Mittwoch, 18. Dezember 2019

Poezi erotike nga Grigor Jovani

Grigor Jovani

DASHURITE

"Nuk të dua më!",
tha ajo me zërin e ngurtë.
Shpirti im u lëndua,
por iu bind.

Një dashuri është e sigurtë.
E nënës,
që të lind.



DO TE DESHA…

Do ndaloj për ty të shkruaj vargje.
Mjaft me aspirinat e hidhura poshtë gjuhës.
Jo më lojë me kujtimet .
“Stop!” me to masturbimit.

Edhe ti,
të mos shkruash asnjë vjershë më për mua.
Nuk ia vlen t’i këndosh dështimit.

Do të desha të mos ishim poetë këndej e tutje.
Të shëtisnim anës detit dhe të mos e deshifronim.
Të na gëzonin vetëm dritat e qytetit,
kinematë verore,
plazhet publike dhe baret anës detit.

Si gjithë njerëzit e tjerë të gëzonim…

Një herë e mirë t’i flaknim fjalët nga supet.
Dhe nëse nuk na ndaheshe ajo e mallkuara,
Poezia,
ta ngjeshnim në mur dhe ta pushkatonim.

Ja, këtë do desha…

S’e bëjmë dot? Mirë,
vazhdojmë të shkruajmë vjersha.



LETER

E dashur Princeshë!

Më mirë të gdhihesh në botën tënde.
Tek kjo e imja
nuk rriten më trëndafilat.

I ujisin me shurrë,
debilat.



ERERAT

Vura një guackë në vesh. Sirenat
thoshin emrin tënd,
mes lukunisë së erës.

Renda si i marrë në breg. Nga varka
s’kishte mbetur gjë. Veç
ca dru të kalbur sipër rërës.

Enda pëlhurë të re. Ndoqa
drejtime të reja erërash. Pashë
të tjera vënde.

Askund më s’të gjeta.

Duke përgjuar erërat,
i lidhur në direkë si Odiseu,
as edhe një natë nuk fjeta.



FATI

Pashë një dhelpër të plakur,
të ligështuar,
tejet të dobësuar
dje mbrëma,
tek një skaj i syve të tu,
ku tashmë
kishte perënduar inati.

Të mëshirova:
ç’të bën fati!



MUZA

Dua të mos ikësh kurrë nga mendja ime,
të jesh prezent,
me çdo kusht.
Mungesa jote - papërballueshme,
si vapa në gusht.

Do bëj për ty vjersha që nuk mbarojnë kurrë,
kanë vetëm fillime.
Tjetër gjë nuk mund të të them.
Je ajri
dhe muza ime.



VIJA TEK TY

I kisha të zeza majat e thonjve,
kur vija tek ty në takimin e parë.
Dashurisë duhej t’i vinte turp.
Por ajo,
nuk kishte nga ta dinte...

Gjithjë natën,
kruaja të zezën e qiellit
me thonj,
sa më shpejt të gdhinte.



SYTE

Sytë mund të jenë kështjella mesjetare,
t’i sulmosh një jetë,
mos të bien fare.

Mund të jenë dy dete, oqeane dy,
të ujisin botën,
as një pikë për ty.

Mund të jenë dy hëna, të qëllojnë dy diej,
por ngaqë s’të ngrohin,
të endesh në qiej.

Kur nuk të shikojnë sytë që dashuron,
ngjajnë qeli burgu.
Ajri s’të mjafton...



PUTHJA

Nesër do të gdhihem me puthjen tënde,
ashtu si prushi në thelb të zjarrit.
Si dheu i shkrifët në gojën e të vdekurit
pas disa vjetësh,
brenda varrit.



TE JETE PER MUA…

Të jetë për mua,
valëzat puthin bregun akoma,
flakëron një qiri tek pllaka e varrit,
drithërohen gjethet nëpër degët e njoma
dhe unë vazhdoj të të dua,
në kufinjtë e të marrit.

Nuk dua të di kush prej nesh pati faj,
e marr unë përsipër.
Ngaqë thjesht të dua!
Do të jem prezent, qysh sot e pastaj,
të paguaj si burrë
të gjitha gabimet e mia.

Të jetë për mua,
bregu vazhdon të zbërthejë kraharorin,
të shuajë dallgët në breg,
si psherëtimat.
Flakëron një qiri edhe për mua të gjorin,
gjersa të digjet ky shpirt
nga vetëtimat.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen