Montag, 17. August 2020

Brahim Avdyli: SIMBOLIKA E DHEMBJES

Brahim Ibish Avdyli

SIMBOLIKA E DHEMBJES

1.

Edhe njëzet vite
pas luftës
bëhet një tjetër përpjekje,

erërat e vjetra
të vdekjes
i ngjallin demonët,

djemt e nipat
e atyre që na kanë vrarë

tani më
me duart e përgjakura
shetisin
gjakut të lirisë

e të rritës sonë!

2.

Shfrytëzojnë rastin
deri në shkatërrim,

dreç me bishta të jemi
e jo më shumë,

prandaj
në kohë të paqes
prapë sulet
gjenocidi serb

të shpërthejë
mbi foshnjat e lidhura
në djepa tmeri!...

3.

Hijenat e gjakut
sillen pas luftës
njëzet vite pa pushim

e njëjta trajtë
të zhdukjes sonë
mbi doçkat tona

pa u ndalur
e sillte rrotën e madhe
me qindra gënjeshtra,

për të bluar qetas
në mullirin e padrejtësive
qenien tonë

dhe mjerimin e pa fund!

4.

A jemi përherë
viktimat
e shfrimeve satanike
që kalojnë
nëpër vdekjen tonë,

apo hije të tmerrshme
nëpër errësirë,

vetë nuk u besojmë
syve të toptisur,

bota, çka është bota
ka dalur jashtë vetes

e kënaqet
deri në shkatërrim!

5.

Tanimë duhet
të ndjejë ketë dhembje
prej fillimit
e deri në mbarim,

simbolikisht
i kanë marrë prej nesh
fjalët e urta
gjenezën
e gjuhën...

ne ishim e jemi
përherë dhënës
e asnjëherë
marrësit e tyre!

6.

Nuk do aq mend
të kalkulohet e vërteta,

simbolika e dhembjeve
ka vijuar përherë
me alfabetin e fjalëve
nga Dardania!...

7.

Evropa e vërtetë
copat e shfryerjes
duhet t`i nxjerrë,

gënjeshtrat
e gjenocidin
e fashizoidëve serbë
duhet ta ndalë,

përndryshe
kryedemoni
do të pikasë
me paudhësinë nga arabia
deri në Evropë!...

8.

Kësisojit
sindroma e vdekjes
nuk është mbyllur
katrahureve të dhembjes,

kemi qenë të parët
në botën e dalldisur
përtej shekujve

e të fundit kemi mbetur
me zemrën e djegur
nëpër duar,

e vetmja simbolikë
për gjenezën e popujve-

përpiqemi
që ta mësojmë
urtësisht
si duket jeta
me dashurinë!...

9.

Athua,
kush ua dha atyre
këtë tmerr jete
mbi filizat tona,

alfabetin e mohuar
të dhembjeve tona
kush ua kthen,

simbolikisht
përherë ka rrjedhur
nëpër lotët tanë

gjaku i lirisë!...



HIJENAT E GJAKUT

1.

Gjenocidet janë
kur ikë
me kokë në duar

për një frymëmarrje të lirë
nëpër katrahurat e vdekjes,

edhe atëherë
kur detyrohesh
të braktisish
me ëndërrat tuaja
Atë Dhé

jashtë rrethanave të jetës
e lotët
që të rrjedhin!

2.

Hijenat të prekin kudo
rrënjët t`i nxjerrin prej tokës

blerimin prej degëve
ta krasisin
pa gjurmë
pos shkatërimit...

Nga padushkmëria
i zgjasin duart e përgjakura
me paraardhësit
e pasardhësit
drejtë stinëve të gjurmuara,

doçkat tuaja nuk mund të jetojnë
me dhembjen e rritur
kudo

edhe në të kaluarën
pa të ardhme...

Hijenat e duan gjakun,
dalshin menq,

e fluturimet vazhdojnë
nga trungu i atdheut-

zogj që ikin
pa fund-

zogj të dhembjes sonë!...

3.

Të largohemi prej vetes
plas durimi i jonë,

gjenocidet rriten me shifra
vdes
apo zhdukesh,

aty ku kemi lindur
është djepi i rritës suaj
nëpër kohë-

nuk mund ta zhdukin
kujtimin e tij,

hijenat
plasin prej durimit tuaj!...



GJENOCIDET

1.

Fjala sillet
nëpër gjakun e derdhur
pa faj

të dobët jemi
fëmijët, gratë e pleqtë
e dhembja e jonë
pa kufi!...

2.

Genet
janë të parat
e Cidi rrjedhë
drejt shkatërrimit-

cili është ai që e mohon
origjinën e vet,

të paturpshmit e menqur
na mësojnë
vetes
t`ia hapim varrin

e paturpësisht
qesh me ne
para botës,

i përkund djepat tanë
me fëmijët e prerë
e të vrarë,

derisa
dhembja e jonë
ngrihet
në kupë të qiellit!...

3.

Gjenocidet i kanë
njëmijë forma
mbi ne,

e asnjëra nuk e ndalë
nuk e dënon-
paraqitjen e shfarosjes!...



FILIZAT E TRETURA

1.

Dridhen
pa shpresë
filizat e tretura
pa njerëzit që i donin

gjithmonë me frigë
e sytë e shterrur
në kokrra loti

mbështjellë prej tmerri!...

2.

Nuk e di
nëse i ka humbur njerëzit
apo vetë ka humbur
nëpër kohë,

qanë pa u ndalur
frigohet
se do ti humbë
të shtrenjtit
në plagë të shpirtit,

edhe fëmijët e fëmijve të mi
ndodhen
në plasa të zemrës!...

3.

Prindërit nuk janë më
sepse ua ka ngrënë
koha me dhelpëri,

asgjë nuk dinë nga jeta
pos lotëve,

Hija e jote
o Zot i Madh
Zemërbadhë
shkatërrimin e jetës
do ta ndalë,

e filizat tona
të dashurisë

janë në Besën tënde!...



PLAGË QË KULLON

Nëpër trupin tonë
plagët e vjetra
kullojnë gjak

e jeta hargjohet
pak nga pak
ikë nga vetja
thua se do të mbyllen plagët,

kullojnë jetë të vdekur
e vdekje në jetë...

askund nuk pushojnë
të rrjedhin
pa ndërprerë
ngjyrën e jetës...

Gjenocidet
janë prore
trandjet tona!