Sonntag, 1. Mai 2011

Cikël poetik nga Viktoria Xhako


PO KTHEJ TEK TI, SHOQE DHE MOTER

(Shoqes sime L. K.)

Pikëllimi më kthen tek ti,
Shumë vjet mërguar larg.
Një pemë s`e mbolla në rini,
Endrrat e thyera ku t`i var?

Në sytë e tu – kristale loti,
Trishtim – në sytë e tu.
Endrrat e thyera ku t`i var?
Sot, kaq vonë, po kthej tek ti.

E martë 9 mars 2010 ora 21:30




KU DO TE SHKOSH?

Zemërdhembshura nëna ime
- Ku do të shkosh, ti bijë, - më tha?
- Eshtë shumë e gjatë rruga,
Këpucët për ty janë të mëdha.-


Strehën mbi sy, ëndrrat varur krahut,
Nisa t`i ngjitem shtegut të lartë.
Lule të thara, pa gjurmë jete,
Eca...këpucët më vranë mjaft!

E marte 9 mars 2010 ora 22:22




TEK VARRI I PRINDERVE
 (Prindërve të mi S. dhe E.)

Mermeri i bardhë hesht i ftohtë,
Mbi kokën e nënës pema fëshfërin.
Ditënetët ndërrohen me ritmin e kohës,
Ditënetët e prindërve janë pa mbarim.

Faqen mbështes mbi mermerin e ftohtë,
Fjalët e prindërve më vijnë ngadalë:
A je mirë, bijë, vajza jonë?
Edhe të vdekur ata më janë pranë.

E mërkurë 10 mars 2010 ora 00:14




PER ENDRREN…..PRANGA

Pranga të mbërtheu koha në duar,
Valixhen e ëndrrave ta mori me vete.
Ti e ndoqe shikimtrishtuar,
Në robot ta kthyen jetën tënde.

Ec somnambul në terrin e zi,
Ditënetët të gjitha njëlloj.
Me krahët e ëndrrës s`fluturon dot.
Me pranga në duar, jo, s`fluturon.

Dhe ëndrrat shtohen një nga një,
Dhe prangat frymën ua zënë.
Me spango mban valixhen tënde,
Rënkimi pa zë, vallë kujt i vlen?

Cepin e spangos shtrëngon në duar,
Bën ta tërheqësh, s`e kthen dot mbrapsht.
Valixhen me ëndrra e sheh tek hapet,
Endrrat derdhen varg e varg.

E premte 12 mars 2010 ora 10:00




MASKA

Maskën u ktheva të marr pas derës,
Të shkoj në punë me buzë në gaz
Kur kthehem, e var po atje.
Kështu çdo ditë vazhdon ky ritual.


Përse t`i them botës ç`ndodh me mua?
Fjalët - gjethe të verdha i merr era.
Vërtiten e vërtiten, më kthehen përsëri,
Dhe unë përsëri maskën marr nga dera.

Dhe kështu çdo ditë vazhdon ky ritual.

E diel 14 mars 2010 ora 22:00





SYTE E FEMIJEVE TE MI
 (A.dhe D.)

Pëllumba të bardhë m`u bënë ëndrrat.
Dhe bota e bukur m`u duk përsëri.
Për pemën që mbolla në jetë,
Flasin sytë e bukur të fëmijëve të mi.




POEZI NGA VIKTORIA XHAKO "ZHORZH SAND".
Viktoria Xhako, me pseudonimin letrar Zhorzh Sand. Përzgjedhja e këtij pseudonimi është një ide personale..
Jam lindur në qytetin e Durrësit, me 09. 10.1950,
...ndonëse prindërit e mi kanë origjinë nga krahina e Kolonjës së Ersekës. Kam mbaruar studimet e larta ne Universitetin e Tiranes, ne fakultetin gjuhë dhe letërsi shqipe. Kam qenë mësuese e letersise në gjimnaz deri sa emigrova jashtë vendit.
Krijimet e para letrare i takojnë adoleshencës. Për shkak të përkrahjes e inkurajimit të paktë që pata për talentin tim nuk munda të hyj në radhën e shkrimtarëve shqiptarë në vitet e rinisë. Por talenti nuk vdes. Vitet e fundit kam rinisur përpjekjet për të plotësuar atë dëshirë të vjetër të rinisë e të të gjithë jetës sime, të shpreh së fundi në letër gjithë grumbullin e madh të pikëpamjeve, ideve dhe vlerave letrare. Disa prej këtyre krijimeve tashmë janë të publikuara.
Në arkivin e kujtesës dhe tashmë të shpërfaqura publikisht janë trajtuar një sërë shqetësimesh të mia për emocionet e jetës njerëzore, per dashurinë, për dhimbjet, per marrëdhëniet familjare dhe qëndrimin tim personal për ngjarjet në vendin tim.
Letërsia, ashtu si edhe artet e tjera, është një mënyrë fisnike për t’u treguar njerëzve se bota është më e bukur se aq sa e shohim përditë, sikundër mund të jetë edhe më e keqe sesa e mendojmë. Zhbirimi psikologjik i personazheve në të vërtetë është një punë e vështirë dhe kërkon jo vetëm përvojë jetësore, por edhe kulturë. Nga ana tjetër shkrimtarët dhe poetët kanë nevojë për mirëkuptimin e lexuesve të tyre. Bashkëpunimi mes tyre kryhet përmes kritikës dhe opinioneve publike.
Para pak ditesh doli nga shtypi vellimi im i pare poetik "Zemer e ngrire".
Në planet e mia krijuese është edhe një roman me të cilin po merrem prej disa kohësh. Nuk e di nëse kjo vepër e plotë e jetës sime do të ketë suksesin e duhur te lexuesit, por unë gjithmonë mendoj se letërsia është një punë që më shumë shpërblen autorin sesa lexuesin.. Në këto plane krijuese mund të përmend gjithashtu edhe përmbledhjen së fundi të tregimeve të mia, të cilat, për fat të keq, deri tani janë të shpërndara andej- këndej..

Për SOFRA POETIKE: Kujtim Stojku

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen