poetik dhe segmentit aktual të realitetit.

Poezia e fazës së fundit, qoftë si tematikë apo edhe si stilistikë, është më aktuale së brendshmi, si ekspresion estetik se sa si shprehje që mboilizon ndërgjegjen etike. Orientimi nga shprehja dhe ekspresioni estetik dhe kërkimi I balancit me aktualitetin e problemit të trajtuar shënon një shkallë të ngritjes sa edhe të individualizimit të verbit poetik.



Në fund

Pasi të lexohet poezia e Sevëme Fetiqit, si ajo e dy librave poetik, po aq edhe krijimet më te reja poetike të papublikuara si libra, ideja e parë dhe më kryesore që të krijohet është ajo se kemi të bëjmë me një individualitet të profilizuar që nga poezitë e para në një rrugë evolutive produktive. Madje serioziteti poetik hetohet që nga poezitë e para, ku aktualiteti poetik buron nga refeksioni, nga meditacioni , nga figura poetike e profilizuar, nga emocionaliteti që arrin të sublimohet në shorehje që ka rrezatim të gjerë.

Këto tiparë nxjerrin në pah një natyrë krijueseje që në poezi do të bartë në mënyrë paralele aktualitetin e motivit poetik dhe aktualitetin e estetik të fjalës dhe figurës. Prandaj në poezinë e dy librave dominuese është fraza poetike e reduktuar, e liruar nga përbërsit vlerbalë që kanë funksione parazitore. Duke insistuar në një shrehje të dendësuar poetike nuk është e habitishme pse kjo poezi është vepruese estetikisht, e dendur si lirikë, ekspresive si emocion dhe e ngopur si kuptim. E gjithe kjo vjen nga prirja e poetes që nga poezia të kërkojë cilësinë e jo sasinë, dëshmi e të cilës është edhe aspekti kronologjik, distance mes dy librave, por edhe evolumet pa ndryshume radikale, pos atyre që kanë ardhur nga imperativi etik, çfarë ishte ai I kohës dhe periudhës nëpër të cilën kaloi kjo poete dhe kolektiviteti i saj etnik
.
Ramadan Musliu




Seveme Fetiqi lindi me 07.05.61 ne Vushtrri. Shkollën fillore dhe te mesmen i kreu ne vendlindje. Me pastaj studioi mjekësinë ne Universitetin e Kosovës ne Prishtine.
Qe nga bankat shkollore tregoi interesim dhe prirje për poezi. Poezitë e saj u botuan pothuaj ne te gjitha gazetat dhe revistat shqiptare si "PIONIERI", "ZERI I RINISE", "RILINDJA" ,"JETA E RE " ,"FLAKA E VELLAZERIMIT", "BOTA E RE","KOSOVARJA" ,etj. Ne vitin 1983 ,poezitë e saj u botuan ne përmbledhjen "RRJEDH E LE GJURME", te cilën e botoi gazeta e studenteve "BOTA E RE".Me vone me 1985 iu botua përmbledhja e pare "KURORE E KALTER" botim i RILINDJES e cila përmbledhje u shpërblye si libri me i suksesshëm i Plejadës nga gazeta "ZERI I RINISE".Ne vitin 1998 boton përmbledhjen e dyte "DESHMIA E KTHIMIT TIM"(RILINDJA).
Ne vitin 2003 ,poezitë e saj botohen ne "ANTOLOGJINE E POEZISE MODERNE " te Ferdinand Lahollit ku janë te përkthyera edhe ne gjuhen gjermane. Është anëtare e Shoqatës se shkrimtarëve te Kosovës ,anëtare e Shoqatës se shkrimtareve shqiptar ne diaspore. dhe anetare e Lidhjes se poeteve nderkombetar "PEGASI" Albania per Gjermani.Momentalisht punon si mësuese ne shkollën me mësim ne gjuhen shqipe "NAIM FRASHERI" pranë klubit "Bashkimi kombëtar " ne Ofenbah te Gjermanisë ku edhe jeton.

__________
Për "Sofra poetike": Haxhi Muhaxheri

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen