Montag, 30. September 2019

Rrahim Ganiu: IMAZHI I NJË PRANVERE TË RE

Rrahim Ganiu

IMAZHI I NJË PRANVERE TË RE

1
Duke ecur sikur e dënon
Veten pa asnjë faj
E mira dhe e keqja m’u duk
Se u bashkuan e dhanë
Një zë
Shkelmoje hijen pa besë
Emëruesin e surratit helmues
I çoroditur në shpirt
E ky surrat të duket se vret
Edhe vdekjen
Atëherë pëllumbat e bardhë
fluturuan
Në kepin e shpresës
Sytë e mi ndryshe shikojnë
Katundin e gjallë
Të një pranvere të moçme

2
Flisja ulët urrenja mendimin
tim
Që nuk e kisha shfaqur
Që e mbaja enigmë
Kisha frikë nga vegimi im
E duke ecur në rrëmujë
E mësova rrugën e zogut
Atëherë sinqerisht
I premtova këngës
Gjak të lashtë në zemër
E syrit të kaltër ngjyrat
E ylberit
kujtesës
Një kopsht me lule
Në çdo ëndërr

3
E lëshova një zë midis të mirës e të keqes
Oh, a paska shpresë për mua
Sizifin
Të lënë në smundjen e hirit
Gjithmonë në pagjumësi gazepi
I vrarë, i djegur
Gjethja e blertë e këputur
Çfarë faji kishte nëna ime që i thashë
Padashur shumë herë
Më mirë mos të më kishe lindur
Fare nënë
Pse nuk vdiqa ende pa lindur

4
E unë pa dashur kërkoja
Ashtin tim në këngën
E rapsodit plakë
Sot në sheshin që e quajta
Të kombit
Ndryshe i pashë malet
Flakën e bardhë si përkëdhelje
Mëngjesi
Motin e blertë dhe ringjalljen
E shpirtit
E mu duk se nëna ime më tha
Bir, do të kesh imazhin e një
Pranvere të re

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen