Montag, 30. September 2019

Një tufë me poezi nga Arif Bozaxhi

Arif Bozaxhi

DIELLI STACION I FUNDIT

Vetëm zogjët
Mund të lexojnë
Heshtjen e gurit
Mbı varrin
E ëndrrës

Aty
Koridoreve të etjes
Pikat e shiut
Janë gjıthnjë
Pranverë

E dielli
Stacion i fundit
i buzëqeshjes



KËPUCET E TIJ

Të kujt janë
këto këpucë
që tërë natën e lume
qajnë në pragun e shtëpıse sıme

Po këta krushq mërgımtar
dıellın e kujt
janë duke varrosur
në sytë e zogjve...



ZJARRET

Natë
të gjitha ngjyrat
dhe zërat heshtin
e nga heshtja
kallet deti.



LETËR E PALEXUAR

Në të kaltrën
frymëmarrja e shiut
pavdeksi

Në sytë e mi pëllumbat

letër e palexuar.



ZOGU

Letër e palexuar...
Kryengrıtje
E Dıellıt.



DETI

Në damarët e m'ı
Ka zan' e po thahët,
Detı.



DUART

Largësıa më e madhe
Janë duart tua,
Që s'preken?!

Fran Ukcama: JEMI NJI

Fran Ukcama

KOSOVË E SHQIPËRI - JEMI NJI !

Shqipëri Kosovë,
Kosovë - Shqiperi,
mos u bani hor,
po, jemi nji..

Kosovë - Shqiperi,
Shqipëri - Kosovë,
jemi vllazni
mos u bani horë!

Mos pyesni hajnat,
në krye shtete,
një gjak arber jemi,
tash njeqind mijë vjet!

Prej Nishi e n`Artë,
Shkup e der n`Tivar,
duan s`duan armiqtë,
po ne jemi shqiptar..!

Pyesni Ismailin,
Pvetni Buletinin,
Lidhni me tel zemre,
Tiranën - Prishtinën..

Pyesni Kastriotin,
pyesni Adem Jasharin,
ne krye Komb zotin,
gjak-flamur, shqiptarin..

Njiqind shtete t`ngrihen,
pa flamur, shqiponjë,
Kombi i qetë ndihet,
me Shqiperi zonjë..

Mos fusni pyka,
t`blerë e të shitur,
Kombi mbetet nji,
ashti, gjaku, shpirti!

Rrahim Ganiu: IMAZHI I NJË PRANVERE TË RE

Rrahim Ganiu

IMAZHI I NJË PRANVERE TË RE

1
Duke ecur sikur e dënon
Veten pa asnjë faj
E mira dhe e keqja m’u duk
Se u bashkuan e dhanë
Një zë
Shkelmoje hijen pa besë
Emëruesin e surratit helmues
I çoroditur në shpirt
E ky surrat të duket se vret
Edhe vdekjen
Atëherë pëllumbat e bardhë
fluturuan
Në kepin e shpresës
Sytë e mi ndryshe shikojnë
Katundin e gjallë
Të një pranvere të moçme

2
Flisja ulët urrenja mendimin
tim
Që nuk e kisha shfaqur
Që e mbaja enigmë
Kisha frikë nga vegimi im
E duke ecur në rrëmujë
E mësova rrugën e zogut
Atëherë sinqerisht
I premtova këngës
Gjak të lashtë në zemër
E syrit të kaltër ngjyrat
E ylberit
kujtesës
Një kopsht me lule
Në çdo ëndërr

3
E lëshova një zë midis të mirës e të keqes
Oh, a paska shpresë për mua
Sizifin
Të lënë në smundjen e hirit
Gjithmonë në pagjumësi gazepi
I vrarë, i djegur
Gjethja e blertë e këputur
Çfarë faji kishte nëna ime që i thashë
Padashur shumë herë
Më mirë mos të më kishe lindur
Fare nënë
Pse nuk vdiqa ende pa lindur

4
E unë pa dashur kërkoja
Ashtin tim në këngën
E rapsodit plakë
Sot në sheshin që e quajta
Të kombit
Ndryshe i pashë malet
Flakën e bardhë si përkëdhelje
Mëngjesi
Motin e blertë dhe ringjalljen
E shpirtit
E mu duk se nëna ime më tha
Bir, do të kesh imazhin e një
Pranvere të re

Poezi nga Durim Çaça

Durim Çaça

KËNGË

dy atdhe tërheqin njëri-tjetrin
njëri që vjen nga jashtë
tjetri që vjen nga brenda
e aty ku takojnë
shohim qiellin

si dy kurme që tërheqin njëri-tjetrin
njëri që vjen nga drita
tjetri që vjen nga terri
e aty ku takojnë
shohim detin

dy lot tërheqin njëri-tjetrin
njëri vjen nga gazmimi
tjetri vjen nga dhembja
e aty ku takojnë
shohim profetin

si dy të vërteta që tërheqin njëra-tjetrën
njëra që vjen nga jashtë
tjetra që vjen nga brenda
e aty ku takojnë
shohim veten

dy rima tërheqin njëra-tjetrën
njëra vjen nga ngazëllimi
e tjetra nga urrejtja
dhe aty ku takojnë
shohim përndritjen

si dy atdhe që tërheqin njëri-tjetrin
njëri që vjen nga çmallja
tjetri që vjen nga poema
e aty ku takojnë
shohim qiellin...



SHARME SHAMANI, II

shkon më përtej bukuria e poemës
se bukuria e poetit
bukuria e udhës më pertej
se bukuria e udhëtarit
se bukuria e atdheut
më përtej bukuria e mallit
bukuria e petales më përtej
se bukuria e pemës
ah, bukuria e puthjes më përtej
se bukuria e të dashurit
se bukuria e gjinjve
më përtej bukuria e zjarrit
më përtej bukuria e frymëzimit
se bukuria e këngës

qysh s’jan’ të një mase
paj, bukuritë

shkon më përtej se bukuria e malit
bukuria e mështeknës
se bukuria e lotit më përtej
bukuria e dhembjes...



EKSTAZË

kemi flatruar në flladet e rimave
e na kan’ numëruar
me kojrillat

thithur kemi në kupa kameliesh
ç’na kan’ numëruar
ndërmjet bletëve

veruar në ajrin thur’ me ar
na kan’ numëruar
bashk’ me zanat

seç pim’ drit’ në gjinjt’ e argjendtë
paj, na kan’ numëruar
me të shenjtët

puthur kemi në buzët e yjeve...



REFLEKSION

si hyn shpata në këllëfin e vet
si këmba në gjurmën e vet hyn
buza në përmalljen e saj, trëndafili
paj, në erëmimin e tij
si hyn loti në dritën e vet
si zjarri në shkulmin e tij hyn
si në dhembjen e saj fjala, si deti
në dallgën e tij, si poema
në rimën e vet, hyn dora

n’dritën e përmallme të gjinjve

si hyn gargulli në klithmën e tij
si hyn shpata në këllëfin e vet
trëndafili në erëmimin e agimtë
si pantera në rendjen e etshme...



UNDERGROUND ROCK

sa vjen e i ngjajnë
njëri-tjetrit armiqtë
të burgosurit e gardianët
profetët e heretikët
tradhtarët e herojtë
robëruesit e robërit
të mallkuarit e të shenjtët

nga qielli i ngjashëm që shohin
burimi i ngjashëm që pijnë
zjarri i ngjashëm që ndriçojnë

nga urrejtja e ngjashme që dhembin

sa vjen e i ngjajnë
armiqte njëri-tjetrit...

Nga libri poetik “Sharme shamani”, Ombra GVG, 2012.

Sonntag, 29. September 2019

Rifat Ismaili: MES MUNGESAVE NË DHOMËN TIME

Rifat Ismaili

MES MUNGESAVE NË DHOMËN TIME

Diçka hyjnore kullon në mendimet e mia
Ëndërroj në dhomë një vajzë si fletë e lehtë
Portreti im vizatuar kuturu nga heshtja
I ngjan një shkëmbi që po thërrmohet në det.

Mungoj prej kohësh nëpër sofrat e miqve
Errësirës kërkoj ti rrëmbej perlat që treten
Një mall i pafund më trazon stuhitë e shpirtit
Rri shtrirë pranë një libri që s'më ngjan mua,por vetes.

Nëpër këtë botë pa shpirt,herbarium
Rri i fshehur librave, errësirës,reve
Si ajri në shpellë mungoj,madje më shumë
Mungoj në mes njerëzve si shiu lumenjve...

Këndoj kundër të gjithëve dhe kundër vetes
Në zemër nuk bëj ortak askënd;
Grave u kushtoj një faqe libri në heshtje
I dëbuar më duket se jam, nga çdo vend...

Adem Zaplluzha: HAP PORTAT EVROPË

Adem Zaplluzha

HAPI PORTAT E NGRIRA MOJ EVROPË

Evropë moj hapi portat e hekurta
Njëqind vjet trokas
Në lëkurën tënde të trashë
Unë para teje
Pata një fe
Dhe pata një atdhe
Ta dhashë emrin kur isha këtu
Ta dhashë shpirtin e kombit tim
Evropë këndellu
Zgjohu
Nga letargjia vdekjeprurëse
Zgjohu Evropë e lig
Pa pikë faji me vendose
Në këtë gropë
Hapmi dyert moj Evropë
Hapmi portat e ngrira
Se një ditë edhe ti do të mbytesh
Në mëkatin e kryer para një shekulli
S’na lë asnjë derë të hapur
Moj Evropë e Fishtës
Na e mbylle shpresën dhe fatin
Me nëntë dryna të mistershëm
Hapi portat e ngrira
Moj Evropë e Fishtës

Mehmet Rrema: DO T’JA MARR KËNGËS

Mehmet Rrema

DO T’JA MARR KËNGËS

Ëndërrat i kam kthyer në kuaj të bardhë
Drejtë teje rrugën e gjatë kam nisur;
Do të vij tek ti o bukuri e rrallë
Tek ti që dora e Perëndisë të ka qendisur
Do të ulem në hije të lisit - Big.
Pranë kroi të ftohtë e gurgullimit të gurrës
Do të këndoj Naimin e lexoj Lasgushin,
Bashkë t’ja marr me Adem zaplluzhën.
Ooo, ku je Or Adem Zaplluzha...!?
Unë në shpat të Gamtit, ti buzë Lumbardhit
Kënga jonë të shkojë deri në malet e Sharrit
Deri në Çamëri, Pejë e Gjirokastër!
Bashkë gjithëmonë si dy Kastriota
Të bejmë të ulin kokën suferinë e shqota;
Rrezet e para përkëdhelin liqenin
Mbuluar nga një perde mëndafshi me ngjyra
Ja mbulon fytyrë si hënë asaj perrie,
Dhe mali me flladin e mëngjesit
Vallen e bukur hedh pranë asaj hijeshie
Në degë të lisit ja merr këngës bilbili.
Mëllenja në gëmushë është zgjuar shpejt
Në rrëzë të malit oh, ç’po këndon thëllënza;
Blegërojnë shqerrat e në krua freskohet vajza
Mes lulesh të bukura me njëmijë ngjyra,
Të palodhura bletët e mbledhin nektarin
Por edhe milingonat me një kokërr në krah
Shkojnë e vijnë drejtë folesë së vet.
Bujku në arë thellë e hap ugarin,
Kur del hëna në Gjeravicë në majën me dëborë
Kur Dobërdolit njëmijë lulet i bëjnë kuror.
Syri i Kaltër me dorë përshëndet dielli
Bujku e hedh farën, mbjell më të mirën;
Ne kemi hypur në kuajt e bardhë
Rreth i bijmë kudo ka shqiptarë
Kudo kanë lindur e janë rritur trima.

Myrteza Mara: MËKATET E POETËVE

Myrteza Mara

MËKATET E POETËVE

Të më emëronin mua jurist të qiellit,
Do shkruaja një ligj vetëm me një nen:
T’i falen të gjitha mëkatet poetit,
Shpirtin e di që ia dërgojnë në Ferr!

Shpirti rebel ngjan me çmendurinë,
Dhe vetëm Ferri pranon të çmendur;
Sadoqë kjo botë është e tëra çmendinë,
Vetëm poetët janë më të nëmur.

Mëkatet e poetëve: Treten si qiriri!
T’i japin dritë kësaj bote të verbër;
Paçka se paskëtaj s’u mbetet as hiri,
Diku, mbi një varr, ndoshta as emër.

Diku mbi një buzë, ndoshta një këngë,
Diku përthan lotët, ndoshta, një varg,
Në ndonjë zemër, mundet dhe brengë,
Si fllad i jehonës që vjen nga larg.

Kjo botë ka më shumë pleh se lule,
Dhe më shumë mure të rrëzuar se gurë.
Kjo botë servile që në pole përkulet,
Vetëm poetët s’ka për t’i kuptuar kurrë.

Montag, 16. September 2019

Një tufë me poezi nga Diamanta Zalta

Diamanta Zalta

ETYD

Si një mit i pastër, shkruar në greqisht,
të lexoj e më mbulon
me tëndin shpirt...

Vetëm kaq,
mund të bësh për mua tani,
ndërsa qielli të mban shtërnguar në gji.

Unë shkel themërçarë, frymeprere,
e përhumbur, e pambështetur,
mbi një dimër balte.
Pastroj koren e një kohe, që s´më ngjante. 




PERËNDIM

Përpij me sy horizontin që davaritet,
deri në pafundësine e tij.
Ndërsa diku në cepin tjetër të botës,
je Ti, qe s’te di.

Më ngatërrohen kufijtë e kohës,
e s’mundem as ti mpij...
Dielli I ngopur me njelmin e detit,
Zhyt avrën e padukshme, e vehten mbyt,
përpara se nata të vijë...

Mua me duhet te ngopem,
me ngopjen e tij.

Derisa ngjyra portokall,
Në mollëzat e bukura të gjethes,
bëhet gri.

Mbaj mend nje cast kur ne heshtje
I kerkova jetes, qofte edhe vetem te di
në se ekzistojnë dy sy, që brënda
mbajnë sytë e mi.

Hëna sajoi një gojë të stërmadhe
nisi ta përqeshe, hulumtimin tim.
me kaperdiu shpirtin, pastaj nje erresire
bakërzoi dritën rreth meje, si nje vetetime...

Më shpërbleu vetem një pllenim ngjyrash,
diku pertej horizontit të lagur me shi,
duke krijuar një figurë binjake,
që më ngjante... e shpikur... vetem në poezi!




ORËVE TË VONA

Kjo mbrëmje,
sapo ka filluar të tymosë blu-në
mbi të gjelbër,
dhe rapsoditë e qiellit,
nëpërmjet një konstelacioni te fshehur mes resh,
përkthejnë zëra të çuditshëm brënda nesh.

Eshte orë e vonë.
Ora kur gjithçka shëndërrohet në hije,
ndryshon trajtë,
ndërsa mbulohet me natë.

Shtëpitë, me çatitë e gërmuqura,
nën syprinën e lagësht e të qelqtë,
çpohen dalngadalë, pakuptuar
nga vështrimi I mprehtë,
I hënës në qiell.

Diku, nën një pullaz ngjyrë gri,
pikon një poezi.
Gezon hareshëm një letër e bardhë
Si nje cope tokë kur mbi te,
bie një petal.

Ku ta dish, diku larg,
Pellumbi vella shkruan me sy në horizont,
dy fjalë.
pasi më parë i ka ngjyer në mallë.
Pastaj humbasin koordinatat e tij,
germat mbyten neper e valë !

Kreshtave të dehura të qenies sime,
tani këndojnë rrëketë.
Era, mbush poret me parfum gjethesh.
Një zë i cuditshem, i perbrendshem
që s’I beson udhës, as te papritures,
Me nje te vertete te pafajshme përleshet...

Edhe pak orë, edhe pak... dhe e nesermja,
do të zëvëndësojë plotësisht, të djeshmen...




DY TE KUNDERTAT E JETES SIME

Gjithë jetën time,
Ndjenja dhe Llogjika,
në luftë kanë qenë për vend të parë.

Llogjika,
urragan që sdi të falë,
përherë, mbyt një pulëbardhë.

( Nga libri "Ringjallja e Pulebardhave" )




PESHORJA E KOHËS

Thërriti një herë,
Për të konkuruar, Jeta,
Në Peshoren e Kohës,
Dy Krijesa.

Një, shumë të pasur - Mbret,
Dhe Nje, shumë të varfër
Poet.

U tha, vendosni në peshore,
Atë që konsideroni më të shtrenjtë,
Dhe atë që mendoni se në jetë,
Zë të parin vend.

Mbreti qeshi... tha: E lehtë!
Dhe i shkelqyen dhëmbët e florinjtë në këllëf.
Poeti, uli kokën e thinjur nga hallet,
E filloi të zhvishte, një nga një,
Zhelet.

Mbreti, vuri mbi peshore pasurinë.
Sa të rëndë e kish´ vërtetë peshën!
Poeti, pasi hoqi zhelet në fillim
Nxorri nga shpirti, Ndjenjen.

Cuditerisht...
peshorja filloi të anojë,
kokëfortësisht,
nga Ndjenja.

Poeti, vuri buzën në gaz .
Mbretit, i luajti mendja .

Kjo është - tha JETA,
Edhe për mua, E VERTETA !

( Nga libri "Rrugicave të ndjenjës" )




SHTËRNGATA KA HESHTUR

Shtërngata,
akoma si ka mbledhur veglat muzikore,
në të përbrëndshmet e shpirtit.
Një frymëmarrje e ç’rregullt,
i mban ritmin.

Pas murit të heshtjes,
bëjnë konferencë gjethet
ngjyrosur me gjakun e pare te vjeshtës.

Rrugëza të vogla drite,
më çojne tek dicka qe me memesine ngjan
e me peshtjell cuditerisht dicka si nje gaz.
Mbështetem e besoj në Zotin e Madh!
Kjo qytezë që më strehon,
mban brenda, ftesën paqësore,
atë qe në gjuhën profite shqiptohet: Salem!
Ehhh... Po Unë, pse s’jam aty ku duhet të jem!?

Zinobi e Romës së vjetër!
me qingjat e bardhë në krahë,
këmbëzbathura në të mermertat shkallë,
me zhelet e shpirtit, varur shkel e shko, në qafë.

Sa e bukur është krenaria,
dhe madhështia, e një durimi!
Dashuria është vezullimi.

Mos u trëmb prej fjalës time, shpirti im.
Jemi qëniet më njerzore!
Aspak mëkatare, aspak tradhtare,
Jemi këtu, e jo në rendje kohe!

Nuk ishim kurrë ajo valë e nxehtë,
e huazuar, e shpirtit Zamfirë - Pushkin.
Por do të vazhdosh të mbetesh besimi i hershëm,
në unazën e kohës, se lëngimit tim.

Sepse me je një bashkim i pranuar,
edhe pse s´me la ta gezoj si desha,
mëmësinë.
E gjithë flaka, tani me është mbledhur
në atë dritën e vogël të syrit, që je Ti.
Digjet në heshtje, siç djeg vehten
me dashje, një qiri...

Pa llogaritur,
pa pritur asnjë këmbim.

Keshtu ndricohen dashuritë e zogjve,
tek njerzit e mirë!
Këngën time dhe tënden do ta cicërojnë
diku harabelat, në nje cope ajri të lirë...

Dashurine e vramë, i dashur, e vramë!
me flijimin për te bukurit, tanet fëmijë,
Ndaj rri i qetë tani, e mos e ki frikë dashurine,
Qe s´na e dha lumturine.

Une jam mbledhur grusht
në një cep të fundit të jetës,
Kërrusur mbi një letër,
e vogël, e vogël, sa një pikë...

Thjeshte, ti më bëj një vend,
Në një cep të vogël të qiellit,
e më prit...

( Maj 2019 )




ME PYETI DJALI...

- A bën gabim, njeriu i shkretë
në se "lëkundet" disi, ashtu... si ta them
krejt papritur, krejt pa dashur,
diku aty... tek zemra afër?
Ndjen një frymëmarrje më tepër
përbrënda,
vetëm per pak, aq sa jeton ëndrra!

- Po bir, ndodh!
Njerëzit ndonjëherë edhe improvizojnë,
diçka të guximshme, qe e dine
se as vetja, as të tjerët se lejojnë!

Mendojnë se marrin pak çaste në duar,
pranverën që i gëzohet luleve të çelura,
zbukuruar nga e pazbuluara,
e madherishme, si një vezë Pashke mbi kashtë,
mbi një lëndë prej drite dhe heshtjeje bashke!

-Kuptoj...
por s’i mund ta quash gabim,
një zemër të mbushur me jaseminë?!
Cdo shpirt i bukur e i dlirë,
mund të adhurojë me pastërti NJERINE,
për bukurinë e karakterit, diturinë,
e te tjera shume...

-E di, jo shumë të thella, por të kullura janë ujrat,
që fshehtas rrjedhin syve,
si kurrë më të bukur.
Jo me pendim,
por me admirim për qiellin,
që një pulbardhë erdhi dhe e bëri të lumtur.
Por për pak, fare pak... se ndergjegja,
qe punon me ligje te pa shkrojtur,
shumë shpejt do ta ketë zhdukur...

Njeriu pra, duhet t’ja falë nganjëherë vetes
mendimin, hutimin, dhe ëndërrimet,
t’ja falë gabimin dhe lules së këputur,
kur I gjithë shpirti, asaj i rri përkulur.

Ah, i miri im, Thika e moralit ,
e prêt lehtë lëndën e lumturisë,
rrotull e rrotull asaj fjale të thjeshtë,
që është dhe e ndëshkuar të vdesë.

Ndoshta ka dhe Engjëj të ashpër, bir
që njeriut ja kërcënojnë zemrën.
Kjo ndodh kur yjet, fikendizen
e i qahen Hënës Nënë,
kështu si ty, në prehër...

Një tufë me poezi nga Rakela Zoga

Rakela Zoga

Një jetë tjetër!

Sa keq me vjen, që s'të kërkoj më pranë.
Nuk rri të mendohem e të vuaj për ty.
E kisha një lot, që më bënte të verbër.
Me pikonte ç'do dite e me vriste në sy.

Me shkundte qerpikët, më sillte erën.
E kohës, që duheshin ne të dy.
Ngazelleheshin stinet, e luanim vjeshtes.
Në dhimbje endra me afronte me ty..

Ndodh të kesh, një jete tjetër mbi vete.
Të jetosh brenda shpirtit në dy..
Në portën e zemrës gjysmë të hapur.
Malli I largët troket përsëri..

(I largët, me dhimbjen e ikur... dhe ti)




Zgjohu!

Përse je bere kaq i pandjeshem.
Nëse të pata gur do te kisha thyer.
Po aromën e fjalëve e pranon dhe shpata.
Në duel dashurie, ndjenja mbi fjalë shkrihet.

Përse je bere kaq i pandjeshëm...
E s'me më dëgjon edhe kur afrohem.,
Ndonjehere bëhem si breshër.
Me gjuhën e qellit, s'di pse bashkohem...

Çastet e ndjenjës janë dridherima.
Zemrat e bukura i mbajnë shtruar.
Prandaj, zgjohu behu i ndjeshëm.
Të shohësh, si preken muzgjet me duar...




Dimërore

Une e kam menduar kthimin në borë.
Ti ke ndonjë ardhje që të pres?
Moti të papritura ka gjithmone.
Por heshtja në shpirt, dhe kohën e vret.




Ndodh

Ndodh të ngrohemi, në heshtje.
Aty ku gurgullojnë vetmitë.
Shpirti di të flasë me lot...
Në qellin e ëmbël të dashurisë.

Ndodh të jemi, e mos shihemi
Pikëllim në endërrim...
Ka një endërr prej verteti
Puthja ngin, veç në harrim...

Ndodh të vdesim, prej së gjalli...
Të mbulohemi me gri.
Në çatinë e qellit zemër.
Veç e veç, pikojnë dy...




Bregut dallgë!...

Afrohem pranë bregut e të gjej ty.
Zgjat krahët me përqafon si dikur.
Mundohem të ik e kthim gjej sërish.
Se trupi në det largim nuk gjen kure.

Kërkova te dal, prej atij shtrati që dhemb.
Po buzët e bregut me thërrasin pa zhurmë.
E kthyer në valë notoja sërish.
Gjëja veç kthim, harim s'prekja unë...

Ndërtoja flluska me sapunin ujë...
I fryja ngadalë, po era I shkrinte nga lart.
Sa shumë e doja atë çast të ylberte,
Kur mijëra ngjyra ti hidhja në shtrat...

Po ti, se kuptove asnjëherë atë kthim.
Ishe një çast, ajo dallgë që të vret.
Tani kur e shoh bregun nga larg,
Me frikën e ikjes me vjen qe te qesh...




Botë e verbër!

Xhaketat e tyre mbushin xhepat me pare.
Dhe blenë erëra, që sjellin veç pluhur.
Sperkaten prej parfumeve, të rema lajkatare.
Sa keq kur I puthin edhe me buzë.

Në shpirtin e tyre s'ka zjarr e ndjenja.
Në gotat e nates derdhin dëshpërim.
Prekin me sy fustane të holla.
Dhe gratë e tyre I lënë në trishtim..

Mjaft u genjyet burra lypsarë.
Me sytjena, që gishta s'ndjejne ne trup.
Në lakuriqësinë e prapanicave të tyre.
Vetëm brekët ju qeshin, si gjarpër në rrugë.

Është koha e djallit, në këtë botë të verbër.
Në shkëlqimin e tij, ju ndrisni me shume.
Shetisni me gjethe, që ju vyshken në duar.
Asnjëra prej tyre s'ka degë, s'ka dhe turp.

Është ndotur kjo tokë, mikrobe veç puth...




Brigjet e heshtura!...
(Për të dielen gri)

Brigjet tona e patën një fund.
Me kot prisnim shirat e vjeshtës,
Era i kishte thare.
Në atë shtrat, prekja coqeza kujtimesh,
Të një erë të marrë.
Si guricka të vrara, zgjoheshin ujrat e stinëve,
Tashmë të ndaluara.
Po unë s'mund ti ringjallja.
Të harruara prej heshtjes pa kthim,
Gurgullonin mungesen harim.
E vdisnin sërish...




Kënga e gjumit

Në qytetin e lashtë përsëri fryn erë.
E pemët janë zgjuar herët prej endres.
Me zërin e fletëve, puthin mëngjesin e bardhë.
Feshferijne një këngë, që këndoj pranë zemrës.

E pyes për ty, ku ndodhesh në këto çaste.
Vizatoj në erë, ditët kurr të prisja me ankth.
Ishe i bukur me zërin e detit e të dallgëve.
Që kurrë s'mi tregove, asnjëherë nuk I pashë.

Të flas pa zë, mos më kuptosh mungesën.
Të dëgjosh endren, që nata me uli në sy.
Ishin dy foleza, që prekeshin prej së gjalli.
Njëra me largonte me duar, e tjetra therriste prit.




Pa zhurmë!

Në sipërfaqen e trupit luajnë ca gishta.
Sikur duan të zgjojnë gjymtyrë te fjetura.
E harruar koha I ka mbështjellë me heshtje.
Flasin vetëm në stinë kujtimesh...

Në kornizën e ndryshkur të zemrës.
Rrenkon stuhia e dikurshme...
Ja dhe pak, dhe do të ikë ndryshku e dashur.
Është fundi që dhemb dhe dhimbja që ngrin..

Prandaj lerme të luaj me gishta e dashur..
Të shkrijë fragmentet e së shkuares.
Të zgjoj trupin tend, të humb trupin tim
Pa zhurmë mbytme, ne gjymtyrë pafajësi...




S'me ikën!

Të kam marrë peng.
Po si, nuk mu ndave një ditë.
Dhe natën kurr fle,
Me ty I mbyll sytë...

Sa herë ec në rrugë,
Ndalem papritur,
Me vjen zëri yt.
Një gjethe e dridhur...

Dhe mbeta mjegull.
Një trup veshur gri...
Me kot thonë se shiu,
Nuk mban dashuri...

Është ndere qerpikëve,
Me lëpin në buzë,
Në këtë lot të kripur...
Gjithë detin, preka unë.